DHËMBIN GURËT …
Dhembin gozhdët e ngulura në mure, po ti dhemb më shumë,
trishtimi që trishton, strukur në dhe të përhitur myshku e bari.
Suva e rrëzuar, kolonat, këpurdhat e shiut që flenë gjumë,
lëngesë e gurit të rëndë, fryma e frymës që s’pushon së qari…
Dhembin trarët e rënkojnë ngase krimbat i brejnë papushim,
kanatet që mer era, pa qelqe, tek qoshku në tavan pikë e shiut.
Kolla që shqep kraharorë, uj' i mbledhur në të shkretën brinjë,
dhemb e s’pushon së dhemburi kjo plagë e njeriut.
Dhemb prag i shkulur, guva e lojës, skutinë e errët e habive,
cingërimë e menteshës, zë i mëmëzonjës tek pusi në skaj.
Spreth’ i thyer nën çati, fantazmat, qilar i mrekullive,
shkrimet biblike, vizatimet e braktisura, qortimet e pafaj.
Dhemb vagulli e kujtimeve që nderen - avull i ngjeshur e vragë,
rrangullina, gabime të gjora që fati e desh të rriteshim bashkë.
Iu merren mendtë aventurave, rrëfenjave të kaltra në parzm.
magjive këndellur në diell që ngjajnë me zhapinj të tharë.
Dhembin gurët e shtëpive në Gjirokastër, po ti dhemb më shumë,
palcë fëmijërie, shpirti përvëlak, që kurrë s’do të të humbë ... !
KËNDEZI, KIKIRIKU ...
Mbret i kurorëzuar, Këndez i mëhallës,
Kikiriku...! Zgjon botën në diell e pluhur.
Detyrë prej Zotit, t'i përmbahet fjalës,
ngase vdekja vjen në kohën e duhur.
Kikiriku - kushtrimzjarr' në ag të përflakur,
mbyll ditaret e natës, ëndrrat që dhëmbin.
Sendet marrin ngjyrat e dheut të lagur,
butësinë e ujit që thyen dhe shkëmbin.
Kikiriku - kohën vetëkurdis pak nga pak,
melodia marruke a britma që trëmb.
Shkrepëtimë drite që të hyn në gjak,
të nguc dëshirën të brofësh në këmbë.
Kikiriku... - triumfi zemërak, i sertë gjer në plotëri,
lajmëtar i qiejve dhe i botës mbarë.
Sigurisht që profecinë e të mençurit s'e di,
në luftë e vërteta është viktima e parë...
E LODHUR NJË FLUTUR...
Kur jemi parë? Fryma pa u prekur.
Kur kemi qarë? A mos kemi vdekur?
Adresë e humbur a kohë e tretur,
në zjarre të shuar, rrishtas të pandezur.
Bredhin në takime gjurmët që lamë,
dimër moskuptimesh, në vena trishtim.
E lodhur një flutur mban erën në krahë,
Harresën që dridhet si gjethja në thëllim...
Kambanë e braktisur, shkëmb i heshtur,
ti luginë e mbushur dys në mjegull...
Nuk na ndajnë qiej, lumenj a dete,
Kujtesa, ditari që e mbajmë me vete ...
Comments