top of page

CILI ËSHTË DHIMO TARUSHA


Rakip Zhguni

Fragment nga libri im "Permendore e dashurise njerezore, kushtuar krijimtarise letrare te Dhimo Tarushes.


Dhimo Tarusha

Novelisti dhe romancieri Dhimo Tarusha u lind e u rrit në një mjedis vllah në Ersekë më 28 dhjetor 1947, por që fëmijë jetën e ka kaluar dhe po e kalon në qytetin e Elbasanit. Pas sekuestrimit të pasurisë nga regjimi komunist, një vit pas lindjes së tij, për familjen dhe për shkrimtarin e ardhshëm do të niste kalvari i gjatë i mundimeve, i vuajtjeve e varfërisë, i përndjekjes së vazhdueshme, i survejimeve të pashoqe, deri në internime e burgosje, si një element i deklasuar e i padenjë për shoqërinë. Këto nuk do ta mposhtnin shkrimtarin e ardhshëm, përkundrazi, do t'ia nxisnin akoma më shumë pasionin për letërsinë. Me shumë vullnet e këmbëngulje ai i përkushtohet letërsisë, falë edhe dijeve të marra në shkollë, edhe pse mbaroi vetëm arsimin e mesëm të përgjithshëm. Jeta dhe peripecitë e saj do të ndikonin në formimin e karakterit të tij burrëror, do të forconin tek ai krenarinë e ligjshme dhe mjaft cilësi të tjera të personalitetit, cilësi këto të trashëguara nga familja dhe fisi i tij e që do ta ushqejnë vazhdimisht për të afirmuar identitetin e tij jo vetëm si krijues vlerash letraro-estetike, por edhe si njeri. Brenda një periudhe 20-vjeçare, sidomos pas shembjes së sistemit totalitar, Dhimo Tarusha do të shpërthejë me talentin dhe mjeshtërinë e tij në fushën e letrave shqiptare e vllahe, ndaj s'ka se si të mos bëhet një ndër të spikaturit edhe të letërsisë sonë. Në krijimtarinë e tij fryjnë erërat e lirisë, ku jeta, pasioni për të, dashuria njerëzore janë paraprijëse të mendimit dhe zbatimit të tij estetik. Pena e tij do të shkruajë 20 libra në dy zhanre: në novela dhe në romane. Krahas kësaj ai përfshin në krijimtarinë e tij edhe fushën e monografive letrare dhe jetëshkrimeve për personazhe të shquar të komunitetit vllah e më gjërë. Në tërë krijimtarinë e tij novelisti e romancieri ka vënë në fokus zhvillimet historiko-sociale, psikologjike e botëkuptimore, në fushën e traditave, zakoneve dhe gjuhës së elementit vllah, duke e lidhur ngushtë me fatet e popullit shqiptar, të shoqërisë shqiptare në përgjithësi me të cilin kjo etni është integruar, duke u bërë pjesë organike, por edhe origjinale dhe e pandarë e saj. Tërë krijimtaria e tij letrare përshkohet nga motivi i identitetit etnik vllah, duke hulumtuar, gërmuar e rrëmihur në jetën e kësaj etnie për të zhvilluar dhe afirmuar këtë identitet kombëtar nëpërnjet tipizimeve letrare. Mund të themi dhe të pohojmë që kjo ka qenë dhe mbetet si një fill që përshkon tërë veprimtarinë letrare të Dhimo Tarushës. Si përfaqësues më në zë i kësaj etnie, por edhe i mbarë popullit shqiptar, nëpërmjet lëvrimit me sukses dhe me një nivel sa më të arrirë të gjinive letraro-artistike që i shkojnë përshtat e që parapëlqehen prej tij, tërë vepra e Dhimos përmbledh brenda vetvetes një mori problemesh me një këndvështrim shumëplanësh, porse në thelb mbeten të karakterit etiko-estetik dhe social. Si njohës i mirë i realitetit aktual të etnisë që përfaqëson, por edhe i së kaluarës së saj, falë studimeve individuale, leximeve, mbledhjes së kujtimeve të hershme, por edhe të përjetimeve të tij vetjake, në përvojën krijuese të hershme të tij, të bagazhit kulturor e letrar në veçanti, novelisti dhe romancieri përpiqet të cekë e të trajtojë elemente të reja, të cilat gjithnjë e më shumë gjatë 20 viteve të fundit sidomos po krijojnë një tjetër fizionomi në profilizimin e identiteteve artistike. Në të vërtetë, pas thyerjes së "murit të Berlinit" edhe në vendin tonë, pas tërmetit të erës së re të demokracisë e të lirisë së individit, së bashku me këtë shembje ekonomike-shoqërore, u shembën edhe barrierat që uniformizonin individin dhe shoqërinë në tërësi. Në këtë përmbysje të vrullshme, herë-herë edhe në mënyrë anarkike, filloi të rridhte edhe një prirje e re, krejt e natyrshme për një shoqëri të lirë e demokratike, e cila po zgjonte mes krizës së identitetit të individit dëshirën e papërmbajtur për të flakur diçka të vjetër, që i kishte ikur koha, që kishte dalë jashtë modës dhe në vend të saj për të afirmuar unin krijues, që në kushtet e shablonizmit të tërë jetës, rrinte fjetur në ndërgjegje, ishte nëpërkëmbur, harruar apo mohuar padrejtësisht. Në këtë mjedis të trazuar shpërtheu me tërë forcën e talentit të tij edhe novelisti e romancieri ynë, Dhimo Tarusha. Në universin e krijimtarisë së tij narrative lëvrijnë ngjarje sa tronditëse, aq dhe të këndshme, sa të krijohet përshtypja se jeton në një botë të mbushur me drama njerëzore, por në asnjë rrethanë e për asnjë arsye nuk ndihet asnjë ndjenjë urrejtjeje, përkundrazi mbizotëruese mbetet dashuria njerëzore. Bota e personazheve të krijimtarisë së tij është e larmishme, secili me individualitetin e vet, me fizionominë e vet, pa rënë në ngjashmëri. Secili paraqet atë anë të realitetit që shkrimtari i ka vënë në gojë, në mendime e veprime e secili gjen zgjidhjen brenda llojit të veprës. Një ndër meritat e padiskutueshme të veprës letrare të Dhimo Tarushës është se personazhet, karakteret tipike, herë-herë edhe në komplekse, nëpërmjet konteksteve dhe zhvillimeve historike e shoqërore, paraqiten si pjesë e qenësishme dhe vitale, që rron, punon e krijon në gjirin e kombit shqiptar në vëllazërim të plotë me etnitë e tjera minoritare. Dhimo Tarusha vazhdon të na japë vepra të tjera, duke krijuar kështu profilin e vet krijues dhe si intelektual, zemra dhe mendja e të cilit rreh në të mirë të shoqërisë, duke u bërë një përfaqësues i denjë i letërsisë shqiptare. Burim i tij i frymëzimit janë e do të jenë problemet, hallet, shqetësimet e kohës, duke vënë gishtin në plagët e vjetra e të reja të shoqërisë, të dhëna këto në mënyrë artistike. Lidhur me këtë poeti Nexhip Ejupi shkruan: "Dhimoja ka subjekte të larmishëm, që nuk ngjasojnë me njëri-tjetrin. Ai është i vetmi shkrimtar shqiptar që merret me jetën e vllehve, të kësaj pakice popullsie, të lënë në mëshirë të fatit, gjatë gjithë kohëve. Të kohës së Turqisë, të kohës së Zogut, të kohës së monizmit, po edhe të kohës së pasmonizmit... Fati i kësaj pakice është dhe fati i krejt popullit tonë në shekuj e vite më vonë... Dhimo Tarusha e ka ngritur në art këtë fatkeqësi të kësaj pakice, duke treguar se ka qenë një popullsi me virtyte të larta morale, punëdashëse e paqedashëse, veçse, kur i kanë rënë më qafë, i ka luftuar qafërënësit në emër të traditave e të kulturës së saj, si vazhduese e denjë e lashtësisë së saj të pamohueshme. I ka luftuar si armiq, edhe të saj, po edhe të krejt popullit shqiptar, me të cilin kishte marrëdhënie aq të mira shekullore. Ka një natyrë krijuese shumë të veçantë Dhimoja..."

87 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page