top of page

DHËMBËT E KREHRIT



Sa herë rruga më sillte para MA-PO-os së fshatit, ku poshtë strehës së saj dimër-verë pushonin burra të lodhur, ulur në radhë si shtambat tek burimi cërëzak, zemra më hovte prej dëshirës të blija një krehër. E ëndërroja për natë atë send të “rrezikshëm.” Sa herë hidhja sytë brenda xhamave të dyqanit, shikoja vetëm krehrat. O zot, sa kënaqësi. Ballkoni pa suva i shitores së vogël hijezonte sa një çarçaf tek, por burrat e shfrytëzonin hijen duke i lëvizur gurët ku uleshin, sikur loznin shah me diellin. Në atë copë hije ata shtjellonin lloj-lloj bisedash, nganjëherë trazonin edhe fatin e Amerikës së keqe. Pikërisht, prej diskutimeve e kuptoje sa e vështirë ishte të kaloje përmes tyre e të hyje në shitore. Dëshira më zhuriste por më mungonte kuraja. Qysh fëmijë na mësonin të ruheshim nga telashet. Ndaj i shuaja flakët e pasionit heshtazi, pa dhënë shkak të më qortonin. Do të ishte fatale ta mësonin burrat nën strehë, se bleva një krehër. Më mirë të më pinte dheu të gjallë. Ata do të linin çdo lloj bisede tjetër të përqeshnin vetëm mua. Kjo do të zgjaste mbase një javë, një muaj apo dhe ndoshta shumë më gjatë. Ekzistonte mundësia të sajonin dhe ndonjë nofkë, të më mbetej përjetë. Por unë e kisha vendosur. Ishte ajo flakërima në gjoks që ma ndizte zemra. Madje një natë mu bë zë në gjumë; “O i pakrehur! më foli. Me ç’fytyrë do ta përshëndetësh nesër Marinën?!..” Kështu, nuk ngeli tjetër veç të bëja zemrën gur dhe të çaja gardhin e burrave. Sa të hyja në MA-PO do të përzgjidhja krehrin më të bukur. Oh, çfarë kënaqësie. Zemra do të më rrihte si lodër. Dhe krehri do të bëhej imi!..

Dita që vendosa të veproja erdhi. Ishte një ditë e freskët vjeshte. Pak re të zbardhura që gjithmonë i shikoje në atë stinë mbi det, erdhën e u shtruan mbi mal si jastëk. Qielli rrëndohej përditë. Aty këtu, nga retë shkëputeshin shuka të bardha si pushi që lepurusha shkul nga barku i vet të ngrohë të porsalindurit. Pra, atë ditë të vjeshtës mora kurajë dhe i kapërceva burrat me të shpejtë. U ndjeva sikur kalova përmes një pellgu me krokodilë. Isha i gëzuar. Veç porsa ndesha shikimin e pjerrët të shitësit, u akullova krejt. Ai ishte edhe më finok nga burrat që çlodheshin në hije. Lehtë mund ta kuptonte qëllimin tim dhe kjo do më sillte dështim. Ndaj nuk e shikova në sy. I pëshpërita një “mirëdita” të ndrojtur dhe u nisa për nga veglat e pakta të ndërtimit. Nuk mund të shkoja drejt e tek krehrat. Ndenja pak sekonda para kazanëve, të hutoja shitësin. Më tej qëndrova një hop tek sharra e druve, si të qe një vegël magjike. Më pas shikimi im u shtri mbi një grumbull gozhdësh që krejt pakuptim qarkoheshin prej disa gotash me qelq të trashë. Sipër gotave qëndronin mjeshtërisht ca kuti të vogla me biskota. Oh, ç’bukuri marramendëse. Në MA-PO-on tonë, gjithçka reflektonte magji. Gozhdët kishin nisur të ndryshkeshin lehtë, dhe qelqurinat përreth përfitonin ngjyra farfuritëse.

Lashë ngadalë gozhdët dhe çekanët. Erdha dhelpërisht para vitrinës qendrore, e cila magnetizonte tërë qenien time. E dija, aty më prisnin të shtrirë katër krehrat që ëndërroja, të cilët më provokonin ta çoja njërën dorë gjithmonë mbi flokë. Ky veprim i pakontrolluar, mund të shpjegohet dhe si një autorizim për krehrin dhe punën që ai do të bënte për ato flokë. Sa të bukura do të bëheshin ditët e mia mbas blerjes së tij! Por atë ditë nuk çova vetëm një dorë mbi kokë, por të dyja duart. U trondita shumë. Midis krehrave një vend kishte mbetur bosh. “Ptu, e marrtë dreqi! E ngritën krehrin e kuq!-shfryva i zemëruar pa u thelluar se fjalët aty brenda jehonin si në amfiteatër. Çastin tjetër e mblodha veten. Shoku shitës nuk duhej ta zbulonte turbullimin tim. Në të kundërt mund të përballesha me ndëshkimin e tij, që ishte ndonjë pyetje rreth historisë së fshatit, ose nga historia e partisë. Ishte çudi me të. Nuk e humbiste rastin pa të provokuar. Edhe kur fëmijët hynin me nxitim, të blinin ndonjë laps apo ndonjë gomë fshirëse, më parë duhej t’i përgjigjeshin pyetjeve të tij; “E keni mësuar këngën me të cilën hidhej valle kapedan Sokrati?

Por unë nuk prita të më pyeste. I pikëlluar ngaqë nuk e gjeta krehrin e kuq, mora rrugën për në shtëpi. Nuk besoj nëse i thashë “Natën e Mirë,” ngaqë herën tjetër ai më priti edhe më ftohtë. I pëshpërita si gjithmonë “mirëdita!” Por ishte e kot. Përshëndetja ime humbi midis rafteve me pluhur, ku strukeshin të frikësuara dhe përshëndetjet e shkuara.

–Prapë ti?-më pyeti shitësi teksa zhvendoste topat me stof demode, që flinin prej vitesh në të njëjtin raft.

-Po, ja..!-ia ktheva qetë, ngaqë pyetja e tij sikur kishte edhe pak përgëzim brenda saj. Vërtet, ishte marrëzi të kaloje sa herë gardhin e ngjeshur të burrave para MAPO-s dhe kësaj unë ia dola përsëri. Më tundi kokën me qortim. Unë u hapa si gjithmonë në të majtë, të shikoja të njëjtat vegla të ndryshkura, të njëjtët rafte të pluhurosur, si dhe të nuhasja të njëjtin kundërmim naftaline që ndjehej deri jashtë dyqanit. I përhumbur në larminë e mallrave pa interes, morra drejt nga vitrina e qendrës, të cilën e përshkonte si një sharrë gjigante, rreshti me shishe kolonjë “Rinia”, të cilat i blinin vetëm vajzat pak ditë para se të shkonin nuse. Më tutje rrinin të gumfuara dy furça rroje, si fiqtë e egër anash urës së lumit. Pas tyre, pastat e dhëmbëve ndrinin të gropëzuara nga kapjet e shpeshta. Ngjanin me sardelet që ngelen në fund të arkës të pa shitur. Këto fantazoja sa herë gjendesha para vitrinës së mesit. Ndaj dhe e kisha të vështirë të përzgjidhja krehrin e bukur.

Pasi u afrova dhe pak, vërejta me habi se nga krehrat e vitrinës mungonte edhe një tjetër. Pa diskutim që u turbullova. Ekzistonte mundësia t’i humbja të gjithë, ndaj duhej të mblidhja lekët sa më shpejt. Distanca midis krehrave të mbetur ishte bërë e madhe. Vendi i krehrit të porsa shitur qe ende i pastër, kurse i atij të mëparshmit kish nis të zbardhej nga pluhuri.“Kështu do të zbardhojë edhe vendi i krehrit pasi ta blej unë! –i thashë vetes pa guxuar ta pyes shokun shitës; “Kush vjen e i blen krehrat e bukur, xhanëm..?”

“Mirë u pafshim!”-i pëshpërita shokut shitës teksa ai gjendej dy vitrina larg. Po sistemonte akoma doket.

“Shko e mëso!-ma ktheu ai shkurt që sikur ta dinte, derisa të hidhja në dorë një krehër, as që i prekja librat. Mendjen e kisha veç tek krehri. “Po sikur të shiten të dy krehrat në një ditë?!”-pyesja veten me makth, tek ecja i shkujdesur nën hijen e ullinjve. Në shitore kishin ngelur veç dy copë. Duhet të përshpejtoj! Po cilin të zgjedh pa?! Si të mos më mjaftonte çështja e lekëve, frika për mbajtjen e krehrit në xhep, tani po më mundonte dhe përzgjedhja e ngjyrës. Vendosa t’i vizitoj për së shpejti. Ditët kaluan dhe çasti i madh erdhi. Dielli shtyhej i ngrysët brenda shtëllungave me re. Nuk donte t’i griste. Në MA-PO tonë asnjë fitil drite. Mungëtirë. Eca me të shpejtë dhe kur syri mu përshtat me dritën e paktë, shqova para vitrinës me krehra, një të huaj. U afrova i shqetësuar siç na afroheshin rojet që ruanin bostanin kur ne qëndronin në krye të arës.

“Hajt, po marr këtë me ngjyrë të zbardhur!-tha i huaji duke i shpjeguar shokut shitës që e ndiqte krejt pasiv, se në krehrin e zi zbokthi dallohet lehtë. “Dhe për marshallah të zotit, zbokth kemi me bollëk!” shtoi ai duke qeshur me zemër fshatari. E qeshura ju pre kur shikimi ra mbi mua që po e shikoja ftohtë. Ndoshta priste të shkrihesha me shakanë e tij, por unë nxija prej inatit. “Si vendosi kaq lehtë, kodoshi!”-pëshpërita me duf. Mbas atij çasti nuk kishte çfarë të prisja.

“Ma jep mua atë që mbeti! -i fola urtë shokut shitës duke shtuar me hutim fjalën “Të lutem!” Mandej nxora qindarkat e ngrohta nga xhepi dhe i lëshova mbi vitrinë.

-Për këtë vije rrotull zotrote!? –ma ktheu shitësi duke e mbajtur krehrin paksa lart. Kërceva disa herë deri sa ia rrëmbeva. Më ndihmoi dhe shpërqendrimi i tij, pasi një qindarkë nisi të bëjë mbi xham rrotullame si biçiklete cirku njërrotshe, pastaj u shtri poshtë tek këmbët pa frymë. Duke u larguar, shikova pas edhe një herë vitrinën. Katër vendet bosh të krehrave ngjanin me një shteg të gjerë, pa asnjë drejtim. “Tani pluhuri le të bëjë punën e vet!”-bëlbëzova plot emocion dhe mora rrugën nën ullinj.

Ishte ditë e veçantë. U shitën dy krehra së bashku. Dielli ngeci midis dritareve të MAPO, dhe po shikonte sikur më vendosi në shenjë. Ndoshta nuk e priste gëzimin tim!

Nuk kaluan shumë nga dita e blerjes, kur papritur krehrit tim iu këput një dhëmb. Disa ditë më vonë, edhe një tjetër. Logjike ish që krehri të mos duronte aq stërmundim. Ja ku po iu them, flokët e mi e shfrytëzonin pakufi krehrin jeshil. Ai qëndronte më shumë në kokë, se në xhepin mbrapa, ngaqë çdo çast prisja i krehur të përshëndesja Marinë. Herë-herë ulesha ta pastroja. Gjatë pastrimit vëreja dhëmbin që priste radhën të këputej. E shtyja të drejtohej por dhembi nuk bindej. Përdridhej sikur i dhembte veshka. Atë vit krehri pushoi gjatë periudhës së shkollës, kur na drejtoria na urdhëroi të qethemi kare-kinesçe. Kështu kaluan dy-tre vjet,krehri im aktivizohej veç gjatë verës. Kur ika ushtar krehri pushoi plot dy vjet. Dhe ishin pikërisht vitet kur Marina u rrit e hodhi shtat si qiparis. Kur u ktheva nga ushtria, i pari që takova ishte krehri im i dashur.

“Nuk do të kyç më në sirtar, mor bukurosh!” -i pëshpëritja me ngrohtësi por krehri nuk më dëgjoi. Porsa e vendosa në kokë, me dhëmbët e mbetur tentoi të më shqyente. E ndjeja që donte të hakmerrej për braktisjen, se mbushej përherë e më shumë me flokët e mi. Nuk di përse ma bënte këtë, pikërisht atë kohë kur Marina do të vendoste për djalin e zemrës. Me pak fjalë, krehri jeshil po më sillej shumë keq. E ndjeja që fajësonte flokët e mi për dhëmbët e rënë. Ashtu ai ngjante si plaçkë lufte, i vjetër, paçka se nuk kish punuar as për çerek pensioni. Pra, kryente një veprim të paarsyeshëm. Cinik.

Flokët dhe krehri që me aq sakrificë bleva, nisën të urreheshin. Pas pak muajsh flokët e mi u rralluan, kurse krehri nuk dëgjonte të urtohej. “Pse kaq i sertë, o gëzimi im!”mërmërisja, ndërkohë në fshat u hap fjala se Marina po fejohej. Madje si për inatin e flokëve të mi, djali që e kërkoi për nuse i kishte flokët me vizë përmes kokës. Kjo më lëndoi dyfish. Humba Marinë humba dhe flokët për krehje të tillë. Flokëve të mi tani u përshtatej një ndarje mu anash kokës. Ky ishte ndëshkimi që mora nga krehri! Sot më tepër se kurrë jam i bindur se krehri jeshil nuk u bë kurrë miku im. Por unë nuk e pushkatova. E rruaj akoma diku të fshehur, dhe ditëve kur qiejt mbyllen nga shirat, e marr në duar, dhe i flas zë ulët për Marinë, që kurrë nuk mësoi sa shumë vuajta unë dhe krehri im për hir të saj...

Janar 2003

Athinë

16 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page