Denoncimi i korrupsionit kusht i nevojshëm por jo i mjaftueshëm për të ardhur në pushtet.


Gëzim Zilja

Nga Gëzim Zilja

Sa herë Shqipëria ka nevojë ose ndodhet në udhëkryq, Zoti i Madh atje në qiell ose ka orar gjumi ose ka punë më të rëndësishme ose është me grip. Ndërkaq udhëheqësit shqiptarë pasi janë shpallur armiq me njeri-tjetrin për të mirën e atdheut, vrapojnë pas SHBA-ve, BE-së, jo rrallë nga komshijtë historikisht të pabesë ose dashamirës dhe sillen rrotull e rrotull, për të gjetur të drejtën që ua kanë rrëmbyer shqiptarët e tjerë. Udhëtojnë me avionë, mbi kontinente, dete e oqeane, bëjnë mijëra kilometra, harxhojnë paratë e fukarasë ose të oligarkëve, të bëjnë një foto me presidentët amerikanë apo të sigurojnë takime me njerëz të rëndësishëm të Europës. Pastaj fotot ngadhënjimtare e filmimet me shtrëngime duarsh njëzet sekondëshe ( akuzojnë njëri-tjetrin se janë paguar me para të dyshimta) kërkojnë tua shesin shqiptarëve si prova të virgjërisë, pastërtisë dhe përkrahjes së tyre nga të mëdhenjtë e Europës dhe ata matanë oqeanit. Ky teatër i pështirë ka plot tridhjetë vjet që luhet nga palaçot e politikës, duke e detyruar Shqipërinë të ecë herë para me hapa breshke, herë të shtriqet si deveja pasi ka mbushur plëndësin e stërmadh me ujë, e herë të bëjë akrepin, duke helmuar vetveten me helmin e bijve të saj.Sot krimi e padrejtësia ka pushtuar rrugët, trotuaret e sheshet, duke i bërë njerëzit të mos jenë të sigurt edhe brenda në shtëpi. Skandalet me kryebashkiakët, ministrat, PPP-të e tenderat korruptivë janë ushqimi i përditshëm. Një kryeministër me një vullnet të mirë, në këto kushte do të kuptonte se duhet të tërhiqej, të jepte dorëheqjen dhe të kërkonte zgjedhje të parakohëshme. Po kryeministri dhe shpura e tij e majmur dhe servile nuk janë të tillë dhe si përherë do t’i shkojnë të keqes deri në fund. Shumë teoricienë, analistë, juristë, politikanë, filozofë pranë PD-së ose të pavarur të keqen e gjejnë jo rrallë te populli shqiptar. Në rolin e të mençurit e të gjithëditurit, lënë të kuptohet herë drejtpërdrejtë e herë tërthorazi se nuk janë ata fajtorë, se populli shqiptar ka prejardhje nga delja e pula, i pëlqen zgjedha e kaut, nuk e do lirinë, nuk e kupton atë, është i politizuar, është i majtë, është spiun etj etj. Citojnë Konicën, Nolin, e shumë të huaj, duke vënë në dukje të metat e shqiptarëve e duke i valëvitur si flamur a thua ata vetë nuk janë shqiptarë e popujt e tjerë anëkend botës janë pa vese e të kulluar. Shumë e turpshme kjo nga ana e tyre, megjithëse butësia që arrin deri në ndrojtje dhe në uljen e kurrizit para të tjerëve nuk është një cilësi e lindur por e fituar ashtu si dhe paturpësia dhe arroganca.Midis këtyre dy cilësive nuk ka ndonjë largesë aq të madhe si mendohet zakonisht. Ata që kanë marrë përsipër të udhëheqin e ta drejtojnë shoqërinë shqiptare drejt rrugës demokratike, duke përmbysur pushtetin abuziv e shkatërrimtar të Rilindjes, nuk e kthejnë kurrë gishtin nga vetja e të mendojnë: 85% e këtij populli (duke u nisur nga zgjedhjet lokale) nuk e duan qeverinë. Atëherë pse ai nuk na përkrah masivisht, nuk beson, nuk është entuziazt, nuk proteston aq fuqishëm sa të detyrojë Edi Ramën të dorëhiqet ose të shpallë zgjedhjet e parakohëshme?Liderët e opozitës nuk kuptojnë ose nuk duan të kuptojnë se edhe ata vetë kanë nevojë të reformohen, të zëvendësohen,(sidomos një pjesë zorraxhinjsh, përtacësh e servilash, që i janë qepur PD-së si këpushat e bagëtive e dalin në mezhliz vetëm kur fiton PD-ja) ta hapin partinë se e kanë kthyer në bunker, të pastrohen, e të dëgjojnë me vëmendje njerëzit e mënçur, që nuk i mungojnë. Shpesh deklaratat e krerëve të PD-së të krijojnë idenë se kjo përpjekje ( luftë) që ata bëjnë me kundërshtarin ka karakter personal dhe bëhet për të ikur “ata” dhe të vijnë “këta” se janë më të fortë apo më të mirë se “ata”.Çdo parti ka një statut (kushtetutën e partisë) që kushtëzon dhe ligjëron të drejtat dhe detyrimet e anëtar