
Dhivër
Nga Fatmir Terziu
Hap faqet në një libër
vargu më sjell engjëllin
dhe zogjtë që këndojnë në Dhivër.
Ndjek vargun,
fjalët,
gjuhën e ndjeshme të shpirtrave,
pemët,
gratë e thjeshta, nënat mes dy gjuhëve,
kujtimet intime,
lirika të tretura natyrës së tretur mes syve,
ngrirë në britma dhe vajtime.
Mes librit pashë rrugët, erën e thekët,
lutjet e një mjedisi të përshpirtshëm,
gara me lojërat fëminore,
fëmijë të pafajshëm.
Dhe e ktheva menjëherë librin prapa
në kohë tjetër,
me penën e poetit Kiço Papa,
isha përhumbur si metaforat mbi letër
ky është Dhivër,
si janë gjërat, më tregon për tokën,
zjarrin, tymin, hijet, aromat,
ndërsa midis kësaj kohe Korfuzi
më rikthen në një pyetje të heshtur,
ku ngjizen mes vetes dashuritë,
deri në Amerikë,
me qëllim, nuk pyeta
për shtëpitë.
Kafe tek Limani
Diçka mbetet më se e ndjeshme
kur rrëkëllej këtë filxhan të kafesë
tek Limani.
Mendja lëviz si një dallgë që kolovitet në ajër
nën shtypjen e një varke
endet për të vizatuar imazhin e fytyrës së ujtë
dhe tendosjet e këmishës sime
copat e tendosura të blusë që pi
dhe çka nëse dua të pi kafenë nga ai filxhan
joshur nga stërkalëzat e gëzuara të detit
në Liman,
gjurmë të lehta të parfumit të joduar,
në fytyrën e dashur që kam pranë.
Dhe çfarë nëse ajo do të buzëqeshë?
Po puthnim detin
ashtu si isha drejtuar për të fiksuar foton e saj,
duke rrëkëllyer kafenë nga filxhani
tek Limani.
Kurse sytë e mi bëhen katër
të mësoj të fotografoj si ky det i kaltër.
Nën themelet e një hoteli në Sarandë
U flas syve.
Gjuha flet me heshtjen e tyre
harresa
dhe asgjë më shumë,
se kapakët e mbuluar me pluhur
të kësaj historie.
Në themelet e një hoteli.
heshtja qëndron te burimi,
përsëri ngërç në rrënjët tona.
Në themelet e një hoteli,
nën beton,
shfletoj mes heshtjes historinë e dhimbshme
të racës sonë.