CIKËL POETIKNGA MYSLIM MASKA
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 23, 2021
- 1 min read

RUBINI
Tani më ngeli vetëm ëndrra,
Më ngelën veç kujtimet.
Çdo shkrepëtimë që lëshon zemra
Më bëhet liqen dhimbjesh.
Ç’liqen që uturin , buçet,
Më drithëron të tërin.
Thërras, bërtas, u çmenda krejt,
Askush s’ma dëgjon zërin.
Fundja, ç’u duhet zëri im,
Kur qajnë…rënkojnë nga dhembja.
S’e dini, miq, që s’ka rubin
Pa gjak e dhimbje Brenda?
E PAHARRUARA
Gjyshe Ifetit
Të gjitha çupkat janë të bukura,
Sepse një ditë do të bëhen nuse.
Të gjitha nuset janë të bukura,
Sepse nje ditë nëna do të bëhen.
Të gjitha nënat janë të bukura
Se vjen një ditë e bëhen gjyshe.
Kur dhembja e tmerrshme shpirtin ma
Mundon,
(Edhe pse njëzet vjet e vdekur)
Gjyshja në endrra më vjen,
Më puth, më përkëdhel,
Më shëron
Dhe shkon
Pa u ndjerë…
SHI DIMRI
Përmbi xhama përplas dimri
Flokëra shirash si ylber.
Si aromë jasemini
Shpirti yt dhe xhamin deh.
Të braktisa! S’më braktise,
Se më deshe marrëzisht,
Ndaj me flakëra perëndie
Qëllon xhamin inatërisht…
Shpirtin fare s’ma trondit,
Kështu qënkërka kjo jetë.
Kë e deshe marrëzisht
Pikërisht ai të vret…
DY NJERËZ TË SHQUAR
Kërkonin arkeologët në një qivur të lashtë,
Dy njerëz të shquar, dy bashkëshortë
Në një qivur varrosur,
Në një varr…
Eshtrat qenë tretur:
Fosfor,
Kalçium,
Baltë.
Veç dy unaza gjetën, prej floriri,
Vetëm DY ZERO
Ndrinin e ndrinin…
MUNDIM NJERËZOR
Me mundim të jashtëzakonshëm njerëzor
I krijova të gjitha,
Pak nga pak:
Shtëpi,
Familje,
Pasuri
Bleva dhe një Llampë!
Llampën kush ma fiku?
Në errësirë
Ngela prapë!...
Pushime te gezuara. Te nderoj dhe te respektoj, qe gjen kohe te merresh dhe me krijimet e miqve. Nderime per prozen tuaj te thjeshte, te shkruar, bukur, poetikisht, te besuesme e plot jete. Falnderimet e mia te perzemerta, Z. Athanasiu. Me shume respekt Myslim MASKA.
S.Athanasi:
Kthehem nga plazhi dhe hap tabletin. Lexoj dhe i rikthehem për freskim poezive të Myslymit. Zbres te opinioni i Kozmait dhe s'më mbetet gjë tjetër, përveç se të solidarizohem me përcaktimin e tij brilant, mbi vlerat e këtij vargu të diamanttë të poezisë. Urime, Myslym!
S.Athanasi/ Athinë.
Nder i madh per mua, vleresimi nga nje poet dhe prozator i talentuar, i mirenjohur
si Kozma Gjergji. Suksese ne krijimtarine tuaj.
Me shume respekt dhe konsiderate, Myslim Maska.
Një gjerdan me diamantë të ndritshëm nga thesari poetik myslimian, që të rrëmbejnë me sinqeritetin goditës të ndjenjës, sharmin, ekpresivitetin, hijeshinë, muzikalitetin dhe fshehtësinë e figuracionit të freskët e fin. Magjia e poezive, "shkrepëtima që lëshon zemëra… ", të pushton si drita, herë si një melankoli e praruar, herë si gëzim vezullues, herë si dashuri përvëluese, herë si dhëmbshuri shpirtcoptuar, herë si…
Të falënderoj i dashur Myslim për këto kënaqësi poetiko-estetike që na gostite dhe të uroj për arritjen e të tjerave kulme në të gjitha llojet e krijimtarisë. Përqafime me mall, Kozmai.