“I nderuar kolegj gjykues,
Xixëllonjës netëve të bukura të verës i duket sikur ndricon gjithësinë me dritëzën e saj: në të vërtetë nuk ndrit dot as edhe një fije bari.E njejta gjë ndodhi dhe me aktakuzën e këtij procesi gjyqësor.Ajo u venit…Xhirimi si në film i tërë skenave hetimore solli këtu përpara jush dy dosje të mëdha, të fryra e të potershme,që, po t’i redaktosh,u mbetet vetëm ajo për të cilën u dënuam bashkë me Vangjelin…”
Sikur të mos e dija që këto reshta janë shkëputur,nga njeri prej proceseve gjyqësore më tragjike dhe më tronditëse që janë zhvilluar ndonjëherë gjatë regjimit të tmerrshëm komunist në vendin tonë,(17 maj 1979), do të gjykoja që ndonjë një shkrimtar i talentuar ka arritur të vërë në gojën e njërit prej personazheve të tij të burgosur fjalë kaq prekëse..
Por, në fakt, nuk është aspak kështu.
Në këtë rast, si edhe në raste të tjera që do t’u paraqes lexuesve të këtij dosieri nuk ka punuar kurrsesi fantazia e ndonjë shkrimtari për t’ia pasur zili.Ato radhë i ka shkruar në një nga qelitë e Burgut të Ri të Tiranës i burgosuri politik, Fadil Kokomani, së bashku me shokun e tij, Vangjel Lezho,pasi të dy e dinin se, vec pushkatimit, nuk i priste asgjë tjetër.
Të habit gjakftohtësia, guximi dhe trimëria e këtyre dy të burgosurve, që, edhe në ato caste aq të rënda, jo vetëm shkruan mbi 20 faqe,që përfaqësonin fjalën e tyre të mbrojtjes para trupit gjykues, por edhe i shkruan me frymëzim, talent, me një gjuhë fshikulluese e demaskuese, që i bëri anëtërët e trupit gjykues, sipas dëshmive të të pranishmëve në sallën e gjyqit, të mbeteshin të ngrirë e të mos guxonin ta ndërpritnin ligjëratën e tyre të madhërishme.
C’kishte ndodhur, përse po zhvillohej ky proces gjyqësor, përse Fadil Kokomani e Vangjel Lezho, tw dwnuar me nga 25 vjet burg, po ridënoheshin këtë radhë me pushkatim, pasi kishin bërë rreth 16 vjet burgim të rëndë në kampet e përqendrimit.Bashkë me ta edhe Xhelal Koprencka,një tjetër i burgosur politik.
Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho,sic e pamw mw sipwr, ishin dy shokë që u lidhën me një miqësi shumë të ngushtë gjatë viteve të studimit për gazetari në shkollat e larta të Bashkimit Sovjetik.
Fadili kishte lindur në Durrës më 1933 në një familje me tradita atdhedashëse.Vangjeli kishte lindur një vit më parë në Fier, në një familje të varfër.Fadili kishte mbaruar shkollën e mesme në qytetin e lindjes dhe ishte dërguar të studionte për gazetari në Leningrad.Dy vjet më pas, me të mbaruar shkollën pedagogjike në Elbasan,në Leningrad e shkonte për të njejtat studime edhe Vangjeli.Ja,pra njohja midis tyre, e cila vazhdon e thellohet edhe më shumë, edhepse Vangjeli, për arsye shëndetësore detyrohet të vazhdojë për gazetari studimet në Moskë.
Kjo miqësi bëhet edhe më e fortë në Tiranë.Fadili, me të mbaruar studimet, emërohet më 1957 gazetar në Radio Tirana.Dy vjet më pas po në Radio nis të punojë edhe Vangjeli.
I kam njohur që të dy nga afër.Në një konkurs letrar në UT më 1958 fitova një cmim me një tregim dhe Fadili , që përgatiste “Emisionin e Rinisë”,më ftoi në një intërvistë.Ishte koha kur sapo kisha nisur të bëja prova për folës në Radio.Dhe ishte Fadili së bashku me folësen e mirënjohur, Vera Zheji, që më nxitën e më dhanë zemër që të punoja me ngulm në mikrofon.
Me shtat mesatar, por të ngjeshur,fytyrë të lëmuar, gjithnjë të qeshur,ku binte në pah hunda e drejtë e sytë e kafenjtë,Fadili ishte po aq gazmor dhe i ciltër, sidomos në biseda, ku menjëherë të bentë për vete,vecanërisht me kulturën e gjerë në fushën e letërsisë dhe të muzikës.Dhe tërë këtë kulturë ai e derdhte në emisionet radiofonike, disa prej të cilave kam pasur rast t’i lexoj si folës në mikrofon.Ato, duhet thënë se qenë të një niveli shumë të lartë artistik,krahas emisioneve të përgatitura nga Pirro Nace,Ymer Minxhozi,Liri Celi, Maqo Afezolli,Kadri Zotria e gazetarë të tjerë të Radio Tiranës.
Edhe Vangjeli, me të nisur punën më 1959 në redaksinë e kulturës, së bashku me Fadilin, dëshmoi se kishte talent.Ai vinte i gjatë, i hajthëm,por i zhdërvjelltë, me fytyrë ezmere, pakëz eshtake, ku përshkënditnin sytë e zinj dhe plot gjallëri.
Të dy ishin nga të parët gazetarë në Radio Tirana, që kishin diplomën e gazetarit, dukuri e rrallë e rrallë deri atëherë në këtë institucion.Të dy ishin po të parët që kërkuan rrugë të reja, për ngritjen e nivelit artistik të emisioneve në Radio, ku kishte ende dobësi.
Kishte dhe një arsye:Ata vinin nga një vend ku niveli i Radios ishte i lartë, sidomos pas Kongresit të 20-të, ku u dënua kulti i individit i Stalinit dhe letërsia, artet e gazetaria patën një hop shumë të madh cilësor.Këtë e vëreja edhe unë, që, ende student i vitit të fundit në UT për gjuhë-lëtërsi,kisha nisur të lexoja me vemendje shtypin sovjetik.
Mbi të gjitha,në fushën e letërsisë dhe arteve,dhe vecanërisht kinematografisë pas kongresit në fjalë, kishte nisur një luftë e ashpër kundër dogmatizmit, që i cuan ato në nivele të larta botërore.(Kujtoni vetëm novelën “Fati i njeriut” të Shollohovit,që u ekranizua dhe u shfaq me sukeses në shumë vende të botës,madje edhe në SHBA,si dhe filmat e tjerë “Shtegtojnë krillat”,”Baladë për ushtarin”,”I dyzetenjëjti”,”Qiell i pastër”,etj., që u vlerësuan më cmime në festivale të njohura ndërkombëtare).
Të ndikuar nga këto dukuri të përjetuara gjatë viteve të studimit,Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho sollën kështu shumë të reja në emisionet e tyre, të cilat nuk jemi në gjendje t’i gjykojmë, sepse, duke qenë materiale radiofonike,ato nuk janë ruajtur.Por dihet se Fadili kultivoi me mjeshtri të rrallë, përshkrimin,reportazhin,e mbi të gjitha, “novelat muzikore”, kushtuar figurave më të mëdha të muzikës botërore, që pëlqeheshin së tepërmi nga dëgjuesit tanë.
Midis tyre më kujtohet edhe një emision shumë interesant që ai së bashku me gazetarin tjetër, Kadri Zotria, kushtuar tenorit tw madh italian, Tito Skipa.Më 1959, me rastin e festave të nëntorit ai vizitoi vendin tonë dhe, midis të tjerash, u shpreh në mikrofonin e Fadilit se krenohej që kishte origjinë shqiptare, duke u nisur edhe nga mbiemri i tij Skipa, (pra, skip-shqiptar).
Edhe Vangjeli ndiqte rrugën e Fadilit, sidomos në emisionet për fëmijë.Eshtë e rëndësishme të theksoj se që të dy gjetën mbështetjen dhe përkrahjen e drejtorit të atëhershëm të Radio Tiranës, Petro Kito,dhe zëvendësit të tij,Ymer Minxhozi, të cilët i cmonin për nivelin artistik dhe pjekurinë profesionale.
Por në janar të vitit 1961 drejtor i Radio Tiranës u emërua Thanas Nano, ish-drejtori i Agjensisë Telegrafike Shqiptare, e më pas zv.drejtor i drejtorisë së propagandës në Komitetin Qendror të PPSH-së, njeri i vrazhdë, i ftohtë pedant dhe konservator.Ishte periudha kur pas mbledhjes së Moskës të 81 partive , në nëntor të vitit 1960, Enver Hoxha, për të ruajtur fronin “perandorak”,u shkëput nga Bashkimi Sovjetik.
Pas një periudhe liberalizmi, që u shfaq edhe në letërsinë , artet tona, dhe madje edhe në gazetari, pra, edhe në programet e Radio Tiranës,dalëngadalë nisi një censurë ndaj cdo risie që në Radio u frenua me shumë zell nga Thanas Nano.
Megjithatë, në këtë përiudhë Fadil Kokomani shkroi përshkrimin “Shungullon lugu i Malësisë”që la mbresë te dëgjuesit, u transmetua dhe u ritransmetua dhe madje u cmua edhe në një konkurs te radiove të vendeve të lindjes.
Ishte përsëri Fadili në këtë periudhë që nisi rubrikën “Universiteti Popullor i Radios”,me emisione të larmëta nga fusha të ndryshme të shkencës, kulturës,artit, që u bë nga programet më të pëlqyeshme të Radio Tiranës, rubrikë që transmetohej cdo të martë e të enjte në oërn 20.30-21.00.
Pikërisht në kuadrin e kësaj rubrike ai filloi ciklin “Dukuri të letërsisë botërore të shekullit XX” dhe vazhdoi të shkruante, vec novelave muzikore, edhe emisone të tjera në këtë fushë,sepse muzika ishte pasion tij .Fadili kishte ndjekur një kurs për kanto në Konservatorin e Leningradit dhe vazhdoi edhe një kurs tjetër në Tiranë me sopranon e njohur Marije Kraja, e cila dëshmonte se ai mund të bëhej tenor i mirë.
Si Fadili, ashtu edhe Vangjeli ishin të dhënë shumë pas letërsisë artistike.Lexonin vazhdimisht rreth 20-30 faqe në ditë.Fadili, përvec rusishtes,që e zotëronte në mënyrë të përkryer,mësoi edhe italishten.
Të dy bashkëpunonin edhe me organe të tjera të shtypit.Penës së tyre u përkasin,për shembull, disa krijime gazetareske, midis të cilave reportazhi “Në kilometrin 10”, botuar në revistën “Nëntori”,nr. 10,1961.
Për të kuptuar se c’prirje realiste përshkonte krijimtarinë e tyre,mjafton të citojmë fragmentin e fundit të këtij përshkrimi:
“Rrugës do të largohet kamioni i fundit me mbeturinat e e lëndëve të ndërtimit.E, megjithatë, fasadat do të jenë ende të njoma, dritaret e panumërta me sy të gëzuar e të lumtur do të mbushen plot dritë.Ja, pra, e tillë eshtë tabloja e jetës sonë.Ajo nuk është as simbol, as alegori, as analogji.Ajo duhet kuptuar ashtu sic është….”
Fraza e fundit,”ajo duhet kuptuar sic wshtw” për mendimin tim,me domethënie të qartë, sic duket, u ka shpëtuar redaktorëve.Fadili e Vangjeli, me sa duket,nuk i kishin shkruar rastësisht ato fjalë.Kjo ishte kredoja e tyre.Dhe, po të jetonin,në veprat e tyre do të dinin të zbërthenin më thellë këtë kredo me talentin e tyre që nuk u mungonte, por që vdekja mizore dhe e parakohshme nuk ua la ta shprehnin më gjatë.
Fadil Kokomani, ndërkohë,botoi edhe shkrime në organe të tjera të shtypit.Jo shumë, sepse puna intensive në Radio e pengonte.Por ndër shkrimet e tij po përmend artikujt “Madamë Baterflai dhe artistët tanë’,(“Zëri i rinisë”,19 prill 1961),”Ludvig Van Beethoven”,(“Zëri i Rinisë”,5 korrik 1961),”Në rrugë”,(“Zëri i Rinisë”,21 tetor 1961),”Këngëtarët e malësisë”,(“Zëri i Popullit”,26 qershor 1960),tregimin “Kënga na bashkoi”,”Zëri i Rinisë”,4 mars 1961, dhe krijime të tjera në revistën “Ylli”.
Ndonëse shkroi pak tregime, Fadili tregoi se i kishte të tëra mundësitë të bëhej shkrimtar serioz, sepse, vec të tjerash, kishte gjuhë të rrjedhshme, dialog të shkathët dhe të natyrshëm, forcë përshkruese, që e dëshmon edhe ky fragment nga tregimi “Malësorja e vogël”,(“Zëri i Rinisë”,31 maj 1961),të cilin po citoj më poshtë:
“Bulëzat e fundit të vjeshtës,ndërkohë u shkrinë,u tretën njëherësh nga rrezja e parë e diellit mëngjesor,qw m’i lëbyri sytë ende të mugëtuar.
Shfletoja veprën e Migjenit dhe herë pas here, për t’u këndellur, hidhja vështrimin në thellësi të bjeshkës, ku, mes gurësh të stërmëdhënj, që zbardhonin, shfaqej një si njollë ë e zezë- shpella e trimave…Qetësia përreth, pyjet e gjelbëruara ku kishte bredhur poeti,i kredhur në botën e tingujve vrundullues, të tingujve të natyrës magjepsëse, freskia flladitës,sikur më hovëzonin …”
Fadili gjatë punës në Radio Tirana provoi jo pa sukses të shkruante edhe drama.Në vitin 1962 në emisionin “Teatri në mikrofon”u transmetua një dramë e tij kushtuar atdhetarit të shquar Mihal Grameno.Për fat të keq,as ajo dhe as ndonjë krijim tjetër i tij dhe Vangjelit, pas arrestimit të tyre, nuk u ruajtën në fonotekën e Radio Tiranës.
Të dy shokët e ngushtë jetonin në kushte të vështira.Fadili në një dhomë të ftohtë në Radio dhe Vangjeli një një hotel të mjërë në qendër të Tiranës, së bashku me gruan, një moskovite e këndshme, e quajtur Ina, që kishte lindur një fëmijë dhe, sic i kam parë vetë, ndjeheshin tepër ngushtë në atë mjedis.
Për më tepër, e shoqja ishte studente dhe i duhej edhe të të mbante fëmijën, edhe të studionte.Sidoqoftë, të dy ishin optimistë, ashtu si edhe Fadili, i cili,në verë të vitit 1960 priste të shkonte për vizitë në Bashkimin Sovjetik.
Të dy shokët kishin një konceptim shumë realist jo vetëm për letërsinë, por edhe për jetën.Këtë e kuptova kur në gusht të vitit 1959, pas mbarimit të studimeve në UT, u emërova gazetar në Radio.Tashmë isha koleg me Fadilin dhe më pas edhe me Vangjelin.Dëshira ime ishtë të bëhesha gazetar si ata, sidomos si Fadili.Dhe kështu ndodhi.Nisa të ndiqja krijimtarinë e tij dhe të përfitoj nga ajo.Sic do të shohim mw poshtw, edhe njohja u bë më e madhe, më e ciltër.
Comments