Dhimbja që vlon prej ditësh në Kurçele
Nga Fatmir Terziu
Vjeshta e fundit e këtij viti në Kurçele të Njësisë Administrative Kurdari të Bashkisë Klos në Mat, nuk solli vetëm ikje-ardhjet e hutuara dhe të dhimbshme të zogjve të fundit migratorë, por dhe vetë dhimbjet që i mblodhën në lotë banorët e kësaj pike gjeografike në teritorin më të dashur të patriotizmit shqiptar. Lotë që në raste të tilla nuk janë thjesht një përshkrim momenti, por një gjerbje e dhimbshme në sytë e tre fëmijëve të vegjël, nënës së tyre 29 vjeçare, të afërmve dhe familjarëve dhe të gjithë atyre që jetojnë e punojnë aty dhe në të katër anët e Globit, ndërsa morën vesh lajmin e ndërrimit të jetës të të dashurit të tyre, babait, bashkëshortit dhe njeriut të gjakut e fisit, njeriut që lindi dhe u rrit me ta, Alfred Visha.
Tridhjetë e tre vjeçari, Alfred Visha, ishte viktima e pestë që ndërroi jetë nga i ashtuquajturi lajm që erdhi në media pos një aksidenti të skelës në Gjermani. Alfred Visha, na bën me dije daja i tij, Luan Cemenja, nëpërmjet telefonit, „mbeti i plagosur rëndë nga aksidenti në kanterierin e ndërtimit dhe prej disa javësh ishte në gjendje kome“. Ndërsa ne ngushëllonim gjakun e tij, mikun dhe shokun tonë, Qemal Visha, për këtë humbje të dhimbshme, gjë e cila e kishte bërë të udhëtonte urgjent në Atdhe, mësuam më shumë për këtë aksident që morri jetë shqiptarësh. Vetë të afërmit e mbledhur në këtë mort të dhimbshëm e të gjatë pritjeje na folën se bilanci i viktimave shqiptarë, që u aksidentuan në një kantier ndërtimi në Gjermani u thellua nga lajmi që morën se kishte ndërruar jetë, pra edhe babai i tre fëmijëve, 33-vjeçari Alfred Visha.
Shqiptari Alfred Visha mësohet nga këto burime se u plagos pas shembjes së skelës në Gjermani. Babai i të ndjerit, Basir Visha, menjëherë pas lajmit, ka udhëtuar privatisht në drejtim të spitalit ku ndodhej djali i tij. Ai ka mundur ta gjej djalin e tij ende me frymë, por që në ato momente bluzat e bardha të spitalit nuk mundnin të jepnin asnjë shpresë për jetën e tij. Dhimbja e babait të tij, Basir Vishës, u shtua kur i biri ndërroi jetë. Kështu me këtë dhimbje u bashkuan dhimbjet e tre fëmijëve, që Alfred Visha la pas, njëri vetëm 10 vjeç, tjetri 7 vjeç, dhe i fundit 3 vjeç, dhe po aq dhe dhimbja e madhe e bashkëshortes dhe nënës së këtyre fëmijëve, Etlevës, që tashmë në moshën 29 vjeçare përjeton këtë dhimbje të madhe.
Në kushte e një ekonomie të ngushtuar në fshat, dhe në momente të vështira jetese, i ndjeri kishte thuajse katër vite që shkonte dhe vinte në Gjermani, për të mundësuar një lehtësim jetese për familjarët e tij, fëmijët dhe bashkëshorten në këtë pikë gjeografike thuajse të kujtuar nga politika shqiptare vetëm në kohë zgjedhjesh. Ai është marë me bimë medicinale, ka punuar punëra të ndryshme dhe së fundi ishte dfusha e ndërtimit në Hamburg të Gjermanisë, që i solli vdekjen aksidentale. Për këtë familjarët dhe të afërmit kanë pajtuar dhe një avokat nga shteti gjerman që të mundësojë zbardhjen e gjërave dhe të paktën të gjej një hapësirë të mundshme ligjore për shpenzimet, fatin dhe të ardhmen e këtyre fëmijëve dhe gruas së të ndjerit.
Familjarët e Alfred Vishës mësuam gjithashtu se kanë kërkuar dhe ende kërkojnë ndihmë për shpenzimet. Madje, sipas dajës së të ndjerit, mësojmë se familjarët e tij kërkuan ndihmën e shqiptarëve për të përballuar shpenzimet e spitalit. Por i riu nuk ia ka dalë dot që të shpëtojë duke e çuar, sikurse dihet tashmë në pesë numrin e shqiptarëve që ndërruan jetë në Hamburg të Gjermanisë. Të gjithë, thuhet nda ky burim, se ishin punësuar me pasaporta bullgare, ndaj edhe identifikimi i tyre u bë fillimisht si shtetas bullgarë. Më pas, ishin familjarët e tyre, ata që zbuluan identitetin e viktimave. Ngjarja ndodhi teksa shqiptarët po punonin për ndërtimin e një pallati në zonën e HafenCity më 30 tetor. Si pasojë e aksidentit të rëndë humbën jetën tre shqiptarë, Albert Zorba, Astrit Gjeka dhe Ruzhdi Hoxha. Viktima e katërt, ende nuk është idenfikuar. Dhe viktima e pestë është Alfred Visha, pra viktima që ndërroi jetë pas disa ditësh në spitalin gjerman.
Tashmë ndërsa pritet që kufoma e të ndjerit Alfred Visha pritet të vij të mërkurën që vjen, më 15 Nëntor 2023, në fshatin e tij të lindjes Kurçele, në shtëpinë e tij lotët nuk kanë të pushuar. Ndërsa presin tradita e vajtimit ka nxjerr në pah dhe zërrat që theksonin mes dhimbjes se viktima e kësaj tragjedie të dhimbshme kishte prerë biletën e kthimit nga Gjermania, që ishte më datën 2 Dhjetor, dhe që pritej që të vinte për të festuar bashkë me familjarët, gruan e tij, fëmijët periudhën e Krishtlindjeve dhe festën e fundvitit në Atdhe. Fëmijët e tij para kësaj tragjedie i kishin sytë në kalendarin e varur në një gozhdë në mur. Ata dhe nëna e tyre, bashkëshortja e të ndjerit numëronin ditët kur Alfred Visha do të ishte mes tyre, do të sillte ato pak para që do ti gëzonte, do të sillte dhurata dhe pak shpesë për një jetë më të mirë në fshatin e tyre.
Por mes gjithë këtyre dhimbjeve janë dhe mjaft fakte që shpërndahen nga mediat. Disa media nxitojnë të flasin për rregulla e rregullore, disa e quajnë punësimin e paligjshëm, disa në të zezë e disa shtojnë dhe heqin gjëra të cilat i shkruajnë pa fakte dhe argumente. Sidoqoftë mes tyre ka dhe mbesin disa gjëra që dihen. Si përshembull ikja me rregulloren e miratuar brenda hapësirës Shengen. Ajo ndoshta nuk është momenti të citohet, se dhimbja është e jashtëzakonshme, por që është mjaft e domosdoshme të citohet. Vendet në të cilat shtetasit shqiptarë nuk kanë nevojë për vizë dhe që zbatojnë rregullat e hapësirës Shengen janë: Austria, Belgjika, Bullgaria, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Islanda, Italia, Letonia, Lichtenshtejn, Lituania, Luksemburg, Malta, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Qipro, Republika Çeke, Rumania, San Marino, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra.
Shtetasit shqiptarë mund të qëndrojnë në vendet si më sipër, për 90 ditë brenda një periudhe 6 mujore. Numërimi i ditëve të qëndrimit fillon në momentin e hyrjes së parë. Nga data e hyrjes së parë llogaritet 6-mujori përgjatë stë cilit, shtetasit nuk mund të kalojnë afatqëndrimin prej 90 ditësh. Për hyrje-dalje të shkurtra, afati i qëndrimit është shuma e ditëve për secilin udhëtim.
Nëse përgjatë një 6-mujori shtetasit nuk qëndrojnë 90 ditë të plota, ditët e mbetura nuk kalojnë, si shtesë e afatqëndrimit të lejuar në 6-mujorin pasardhës. Mosrespektimi i afatqëndrimit 90 ditor për 6 muaj përbën shkelje të legjislacionit të vendeve të Schengen-it. Shtetasit që thyejnë këtë afat penalizohen me gjoba ose me ndalim të hyrjes në të gjithë hapësirën Schengen.
Motivi i vetëm i qëndrimit pa vizë në hapësirën e vendeve të Schengen-it është qëndrimi afatshkurtër për qëllime turizmi, kontakte pune, biznesi, aktivitete kulturore dhe vizita familjare. Shtetasit nuk kanë të drejtë të shfrytëzojnë qëndrimin pa vizë për qëllime punësimi, trajtime shëndetësore ose shkollim. Për të qëndruar tpërej afatit 90 ditor për 6 muaj, shtetasit janë të detyruar të kërkojnë vizë qëndrimi (vizë të tipit D). Pajisja me vizë D garanton marrjen e lejes së qëndrimit, për qëndrim afatgjatë. Kërkesë parësore është paraqitja e pasaportës së vlefshme biometrike. Në përputhje me motivin e udhëtimit shtetasi është i detyruar të justifikojë me dokumente mbështetëse, nëse kërkohen, motivin e udhëtimit dhe aftësinë e tij për të përballuar financiarisht udhëtimin. Autoritetet kufitare të huaja, kanë të drejtë të refuzojnë hyrjen e shtetasit, i cili nuk është në gjendje të justifikojë motivin e udhëtimit. Hyrja në hapësirën Shengen u refuzohet personave, të cilët më parë janë dënuar nga njëri prej vendeve të zones Schengen, për mosrespektim të legjislacionit të qëndrimit. Nëse një shtetas është ndaluar të hyjë në hapësirën Schengen duhet që, personalisht të kërkojë informacion nga vendi, i cili ka bërë ndalimin e tij, pranë përfaqësive diplomatike ose konsullore të atij vendi.
Pra jo më kot i cituam këto fakte që tashmë dihen. Jo më kot. I ndjeri Alfred Visha ka qenë i rregullt në të gjitha këto pika, të cilat e përcaktojnë këtë udhëzore të ligjshme. E vetmja që duhet të vërtetohet, dhe kjo nga avokati gjerman, i përket punës në atë sektor, ajo që bën pikën tjetër të sqarimit dhe jo të shtimit të dhimbjes tek familjarët që e humbën birin, bashkëshortja që e humbi njeriun e jetës së saj dhe tre fëmijët që do të rriten tashmë jetimë pa babain. Etyre. Ritheksojmë se Alfred Visha sipas z. Luan Cemenja, kishte katër vite që shkonte dhe vinte në shtetin gjerman dhe asnjëherë nuk kishte bërë ndonjë shkelje ligjore. Ai nga vetë natyra e tij, nga vetë origjina familjare dhe nga shkollimi i tij, pasi kishte mbaruar gjimnazin në Lis të Matit dhe dallohej për zgjuarsi, nuk kishte në karakter shkeljet ligjore, madje ishte i përpiktë në të gjitha arsyet që kishin të bënin me ligjet e kujtdo shteti që ai kishte shkelur ligjërisht. Edhe në shtetin gjerman gjatë këtyre katër viteve, shtet ku ai kishte dhe 2 vëllezërit e tjerë atje, ishte munduar të ishte mjaft korrekt dhe i përpiktë me ligjet vendase, ashtu sikurse shquhen si fis, si familje dhe si individë, thekson burimi i komunikimit tonë.
Për ta sqaruar më tej Luan Cemenja, pra sikurse e cituam disa herë më lart, që është daja i tij duke folur për disa media shqiptare dhe për ne gjithashtu, tha se „Alfredi shkonte në Gjermani për punë sezonale çdo 3 muaj me pasaportë shqiptare, dhe më pas kthehej.“ Sipas komunikimit të tij me ne ne mësojmë se i ndjeri i kishte rrëfyer vetë mes telefonit dajës së tij se „në kantier punonte në të zezë, sfilitej me orare të tej zgjatura, me siguri të dyshimtë teknike dhe për gjithçka paguhej 10 euro në orë. Një apel Luan Cemenja e ka për shtetin. Ai kërkon ndihmë pasi kushtet ekonomike te familjes në Mat, pasi sikurse e theksuam edhe më lart ato janë të vështira.
Duke e mbyllur theksojmë se pas më shumë se 35 orësh, operacioni “i vështirë përfundoi të martën në mbrëmje kur u nxor i pajetë nga rrënojat punëtori i fundit. Sipas policisë gjermane viktimat ishin shtetas shqiptarë dhe jo bullgarë, siç u raportua në fillim pasi të gjithë kishin pasaporta të falsifikuara bullgare. Konfuzioni në informacion u krijua për shkak se shqiptarët punonin me dokumente false bullgare. Punëtoret shqiptarët po punonin në katin e tetë të objektit kur skela e tyre u shemb pranë boshtit të ashensorit. Pasi u rrëzuan në një mjedis të frikshëm në thellësi, materialet e ndërtimit dhe shtyllat e hekurit të skelës u ranë përsipër. Ekipi i kërkim-shpëtimit me 150 persona gjeti të vdekur në vend 4 punëtorë shqiptarë me plagë e trauma të shumta, ndërsa i pesti, Alfred Visha ndërroi jetë pas dhjetë ditësh në duart e babait të tij Basir Visha në spitalin gjerman.
Tashmë në Kurçele të Njësisë Administrative Kurdari të Bashkisë Klos në Mat, hyjnë e dalin njerëz që ngushëllojnë, tymosin duahn, flasin, pëshpërisin, japin medime dhe presin që të mbërrij kufoma e të ndjerit për ta përcjell në banesën e fundit, në dheun që e deshi aq shumë vetë i ndjeri. Zogjtë pas ditëve me shi e me mot të paqëndrueshëm të muajit të fundit të vjeshtës shushurijnë qiellit dhe bëjnë ndonjë ndalesë mbi çati si shenjëza të lajmit dhe mesazhit që bluhet nën çati, aty ku zemrat e tre fëmijëve dhe bashkëshortes gufasin më shumë mes dhimbjes. Dikush hap sytë që ndonjë makinë qeveritare të mbërrij… Të paktën të bëj një ngushëllim. Ndoshta do të vij, por mesazhi është ndryshe, duhet ndihmë për këta fëmijë.
DONI TË NDIHMONI FËMIJËT DHE FAMILJEN KLIKO KËTU: