top of page

DETI DHE MALI NË POEZINË E NIKO KACALIDHËS


DETI DHE MALI NË POEZINË E NIKO KACALIDHËS


Nga Timo Mërkuri

I-Poezia e Niko Kacalidhës është një poezi që nuk ka “pluhur” rrugësh dhe as “vapë” asfalti në vargjet e saj, përkundrazi ajo është plot freski pylli, jod deti dhe ajër të pastër mali, sikur të jetë e ardhur direkt nga Parnasi. Nuk e përmëndëm më kot Parnasin pasi poezia në fillim ka qënë arti i perëndive, prej nga më pas e morën njerëzit. Bota e Olimpit me dymbëdhjetë perënditë, krijuar nga imagjinata njerëzore, sipas jetës në tokë dhe jo sipas shëmbëlltyrës të rapsodëve “lindi” dhe Apollonin, perëndinë e poezisë dhe arteve, i cili drejtonte dhe nëntë[1] Muzat, pavarësisht se ato ishin perëndesha dhe bija të Zeusit. Ishte koha kur poetët nisën të vlerësoheshin në tokë dhe shiheshin si të dërguarit e perëndive, dhe kjo për vetë magjinë e artit të tyre të fjalës, për stilin e të shprehurit simbolik dhe metaforik, të afërt me stilin e të shprehurit të Pitias[2] dhe sidomos për idetë që përcillnin te njerëzit.

Vargu i Niko Kacalidhës ka diçka parnasiane, që më shumë se një hutimi fillestar për stilin e tij, pas një leximi të vëmëndshëm të bën të mendohesh para se të shprehesh. Në shumë poezi, qofshin me tema pagane, homerike, kristiane apo ikumenike të duket se je duke lexuar poezi parnasiane plot me drurë, zogj, qiell e det, por që “çuditërisht” ato flasin për kohën tone. Është interesant fakti që te poezia e Niko Kacalidhës “mungon” blegtoria, mungesë që na lejon të hamendësojmë mungesën e lodrave me keca e qingja në fëmini si gjithë djemtë e fshatit, për arsye se autori dhe tani heroi lirik nuk ishte i prirur për bari delesh, pasi e kishte përqëndruar të gjithë vëmëndjen te drurët dhe te zogjtë. Edhe në ndonjë rast që përmend blegërimat, ai i përdor si figurë letrare, si në poezinë: “Njëmijë guaska deti” ku shkruan:


Një mijë guaska deti blegërijnë brigjeve,

kullotur në bunacë.


Një mijë guaska deti blegërijnë brigjeve,

kullotur në bunacë buzëpërgjakura prej puthjes.(f.366).



II-MALET…


Poezia e Niko Kacalidhës duket vërtet si një poezi e ardhur nga Parnasi, dhe këtë

e përforcon edhe fakti se në vargjet e tij malet, jo vetëm që janë të pranishme, por janë në thelb simbole madhështore ekzistenciale të artit poetik. Përgjithësisht në poezinë dhe artin tonë gojor malet janë element ekulibri për njeriun shqiptar (De Rada), ndërsa në poezinë e Niko Kacalidhës ato janë element origjine:


Sipër, në shpat të maleve shtëpia prindërore,

duke gërvishtur qiellin.

……………………………………………………

Kudo që shkoj mbart supeve peshën e shtëpisë

sime. (“Kthimi në shtëpinë prindërore” f.153)



dhe vazhdimësinë ;


Gjithmonë do të qëndrojë atje lart një fshat

i gurtë dhe gjithmonë gurët dhe drurët e tij

do të jenë shenjtorët e oborreve tona.

Gjithmonë do të shtrihen male, hije luanësh,

me burime-bebëza të lëbyrta, (f.155)


Poeti lidhjen e tij me malet e ka natyrale dhe po natyrale e jep te poezia “Duke dalë nga malet e mia me bore” në të cilën shkruan:


Duke dale nga malet e mia me borë, thashë

se askush s’do të më shihte nën pellushin

e bardhë. Kë të përshëndesja? Kujt t’ia çoja

dorën? Po nga ikën kështu, sikur më tha

borsi, i bukuri zog i dëborës tek hidhej degë

më degë dhe tek shoqëronte hapat e mia.

Po si ikën kështu pa një përshëndetje me malet

e tua? Vërtet mbërdhin dhe s’e ngre dorën?

Po unë nuk mbërdhij që të ndjek hap pas hapi

dhe tund me flatrat e mia tërë pishat?(f.79)


dhe të shtonte me krenari :“Jam bir i malit, jam bir i detit”.

Niko Kacalidha e kaloi fëmijërinë dhe rininë e tij midis maleve dhe pyjeve të Leshnicës dhe si një fëmijë i ritur me tregimet, përrallat, këngët dhe leximet homerike të fisit nëpërmjet gjyshes dinte të gjente më të bukurën në mjedisin ku jetonte, te gurët, drurët e zogjtë dhe të bashkëbisedonte me malin njerëzisht:


“Sikur më thonë malet e vendlindjes:

“U bëre burrë, djalë, u rrite shumë.

A të kujtohet bryma mes lirishtes?

Po lundrat e fëmijëve mbi lumë?”


Madje ta ndjejë veten të lidhur me malin si dy vëllëzër siamezë:


Malet e mia siameze

Me malet dy vëllezër siamezë, mbirë një shtyllë

vertebrale. Kur shtrihet mali - shtrirë dhe unë.

Kur ngrihet mali - unë në këmbë me malin.

Njëri në lindje sheh, tjetri në perëndim. (f.387)


Tingëllon si një simfoni poezia “Malet e Ballkanit” me atë hije të rëndë të portretit të tyre, të cilën duhet ta lexojmë më shumë si portreti historik në raport me botën:


Stoikë dhe kryeneçë për virgjërinë e gjirit tuaj. Hakmarrës

me shigjeta vetëtimash të epokës se gurit. Buste të stërmoçme

hyjnore ngulur me vetflijim në gjoksin e gadishullit.

Konkurues me buste dhe statuaja perëndish. Gjinj të

plleshëm bijsh tragjikë dhe të pastër si masive mermeri.

Ulur këmbëkryq si profetë të mençur, të thinjur, në koncile

sheshesh e hieroresh. Xhelozë për kaltërsinë e deteve që ju

lajnë këmbët si Odiseut kur kthehej nga Troja e u lëshoi

shakujt e erërave.Martirë me kryqe Prometejsh kryqëzuar

shpinës. Me krushq të ngrirë dhe rapsodë të verbër, që rrokin

rrufetë për agullimin e tyre. Me shamitë e dhimbjes kokës.

Ju, dita e parë e botës e ju dita e fundit e botës me katafalkat

e reve. Një gurë tuajin e kam nënkresë prej damarëve mitike

që gjumit më shpalos ditë të pëllumbta.Një pllajë tuajen

mbështetëse të shpatullave kurriz me kurriz, të njësuar si

vëllezërit siamezë drejtuar së mbari.


Ju piramidat e mia dhe fare mbi krye.

Dhe në hijen tuaj më ka hije dhe varri.(f.214)


Te kjo poezi unë shoh që historia e Ballkanit jepet me vargje të ngjeshura, plot tension, gati për të shpërthyer si fuçi baruti, por mendoj se për etikë poetike autori ka përfshirë në titull “Malet e ( gjithë) Ballkanit” sepse shoh dhe ndjej që lehtësisht kësaj poezie do ti qëndronte edhe një titull cilësues i një krahine malore Shqiptare.

Përgjithësisht Niko Kacalidha nuk i poetizon malet si vend rezistence, madje dhe në ato raste të pakta që do të flasë për rezistencën, e bën këtë në një mënyrë simbolike e metaforike duke ftuar mitet dhe legjendat të flasin për këtë rezistencë, si te poezia “Robin Hudi i maleve të mia” ku e mitizon aktin dhe figurën e komitit Stefan Masho nga Leshnica:


Fantastik dhe i çuditshëm, i natës dhe i ditës.

Lëvizte emri dhe trupi, hija dhe qenia

……………………………………………..

Vrapues nën hënë, Kostandin drejt viseve të

vendlindjes, mustaqezi, përgjonjës i orteqeve.

Zogu i sigurisë së natës për shtëpitë tona.

Me një varr vetrrëmihur që groposte qiellin...


Po varri i hapur nën qiparisa nuk e nxënte

as të vdekur, si të hynte në varr për së gjalli?


Robin Hudi i maleve të mia, gjallë e vdekur,

Robin Hud në këto male.(f.106).


Poeti i qëndron besnik qëllimit të tij fisnik për të krijuar një poezi moderne dhe jo një poezi “heroike”.


III- DHE DETI NË VARGJE

Qysh në vargun e parë të përmbledhjes poetike “Heraldikët e borës” Niko Kacalidha e krahason veten me detin:

Unë jam paqësor si deti dhe i egër si deti.

Edhe i madhërishëm sikur të isha si deti,

unë, përsëri emrin tim do të mbaja.(f.15)


Kjo poezi e moshës së rinisë e botuar së pari te“Zëri i Rinisë” në vitin 1972 e ka një fillesë që do të kthehet në betim estetik dhe në kredo poetike të gjithë krijimtarisë së tij. Niko Kacalidha lindi në Leshnicën malore, ku ngado që ta hidhte shikimin ai do ndalej mbi male dhe pyje, me aq maja dhe kreshta dhe kodra dhe brigje, të cilat po të shtriheshin në një rrafsh të sheshtë do mbulonin një sipërfaqe të madhe. Pikërisht te këto male dhe pyje nisën lodrat e tij të feminisë ku poeti i ardhshëm u “prezantua” me zogjtë, me të cilët e vazhdon “bashkë-bisedimin” edhe sot. Ai nuk e njihte detin, ose më saktë atë e shihte me syrin e Homerit kur përshkruante revgimet detare të Odisesë. Niko Kacalidha si një fëmijë i rritur me gjyshe aede dalë si nga mitet, baba si të dalë nga epet homerike dhe nënë këngëtare si të dalë nga bota e Muzave, kishte jetuar përrallat dhe këngët dhe nëpërmjet tyre ai kishte çuar më tej përfytyrimin mbi subjektin e tyre, dhe sidomos mbi udhëtimin shumëvjeçar të Odisesë në dete. Me detin Niko Kacalidhau prezantua në moshën dhjetë vjeçare, kur bashkë me të atin zbriti në Sarandë për të pritur gjyshin, që kthehej nga emigrimi nga Amerika. Si çdo fëmijë u mahnit me atë gjerësi uji të kaltër, që jo vetëm s’kishte qetësi, por godiste brigjet plot zemërim me grushte dallgësh. Mbase ishte kjo pamje e parë e ngulitur në kujtesën e tij fëminore që u bë frymëzimi për poezinë e mëvonëshme “Pashë një ditë detin”:


Pashë një ditë detin të tërbuar.

Rrufe, bubullima dhe vetëtima.

Desh u shkul deti, desh u shkul deti.

Zemra desh më pushoi.

Zemra desh më mbeti.

Zemra desh më mbeti.

Dhe Zeusi kishte zemërime.

Dhe unë, që në pamjen e parë dukem

kaq i butë,

besomëni, në pragun e shtëpisë sime.f. 97


Poeti e njohu detin dhe u dashurua me ‘të me një dashuri fëmije, të pastër dhe të sinqertë. Ai nuk priste ndonjë dhuratë materjale nga deti, i mjaftonte ajo mahnitje që deti i jipte pas çdo shikimi të tij, ndërsa ai, dashurinë për të e shprehte pa ndroje, madje shpesh herë në vargjet kushtuar detit ai fshihte dashurinë e tij reale. Deti u bë “dashnorja “ e tij dhe ai, ashtu si djemtë e rinj, që mjaftoheshin t’i ngjyrosnin ëndërrat dhe shpresat e tyre me një buzëqeshje reale të vajzës, ai mjaftohej t’i ngjyroste vargjet me kaltërsinë e detit, t’i melodizonte ato me zhaurrimën e valëve dhe rropamën e dallgëve. Ai kurrë nuk shkruajti ndonjë varg të hidhur për detin, paçka se ka qenë i hidhëruar. Qysh nga takimi parë me të deti u bë pjesë e jetës krijuese dhe frymëzues temash poetike kur poeti erdhi me banim në Sarandë në vitin 1982, gjer në atë rrafsh sa që ai shkruan: “Unë e kam detin në jastëk dhe i besoj magjisë së / detit./Unë detit i vë jastëkun më të mirë në vatrën time/mbrëmjeve dhe i lë kreun e vendit”.f.83. Unë ju them se kjo nuk është thjeshtë një figurë e bukur letrare në një poezi, kjo është realiteti jetësor i një poeti në një qytet bregdetar si Saranda, i cili banon në një shtëpi 50 m larg detit. Jo më kot poeti thotë:


“Unë nuk jam supersticioz, por i besoj magjisë

së detit. Unë ju them

se mund të mbledh detin me grushta me një

të fërshëllyer nga dritarja e shtëpisë sime.

Unë nuk jam magjistar po të them se zgjas

duart nga dritarja ime

dhe mbledh me grushta në brigje shkumën e

detit me të gjitha ngjyrat e diellit”

…………………………………………………

Pa ejani në ballkonin tim dhe do të provoni” (f.97)


Sepse poeti me detin ka krijuar një marrëdhënie të veçantë:“Dritarja ime e hapur gjithë natën dhe /në mëngjes më solli ftesën e detit”( f.18) sa që çdo gjë e bukur do ketë lidhje me detin patjetër si te poezia “Pashë Afërditën”:


“Sot ka festë deti dhe dyert dhe dritaret e bregut

janë hapur të tëra këtej.

Ku e dinë gjithë këto dyer e këto dritare, se unë

të pres këtu poshtë në breg?

Ti ma bëje me dorë nga mesi i shkumës: unë jam

konkrete, më the, ja ku jam unë,

mos u beso legjendave se kam lindur nga shkuma!

Ç’të them.Deti tej, madhështor me shkumë e dritë.

Andej sikur dole, dhe mbive, në këtë sezon vere.

Unë pashë si linde nga shkuma e tëra si një Afërditë”. (f.71)


Deti për poetin nuk është një masë uji, ai është një shok e mik me të cilin ai

qan hallet ( e moshës):

“Rri ndanë detit t’i hap zemrën për brengat

e mia.

Kësaj radhe deti m’u largua me një zbaticë.

“Unë, i kaltri gjer në rropullitë e mia, tha,

unë i gjelbri gjer në vetësakrifikim, kam halle,

kam dhe unë halle.

………………………………………………

Më shikoni mua kështu dhe thoni se deti nuk

paska halle?!…


Dhe thashë me vete: halle paskan dhe detet.

Si të mos kenë të gjallët?Si te mos kenë poetët?”(f.115).


Për poetin fjala det nënkupton vetëm dashuri, ndaj ai tronditet nga masakrat e diktaturës në grahmat e fundit të jetës së saj, kryer publikisht në bulevardet e Sarandës:

Pashë një djalosh të vrarë që e zvarrisnin

anëdetit në mes të ditës rrugëve të qytetit

për të matur durimin dhe më krisi zemra.

E nga rezonanca e zemrës sime krisi guri.

E nga rezonanca e zemrës sime u rrënqeth

deti, u drodhën masivet malore.(f.101).


Banorët e bregdetit përgjithësisht nuk vuajnë nga sytë, sepse gjithmonë, ashtu si detarët shikimin e kanë të hedhur në largësi. Po ashtu, duke jetuar në brigje, pranë hapësirave të gjera detare edhe shpirtin e tyre e kanë të gjerë, ashtu si dhe shpresën nuk e humbasin kurrë. Një nga poezitë e bukura simbolike të Niko Kacalidhës është dhe poezia “Peshqit në akuarium”që tregon metamorfozën e psikologjisë te ata që u ngushtohen hapësirat (jo vetëm detare) ku shkruan:


Peshqit në akuarium mendojnë se s’ka për ta

tufan.

Harruan detin e origjinës, madhështorin, djepin

tundës e kripën, Eolin me kacekët e erërave.

Poseidonin me fushnjën e frikshme të trazirave,

të rrahjeve detare dhe rebelimit.


Peshqit në akuarium mendojnë se s’ka për ta

tufan.

Vetëm, sa herë, ndërrrohet uji, me sy lëmoshë

kërkojnë në xham. (f.110)


IV- FORMA ESTETIKE E VARGUT TË NIKO KACALIDHËS


Vargjet e Niko Kacalidhës janë të larmishme të llojeve dhe metrave të ndryshme, që nga ato tradicionale deri tek lirshmëria moderne e cila është dhe sunduese, por ajo që ka rëndësi është se nëpërmjet një ritmi të brendshëm rigoroz të aliteracioneve, të zanoreve dhe bashkëtingëlloreve, ai përdor në mënyrë harmonike elementët e një gjuhe të kultivuar, që është zhvilluar e përsosur falë njohjes në thellësi të gjuhës shqipe prej tij dhe aftësisë së kësaj gjuhe për përthithje fjalësh nga gjuhët e tjera si dhe termilogjinë shkencore.

Vargu i Niko Kacalidhës është një varg autentik, i pa imitueshëm dhe i pa zëvëndësueshëm, ku heqja e një fjale nga vargu apo e një vargu nga poezia le një humnerë hutuese moskuptimi të vetë poezisë. Lirik realist, surrealist, metaforik ai është mjeshtër i paraqitjes poetikisht të emocioneve të tij shpirtërore, të cilat ai i derdh direkt nga shpirti i tij në format e artit poetik, pa patur nevojënn e një “përpunimi paraprak” që të duket, paçka se sa vuajtje të brendshme pëson ai në laboratorin e tij të brendshëm poetic të krehjes dhe përzgjedhjes se fjalës. Përvoja tregon se me rritjen e talentit poetic rritet dhe aftësia e poetit për të shprehur me një gjuhë metaforike e simbolike dhe me një finesë artistike ndjenjat më të holla të shpirtit njerëzor.

Në pamje të parë të duket se vargjet e poezive të Niko Kacalidhës janë të hedhura në mënyrën më rastësore, por mjafton një lexim i kujdesshëm i tyre dhe një “shikim” i “thellë” për të ndjerë se ato janë të sistemuara me një kujdes të veçantë gati milimetrik. Fjalët në vargjet e tij janë “punuar” gati si fragmente mozaiku në një arkitekturë përsosmërie, pa kurfarë formalizmi manierist. Qysh në formën e jashtme të bie në sy skalitja estetike e vargut, rëndësia skrupuloze që i jep poeti vendosjes optike fotografike të vargut në faqet e librit në një sistem par exelence. Vetëm duke patur parasysh këto mund të ndjesh në lexim finesën e tij poetike. Poeti nuk i “bën lëshime” vetes për të thënë diçka jashtë metaforës dhe ngjeshja e vargut e harmonia e formës bëhet vetëm për hir të poezisë së vërtetë.

Niko Kacalidha është një skulptor i fjalës që nuk mjaftohet me krijimin e poezisë–skulpturë të tij, apo poezisë imazh, ai i kushtorn rëndësi të madhe sidomos lëmimit të kësaj “skulpture-poetike”, që të mos ketë “cepa” ku të gërvishet shija poetike, si dora e njeriut mbi skulpturat e palëmuara. Ka plotësisht të drejtë kritiku grek Jorgos Jakumis kur shkruan se:“Poezia e Niko Kacalidhës, ka dhuntinë e rrallë të të qenit një kompozim herë metaforik herë simbolik, herë realist e herë surrealist, herë impresionist e herë ekspresionist , herë natyralist, herë futurist, si një piktor fjalësh apo interpretues imazhesh piktoreske”.

Në qoftë se do themi që poezia e Niko Kacalidhës është një pikturë, atëherë detyrimisht do shtojmë frazën:”Ajo është një pikturë që di të këndojë”.



Sarandë, Janar 2023

[1]Nëntë Muzat ishin: Kaliopa ishte Muza e poezisë epike, Euterpa e poezisë lirike, Erata e poezisë së dashurisë, Talia e komedisë, Melpomena e tragjedisë, Terpsikora e vallëzimit, Klia e historisë, Urania e astronomisë, Polihimnia e të kënduarit të himnit dhe atij koral. [2]Pitia – Priftëresha e Tempullit të Delfit, e cila profecitë i bënte më fjalë dhe shprehje me shumë kuptimshe

46 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page