top of page

Dashuri në kohë farash kungulli


Dashuri në kohë farash kungulli

Tregim nga Fatmir Terziu


Poshtë buzës së gjysëmkafshur në të majtë i del gjysma e farës së kungullit. Ai e pështyn. Lëkura gjysmake e farës së kungullit pasi përdridhet disa herë në ajër, më pas kapet nga kthetrat e erës së janarit dhe ajo bie tek këmbët e një vajze. Vajza, e re, e veshur bukur dhe me çizme deri tek gjunjët, shkund lëkurëzën e farës dhe ajo përfundon nën rrotat e një makine që kapërcen me nxitim vijat e bardha. Vajza kthen kokën andej nga e solli era atë lëkurëz të farës së kungullit. Sheh se është ai. Është po ai djalosh me mjekër të dendur, të zezë, që vetëm disa minuta më parë, bëri të njëjtin veprim në sytë e saj. Pastaj bën sikur e injoron shikimin e tij të shpërqëndruar. Në ikje e sipër djaloshi me mjekër të dendur, të zezë, vazhdon të pëshpërisë me vete. Pastaj e ngre zërin. Bërtet më pas.

- Dil moj! – zëri i tij i lartë shpon timpanin e butë të veshëve të vajzës, që ecën tashmë gjithë delikatessë.

Ajo e sheh përsëri. Bën ta injorojë, por nuk mundet. Dy kundërshti e ngushtojnë vendimin e saj injorues. Pastaj bën më afër. Fare afër, krejt afër tij.

- Si është puna jote? – e pyet ajo, duke mos ia drejtuar sytë atij.

- Jam në hall. – përgjigjet djaloshi.

- Shko tek Bashkia!, - ia kthen ajo, gati me një zë të prerë.

- Nuk ka të bëjë me ndonjë problem social, as me ndonjë hall qytetar, por…

- E pastaj?

- Pastaj të thashë kam një hall.

- Mirë, atëherë shkundu.

- Jam shkundur disa herë, por s'më del.

- Atëherë?

- Si atëherë?

- Gjej ndonjë doktor.

- E gjeta.

- Mirë pra…, zgjidhe hallin tani.

- Ai nuk m'u gjend i gatshëm për hallin tim.

- Pse?

- „Jam doktor!“, - më tha.

- E pra doktor!

- Epo, nuk jam doktor për pordhë, unë jam doktor që shes vetë pordhë.

Vajza e mbajti me forcë të qeshurën e saj.

- E mirë të ka thënë. Po ti nuk e paske kuptuar.

- E kuptova, por unë nuk shkova të shisja. Nuk kisha ndërmend as të bleja.

- Pse? - i thotë vajza.

- Kam dëgjuar se dikush që nuk është doktor mund të më ndihmojë.

E vajza bën sërrish ta injorojë, por diçka tjetër e bën të rimendojë. Në krahun tjetër të rrugës është një vajzë tjetër. Ajo mban një çantë të kuqe me lule në duar. Duke ia qepur sytë pas asaj çante, sytë natyrshëm e shpërngulin tek sytë e huaj edhe vetë atë vajzë tejet të bukur.

- E njeh atë vajzë? - e pyet ajo vajza.

- Më duket sikur e kam parë, madje edhe takuar atë, por shumë kohë më parë.

- E ku qëndron meseleja këtu?

- Askund. Ajo është një vajzë që nuk dëgjon.

- Nuk dëgjon dhe ecën ashtu vetëm mes makinave?

- Dëgjon, ore dëgjon ajo, por vetëm kur hapet ndonjë çantë më e madhe se çanta e saj. Por ajo ka një veti tjetër.

- Veti tjetër?

- Po.

- Ma thuaj.

- Është në modë të huaj.

- Të huaj?

- Po.

- Si ta kuptoj?

- Kuptoje si të duash. Është në modë të huaj. Kaq.

- E mirë de, mirë, si ta kuptoj?

- E ke lexuar Ezopin?

- Dhelpra me rrushtë…

- Nuk je pa gjë fare, nuk dukesh ashtu sikurse pretendon.

- E saktë. Pikës i ke rënë. Unë kam qenë në ILB. Kam studiuar edhe për dhelpra edhe për…

- Edhe për ujqër, apo jo?

- Jo, kësaj radhe nuk e gjete.

- Për gomerë atëherë…

- Nëse do të më duhej të të bëja qejfin, por do të thoja për njëthumdrakë. Por kësaj radhe e lëmë me kaq.

Dhe fap një lëvozhgë tjetër farash kungulli në këmbët e saj. Ajo, përsëri e shkund atë dhe… djali i thotë fjalën e parë që i vjen në kokë: „Nabokov“. Ajo buqëqesh pak, pastaj shikon lart në kaltërsi dhe i gjuan një shpoti tjetër. „Sirin“ ndoshta më shumë se kushdo tjetër e kishte për zemër nëna ime. Ajo ishte ruse e martuar këtu. Në fakt dhe mua më detyroi ti lexoja nëntë romanet e tij të para të cilat ai i shkruajti gjatë kohës që qëndroi në Berlin. Unë, në fakt kam ngelur në provim tani. E ku shkokan farat e mia me tërë këtë lëm bereqeti. Ti qenke një fushë e pakorshme. Ndoshta kështu të dukem, se njëthundrakët më së shumti fushë do të kërkonin, pastaj ngarkesa do ti shpinte atje më lart. Në mal, do të thuash? Jo nuk do të guxoja se atje pordhët do të oshëtinin grykë më grykë. Ah, po ia kthen djali duke futur edhe një farë kungulli tjetër në gojë. Në fakt kam qenë njëherë në mal, kur humbën rrugën kapronjtë…

Ah, ndoshta të ka bërë keq ajo lartësi e menjëhershme, i thotë vajza. Tani djali, i cili është i përhumbur, duket totalisht i zënë mat. Ai fillon të shpejtojë përtypjen e farave, madje harron të pështyjë lëkurëzat e tyre. Pse kjo vajzë po më gërryen kaq thellë? Pse po harxhon kohën me një të papunë si puna ime, që përtyp fara dhe mbeti rrugëve gjithë këto vite? Por në vend që ta urrej dhe ta braktisë me një fjalë, që ndoshta e meritonte, ajo bën të kundërtën dhe në mënyrë të çuditshme e shoqëron dhe e fton natyrshëm në bisedë të improvizuar. Ai i flet më djallëzisht asaj: Ndoshta nuk më kuptoni aq mirë, se unë kam dhe master në rrugë-filozofi dhe kjo është dega më e re e miratuar në Universitetin tonë! Çfarë fatkeqësie dhe injorance tek një vajzë kaq e bukur, e veshur mirë, e punësuar në administratën qeveritare që të mos e lexoj asnjëherë lajmin e duhur. Çfarë administrate është kjo që nuk lexon më gazetat? ... Më lejoni t'ju them, se nuk jam mësuar aspak me një larushi të tillë fjalësh, që më shpojnë deri në tru. Ndaj më kot qenkam lodhur…, më mirë gjej rrugën se sa të bërtas përsëri.

Vajza nuk hedh shikim më nga ai. Në këtë rast bën një hap më shumë dhe vetëm kaq. Tashmë ajo ka një distancë prej tij. Ai tashmë mbush dorën me fara dhe i shtyn grumbull në gojë. E në këtë rast nuk ka më një lëkurëz, por një shuk të ngjashme me ato të shkumës së pastës së dhëmbëve dhe goja në të dy cepat e saj lë shenjëza të ngjashme. Është një nakatosje e asaj që mendon me atë që bën. Djali ulet në një stol i vetmuar dhe tashmë edhe farat e kungullit i ka përfunduar. Nuk ka më se çfarë të përtypë. Koha i duket bosh. Bosh…, fare bosh pa fara kungulli. E ndërsa përhumbet dhe qorton vetveten që nuk i racionoi mirë farat, pranoi se kishte bërë faj të madh. E në këtë merakotje farash një hije e lehtë u tërhoq nga pas deri sa u shenjtërrua në një trup. Ndjeu duar të buta, pastaj dhe një fjalë, që ndoshta ishte si një melhem për ta zgjuar. E tashmë e kishte kuptuar. Ajo ishte sërish aty, ndoshta kurë nuk ishte ndarë prej tij. Fshiu i qetë sytë e tij dhe pëshpërti duke ndjerë një risi ndryshe: „Çfarë dashurie qenka kjo në këtë kohë farash kungulli?“

31 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page