top of page

DHUNA TË LË TË VOGËL


Nga Shemsije Elshani


Në shoqërinë tonë flitet shumë për dhunën.Madje edhe protestohet shpesh kundër saj. Janë krijuar plot OJQ, të cilat sa herë që ndodhë ndonjë akt dhune ndaj grave brenda familjeve i pushtojnë ekranet televizive duke u përbetuar që do ta rrotullojnë botën dhe do ta çrrënjosin dhunën nga realiteti ynë. Pa dashur të tingëlloj cinike, më lënë përshtypjen që disa prej atyre sipërmarrëseve u gëzohen atyre akteve sikur hoxhollarët xhenazeve. Secili rast u shërben si mundësi për t'i arsyetuar grantet e marra dhe për të siguruar grante të reja për ta vazhduar luftën kundër dhunës me forca të përtëritura.

Sidoqoftë edhe kur ky angazhim është i sinqertë ky e trajton vetëm një dimension të dhunës, atë të dhunës fizike.

Përveç dhunës fizike, ka edhe dhunë psiqike, sociale, verbale, ekonomike apo dhe një dhunë subtile tepër vështirë e identifikueshme. Ndryshe prej dhunës fizike format tjera të dhunës e kanë të përbashkët faktin që nuk dallohen lehtë. Për këtë shkak njerëzit që përjetojnë këto llojet tjera të dhunës, e kanë shumë të vështirë të çlirohen prej ambientit, prej familjes apo prej partnerit të dhunshëm a partneres së dhunshme.

Dhuna të lë të vogël, nuk të lë të rritesh. Të tërheq gjithmonë teposhtë. Biles, të tërheqë teposhtë jo veç ty, por edhe të tjerët për rreth, në formë spirale.

Për tu çliruar prej dhunës së pari duhet kuptuar dhe pranuar fakti që je duke u dhunuar, pastaj të ndërpresh kontaktin me njerëzit që të dhunojnë dhe në fund të tërhiqesh nga vendi i ngjarjes.

Megjithatë, jo të gjithë duan të çlirohen nga dhunuesi. Më kot ua vizaton, që ky ambient është i sëmurë. Ata vazhdojnë të rrinë aty, pasi dhuna u është bërë mënyrë jetese. Ata vetëm arsyetohen kot: jo po familja, jo po shtëpia, jo po fëmija. Gënjejnë, pasi që nuk janë të vetëdijshëm, që jetohet edhe pa dhunë, që jetohet edhe pa akuza, pa shpifje, pa fajsi e vetëfajsi.

Për kët arsye sa herë ndodh t'u gjindem në ndihmë njerëzve për të dalë nga ajo gjendje, më marrin inat. Njërës që më ra t'i ndihmoja të ndahej nga burri, i cili e kishte dhunuar një jetë të tërë, nuk më fliste pasi që u nda.

- E di pse, më pyeti një mikja ime psikiatre.

- Pse, e pyes unë.

- Sepse ajo nuk ka qenë ende e gatshme për liri, mu përgjigj ajo.

Konsideroj që të gjithë ata që nuk janë të pjekur për liri, rrinë ashtu të dhunuar, duke e helmuar veten dhe të tjerët për rreth, çdo ditë.

Duket që këtë sindrom e vuajmë edhe kolektivisht, si shoqëri, prandaj kemi ngelur kështu, socialisht të vegjël, por edhe politikisht bebushe.

26 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page