Megjithëse piu gjysmën e shishes me ujë, kripa e ëndrrës me mish qingji nuk u shpërla. Pi e dy gllenjka të tjera e në çast ndërmendet se natën e Krishtlindjeve edhe së shoqes i qe shkrepur për mish qingji të pjekur. Ai kish pirë dy dopio tekila,1) kurse ajo një gotë verë franceze, Merlot.
“Vera e kuqe të mbërthen në shtrat dhe të nesërmen nuk je për punë,” - e kish këshilluar ai, por ajo ish përgjigjur, vështrimçoroditur:
“Ku ta gjej të mbërthehem një javë në shtrat.”
Edhe se kanë kaluar gjashtë muaj, ende ka ndjesinë se natën e Krishtlindjeve darkoi me një femër takuar rastësisht. Asaj i harlisej pas kurmit hijeshija e freskia femërore, kurse hirnosja e flokëve dhe hartëzimet e rrudhave në fytyrë e qafën e tij, tregonin se biondët, ndryshe nga biondinat, shpërfytyrohen pa mbushur të pesëdhjetat. Ajo ishte kthyer atë mbrëmje nga Karolina e Veriut2, ku kish shkuar me shërbim bankar, për dy javë. Pasi kish bërë banjë, thau flokët dhe veshi kostumin e zi. “Do shkojmë në kishë, - kish thënë ajo, pa u dhënë fjalëve tonalitet pyetёsor dhe pas disa sekondave shtoi: - së bashku.” Gjersa kishin mbёrritur në kishë, por edhe kur qenë darkuar në restorantin Karmelita, ai hezitoi t’i tregonte se mund të humbiste punën në landryn1) e hotelit. Mirëpo, Kriza Amerikane dhe hoteli i patën dalë nga mendja nga që u ngazëllye kur ajo e kapi për krahu dhe pas njëzet vjetëve përjetoi ndjesinë dhëndërore. Përveç kësaj, u habit, kur ajo, mospërfillësja, i përshëndeti dhe përqafoi, edhe i puthi ato gra, të cilat e dinte se dërdëllisnin për të. Femrës i mjaftojnë dy javë larg burrit për të gjykuar veten, – i kishte shkuar ndërmend ndërsa ajo bënte kryq para gjoksit e u ndizte qirinj shënjtorëve. Aroma magjike e dyllit dhe zëri këngëzues e melankolik i priftit, e kishin nxitur të ndihej mëkatar. Atë çast i shkoi mendja se duhej të hiqte dorë nga ateizmi. E kishte gricur dyshimi se ateizmi i ndërsen demonët. “Demonët bëjnë sikur flenë, por, befas, brofin, si të ndërkryer, e shkatërojnë edhe karakteret e formuar,” ku ai fuste veten e tij. Pas dy javësh mungesë, fytyra e saj iu duk më simpatike dhe tiparet i spikasnin si në rini. Përfytyron lëvizjet e saj të kujdesshme, të mos i fikej qiriri e mos pikonte gjunjët dhe kostumin. Natën e Krishtlindjeve ajo i kishte shëmbëllyer si engjëll, kurse ai ishte ndjerë sërish mëkatar. Kur ajo përsëriti, “këtë qiri do ta çoj të ndezur në shtëpi, sikur ta di se do më përvëlojë duart,” – ndjeu keqardhje për të. Sytë i qenë turbulluar nga lotët kur përfytyroi të krisurat bashkëshortore duke u ngjitur me dyllin e shenjtë. Në kohën kur kamarierja e restorantit Karmelita kishte sjellë një gotë grykëgjatë, enkas për qiririn, e shoqja pohoi se zyrat e Degës të Bankёs Amerikane do të transferoheshin në një shtet tjetër.
“Shumica do pushohen nga puna,” - kish shtuar ajo, gati me pëshpëritje, sikur fliste me flakën e qiririt.
“Po ti?”
“Unë, - ishte përgjigjur ajo me krenari dhe vuri buzën në gaz, - rrezikohem vetëm po të shembet Woll Striti.1) ”
Pikërisht atëherë ajo e kish parë për një a dy sekonda në sy e ai dalloi se grija e syve të saj qe kthyer në të kaltër. Në njëzet vjet martesë e dinte se, kur grija e syve të saj kthehej në të kaltër, ishte shenjë pajtimi dhe shpresë për erotizëm. Ama, nëse e kaltra errësohej, zёre se stuhia ishte në të shpërthyer. Megjithëse darkimi kish kaluar sikur ndodheshin në liturgji kishtare, a në ndonjë përshpirtje pas varrimi, në minutat e fundit, vera e kuqe dhe tekila meksikane e kryen efektin. Ai kishte këqyrur gjoksin e gufuar, pastaj këmbët e saj nën tavolinën e xhamtë. Kishte ndjerë pompimin e zemrës dhe gudulisjen e gjakut nëpër damarë. Fytyra e saj u trëndafilua, por e trëndafiluar ish edhe gjatë rrugëtimit, edhe kur vendosi qiririn para ikonës të Shën Gjergjit, në cep të dhomës së gjumit. Pastaj, ajo, njëlloj si në rini, u zhvesh nxitimthi dhe u shtri në shtratin bashkëshortor, pa këmishën e hollë të natës. Parandjenja se atë natë e shoqja do t’i hiqte me dorën e saj mbathjet e sytjenat, doli e vërtetë. Ajo shpupuriste flokët me gishtat e të dyja pëllëmbëve, kurse atij “o sonte, o kurrë!” i klithi përbrenda qënia e tij mashkullore.
“Fike dritën e mbylli grillat,” - kish thënë ajo, me zë të ëmbël e lutës dhe ai e parandjeu se nata e Krishtlindjeve do ish pika kulminante e njëzet viteve martesë. Atë çast ishin dëgjuar trokitjet e shiut mbi çati dhe gurgullima e ujit nëpër ullukë.
Pi një tjetër gllënjë me ujë dhe shtrydh kujtesën të zbulojë në kishte qenë kripa e mishit të qengjit në ëndërr, që i dha etje, apo ishte zgjuar prej neverisë nga jargavitjet e Dean Uesterfilldit, mbi kurmin e të shoqes. Sepse, bankieri zezak e trupmadh, si basketbollist, i qe fanitur në kishë, edhe në restorantin Karmelita, por edhe kur ajo ishte nderur të vendoste qiririn para ikonës të Shën Gjergjit në dhomën e gjumit.
Shën Gjergji ishte shenjti i preferuar i saj.
“Pse pikërisht ai,” - e kish pyetur kur ajo solli para një viti jo një, por dy ikona me Shëngjergj.
“Është i vetmi shenjt që vret kuçedra,” - ishte përgjigjur ajo.
“Neve na duhet një shenjt që vret demonë dhe jo kuçedra,” – ishte përgjigjur ai me ironi, porse ajo, duke qeshur, kishte shtuar me sarkzëm:
“Shenjt të tillë nuk ka.”
Pi gllenjkat e fundit me ujë, shtrydh shishen plastike dhe kujtohet se orgazma, sikur të qe rrymë elektrike, kishte dredhur kurmin e saj që në minutën e parë. Pikërisht atëherë ajo e kishte shaluar, me krahët e shpalosura, si pulëbardha në fluturim, dhe fluturimi vazhdoi gjersa u platit e lodhur mbi trupin e tij. Në çastin që kishte parë flokët e saj, të larushitura nga drita e qiririt, atij i qe zgjuar dëshira çmendurake për të mos e lëshuar kurrë atë trup të magjishëm femëror. Pastaj ajo kishte mbështetur kokën mbi supin e tij dhe buzët e nxehta i patën prekur llapën e veshit. Pas njëzet vjet martesë dëgjoi kumbimin e kënaqësisë femërore:
“Oh, u ndjeva si në rini!”
Natën e Krishtlindjeve ajo nuk u ankua nga pëllëmbët e ashpra e as nga kutërbimi i frymës së tij prej duhanxhiu. Flaka e qiririt luhatej në grahmat e fundit, ndërsa kishin notuar sërish në detin e dallgëzuar të erosit. Asaj here stuhia ishte ai, ajo oqeani, por atij, mbase edhe asaj, nuk u shkoi ndër mend se ai çast i prushuar erotik do të qe i fundmi në shtratin e tyre bashkëshortor.
Megjithëse kanë kaluar gjashtë muaj që ajo e braktisi e jeton në Nju Jork, ai ndjehet i penduar për ç’ka kishte dërdëllitur natën e Krishtlindjeve. Penelimi me ngjyra të ndezura i qytezës bujqësore, ku u njohën dhe u dashuruan, u bë shkak që ajo të shpërthente dufin për jetën primitive në vendlindjen e tij. Pastaj, me mall të largët, ai i kishte kujtuar netët e kaltra në muajin e mjaltit në plazhin e Durrësit. Me ngjyrat e piktorëve italianë, pikturoi qytetin e Napolit dhe përshkroi apartamentin e tyre, edhe shtratin prej hekuri, që ua patën falur komshinjtë. Përmendi qeskat me rroba e ushqime, që i gjenin tek pragu i derës, çdo mëngjes, pastaj, dhuruesin misterioz të shisheve me verë, një plak i ngjashëm me Ajnshtajnin, i cili kishte zbuluar veten kur i tha asaj në sy të tij:
“Ti, dhe vetëm ti, më nxjerr mallin e Marinës.”
Pikërisht, kur ia kishte kujtuar këtë, pëllëmba mblodhi shuk cicën e majtë dhe atij, për herë të parë, i qe dukur se në dorë kishte zemrën e saj. Ajo, sikur të qe adoleshente, kish eksploruar kërthizën e tij dhe pati lodruar me krifën leshatore të gjoksit. E njëjta gjë kishte ndodhur edhe njëzet vite të shkuara në Pyllin e Bilbilave. Befas, ajo harkoi krahët mbi kokë dhe shpupurisi sërish flokët me gishtat e të dyja pëllëmbëve. Pikërisht atë çast atij i qe fanitur Sherli dhe dyshoi se komshia koreane kishte kapërcyer gardhin që ndante dy oborret dhe përgjonte pas dritares të dhomës së gjumit. Sepse, edhe Sherli, nga që ishte piktore, kishte pranuar vëzhgimin e tij, “kjo më ndodh edhe mua në çaste kënaqësie erotike, ose kur jam e nervozuar. Ti e unë, - kishte shtuar ajo e qeshi, - jemi viktima të epshit, por kjo nuk është shkak për të vrarë veten.” Sherli dhe pohimet e saj i qenë kujtuar kur ishin në restorantin Karmelita, mbasi kamarierja qëlloi të ishte aziatike. Mirëpo, natën e Krishtlindjeve nuk mundi të pikasë se çfarë lëvrinte në trurin e të shoqes kur ajo shplekste flokët me të dyja gishtat e pëllëmbëve. Mbase, nga që dhoma e gjumit qe kredhur në errësirë dhe ai s’kish si të shihte në se ngjyra e syve të saj ishte gri, e kaltër apo blu e errët. Sepse, edhe në pyllin e Kroit të Bilbilave, pasi kishin provuar aktin e parë seksual, sytë e saj gri ishin bërë të kaltër. Të kaltër mbetën për muaj të tëra, që nga çasti kur ai i pëshpëriti në vesh metaforën poetike përzier me këngën e bilbilave:
“Në qiejt e tu fluturoj veç unë.”
Ndërmendet se në dorë nuk ka cicën e të shoqes, por shishen plastike, të shtrydhur. Përfytyron veten si ishte përkulur mbi këmbët e saj dhe, pavarësisht se ishte errësirë, e dinte me saktësi vendin në pulpën e majtë, ku qe nishani, si gjethe ahu dhe e kishte puthur pikërisht aty.
“Nga thonjtë e këmbëve e deri në majat e flokëve kurmi yt është i shenjtë për mua,” - e kish mbyllur ligjëratën, pa i shkuar ndër mend se pesë minuta më vonë do t’i hakërrohej vetes, “idiot erotik!” Fillimisht ajo përshpejtoi frymëmarrjen dhe, kur ai nuk e priste, i ktheu shpinën. Atëherë kishte nderur dorën t’i përkëdhelë zverkun, por ajo bëri shënjën e vrullshme me shkundjen e kokës. Në njëzet vjet martesë ai e dinte ç’donte të thoshte ajo shenjë irrituese. Kishte tërhequr dorën dhe pëllëmbën e pati ngjeshur mbi ballë, si strehë kapele. Por, në errësirë, nuk kishte çfarë të shikonte, përveç flakëzës të vockël të qiririt. Flakëza i qe dukur sa një kokërr thekri, që shkëlqente nga vesa. Qiriri ishte tretur krejt, flakëza po jepte shpirt, kurse ai kishte harruar të merrte frymë. Ndërkohë që kish pandehur se të shoqen e pati zënë gjumi, e drithëroi zëri i saj ironik:
“Çmenduria rinore ka pasoja të pafalshme.”
Nga nënsqetullat e saj kishte vërrshuar sërish erëmimi i parfumit dhe atëherë zbuloi se erëmimi ishte i njëjtë me të resave të lajthishtave. Por, frymëmarja e saj e shpejtuar dhe e thellë e kujtoi të tërhiqet në cep të shtratit, pasi qe bindur se ngjyra blu e syve të saj atë çast ishte errësuar.
“Në këtë vend nuk shpëton dot prej mëkateve,” - kishte pohuar befas ajo dhe psherëtiu thellë, sikur u çlirua nga një dhimbje e madhe. Ai ndjeu një pickim në anën e majtë të krahërorit, por pickimi ish pasuar me dridhje të muskujve dhe ngërçet ia tezarën damarët në këllqe e pulpa. Demonët ishin zgjuar dhe e detyruan të brofë nga shtrati. Përfytyron veten duke veshur mbathjet, nxitimthi e së prapthi, pastaj, çalë-çalë del nga dhoma e gjumit. Qe planduar në kolltukun lavjerës në verandë dhe gjer pa zbardhur dita, tavlla e duhanit u mbush rrafsh me bishta cigaresh. Përmes rrjetës së qepallave, që përpëliteshin midis zgjimit e gjumit, kish parë për të fundit herë siluetën e saj. Tërhiqte valixhen me rrotëza dhe nën sqetullën e majtë kishte ngjeshur njërën nga ikonat me Shën Gjergj. Pastaj ai kishte hyrë në dhomën e gjumit, që akoma aromonte nga dylli dhe nga parfumi i saj.
Ikonën tjetër, edhe ajo me Shën Gjergj, e kishte vendosur mbi jastëkun e tij.
Comments