top of page

DEMONËT BËJNË SIKUR FLENË




Thani Naqo


Megjithëse piu gjysmën e shishes me ujë, kripa e ëndrrës me mish qingji nuk u shpërla. Pi edhe dy gllënjka të tjera e në çast ndërmendet se natën e Krishtlindjeve edhe së shoqes i qe shkrepur për mish qingji të pjekur. Ai kishte pirë dy dopio tekila, kurse ajo një gotë verë franceze Merlot.

-Vera e kuqe të mbërthen në shtrat dhe të nesërmen nuk je për punë,- e kishte këshilluar ai, por ajo ish përgjigjur vështrimçoroditur:

-Ku ta gjej të mbërthehem një javë në shtrat.

Edhe pse kanë kaluar gjashtë muaj, ka ende ndjesinë se natën e Krishtlindjeve darkoi me një femër takuar rastësisht. Asaj i harlisej pas kurmit hijeshija e freskia femërore, kurse hirnosja e flokëve dhe hartëzimet e rrudhave në fytyrë e qafën e tij tregonin se biondët, ndryshe nga biondinat, shpërfytyrohen pa mbushur të pesëdhjetat. Ajo ishte kthyer atë mbrëmje nga Karolina e Veriut, ku kishte shkuar me shërbim bankar për dy javë. Pasi kishte bërë banjë, kishte tharë flokët dhe kishte veshur kostumin e zi.

-Do shkojmë në kishë, - kishte thënë ajo, pa u dhënë fjalëve tonalitet pyetёsor dhe pas disa sekondave

kishte shtuar: - Së bashku.

Gjersa kishin mbёrritur në kishë, por edhe kur qenë darkuar në restorantin Karmelita, ai kishte hezituar t’i tregonte se mund të humbiste punën në landrin e hotelit. Mirëpo kriza amerikane dhe hoteli i patën dalë nga mendja nga që ishte ngazëllyer kur ajo e kapi për krahu dhe pas njëzet vitesh përjetoi ndjesinë dhëndërore. Përveç kësaj u habit kur ajo, mospërfillësja, i përshëndeti, i përqafoi dhe i puthi ato gra të cilat e dinte se dërdëllisnin për të. Femrës i mjaftojnë dy javë larg burrit për të gjykuar veten, i kishte shkuar ndërmend ndërsa ajo bënte kryq para gjoksit dhe u ndizte qirinj shenjtorëve. Aroma magjike e dyllit dhe zëri këngëzues e melankolik i priftit e kishin nxitur të ndihej mëkatar. Atë çast i shkoi mendja se duhej të hiqte dorë nga ateizmi. E kishte gricur dyshimi se ateizmi i ndërsen demonët. Demonët bëjnë sikur flenë, por befas brofin si të ndërkryer dhe shkatërrojnë edhe karakteret e formuar, ku ai fut veten e tij. Pas dy javësh mungese, fytyra e saj iu duk më simpatike dhe tiparet i spikasin si në rini.

Përfytyron lëvizjet e saj të kujdesshme që të mos i fikej qiriri dhe të mos pikonte gjunjët dhe kostumin. Natën e Krishtlindjeve ajo i kishte shembëllyer si engjëll, kurse ai ishte ndjerë sërish mëkatar. Kur ajo kishte përsëritur, -këtë qiri do ta çoj të ndezur në shtëpi, sikur ta di se do më përvëlojë duart,- – kishte ndjerë keqardhje për të. Sytë i qenë turbulluar nga lotët kur përfytyroi të krisurat bashkëshortore duke u ngjitur me

dyllin e shenjtë. Në kohën kur kamarierja e restorantit -Karmelita- kishte sjellë një gotë grykëgjatë, enkas për qiririn, e shoqja kishte pohuar se zyrat e degës të Bankёs Amerikane do të transferoheshin në një shtet tjetër.

-Shumica do pushohen nga puna,- kishte shtuar ajo me pëshpëritje sikur fliste me flakën e qiririt.

-Po ti?

-Unë, - ishte përgjigjur ajo me krenari dhe vuri buzën në gaz, - rrezikohem vetëm po të shembet Woll Striti.

Pikërisht atëherë ajo e kishte parë për nja dy sekonda në sy dhe ai kishte dalluar se grija e syve të saj qe kthyer në të kaltër. Në njëzet vjet martesë e dinte se kur grija e syve të saj kthehej në të kaltër, ishte shenjë pajtimi dhe shpresë për erotizëm. Ama, nëse e kaltra errësohej, zёre se stuhia ishte në të shpërthyer. Megjithëse darkimi kishte kaluar sikur ndodheshin në liturgji kishtare a në ndonjë përshpirtje pasvarrimi, në minutat e fundit vera e kuqe dhe tekila meksikane e kreu efektin. Ai kishte këqyrur gjoksin e gufuar, pastaj këmbët e saj nën tavolinën e xhamtë. Kishte ndjerë pompimin e zemrës dhe gudulisjen e gjakut nëpër damarë. Fytyra e saj ishte trëndafiluar, por e trëndafiluar ishte edhe gjatë rrugëtimit, edhe kur vendosi qiririn para ikonës të Shën Gjergjit në cep të dhomës së gjumit. Pastaj ajo, njëlloj si në rini, ishte zhveshur nxitimthi dhe ishte shtrirë në shtratin bashkëshortor, pa këmishën e hollë të natës.

Parandjenja se atë natë e shoqja do t’i hiqte me dorën e saj mbathjet e sytjenat, kishte dalë e vërtetë. Ajo shpupuriste flokët me gishtat e të dyja pëllëmbëve, kurse atij, o sonte, o kurrë! i kishte klithur përbrenda qënia e tij mashkullore.

-Fike dritën e mbylli grillat,- kishte thënë ajo me zë të ëmbël e lutës dhe ai parandjeu se nata e Krishtlindjeve do të ishte pika kulminante e njëzet viteve martesë. Atë çast u dëgjuan trokitjet e shiut mbi çati dhe gurgullima e ujit nëpër ullukë.

Pi një tjetër gllënjë me ujë dhe shtrydh kujtesën të zbulojë në kishte qenë kripa e mishit të qengjit në ëndërr që i kishte dhënë etje, apo ishte zgjuar prej neverisë nga jargavitjet e Dean Uesterfilldit mbi kurmin e të shoqes. Sepse bankieri zezak e trupmadh si basketbollist i qe fanitur në kishë edhe në restorantin -Karmelita-, por edhe kur ajo ishte nderur të vendoste qiririn para ikonës të Shën Gjergjit në dhomën e gjumit.

Shën Gjergji ishte shenjti i preferuar i saj.

-Pse pikërisht ai? - e kishte pyetur kur ajo solli para një viti jo një, por dy ikona me Shën Gjergjin.

-Është i vetmi shenjt që vret kuçedra, - ishte përgjigjur ajo.

-Neve na duhet një shenjt që vret demonë dhe jo kuçedra, – ishte përgjigjur ai me ironi, porse ajo, duke qeshur, kishte shtuar me sarkazëm:

-Shenjt të tillë nuk ka.

Pi gllenjkat e fundit me ujë, shtrydh shishen plastike dhe kujtohet se orgazma, sikur të qe rrymë

elektrike, kishte dredhur kurmin e saj që në minutën e parë. Pikërisht atëherë ajo e kishte shaluar, me krahët e shpalosura, si pulëbardha në fluturim, dhe fluturimi vazhdoi gjersa u platit e lodhur mbi trupin e tij. Në çastin që kishte parë flokët e saj, të larushitura nga drita e qiririt, atij i qe zgjuar dëshira çmendurake për të mos e lëshuar kurrë atë trup të magjishëm femëror. Pastaj ajo kishte mbështetur kokën mbi supin e tij dhe buzët e nxehta i patën prekur llapën e veshit. Pas njëzet vjet martesë dëgjoi kumbimin e kënaqësisë femërore:

-Oh, u ndjeva si në rini!

Natën e Krishtlindjeve ajo nuk u ankua nga pëllëmbët e ashpra e as nga kutërbimi i frymës së tij prej duhanxhiu. Flaka e qiririt luhatej në grahmat e fundit, ndërsa kishin notuar sërish në detin e dallgëzuar të erosit. Asaj here stuhia ishte ai, ajo oqeani, por atij, mbase edhe asaj, nuk u shkoi ndër mend se ai çast i prushuar erotik do të qe i fundmi në shtratin e tyre bashkëshortor.

Megjithëse kanë kaluar gjashtë muaj që ajo e ka braktisur e jeton në Nju Jork, ai ndjehet i penduar për ç’ka kishte dërdëllitur natën e Krishtlindjeve. Penelimi me ngjyra të ndezura i qytezës bujqësore, ku u njohën dhe u dashuruan, u bë shkak që ajo të shpërthente dufin për jetën primitive në vendlindjen e tij. Pastaj me mall të largët, ai i kishte kujtuar netët e kaltra në muajin e mjaltit në plazhin e Durrësit. Me ngjyrat e piktorëve italianë, pikturoi qytetin e Napolit dhe përshkroi apartamentin e tyre, edhe shtratin prej hekuri, që ua

patën falur komshinjtë. Përmendi qeskat me rroba e ushqime që i gjenin tek pragu i derës çdo mëngjes, pastaj dhuruesin misterioz të shisheve me verë, një plak i ngjashëm me Ajnshtajnin, i cili kishte zbuluar veten kur i tha asaj në sy të tij:

-Ti, dhe vetëm ti, më nxjerr mallin e Marinës.

Pikërisht, kur ia kishte kujtuar këtë, pëllëmba kishte mbledhur shuk cicën e majtë dhe atij i qe dukur se në dorë kishte zemrën e saj. Ajo, sikur të qe adoleshente, kishte eksploruar kërthizën e tij dhe pati lodruar me krifën leshatore të gjoksit. E njëjta gjë kishte ndodhur edhe njëzet vite të shkuara në Pyllin e Bilbilave. Befas, ajo kishte harkuar krahët mbi kokë dhe kishte shpupurisur sërish flokët me gishtat e të dyja pëllëmbëve. Pikërisht atë çast atij i qe fanitur Sherli dhe dyshoi se komshija kishte kapërcyer gardhin që ndante dy oborret dhe përgjonte pas dritares të dhomës së gjumit. Sepse edhe Sherli kishte pranuar vëzhgimin e tij, -kjo më ndodh edhe mua në çaste kënaqësie erotike, ose kur jam e nervozuar. Ti e unë, - kishte shtuar ajo e qeshi, - jemi viktima të epshit, por kjo nuk është shkak për të vrarë veten.- Sherli dhe pohimet e saj i qenë kujtuar kur ishin në restorantin Karmelita, mbasi kamarierja qëlloi të ishte aziatike. Mirëpo natën e Krishtlindjeve nuk mundi të pikasë se çfarë lëvrinte në trurin e të shoqes, kur ajo shplekste flokët me të dyja gishtat e pëllëmbëve. Mbase nga që dhoma e gjumit qe kredhur në errësirë dhe ai s’kishte si të shihte nëse ngjyra e syve të saj ishte gri, e kaltër apo blu e errët. Sepse edhe në kroin e Pyllit

të Bilbilave, pasi kishin provuar aktin e parë seksual, sytë e saj gri ishin bërë të kaltër. Të kaltër mbetën për muaj të tëra, që nga çasti kur ai i pëshpëriti në vesh metaforën poetike përzier me këngën e bilbilave:

-Në qiejt e tu fluturoj veç unë.

U ndërmend se në dorë nuk kishte cicën e të shoqes, por shishen plastike, të shtrydhur. Përfytyroi veten si ishte përkulur mbi këmbët e saj dhe, pavarësisht se ishte errësirë, e dinte me saktësi vendin në pulpën e majtë, ku qe nishani, si gjethe ahu dhe e kishte puthur pikërisht aty.

-Nga thonjtë e këmbëve e deri në majat e flokëve kurmi yt është i shenjtë për mua, - e kishte mbyllur ligjëratën, pa i shkuar ndër mend se pesë minuta më vonë do t’i hakërrohej vetes, idiot erotik! Fillimisht ajo përshpejtoi frymëmarrjen dhe, kur ai nuk e priste, i ktheu shpinën. Atëherë kishte nderur dorën t’i përkëdhelë zverkun, por ajo kishte bërë shenjën e vrullshme me shkundjen e kokës. Në njëzet vjet martesë ai e dinte ç’donte të thoshte ajo shenjë irrituese. Kishte tërhequr dorën dhe pëllëmbën e pati ngjeshur mbi ballë si strehë kapele. Por në errësirë nuk kishte çfarë të shikonte, përveç flakëzës të vockël të qiririt. Flakëza i qe dukur sa një kokërr thekri që shkëlqente nga vesa. Qiriri ishte tretur krejt, flakëza po jepte shpirt, kurse ai kishte harruar të merrte frymë. Ndërkohë që kishte pandehur se të shoqen e pati zënë gjumi, e drithëroi zëri i saj ironik:

-Çmenduria rinore ka pasoja të pafalshme.

Nga nënsqetullat e saj kishte vërshuar sërish erëmimi i parfumit dhe atëherë zbuloi se erëmimi ishte i njëjtë me të resave të lajthishtave. Por frymëmarja e saj e shpejtuar dhe e thellë e kujtoi të tërhiqet në cep të shtratit, pasi qe bindur se ngjyra blu e syve të saj atë çast ishte errësuar.

-Në këtë vend nuk shpëton dot prej mëkateve, - kishte pohuar befas ajo dhe kishte psherëtirë thellë, sikur ishte çliruar nga një dhimbje e madhe. Ai kishte ndjerë një pickim në anën e majtë të krahërorit, por pickimi ishte pasuar me dridhje të muskujve dhe ngërçet ia tezarën damarët në këllqe e pulpa. Demonët ishin zgjuar dhe e detyruan të brofë nga shtrati. Përfytyroi veten duke veshur mbathjet nxitimthi e së prapthi, pastaj, çalë-çalë kishte dalë nga dhoma e gjumit. Qe planduar në kolltukun lavjerës në verandë dhe gjer pa zbardhur dita, tavlla e duhanit ishte mbushur rrafsh me bishta cigaresh. Përmes rrjetës së qepallave që përpëliteshin midis zgjimit e gjumit, kishte parë për të fundit herë siluetën e saj. Tërhiqte valixhen me rrotëza dhe nën sqetullën e majtë kishte ngjeshur njërën nga ikonat me Shën Gjergj. Ai kishte hyrë në dhomën e gjumit, që akoma aromonte nga dylli dhe nga parfumi i saj.

Ikonën tjetër me Shën Gjergj e kishte vendosur mbi jastëkun e tij.

39 views0 comments

留言


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page