DHIMBJA E DASHURISË SË MADHE*




Myslim Maska

DHIMBJA E DASHURISË SË MADHE*

Tregim poetiko – dramatik, nga Myslim Maska

Kush e krijoi njeriun? Kush vallë e krijoi? Një lëmsh gjigant të mbushur me dhimbje. Shthure lëmshin dhe shihe pak nga pak. Shiko fillin me të cilin është thurur! Pa më thuaj, çfarë sheh? Hë e pe mirë? E pe? mendja jote është e aftë të perceptojë, të depërtojë thellë në mrekullitë dhe çmenduritë e botës. Kur them të botës, kam parasysh të njerëzve. Sepse njerëzit janë ata, që e bëjnë botën! Apo jo? Ti akoma s’po më përgjigjesh, dhe , të them të drejtën, unë akoma s’jam në gjendje të kuptoj ç’po ndodh midis teje dhe meje! Ndoshta unë po flas nga kështjella e çmendurisë sime, dhe, është e natyrshme që s’ke ç’të kuptosh. Por, nëqoftëse unë them një të vërtetë, kur të tjerë e të tjerë, më të mençur se ti dhe se unë, e quajnë, pa më të voglin dyshim, të vërtetë, sipas normave që vetë i kemi vendosur, më lind e drejta të të them, që s’jam unë, por je ti i çmendur! Si? ke një vërejtje? Ç’ më lodh! Ti e di që filosofi dhe çdo krijuesi mbi dhe pa dialogun janë kufoma…S’është kështu?

Po! Atëherë ku e ke fjalën? S’po të dëgjoj mirë mik i dashur. S’po të dëgjoj mirë. Ndoshta ngaqë fryn erë, ah kjo erë!

Ne jemi të çmendur pas erës, Apo jo? Ah, kjo stuhi, që po na çmend! Kjo stuhi diellohënore na veshi me argjënd. Si një ciklon na rrëmbeu e na mori me vete.

Na rrotulloi e rrotulloi, sa na e mori mendjen. Dhe tani s’dimë kush jemi e s’dimë ç’jemi. Kishim apo s’kishim vlerë. Kemi apo s’kemi vlerë. Jemi njerëz, apo jemi lecka të flakura e të braktisura diku… Thuaj ku të duash ti. Ama, jemi lecka, paçavure, të flakura nëpër botë. Përse duhet ta gjykojmë jetën sipas mendësive tona , kur ajo asnjëherë s’na ka pyetur dhe s’na pyet? Si? – Oh, po, ke të drejtë! Ashtu është tamam, ashtu!

Ekziston një mister i pashpjegueshëm. Jeta është një mister! Megjithatë unë mendoj se njerëzit janë ata që e bëjnë dhe e çbëjnë botën! Pikërisht, njerëzit e bëjnë dhe e çbëjnë botën! Cikloni e ka fajin, që na dehu dhe ne si të çmendur u dashuruam pas tij. Bëm keq, apo mirë? Ç’të të them, ç’të them? Ama, ne e dashuruam. Pa më thuaj, mund të dashurohesh me një kënetë që qelbet? E pra, Mirë bëmë! Është faj të dashurohesh me të bukurën? Si i dehur të vallzosh me të? Të tretesh e një me të të bëhesh ? Ta spërkatësh me vesë dashurie këtë botë që digjet në ethe çmendurie? Edhe sikur të biesh në gjunjë e t’i puthësh këmbët si një skllav, prapë është më e bukur se sa të lundrosh në një varkë e të vrasësh rosa në kënetën që qelbet. Njëlloj si të biesh i vilanosur mbi shalët e një kurve, sado e bukur qoftë. Më mirë i plagosur por i lirë. Apo s’është kështu miku im?

- Kush e tha të kundërtën, kush e tha? Unë vij nga bota e të çmendurve. Dua të them nga bota e të çmendurve me stuhinë! Desha të them, po ç’desha të them? Mos ma vër re, kam lajthitur… Isha, por s’jam më. Jam por kot që jam! Kisha, si një yll e kisha një vajzë. Ku?... Ku? E kërkoj ditë e natë. Ku ta gjeja të tretej me stuhinë… Por ma rrëmbyen , ma flakën në kënetë! Dhe në është gjallë, më vjen turp ta nxjerr! E di, e di, ç’ma shton dhimbjen ti. PO MUNGOI MISTERI, MUNGON DHE BUKURIA, si pis në shpirt më ra terri, si varr mu bë shtëpia. Ç’të bëj, më thuaj ti, shpirti për asgjë s’do t’ia dijë. Më dhëmb shpirti, më dhëmb, m’u çmend zemra, m’u çmend. Dhe dhimbja po më tjerr, si lëmsh po më mbështjellë. Kupton apo s’kupton, je prind apo s’je prind? Në hava askush s’e do filosofinë.

- Unë gjersa rrëfehem, diçka më trondit, më duket se zemra më plasi nga marazi. E shoh fillin e lëmshit dhe dhimbjen nëpër të, mjerë njeriu i ndershëm, që s’bëka dot asgjë…

- Kush e krijoi njeriun? Kush vallë e krijoi? E deshi apo s’e deshi , e kuptoi apo s’e kuptoi? Pa shthure lëmshin, do shohësh pak nga pak, pikojnë bukurira, tragjike, plot gjak…

Viti traggjik, absurd, 1997



133 views6 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif