Detin nuk e lidhin në djep piskamat
Nga Fatmir Terziu
Lëmusha e guralecëve dukej e tronditur,
buzët e njoma të ndritshme
si llambadarë unazash të bardha që dridhen në erë.
Dallga nuk kositet me kosën e madhe
britma e fëmijës ishte mbrola e çuditshme e koraleve,
pikëllimi i madh,
mënyra se si një perlë mbyllet ngadalë në guaskën e saj.
Ju thoni që uji mbulon të gjithë botën
çdo fanar dhe djep, çdo vdekë e trazuar.
Dhimbja që pasoi atë stuhi nuk mund të shprehet me fjalë.
Një molë e dashur për lotin e zbrazur në këtë botë,
si një e çmendur, shkurtonte fate të vogla
në mënyrë që të hapte një rrugë drejt kësaj zemre të vogël,
duke ecur me sy të mbyllur mes zjarrit kësaj here,
nën tingujt funebër të dallgëve që përvollën nanat
nën shaminë zi dhimbjes së Himarës,
Detin nuk e lidhin në djep piskamat.
Moisiu në shportën e tij me kallamishte
iu largua sot tinës Nilit.
Të rregjistronte sot edhe dhimbjen joniane,
me një grimcë pluhuri nga një planet i shkrimit,
shkulte e ngulte në Bibël të tjera psalme.
Ju jeni edhe loti edhe piskama për dhimbjen,
e nesërmja do të kërkojë qiri të tjerë nga ne
nga këto ujëra të vorbullta
lutuni të mos shtrydhim më lotë si re.
Poezi shume e bukur, plot gjendje poetike, me figuracion te pasur dhe me mesazhe te qarta! Te lumte, prof, Fatmir Terziu! Je i madh, je universal!