top of page

DERDH GJITHË DASHURINË


SHPENDI TOPOLLAJ


BESIM DEMA, DERDH GJITHË DASHURINË E TIJ PËR PROFESIONIN E

NDERUAR TË MËSUESIT

(Rreth librit “Në puhitë e jetës”)


Gjithmonë i kam lexuar me ëndje librat me kujtime të atyre mësuesve që kanë shkruar rreth viteve të gjata të punës me nxënësit. Kjo ndofta ngaqë në përshkrimet e tyre kam gjetur reminishenca nga koha kur kam qenë vetë nxënës shkolle, ose se pak a shumë e kam kryer vetë këtë detyrë gjithë jetën time si oficer me ushtarët nëpër reparte dhe për një farë kohe, edhe me rininë shkollore. Nga faqja në faqe, më kanë dalë të gjallë edukatorët e mi që nga klasa e parë e me radhë, deri tek ata që ende janë gjallë dhe më sjellin aq gëzim e kënaqësi kur i takoj apo bisedoj në telefon. Dhe pushtohem nga po ato emocione që nuk u zbehën asnjëherë. E kam thënë edhe në një intervistë televizive, se gati cilindo nga librat e mi ua kam kushtuar me radhë atyre. Nuk mund t`i ndaj ata, madje nuk mund të veçoj edhe punonjësit më të thjeshtë të shkollave ku kam studiuar. Si shembull mund të sjell kushtimin që i bëj Fatimes, nënës trupvogël e shpirtmadhe të aktorit të ndjerë Fadil Kujofsa, e cila duke qenë pastruesja e nderuar e shkollës shtatë vjeçare “Misto Mame” në Tiranë, edhe pse vetë përballonte njëmijë halle, sillej me ne si të ishte nëna jonë. Dhe gjithmonë e qeshur. I kam quajtur ata shenjtorë dhe ndiej keqardhje kur, qofsha i gabuar, konstatoj se fare pak kanë mbetur nga ajo racë. Dhe kur gjykoj kështu, kam parasysh se kohët kanë sjellë ndryshime të mëdha. Sot shkollat janë modernizuar dhe pajisur me literaturë e mjete didaktike etj. deri te fjala e fundit e teknologjisë, siç janë kompjuterat, kur ata të kohës tonë ndeshnin sa e sa vështirësi e mungesa. Por kishin një çelës magjik, që quhej ndershmëri dhe përkushtim deri në kufijtë e të pabesueshmes. Kjo u jepte atyre jo vetëm autoritetin e duhur, por edhe respektin dhe dashurinë e përjetëshme që nxënësit kishin për ta. Ata sikur ndiqnin përcaktimin e Konfucit që thosh se “Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë”. Me këtë vlerësim për ta e lexova edhe librin e “Qytetarit të Nderit” të Krujës, Besim Dema “Në puhitë e jetës” që do t`i shkonte edhe titulli “Të mbetesh Njeri”. I lindur mbi shtatëdhjetë vjet më parë, tani në pension, ç`e shtyn atë të vrasë mendjen e të sjellë rrrugëtimin e tij në arsim nga shkolla në shkollë, ku pa dhe njohu mijra fëmijë e qindra mësues nga shumë anë të vendit? Nuk është se kjo përpjekje aspak e lehtë do t`i duhet për të pasuruar biografinë e tij për karrierë. Aspak. Atij, duke bërë këtë, i duket se shlyen detyrimin që ka për mësuesit e tij, bashkënxënësit, kolegët dhe armatën e atyre që ja dëgjuan zërin që nga bankat e klasave ku jepte mësim dhe që nuk e kanë harruar edhe tani që kanë dalë në jetë. Dhe jo vetëm kaq, pasi ai e nis librin qysh nga fshati i tij Mazha e Vogël, prindërit , vëllezër, motra e të afërm, shokët e fëmijërisë, fshatarët, shkolla ku mësoi shkrim e këndim, e në vijim Shkodra ku studio për pedagogji dhe për të cilën thotë: “Shkodra u bë pjesë e jetës sime. Kujtoj ata pleq e plaka shkodrane që edhe pse unë isha 15 vjeç, kur i përshëndetja, ngriheshin në këmbë dhe më kthenin përgjigje. Unë skuqesha nga turpi dhe më vinte keq që i detyroja të ngriheshin në këmbë. I kam borxh Shkodrës që më dha kulturën e saj dhe më qytetëroi, mua që isha rritur gjithë jetën në fshat”. E kuptoj fare mirë autorin e këtij libri se edhe unë që kam jetuar atje për shtatë vjet, edhe pse vija nga një familje intelektuale, po kështu e konceptoj si ndikimin ashtu edhe detyrimin që i kam atij qyteti dhe njerëzve të tij të mrekullueshëm. Besimi e tregon me vërtetësi gjendjen ekonomike të familjes, varfërinë e saj, por jep edhe shembuj bujarie e solidariteti me të tjerët. Ai, sa vinte nga shkolla, shkonte dhe kulloste bagëtinë për të lehtësuar nënën që ai e quante mbretëreshën e gjithësisë dhe kur u rrit disi, çdo verë punonte në hekurudhë për të fituar diçka. Bukuria e vendlindjes e ndoqi pas tërë jetën dhe ashtu si njerëzit e mirë edhe historia e saj la gjurmët e veta në formimin e tij, në karakterin e pathyer, në dinjitetin që shpërfaqi para çdo situate. Edhe këtë pjesë të librit ai e bashkon natyrshëm me arsimin. Njeri i punës, ai kudo që u caktua, qoftë si mësues i thjeshtë, qoftë si drejtues, e konsideronte veten një misionar që nuk duhej të kufizohej thjesht te mësimi në klasë, për të cilin përgatitej seriozisht, por synonte që me shembullin e tij t`i bënte nxënësit ta ndiqnin me dëshirë dhe nga ana tjetër, kudo u prezantua si kuadër i ndryshimeve. Njohës i mirë i pedagogjisë, ai e dinte pa aq mirë rolin e mjedisit në mendësinë e njeriut, ndaj dhe kudo që shkoi, veç mësimdhënies plot kompetencë, ndërmerrte veprime për të ndërtuar kabinete, qytete sportive, lulishte e rrethime të bukura të territorit. Organizator i palodhur, ai zhvillonte mësime të hapura e seminare, dhe gjente forma e metoda që mësuesit vartës, jo vetëm t`i vinte në lartësinë e mënyrave mësimore bashkëkohore, por edhe të kishin harmoni në marrëdhëniet mes tyre, se fundja kishin të njëjtin qëllim. Ataturku duke folur për rëndësinë e mësuesit ka thënë se “Mësuesi i mirë është si qiriri, konsumon veten për t`i ndriçuar rrugën të tjerëve”. Dhe kështu punonin mësuesit tanë dikur dhe vepra e tyre duhet të mbetet udhërrëfyese edhe për mësuesit sot. Se ata nuk i çonte mikrobusi te dera e shkollës, për t`i marrë në drekë, por ecnin me orë në baltë e në shi, ngrënë e pa ngrënë, me nga një pardesy fësh - fëshe si letër cigareje dhe këpucët që u fusnin ujë. Për të mos thënë se kishte të tillë, djem e vajza, që të harruar, ngujoheshin zonave të thella me vite e vite të tëra. Ja, për këta ndien detyrim Besim Dema, kur shkruan këtë libër, ku të habit kujtesa e tij e jashtëzakonshme, gjë që duket te rreshtimi i një pafundësie emrash të tyre në të gjitha shkollat e të gjitha viteve ku shërbeu. Në një farë kuptimi, ky libër mbetet edhe si pjesë e qenësishme e historisë së arsimit në atë rreth. Pra, një kontribut i çmuar për të vërtetuar se koha e dikurshme vërtetë ka pasur vend për qortime të mëdha, por njerëzit nuk u janë shmangur detyrave dhe sakrificave. Ata kanë punuar me sedër dhe ndërgjegje të pastër atdhetare e cila duhet të zerë vendin e vet në traditën tonë të arsimit. Se objektivi për të ecur me hapin e botës së qytetëruar, i ka dhe kërkesat shumë më të mëdha. Ndaj mesazhi i këtij libri është që mësuesit sot, duhet ta çojnë këtë traditë akoma më përpara. Se mësuesi, - sikurse vëren Adamsi - “prek përjetësinë. Kurrë nuk mund të thuhet se ku përfundon influenca e tij”. Një gjë është e qartë: e ardhmja e vendit tonë është në dorën e tyre. Ky është edhe preokupimi i këtij autori, i cila, natyrisht që ka pasur edhe zhgënjimet e veta. Dhe ato më së shumti erdhën, kur nuk duhej të vinin; në demokraci. Se është e pafalshme dhe antinjerëzore që në sistemin pluralist që po ngremë, të trajtojmë njeriun e kontributeve të ndershme, sipas bindjeve politike, sidomos kur ai këto bindje nuk i manifeston gjatë qëndrimit të tij në punë. Besim Dema, mësuesi me origjinë nga Homeshi i Dibrës, të parët e të cilit erdhën me 300 trimat e Skënderbeut, duket se ka i mbetur i pa prekur po ai geni i njeriut që i bën nder vendit të tij, ai njeriu që kryelartë pohon se “Kam dhuruar dashuri, mbështetje dhe sinqeritet pa kushte”. Ndaj dhe ne, me të njëjtin sinqerite e duam dhe i urojmë të tjera vepra nga jeta e tij shembullore dhe interesante.

24 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page