top of page

Dashuri nën hënë


Nga Petrit Malushi


Dashuri nën hënë


E argjendtë e jotja ngjyrë

Me shkëlqim të sapunuar,

Dhe kur nxjerr gjysmëfytyrë,

Dhe kur shfaqesh drapëruar.


Zjarr nuk je, por na fut zjarrin,

Flakë s’lëshon, por na ndez prush

Tek ti fjalët vijmë i marrim,

Me oratori na mbush.


Dashuri nën dritë të hënës,

Kush provoi e s’u magjeps,

Dhe s’ju lut zemra zemrës

“Bashkë me hënën prapë të pres !?”


Tradhëtarja


“Shpirt, o xhan, më mori malli!”

Jep mesazh në telefon

“Po të pres te lokali!”

Celulari nuk pushon.


“S’mund të rri pa ty, ta dish

Si një pulë po përpëlitem.

Mu përgjigj, kur do të vish?

Jam gati të vetëvritem!”


Them do të jetë “Zhulietë e dytë”

Kjo që flet e përgjërohet.

Por, eh, ç’më shohin sytë?!

Me një tjetër përqafohet.



“Djaloshi” i moshës së tretë

(Humor)


Si ditë me diell mes dimrit të sertë

Fytyrë e fishkur i shkëlqente,

“Të riut djalosh” në moshën e tretë,

Tek shokut të ngushtë i rrëfente.


“Adoleshenca dje më thirri,

Rrugëve të hershme më lëshoi...

Më trazoi si prushi poshtë hiri,

Më tolloviti, më turbulloi..


E dashura kapi dekadën e shtatë.

I lashti mall na mbiu në sy

Pa na ndezi si eshkë e thatë

Dhe u takuam e shmallëm të dy.


Festuam, mangët gjë nuk lamë...

Deri te puthjet shumë u përpoqëm,

Më pas protezat të dyve na ranë !...

U leqendisëm, medet sa hoqëm !...”


Qeshi shoku dhe me ngadalë

I nguli but një thumb, shtrembër

“Mos ia thuaj kujt këtë përrallë !

Paske parë të bukur ëndërr !”


Pastaj tundi bastunin prej druri...

“More s’të dija kaq mendjepjepër !

Këto aventura të çojnë te qivuri,

Tek të shumtët, në botën tjetër !...”

40 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page