DANTE ALIGHIERI NË BOTËN SHQIPTARE



(MEDITIME NË 700 VJETORIN E VDEKJES)


Lutfi ALIA


Dante Alighieri, poeti, prozatori, teoricieni i letërsisë, mendimtari politik dhe babai i gjuhës italiane, u lind në Firence në maj të vitit 1265 në një familje fisnike me gjendje ekonomike modeste dhe vdiq në Ravenna më 14 shtator 1321. Në 700 vjetorin e vdekjes të madhit dhe të paharruarit Dante, në veçanti në Itali dhe në shumë vende të tjera të botës, janë aktivizuar institucionet kulturore, letrare dhe arësimore, për të nderuar jetën e tij të tronditur nga padrejtësitë e kohës dhe sidomos për veprat e shquara të princit të poezisë, të letërsisë dhe të gjuhës italiane. Në këtë përvjetor është e pranishme dhe bota shqiptare, me kontribute në krijimtarinë danteske, me nderime të veprave të shquara që prej shumë shekujsh e kanë pushtuar kulturën dhe letërsinë gjithëbotërore.

Ndonëse për fëmijërinë, adoleshencën dhe vitet e para të rinisë nuk ka shumë informacione për formimin arsimor, rezulton se që herët frekuentonte mjediset kulturore të Firences, duke krijuar raporte miqësie me poetë dhe shkrimtar të kohës, madje ishte i influencuar shumë nga veprat e politikanit dhe eruditit Brunetto Latini. Në vitin 1286 shkoi në Bolonjë, ku kompletoi formimin e tij kulturor pranë Bartolomeo da Bologna, ku dhe perfeksioni njohuritë në interpretimet teologjike. Shpejt përvehtësoi artin e “thurjes të vargjeve me rimë” dhe së bashku me miqtë e tij Guido Kavalkanti dhe Lapo Xhiani, kontribuan në lindjen e një mënyre të re të shkruari poezi, e bazuar në elegancën e shprehjes dhe në ekuilibrin e vargjeve, që u quajt “Stili i ri i ëmbël”. Në vitet 1283 – 1293 shkroi poezi dhe proza, që i mblodhi në lirikën “Vita Nova”, e konsideruar një kryevepër e stilit të ri. Dante shkruante në latinisht traktate për gjuhën, shkruante dhe komentonte argumentat filozofike dhe politike, por nuk reshte të shkruante poezi e në këtë kohë janë dhe shkrimet në lirikën vulgare në veprën “De vulgari eloquentia”, në gjuhën italishte, që shpejt do të përqafohej nga tërë popullata e gadishullit dhe do të bëhej gjuha letrare, me vepra dhe kryevepra të shquara botërore.




H. Holliday (1883). Takimi i Dantes me Beatriçen, në urën Shen Triniteti në Firence.


Një ndër ngjarjet e rëndësishme në jetën e Dante ishte takimi me të bukurën Beatriçe Portinari, e cila vdiq në vitin 1290, ende pa mbushur 24 vjeçe. Ndjenjat e thella të dashurisë së dlirtë për Beatriçen ndikuan te Dantia ta shndërronte në një simbol të ndjenjave delikate të dashurisë dhe të hijëshisë hyjnore.

Me insistimin e të atit, në vitin 1285 Dante u martua me Xhema Donati, me të cilën lindën tre fëmijë (Jakopo, Pietro, Antonia e cila u shugërua murgeshë me emrin motra Beatriçe dhe shërbeu në Ravena).

Në vitet e fundit të shekullit XIII, Firence dhe shumë komuna italiane ishin përfshirë në konflikte violente të brendëshme, të nxitura nga ndryshimet politike, ekonomike dhe sociale. Në vitin 1295 Dante u impenjua në jetën politike të komunës. Në vitin 1300 zgjidhet Prior, funksioni më i lartë publik i asaj kohe. Një vit më pas ngjarjet precipitojnë dhe ndërkohë që ndodhej në Romë si ambasador pranë Papës Bonifaci VIII, kundërshtarët (guelfi neri) e morën pushtetin në Firence, madje në vitin 1302 e akuzuan Danten për disa krime dhe e dënuan me vdekje, me djegie në flakët e turrës së druve. I persekutuar dhe i përndjekur nga guelfinët, u detyrua të mërgoi dhe për rreth 20 vite u end ikanak nëpër treva të ndryshme italiane, duke bujtur ndër miq, duke krijuar miqësi të reja dhe kontakte me realitete të reja miqësie, politike, sociale dhe kulturore, që ndikuan në zgjerimin e horizonteve të formimit letrar dhe kulturor. Fillimisht u mirëprit nga Skalieri në Verona, shkoi në Bologna (1305), Padova (1306), më pas vazhdoi në Marka Trevixhiana dhe Lunixhiana, ne Luka (1308) dhe së fundi, në vitin 1318 u stabilizua në Ravena. në rezidencën e fisnikut Guidi Novello da Polenta.

Dante Alighieri vdiq në Ravena më 14 shtator 1321, në moshën 56 vjeç.

Në vitin 1307, Dante Alighieri filloi të shkruaj kryeveprën e tij, poemën madhështore “Commedia” e shumënjohura La Divina Commedia – Komedia hyjnore, një vepër voluminoze, e konsideruar vepra më e madhe e shkruar në gjuhën italiane dhe kryevepër e letërsisë italiane dhe botërore. Komedinë hyjnore e shkroi në vargje, me një mjeshtëri të rrallë, ku përfshiu personazhe reale të kohës, me difektet dhe virtytet, duke i trajtuara me një stil alegorik. Komedia hyjnore përbëhet nga tre pjesë: “Ferri – me dramën e të mallkuarve dhe të ndëshkuarve; Purgatori – me mundimet pa fund dhe Parajsa – me lavdinë qiellore”, një krijimtari lapidare morale dhe etike, që e ka bërë Daanten të famshëm në të gjithë botën.

Dante Alighieri ka shkruar dhe shumë vepra të tjera, ndër të cilat rendisim:

- Il fiore e detto amore (lulja dhe e thëna dashuria)

- Le rime (Rimat)

- Vita Nova (Jeta e re)

- Convivio (Gostia)

- De vulgari eloquentia (Gojtaria në gjuhë vulgare)

- De Monarchia (Monarkia)

- Commedia (kryevepra e letërsisë botërore: Komedia Hyjnore, vepra e parë e shkruar në italishte).

- Le epistole e l’Epistola XIII a Cangrande della Scala (Letrat dhe letra XIII për Kangrande della Skala)

- Egloghe (thurje poezishë me karakteristikat e poezisë pastorale)

- La Quaestio de acqu et terra (Ҫështjet e ujit dhe e tokës)