top of page

Demokracia qytetare


OPINON

Demokracia qytetare nuk bëhet, nëse mungon toleranca…

Shkruar nga: Gëzim TUSHI; sociolog

Fran GJOKA

Megjithëse kohët e fundit opinioni publik qytetar është sensibilizuar nga përballja me disa dukuri sociale shqetësuese, edhe pse nga politikanët, intelektualët, sociologët e psikologët është folur dhe shkruar shumë në median elektronike e atë të shkruar për situatën sociale të agravuar në Shqipëri, për nivelet e larta të dhunës, krimit, vrasjeve, neurotizmit social, sjelljeve të shëmtuara, dozave të forta të agresivitetit dhe mungesës së komunikimit qytetar, ende nuk janë të qarta deri në fund, që pse është kjo situatë kaq patologjike. Pse këto komunikime të vrazhdëta, veprime hakmarrëse, komportime antinormative?

Doemos është e natyrshme të pyesim: -Është e lidhur me të kaluarën tonë historike apo konceptimi ynë për tolerancën nuk është kultivuar në nivelin human dhe në standardet që kërkon qytetërimi modern? Sipas mendimit tonë, mungesa e tolerancës sociale dhe individuale e parë në shumë aspekte të thelbit dhe shfaqjes së tij, të duket që si konceptim nuk e ka fituar aq sa duhet statusin e përbërësit të kulturës qytetare. Madje për të qenë të sinqertë me të vërtetat e realitetit tonë, akoma ndeshemi me ngushtësi konceptuale, si produkt social i trashëguar i qytetërimit tonë. Është alarmante situata, në të cilin kufijtë e tolerancës sociale dhe individuale janë restriktuar në përmasa kritike. Është shqetësues mentaliteti social, i cili po shfaqet edhe në nënvlerësimin e rolit të tolerancës si instrument funksional për ndërtimin e shoqërisë së qytetëruar dhe formimin e qytetarit mendjehapur, i aftë për të kuptuar dhe pranuar marrëveshjen, marrëdhënien qytetare, hapësirën për “ekzistencën e tjetrit”. Bashkë me të drejtën e tij dhe të kujtdo, që si qytetar të ketë të drejtën në çdo kohë për të “menduar ndryshe”.

Zgjerimi i kufijve të tolerancës në shoqërinë tonë, konceptimi i gjerë i roleve dhe funksioneve sociale dhe individuale të qytetarëve tanë, në ndërtimin e shoqërisë normale dhe të diversifikuar, me marrëdhënie të ndërmjetësuara qytetare, është një nga problemet e mëdha të jetës sonë dhe sfida ndoshta më serioze e qytetërimit tone, spse toleranca në kohën e lirisë dhe demokracisë, në shoqërinë shqiptare akoma nuk është bërë parim social i përbashkët, mjet i veprimit universal të njeriut në shoqërinë qytetare e moderne që duam të ndërtojmë.

Kjo e vërtetë e njohur me kohë si tipar thelbësor i qytetërimit dhe marrëdhënieve qytetare, në shoqërinë tonë nuk është e përthithur në nivelin e duhur dhe në sasinë e kërkuar nga natyra e re e qytetërimit tonë. Nuk është momenti për të “zbuluar arsyet”, sepse ato dihet dhe janë shumë. Me natyrë historike dhe etnike, kulturore dhe rajonale, të lidhura me konstitucionin tonë human, por dhe me peripecitë e deformimeve që ka marrë jeta dhe qytetërimi ynë. Qoftë nga faktorë historikë të jashtëm dhe të brendshëm, që kanë influencuar dhe ndikuar mbi të.

Nuk është e lehtë të ndërtohet dhe të vihet në funksion mekanizmi i tolerancës, në një shoqëri si jona që të paktën në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, komunizmi në mënyrë të përbindshme e denatyroi njeriun, e tjetërsoi në marrëdhëniet me të “tjerët”, nëpërmjet dominimit të pikëpamjes tradicionale dhe ideve të ngurta monolite të njeriut për botën, shoqërinë dhe marrëdhëniet njerëzore.Besoj se klima sociale në shoqërinë tonë është bërë aq shumë konfliktuale, sa që e ka bërë të domosdoshme risjelljen në vëmendjen e opinionit publik të nevojës urgjente të luftës për përsosjen e instrumenteve humane, si rrugë për zgjidhjen e tyre të qytetëruar.

Praktikisht për shkaqe herë të kuptueshme nga ana sociale e herë me natyrë opake, ndonjëherë me shkaqe të justifikuara, e herë të tjera për arsye banale, në shoqërinë tonë është krijuar një klimë neurotike, e shoqëruar nga mungesa e theksuar e vendosjes në mënyrë paradoksale në të gjithë llojet e marrëdhënieve sociale në familje, komunitet dhe shoqëri duke u nisur nga mentaliteti i vendosjes së arsyes së forcës në vend të forcës së arsyes.

Shqetësim social në shoqërinë tonë është i drejtpërdrejtë, sepse në shumë aspekte, qytetërimi ynë po deformohet nga zgjidhja me dhunë e problemeve që kanë njerëzit. Madje, kjo e keqe është aq shumë e përhapur, sa që mund të flitet pa frikë për një proces të gjerë të “demokratizimit të dhunës”, për një përhapje dhe zgjerim kapilar të saj në shoqëri, ambientet e jetës private dhe institucionet themelore të organizimit të jetës sociale në Shqipëri. Rëndësia e forcimit të ndjenjës së tolerancës qytetare në marrëdhëniet midis njerëzve, është shumë i rëndësishëm të evidentohet. Kjo sepse në fund të fundit, ”Qytetërimi, para së gjithash, është vullneti për të jetuar në një bashkësi. Ndaj, një njeri është i paqytetëruar, barabar, në po atë masë që ai nuk i merr të tjerët në konsideratë. E kjo pasi barbarizmi është prirja ndaj çshoqërizimit”. (Ortega Y Gasset, “Revolta e turmave”, F.129).

Disa mendojnë se ndër shkaqet themelore të kësaj situatë është zgjerimi i lirisë dhe shtimi i frymës së individualizmit qytetar. Kjo sipas disa të tjerëve e ka burimin tek fakti që njeriu i mbyllur në vetvete, i dhënë tërësisht pas interesave të tij, ka filluar të bëjë monolog me veten dhe të mendojë vetëm për interesat e tij. Në këto kushte qytetari nuk është më fare i aftë që të bëjë dialog, të tregohet tolerant me të “tjerët”, të gjejë rrugë të qytetëruara për zgjidhjen e konflikteve, por pa përdorur forcë dhe dhunë. Në shoqërinë shqiptare, në mënyrë paradoksale dhe tërësisht absurde, ka filluar të agravohet difekt social, siç është zbehja e mundësive të qytetarëve për t’i zgjidhur problemet, jo thjeshtë duke bërë monolog me veten, me forcë dhe vetëgjyqësi, por pa bërë të mundur procesin human të dialogimit si njeri, si qytetar, në marrëdhënie me të tjerët, duke gjetur zgjidhje që janë reciprokisht qytetare dhe të qytetëruara.

Por nuk duhet harruar për anjë çast që toleranca nuk është as vlerë që qëndron në “eter social”, as cilësi që nuk është e lidhur me qytetarin, statusin e tij, nivelin e zhvillimit të qytetërimit dhe treguesit e nivelit publik të tolerancës në qytetërimin tonë. Konceptimi i vlerave të tolerancës qytetare në shoqërinë tonë, jashtë vlerësimit të lidhjeve dhe implikacioneve sociale, nivelit aktual të qytetarisë, është ose tërësisht i gabuar ose krejt i pamundur. Sepse së pari, dhe në mënyrë të padiskutueshme, është e njohur dhe e pranuar e vërteta universale sociale dhe sociologjike, sipas së cilës, “Besimi ndërpersonal dhe toleranca lulëzojnë kur njerëzit ndihen të sigurtë”. (Përplasja e ideve, Hartuar nga Gideon Rose dhe Jonathan Tepperman, f 329).

Natyrisht, si çdo qytetërim, edhe qytetërimi ynë ka raportet e veta në përdorimin e këtyre mekanizmave të zgjidhjes së problemeve sociale, të tillë siç janë monologu me veten dhe dialogu me të tjerët. Këto instrumente janë të lidhura me kulturën e qytetërimit tonë, me aftësinë e qëndrimit interqytetar. Kjo do të thotë, se tashmë është koha kur duhet të bëjmë më shumë, për ta bërë aftësinë e dialogut qytetar pjesë përbërëse të rëndësishme të kulturës së qytetërimit tonë, komponent bazë të mënyrës së komportimit social të qytetarëve tanë.

Por kjo punë nuk është e lehtë. Sepse, siç po duket, në shoqërinë shqiptare për fat të keq është duke u zgjeruar atmosfera e sjelljeve intolerante, të cilat herë pas here gjenerojnë konflikte sociale dhe interpersonale, madje edhe duke zgjeruar frikshëm tipologjinë, format e shfaqjes dhe gjeografinë e dhunës. Ne duhet ta pranojmë që sot dhuna është një nga plagët e njohura dhe shumë shqetësuese e virulente të qytetërimit tonë. Në të vërtetë ne kemi dy dekada që jemi më të lirë se kurrë si njerëz, si qytetar dhe si shoqëri në tërësi. Sipas logjikës sociologjike dhe praktikave të mira të qytetërimit europian, dhuna duhet të ishte zmbrapsur nga jeta jonë, sepse “Toleranca është virtyt që del në pah, kur njerëzit janë të lirë dhe zgjedhin fe, besime dhe ide të ndryshme për t’i ndjekur”. (Jill Caroll, “Dialogu i Qytetërimeve”, f 33)

Padyshim, ne duhet të bëhemi koshientë kur shtrojmë nevojën e zëvendësimit të shpejtë të instrumentave të dhunës me mjetet e shumta të tolerancës qytetare. Kjo do të thotë që si shoqëri duhet të vlerësojmë faktin, që në përgjithësi mekanizmat e tolerancës qytetare në shoqërinë shqiptare janë akoma të brishtë dhe shumë delikatë. Qytetërimi nuk është arenë dhune, por ambient social human, në të cilin jetojnë njerëz, të cilët edhe pse mund të jenë të panjohur dhe mund të kenë konflikte të natyrshme me njëri-tjetrin, kanë gjënë e përbashkët që i lejon dhe mundëson hapësirën e marrëveshjes dhe zgjidhjen e problemeve të ndryshme përmes tolerancës qytetare. Sepse në shoqërinë tonë njerëzit nuk jetojnë dhe nuk janë “detarë në det të panjohur”.

Pa shmangur dhunë dhe zgjeruar shtrirjen e tolerancës si instrument i komunikimit social, është e vështirë të mbahet në këmbë shoqëria dhe sistemi i marrëdhënieve qytetare të ndërvarura. Kjo do të thotë që qytetarët tanë duhet të mësohen që të përdorin “busullën e tolerances” qytetare, si mënyrë për të zgjidhur problemet që kanë, duke ndjekur me këmbëngulje rrugën e arsyetimit dhe dialogut qytetar. Përdorimi i dhunës në të gjitha trajtat dhe llojet e ekzistencës, mënyrat e ashpra të shfaqjes në shoqëri dhe në marrëdhëniet midis njerëzve tanë, si mënyrë arkaike për zgjidhjen e problemeve të jetës sociale është i papajtueshëm me natyrën e qytetërimit modern dhe standardet e jetës së qytetëruar.

Kultura e qytetërimit bashkëkohor, rrjedhat e integrimit në standardet e qytetërimit europian, e bëjnë imperative punën që duhet të bëjmë për ta bërë tolerancën “limfë” të shoqërisë, mënyrë jetese të qytetarit, kusht për ndërtimin e praktikave sociale moderne të qytetërimit tonë. Por kjo nuk bëhet në se nuk ndryshojnë principet e vjetra, të deformuara të intolerancës dhe qëndrimit refraktar ndaj mendimeve të tjetrit. Njerëzit tanë kanë nevojë të zotërojnë kulturën e tolerancës humane. Por kjo nuk mund të ndodhë në se nuk i edukojmë njerëzit me idenë e nevojës së sensit human, që në vend të ndryshosh apo të mos pranosh idetë e tjetrit që mund të jenë të kundërta me të tuat, është më mirë të mbash qëndrim tolerant.

Asnjë dyshim nuk duhet të kemi për lidhjen e domosdoshme që duhet vendosur midis tolerancës, përmirësimit të gjendjes shpirtërore të qytetarit dhe përmirësimit të cilësisë dhe standardeve të qytetërimit tonë. Asnjë fitim nuk ka njeriu nga intoleranca dhe agresiviteti i shfaqur në marrëdhënie me të tjerët. Por as qytetërimi ynë nuk është normal me doza kaq të larta neurotizmi social. Vlera sociale e tolerancës në shoqërinë tonë duhet të vijë duke u rritur, sepse prirja individualiste e jetës e bën atë kusht ekzistencial për njeriun, për lidhjet individuale, ndërtimin e nivelit të duhur të marrëdhënieve sociale. Sidomos tani kur koha e ka vënë njeriun përballë thellësive të ndryshueshme dhe realiteteve të rrëshqitshme të jetës moderne në Shqipëri.

Megjithatë nuk mund të pranojmë asnjëherë tezën e disa konservatorëve që thonë se fajin për situatën e ka moderniteti dhe qytetërimi. Përkundrazi, qytetërimi dhe moderniteti është shkak që në shoqërinë e sotme shqiptare ka krijuar këtë gjë të vlefshme siç është toleranca, që është fruit më i madh i qytetërimit dhe jetës qytetare. Qytetërimi dhe moderniteti nuk janë problem. Problemi për ne është që “…ende nuk kemi arritur ta pranojmë atë vlerë, e cila përfshihet në fjalën e vetme që quhet tolerancë”. (“Dialogu mes civilizimeve”, f 61). Rëndësi ka të kuptohet se toleranca e individit si qytetar, për të cilën ka folur filozofi i shquar Herbert Markuze, është e kondicionuar nga ekzistenca e tolerancës së ngjashme në shoqërinë tonë.

Në një farë mënyre, ky është ekuacioni social që mban të lidhur reciprokisht individin si qytetar tolerant dhe mënyrën e komportimit me shoqërinë liberale shqiptare. Qytetar modern nuk do të thotë individualist kokëfortë, që di vetëm të dialogojë, por pa bërë kompromis. Por problemi nuk është kaq i thjeshtë, sepse gjërat janë ngushtësisht të lidhura dhe në një farë mënyre, nuk mund të flitet për demokraci nëse nuk ekziston apo mungon toleranca. Sepse, në fund të fundit, “Demokracia nuk ka gjasa të mbijetojë në një shoqëri të shkatërruar nga mosbesimi dhe mungesa e tolerancës”. (Përplasja e ideve, f 329).

19 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page