top of page

Deti si metaforë, një receptim filozofik me lexuesin, në poezinë e Aleksandër Çipës. 



Tema:  Deti si metaforë, një receptim filozofik me lexuesin, në poezinë e Aleksandër Çipës. 

Shumë teori letrare të leximit të poezive apo edhe të shkrimit, sugjerojnë se leximi i një teksti letar, nuk përfundon më një lexim por me disa lexime. Në vetvete poezia është imazh verbal i mendimeve të poetit, që nuk e përcakton, as shkrimi, as mendimi, as leximi, por është vështirë ta përkufizojmë poezinë, jo vetëm si kuptim i mbartur i imazheve të përgjithshme poetike, por edhe si akt shkrimor, nëpërmjet një organizimi të përcaktuar gjuhësor (Rrahmani: :2003:133).

Poezia nuk kupton vetëm karakterin tingullor, por edhe karakterin kontekstual, që poezinë e lidh me strukturat kuptimore dhe gjuhësore, përmes të shkruarit shumështresor (Wellek & Warren:2007:181). Ajo çka trasmenton, përmes “vlerave ekspresive” dhe specifike, karakterin metaforik dhe simbolik, nga brendia e dukurive të përgjithshme dhe indivuale, përtej të përtejshmes por edhe momentale të kohës, sendërtohet në librin poetik “Deti nuk ka portë” (Çipa: 2019), një poezi lirike, me një komunikim metaforik të veçantë mes poetit dhe lexuesit, ku saora, mbizotëron kryemetafora e detit, një metaforë sa universale aq edhe personale.

 

Libri Deti nuk ka portë”, përmban tetë cikle të titulluar: “Mërzi ndriçuese”, “Vetmia në rrëmujë”, “Për shpirtin je fe”, “Në tel të nëntë si Orfeu”, “Atdheu i absurdit”, “Deti nuk ka portë”, “Statujës së mishtë” dhe “Kangjella para gjumit”, një sendërtim prej ciklesh me tituj që lidhen jo vetëm metaforikisht por edhe metonimikisht.

Poezia ka elemenete të:

a)    elemente të unit lirik individual dhe universal,

b)    raporti ekzistencial përmes kohës dhe lexuesit,

c)     uni lirik dhe qasja socio-shoqërore,

d)    si dhe interpertimi filozofik i ndjesisë së veçantë liriko-poetike.

Lirika vjen përmes imazheve;

-       të natyrës dhe katër elmenteve të ciklikës së jetës (Toka+ Uji+ Qielli + Zjarri), nëpërmjet

pejzazhit dhe përshkrimit me nota meditativo-filozofike,  

-       konceptimi i një lloj perceptimi filozofik rreth qenies, njeriut botës dhe universit,

-       ndërthurja mes elementeve biografike me vendlindjen, ku shpaloset jo vetëm atdheu dhe

familja (një dedikim për Lefter Çipën, si bardi i vargut të Bregut), nëpërmjet vargjeve: do të shkosh o i paikshëm/Ta mbush trupin e paktë/Me një melos të mbulohesh/Kujë pak, e këngë e gjatë/…/At i këngës në atë gjuhë/ Sa dhe deti ta zilepsi/ ai shtoi dallgë pa fund/Ty në shqip fjala të mbeti”, ku i këndoj jo vetëm Himarës , por të gjithë Bregut, për qëndresën, kulturën, traditat, zakonet dhe përditësinë e tyre, një qasje brenda të cilës është ai dhe shqisa poetike e tij (Gaçe: 2019).

Poezia drejpërdrejtë kumton topikat metaforiale si:

1.     topika metaforiale të elementeve të ujit-shiut, (stuhia) përmes vargjeve: “kanë nisur/

qiejt të kullojnë litarë shiu nëpër re,/U frynë përrenjtë dhe po vërshojnë,/lumenj me ujë e dhe, nga poezia: “Pellg i kujtimit nën shira qiejsh” apo edhe poezia: “Nën shi Prizreni”: nga minaret u kullojnë vilare shiu/ Dhe bien mbi kalldrëm butë-butë, ose poezia tjetër: “U shtruan shirat”.  (De)kodimi i metaforës së shiut dhe simbolika e ujit, ka po ashtu katër aspekte ciklike të ujit (shiu, përrenjtë, lumenjtë, deti) si përfytytrim apokalitik (Fraj: 1990: 195), se shiu/uji është një dukuri natyrore që rilind jetën, por edhe si pastrim moral dhe katarsis, apo si pagëzim, për besimi e krishterë/ortodoks (simboliozn rilindje dhe pastrimin emocional) nga Gjon Pagëzori, por edhe në besim islam, në Suren Furkan, “ edhe Ai është, që i lëshon erërat myzhde në prag të mëshirës së Tij (shiut) dhe Ne lëshuam prej qiellit ujë të pastër(El Furkan: 1989)2.  topika  metaforiale e detit ose krymetafora, (që njësia poetike bulon që nga Vlora deri në Sarandë apo përgjatë gjithë bregut), përmes topikave së ambiguaditetit metaforiale e trinisë tokë-qiell-det, që lidh elementin e fuqisë së poezisë me shpirtin individual, si një  simbol që e drejton drejt shpërfaqjes “par excellence”, në strukturat e kuptimit, jo vetëm si  paradigma të përcaktimit ideor-poetik , por vetë qëndrimi filozofik i kategorisë së shenjave si poetika e papërcaktueshmërisë  (Lacoue-Labarthe: 1978: 38), vargjet: për tek deti mos kërko portë,/ku mund të hysh si në shtëpi./Dallga kurrë nuk është një shkallë,/As ngjitesh, as zbret në thellësi./As oborr si tek shtëpia nuk ka,/Trokitja nuk vlen për të hyrë./Deti është botë e ujtë para nesh,/Ka shije të kriptën, shijon zanafillë./Tek rëra e paktë, ku shkel këmba/…./Tek Deti s’ka portë për të hyrë,/Të futesh ku fryma nuk mban./vetëtroket mbi tokën si zemër,/dhe dallgën e shpërndan në çdo anë./Deti nuk ka portë ku të hysh…poezia “Deti nuk ka portë”, kryepoezia apo edhe ngjizja e titullit të këtij libri.  Elementet e detit si: [deti/dallga /ujë /kripa /rëra /breg /spërkala /guacka], përmes përsëritjeve të kryesemës [det], si instancë e thënies, përzgjedh një stukturë hapsinore-kohore, nxjerrë nga tema, e të artikuluar, në konfiguracione discursive, përmes rrugëtimeve figurative, (Courtes: 1979: 134), bazuar vetëm në një fjalë të vetme, e quajtur si figurë semë, që është edhe fjala përmbajtësore e krejt librit:




 

           Konfigurcioni diskursiv          “DETI”

                                                    (përkufizuar si forma

                                                                përmbajtësore e jetës)

Rrugëtime figurative

                                                                                                                                                             

    materia                                   ujë                            hapsirë                       jetë e nënujshme                                                                                                                (lëndë e ujshme)  (lëng pa ngjyrë dhe pa formë)   (hapsirë e madhe me ujë të kripur)  (gjallesat dhe bimet që jetojnë në

                                                                                                                                          hapsirat e deteve dhe poshtë ujrave)

Në formë shkallëzimi ngjitës dhe zbritës, autori ndërton: 

-       trinomin: Tokë-Det-Qiell;

-       metafora e lartësisë: qielli/retë/shiu,

-       fjalët kyçe: qielli /shirat /male /ajër /qiri /dritë /frymë /hëna /brymë /avull /ftohtë/ ngricë

/hije /hëna /vjeshtë /pemë /koha /njeri /sytë /zjarri /rreze /jeta /iluzion /mërzi /Atdhe /puthje /lumi /mali /uji /gjethe /absurd/ vis /Zoti /lartësi /gur /zall /breg /bregu /brigjet /dallgë /guacka /kripë /qyteti /trishtim /mall /grua/ poezi /fjala /zemra;

-       fjalët shumëpërdorimshe: diell: [6 (gjashtë) herë]/qielli/qiejtë/qiellore: [21(njëzet

herë]/deti/dete: [23 (njëzet e tre) herë]/toka: [13 (trembëdhjetë) herë]/re/resh: [9 (nëntë) herë]/shiu/shirat:[15 (pesëmbëshjetë) herë].

3.     topika e elementeve të absurdit: absurdi si rrymë letrare, tek cikli i pestë “Atdheu i

absurdit”, sendërtohet me elemente të qarta, nëpërmjet vargjvenëse imazhi i visit të absurdit,/Ju duhet,/Kam një hise gjithë ngjyra dhe forma,/në atdheun tim. Vlen shumë,/Sa imazhi ju ndihmon për pasardhësit! Pranimi i absurdit, është e vetmja gjë që i ka mbetur artistit, përmes obsesionit, ankthit dhe zhgënjimit, se është ndjenja e fajit që njeriu përjeton (Beckett: 1986:48). Në këtë rrymë, poetët që iu qasën absurdit, kishin probleme me shoqërinë ku jetonin. Meqenëse është realizimi i pakuptimësisë së jetës që lind absurdin dhe që nga kjo absurdi shfaqet kryesisht përmes kujtesës njerëzore, këto mund të jenë karakteristika, që normalisht shoqëron një poet, që e gjen çdo copëz të përvojës së tij, “ të pushtuar” nga absurditeti i shoqërisë ku jeton, që kundërshton edhe interpretimin e absurdit (Camus: 1991: 32).

4.     topika e elementeve të dadaizmit:  dadaizmi si fjalë: (dadaizmi, është rrymë ekstreme

artistike dhe letrare nga fillimi i shekullit XX (1918-1924). Me mënyrën e shprehjes, dadaizmi tentonte të kthehej në fillimet e para të të menduarit dhe në format e para të komunikimit, duke u mbështetur në tendecat e ekspresionizmit). Përfaqësuesit e dadaizmit si:Tristan Tzara, Hugo Ball, André Breton etj., frymëzoheshin nga poezitë-kolazh , duke përfshirë strukturën, rendin, si dhe bashkëveprimin e zërit, ose kuptimin e vetë gjuhës.  Poezitë si: “Avull në brymë”, “U shtuan shirat” etj.; kanë diskurs dadaist, vargjet: në gjithë këtë ngricë, fryma jonë e përbashkët/është avull që ngroh një frut të parënë./Ky dimër që shkon dhe në mall na ka lënë,/e shton ngricën, të ftohtën e mbajti./Në akull të tij edhe ti edhe unë,/përcollëm dhjetorin dhe janari na zgjati/…/Nuk u ngri moti, por trungjet e drurëve/u veshën me brymë dhe akull, për më tepër/Që të mos ndienin se pëshpërima jonë,/jetës së frymtë po i shtonte fletët, në kundërvënie me poezinë “Diell” të Hugo Ball: karroca e një fëmije lëviz midis qepallave të mia./Mes qepallave të mia është një njeri me një qen qimedredhur./Një grup pemësh shndërrohet në një tufë gjarpërinjsh dhe fërshëllen nëpër qiell./Një gur mban një fjalim. Pemë në zjarr të gjelbër. Ishujt lundrues./Shkundja dhe cingërima e predhave dhe kokat e peshqve si në fund të detit.

Koncepti i progresit të një shoqërie, në aleancë me modernitetin dhe kohën, që njeriu të mundet të ndikojë në zhvillimin e proceseve shoqërore, ku vetë ai (pra njeriu), mundet në mënyrë racionale, të planifikojë të ardhmen e komunitetit në luftën për të ardhmen (Calinescu 1987: 94). Edhe poezia: “U shtruan shirat”; thumba të ujtë bien mbi Tokë,/Në gjendjen time,/mjegulla bën shije./Një siluetë zonje në rrugë,/Vetminë e kotë s’di ku ma shpie...., në krahasim me poezinë : "Uji i egër" nga Tristan Tzara, me vargjet: dhëmbët e uritur të syrit/mëndafshi i blozës/e hapur ndaj shiut/gjithe vitin/ujë i zhveshur/errëson djersën nga balli i natës/syri është i mbyllur në një trekëndësh, shihen elemente të përbashkëta të dadaizmit. Dadaizmi, dëshiron të eliminojë arsyen dhe të lartësojë sensin përsa i përket arsyes, ku surrealizmi zëvendëson kontrollin e të vetëdijshmes me atë të pakontestueshmes, ku shkronjat dhe tingujt, vendosin kodet e konventave të gjuhës, duke përformuar një lloj diseksioni gjuhësor (Schafner 2011: 223). Ngërçi dhe veprimtaria e arsyes, apo edhe jeta e shkurtër e dadaizmit, përmes kontradiktës së vazhdueshme për të fshirë kufijtë mes arteve, krijon një stil të vetin (Bürger 1984: 199). Poezitë dadaiste i japin të njëjtën gjë marrësit (lexuesit), lirinë që artistët e konsideronin aq thelbësore për veten e tyre.

Dadaizmi, përpos jashtë (-izmave), motivon:

a)    thyerja e kufijve mes artit dhe shprehjeve artistike,

b)   heqja e vakumeve të asgjësimit të jetës përmes sistemeve politike dhe kulturore të

caktuara,

c)    ironinë si funksion dhe si një element aktivizues,

d)   parimin mes pranimit dhe refuzimit,

e)    dinamikat e pohimmohimit,

f)      prishjen e standardeve tradicionale dhe konservatore,

g)    idealet “antipozitiviste” sociale dhe qëndrimet burlekse,

h)     arsyejet dhe përvojat që eleminojnë dallimet referencile,

i)      asgjësimin e tradicionales dhe kuptimet e koncepteve të “objekteve poetike”,

j)      tendencat e përdorimit të imazheve dhe rastësisë,

k)     tërësinë e ekzistencës së njësisë poetike që promovon marrëzi.

Përballë koherencës, dikotomia tekstuale me elemente të konceptit të dadaizmit (dada), brenda kufijve të kulturës së rrymës, e cila u strukturua nga gjuha dhe mendimi (Jones: 2004:230), nuk ishte jetëgjatë. Ne përputhje, me përmbajtjet absurd dhe jologjike, pakuptueshmëritë e mëdha me doza ironie, radikalizëm, shkatërrim, agresivitet, pesimizëm dhe koncepte të tilla si: nacionalizmi dhe intoleranca, u perceptuan shumë keq nga mendimi dadaist. Në këtë këndvështrim, ndjenjat patriotike, konsumizmi shoqëror dhe kapitalizmi agresiv, veçohen si shkaktarë të neveritjeve më të mëdha të njerëzimit: ashtu si luftërat, por edhe qëndrimet ndaj tyre me humor dhe burlesk veçanërisht, në format klasike të artit dhe poezisë lirike.


Sëfundmi: poezia është e ndërtuar e gjitha mbi metaforën, si refencë ndaj elementeve stilistiko-poetike, por edhe si receptim ndaj lexuesit bashkëkohor.  Duke indentifikuar veten, atdheun, vendlindjen por edhe absurdin e shoqërisë shqiptare, madje i jep zëshmëri visit (viseve) të tij, (gjenezës, fisit dhe gjithë toposit të Bregut), nga ka lindur edhe bisku i gjethimit të poezisë së tij duke thënë shpesh: se deti është ulur në prehrin e poetit dhe gazetarit Aleksandër Çipa.   

 

 

 

BIBLIOGRAFIA:

 

 

1.      Beckett, Samuel. (1986): The Complete Dramatic Work. London: Faber and Faber.

2.      Bürger, Peter. (1984): Theory of the Avant-Garde. Manchester:  Manchester University Press.

3.      Calinescu, Matei. (1987): Five Faces of Modernity. Modernism Avant-Garde Decadence Kitsch Postmodernism. Durham: Duke University Press.

4.      Camus, Albert. (1991): The Myth of Sisyphus and Other Essays. Translated by Justin O'Brien. New York: Vintage Books. https://www.philosophytalk.org/blog/camus-and-absurdity

5.      Courtes, Joseph. (1979): Introduzion á l’analyse narraive et discursive, PUF, Paris.

6.      Çipa, Aleksandër. (2019): Deti nuk ka portë, “Dritëro”, Tiranë.

7.      El – Furkan. (1989): Quran, përkth: Hfz.Sherif Ahmeti, Prishtinë.

8.      Gaçe, Bardhosh. (2019): Si pulëbardhë nëpër detin e kaltërt të Jonit… “Dita”, Tiranë.

9.      Fraj, Northon. (1990): Anatomia e kritikës,  përkth: Avni Spahiu, “Rilindja”, Prishtinë

10.    Jones, Amelia. 2004. Irrational Modernism. A Neurasthenic History of New York Dada. Cambridge – London: MIT Press.

11.    Lacoue-Labarthe, Philippe. (1978): The Caesura of the Speculative. Trans. Robert Eisenhauer, Glyph 4.

12.    Rrahmani, Zejnullah. (2003): Leximi dhe shkrimi, “Faik Konica”, Prishtinë.

13.    Schaffer, Anna Katharina. (2011); Dissecting the Order of Signs: On the Textual Politics of Dada Poetics. In: Adamowicz, Elza & Robertson, Eric (eds.) Dada and Beyond. Vol. I. Dada discourses. Amsterdam, New York: Rodopi.

 

 

 

 

 

 

21 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page