top of page

DHIMITRAQ ROBO – PIKTORI I ANIMIZIMIT TË NATYRES


Dhimitraq Robo është një nga piktorët e heshtur fierak që e ushtron talentin e tij në mënyrë të heshtur, në një studio të heshtur, tërhequr në kindat e lagjes së tij të dikurshme. Në të katër faqet e studios, Robo ka ekspozuar një numër të madh punësh të cilat i japin asaj, pamjen e nji galerie të vërtetë artistike. Por është pikërisht kjo heshtje që evidenton edhe thjeshtësinë e tij, që e mban talentin e tij larg bujave dhe flluckave mediatike dhe pompozitetit famëkeq të artistit.

Robo vjen nga shkolla e socrealizmit dhe ruan prej saj nji trashëgimi të pasur me punime të larmishme, piktura e grafika të shumta. Në vitet ’80 u paraqit në kspozitën kombëtare në Tiranë me dy kompozime: “Metalurgët” dhe “Dy brezat.” Një numër të madh peisazhes me motive nga kalaja e Beratit, Elbasanit, Lezhës, Gjirokastrës e Sheperi i Zagorisë, jan prezantuar në dy ekspozita të rëndësishme kombëtare e lokale në vitet 1986 – ’87. Tashmë, këto vepra, ndodhen të shpërndara në qytete të ndryshme të vendit dhe jan bër pjesë e trashëgimisë sonë kulturore. Por, puna më përfaqësuese e kësaj periudhe, është tabloja “Prodhime të bollshme”e cila është pjesë e fondit arkivor të Muzeut Historik Fier. Tabloja paraqet një vajzë të shëndetshme që mban mbi supe nji shportë të mbushur me ullinj dhe pozon para nji peisazhi kodrinor që gëlon nga puna e vjelseve të ullirit dhe ngjyrat e një vjeshte të begatë. Koloriti i ngjyrave të ndezura harmonizohet bukur me tiparet e theksuara të vajzës dhe gëzimin e prodhimeve të mbara që asaj i shpërthen natyrshëm në fytyrë.

Nji pikë e rëndësishme e kësaj pikture është edhe karakteristika etnografike e veshjeve, simbolika e së cilës identifikon origjinën myzeqare të vajzës.

Mbas periudhës së tranzicionit demokratik të vendit, ashtu si shumë artistë të tjerë shqiptarë, edhe Robo e ndryshoi fokusin e penelit të tij, nga metodat e imponuara të socrealizmit, në metodat e reja bashkëkohore, në lirinë e veprimit dhe trajtimit psikologjik e meditativ të jetës e natyrës. Kjo është periudha më e begatë e krijimtarisë së tij, më cilësorja dhe më përfaqësuesja për të.

Në të gjitha pikturat e kësaj periudhe, Robo demostron talentin e tij, nëpërmjet teknikave dhe pamjeve të prezantuara me emocion dhe larmi ngjyrash. Ajo që të bije më tepër në sy, është individualiteti i tij krijues që shfaqet dukshëm nëpërmjet disa veçorive që përbëjnë edhe stilin e tij karakteristikë.

Një nga veçoritë e këtij stili është paraqitja konçize dhe elegante e linjave të objekteve. Në të gjitha punimet e tij, ai i “shkund” këto objekte nga pjesët e tyre të tepërta e lë vetëm qenien e tyre esenciale.

Robo punon shumë peisazhin rural dhe urban. Peisazhi rural ndërtohet me natyrën e qetë fshatareske, me drurë, gardhe, zogj, bimë e releiefe të thyera gjeografike, mbushur me vreshta e prodhime stinore. Është një harmoni e realizuar në raportin tokë – njeri dhe njeri – punë, e cila kolerohet edhe me raportet eterike të gjithësisë. Nëpërmjet këtyre peisazheve, autori “hyjnizon”njeriun e punës dhe punën e njeriut duke krijuar kultin e djersës që është një nga burimet kryesore të frymëzimit të tij artistik. Me këtë kult, piktura e tij rrezaton edhe nji moral të shëndosh social, ç’ka e bënë atë, mjaft edukative. Pikërisht te këto tablo lexohet qartë “psikologjia” e realitetit jetik dhe si e tillë, Robo bëhet interpret i këtij realiteti.

Ndërsa në peisazhet urbane të bije në sy tipologjia e vendit dhe specifika e secilës zonë. Është pikërisht kjo tipologji që u jep aromën e gurëve sokakëve të Gjirokastrës, shtëpive të kalasë së Beratit apo namazgjasë së Elbasanit.

Një tipar tjetër dallues i stilit të tij, është karakteri “entusiazt” i ngjyrave. Në pikturat e Robos, ngjyrat formojnë nji ansambël zjarri ku dominon e kuqja, e verdha, e blerta, dhe lejlaja. Harmonia e tyre u jep pikturave të tij nji “shije” të veçantë artistike, sa joshëse aq edhe mbresëlënëse.

Një tjetër veçori e stilit të tij, është edhe përdorimi artistik i drurëve. Sidomos në peisazhet rurale, Robo përdoron me bollëk elementët e tyre dekorativ, në çdo formë dhe çdo stinë. Druri përbën për të nji fjalë kyçe dhe një pasuri të çmuar, e cila trajtohet nëpërmjet animizimit. Këto “gjetje” apo forma të reja, që marin drurët, jan imzhe “të fshehta” që zbulohen para vizitorit duke na dhënë nji befasi të këndëshme. Fare lehtë këto punime mund të quhen , piktura metaforike, pasi brenda tyre kemi nji gërshetim të reales me surealen të cilat shfaqen si rrafshe semantike të mbivendosura njëra mbi tjetrën. Kjo mënyrë pikturimi karakterizon thuajse gjithë punimet e tij. Pikërisht nëpërmjet këtyre “gjetjeve” Robo krijon drurët e tij të veçantë, të cilët ngjasojnë me njerëz në valllëzim. Kurorat e tyre të bashkuara diku, marrin formën e një gruaje në kërcim, me flokët të lidhur tufë e diku duken si balerinë. Të krijohet përshtypja sikur të gjitha drurët e pikturave të Robos, kan hyrë në rrethin e një valleje që ka nisur që në gjenezë e shkon deri në mister. Misteri i drurëve shfaqet qartazi, tek përflakja e tyre diellore. E tillë është tabloja ku paraqitet nji pyll në pranverë, i cili ka “kapur” diellin në çarkun e degëve dhe “digjet” i gjithi në zjarrin e tij përrallor. Më tej, magjia e peisazhit kalon në një animizim resh. Jan disa tablo të rëndësishme që paraqesin Apoloninë me shpirtin e saj antik që endet pezull mbi retë e bardha të vjeshtës ideuar si mjellma që notojnë mbi valët e kaltra të Adriatikut. Apolonia është e tëra nji botë e dhenë në apokalips. Në këtë kend vështrim, Robo, të lë përshtypjen sikur është piktori i kujtesës së antikitetit dhe rinovimit kohor. Edhe ngjyrat e saj, kafja dhe okra e djegur, sikur mbajnë aromë antikiteti. Në secilën prej këtyre tablove, duket sikur shfaqet alfabeti i apokalipsit të Apolonisë, ravijëzuar në mënyrë të dukshme, pikërisht nëpërmjet pikturimit të saj metaforik.

Por, krahas pikturës, Robo punon intensivisht edhe grafikën, e cila zë në krijimtarinë e tij, nji kapitull të gjerë e të rëndësishëm . Ato jan të punuara me karbon dhe ashtu si pikturat, i nënshtrohen nji linje mjaft të kursyer e të zhdërvjellët. Një numër i madh i tyre, i përkasin periudhës së socializmit dhe ruhen në galeri e muze të ndryshme të vendit. Ato trajtojnë temën e ditës së asaj periudhe si; motive nga puna mes naftëtarëve, metalurgët, puna në bujqësi, aksionet vullnetare të rinisë etj.

Ndërsa grafikat e punuara pas tranzicionit, fokusohen tek evokimi i traditës myzeqare dhe paraqesin kryesisht motive me burim pastoral. Në fokusin e tyre përfshihen kafshët shtëpiake si; kali, bualli, qetë, dashi, objekte të traditës popullore, kryesisht mjete pune si; qerrja, parmënda, lundra e kënetave, avlëmëndi, skela e rrogozit, beli, kazma etj. Të gjitha këto punime shprehin momente kyçe nga aktiviteti dhe puna e banorit myzeqar dhe përbëjnë fragmente të rëndësishme të jetëshkrimit të tij.

Por më e rëndësishme nga të gjitha këto punime, është cikli i etnokulturës myzeqare. Ky cikël punuar në vitet 2014 – ’15, është një kompozim me bazë etnografie dhe gjatë gjithë këtyre viteve, ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve dhe artdashësve të shumtë kudo ku janë prezantuar; në studio, ekspozita të ndryshme apo faqet e internetit.

Cikli përfshin 16 punime dhe objektet e trajtuara i përkasin iventarit të familjeve myzeqare si; ibriku, rrota, defi, llampa me vajguri, shtama, sofra etj. Për çdo objekt të tillë, Robo ka kompozuar nji struktrurë lirike e cila fletë në disa pamje. Kështu p.sh. në kompozimin e ibrikut të ujit, kemi shfaqjen e saj të parë në funksionin utilitar, ndërsa tjetra në formën e zogut. Forma grafike e zogut në këtë rast, e vendosur mbi formën origjinale të objektit, i jep tablosë nji trajtë të përkorë kompozimi, duke e bërë atë edhe më tërheqës. E njëjta teknikë pune përdoret edhe në trajtimin e objektit të rrotës së qerres. Rrota që simbolizon lëvizjen, në këtë grafikë është nji stilizim me dy boshte që e përshkojnë brenda saj, kryq e tërthorë, si abshisat dhe koordinatat gjeometrike. Secila nga rrezet e boshteve, mbartin nga nji takije burrash myzeqarë, të cilat shërbejnë si promotor i lëvizjes së rrotës, si shtysa e saj fillestare dhe energjia e vazhdimësisë së saj. Ndërsa rrethi i rrotës, është stilizuar me figura gjeometrike dhe motive floreale, huajtur nga qylymat dhe sixhadetë e grave myzeqare.

Elementi i tretë i këtij kompozimi, është dekorimi i ambientit të jashëm me nji numër objektesh familjare si; kupa, shtamba, gardhi i kasolles etj. Në këtë kompozim flasin me gjuhën e simbolikës vetë jeta rurale e krahinës së Myzeqesë. Aty jepet në nji bashkëbisedim mitik gruaja, burri dhe kasollja myzeqare, nji trinitet ky që ka mbajtur gjallë zjarrin e ndezur të jetës, nëpër shekujt e vështirë të kësaj krahine.

Në grafikën e defit kemi të dhënë funksionin e tij muzikor nëpërmjet vallëzimit. Në qendër të defit shtrihen në vallëzim shtëmbat e ujit. Kokë më kokë e fund më fund ato jan në nji valle sakrifice për tu transformuar në copa pa fund për hir të gëzimit që shpreh vallja.

Ndërsa grafika e llampës me vajguri, paraqet dritën e saj në formën e nji aureole me tiparet e nji vajze. Drita e parë nëpërmjet syve të vajzës, është mjaft e gjetur. Të gjitha këto objekte që trajtohen në grafikat e Robos flasin me gjuhën e simbolikës dhe japin qartë unitetin e jetës rurale me njeriun e saj dhe ecurinë e tyre të përjetëshme.

Krahas objekteve të përdorimit të përditshëm familjar, në këtë cikël, Robo trajton edhe disa elemente etnografikë të veshjeve popullore duke evokuar kështu vlerat më të qenësishme të kësaj trashëgimie. Ashtu si në përshkrimin e objekteve, edhe këtu, ai preferon të “luaj” me simbolikën përkatëse. Simbole të tillë janë takija myseqare dhe guna me rrëke, të cilat përfaqësojnë identitetin e banorëve të kësaj krahine.

Takija myzeqare është simboli më i vjetër i veshjes së burrave myzeqar, nëpërmjet së cilës ata shprehin identitetin dhe krenarinë e tyre legjitime. Pikërisht në frymën e kësaj krenarie e trajton atë artistikisht edhe autori. Veç grafikës së rrotës, ku e fut si element lëvizës, në një tjetër grafikë ai e stilizon atë në formën e nji piramide, sikur do të theksojë pikërisht nivelin e saj piramidal, në hijerarkinë e vlerave të kësaj trashëgimije. Takia në këtë grafikë, ngrihet në art si një piramidë vlerash që dominon e rrethuar nga dy element të tjerë të kostumit të burrave; brezi i mesit dhe jeleku.

Në mënyrë të tillë Robo, paraqet edhe gunën me rrëke. Guna është përfaqësuesja më tipike e veshjes së grave myzeqare dhe Robo e trajton atë si simbol të përfaqsimit të tyre, me bukurinë, hijeshinë dhe elegancën e saj karakteristike. Këtu ai operon me palat e saj, që “mblidhen” e “hapen” si fletë fizarmonike dhe me brezin metalik si pjesë e përdorimit të kësaj veshjeje. Ashtu si edhe në skicat e tjera të këtij cikli, sfondi ku vendoset guna me rrëke dekorohet me motive të ndryshme gjeometrike që ngjasojnë me fragmente qylymash.

Të gjitha këto skica, emetojnë refleksin konotativ të nji “leksioni artistik”mbi trashëgiminë etnokulturore të trevës së Myzeqesë dhe si të tilla, bëhen pjesë e shtresimit tonë kulturor.

Me gjithë krijimtarinë e tij, Dhimitraq Robo, spikat si nji nga piktorët përfaqësues të brezit të vetë dhe aktualisht, vazhdon të punojë në studion e tij, i rrethuar nga heshtja e tij tipike, e cila, më shumë sesa heshtje harrimi duhet konsideruar heshtja sokratike e këtij piktori.

Nuri Plaku




41 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page