Përfaqësimi i diasporë në Shqipëri filloi që me shpalljen e pavarësisë. Gjatë gjithë periudhës, deri më 1946, përfaqësimi mbi këtë bazë vazhdoi. Por u ndërpre me vendosjen e regjimit komunist, kur ish-deputetët një nga një a në grup u zhdukën; një parti u bë përfaqësuese e të gjithë popullit për më se 45 vjet, duke dëshmuar sesa tragjik e qesharak ishte ky projekt i saj.
Me rrëzimin e diktaturës, të gjithë në diasporë shpresonin që ndër vendimet e para të një sistemi që premtonte të ndryshonte do të ishte që vendet e deputetëve nga diaspora në parlament të liroheshin për t’u plotësuar me të zgjedhurit me votat e komuniteteve jashtë. Shembulli i tyre, edukata e tyre demokratike, do të kishte luajtur rolin që sot nuk ekziston për zhvilimin e demokracisë dhe qytetërimit në parlament e jashtë tij.
Por qeveria, kjo diktaturë e zbutur dhe herë e ashpër, sipas konjukturës, sot vlerëson ndihmat a remitencat që diaspora dërgon, ndërsa njerëzit e diasporës nuk i përfill, i injoron, gjoja i mbron, duke bërë propagandë të njëjtë me atë që bënte partia-pushtet në të shkuarën e saj e cila quhet e lavdishme sa herë që bijtë kujtojnë baballarët e tyre kriminelë të luftës së nxehtë e të ftohtë.
“Maxhoranca sot nuk ka frikë nga vota e diasporës”, thotë ministri i saj, kur është kjo frikë që e mban atë në detyrë, sepse nuk është çështja që diaspora të lejohet të votojë, por edhe të ketë përfaqësuesit nga radhët e veta në qeveri e parlament.
Comments