
STEFAN MARTIKO
CIKËL POETIK, PËRZGJEDHUR NGA LIBRI I RI:
NË MOSHËN E ABELIT
DËNIMI
Një fëmijë është një
Lojë e bukur për të lozur
Prej lojës do vijnë mësimet
e hidhur. Do thyhen këmbët
e të qarat do pijnë lotët e
vetë të kripur. Fëmija i kap
marrëzitë e lojës me dorë dhe
ne qeshim. Por një fëmijë në të
vërtetë nuk luan përveçse si denim
ngjitet në skenë
për tu rritur
20. 3.16
NJË BURRË
Një burrë del nga shtëpia
Me një dhimbje në shpatull.
Me një re të vogël mbi supe. Pak
më përpara ka pastruar prej
syve mjegullën për të
zbërthyer shenjat që
horizonti i ka fshehur
me mjegull. Ky burrë
E di sa e rëndë do të jetë
Pesha në të kthyer. Dhe mban
Një makinë llogaritëse me
Vete. Ca do t’i lerë si
gjurmë udhës ca do
t’i sjellë në shtëpi
dhe ca të tjera do t’i ruaj
te kujtesa mbyllur me çelës
12.2.17
AFËR MESDITËS
Gjer në mesditë
as gjysmën e mungesës nuk
e ushqeva dot me frymën
time. Duke vrapuar më
shumë kisha nxjerrë djersë
të pista. Aty nga ora
11:00 zbulova shkakun e
Vonesës dhe korigjoja një
nga një gabimet duke i
shkulur si gjëmba. Por
nuk po matja dot
perspektivën dhe nuk
pash asnjë që të
mbërrinte. Atëherë njoha
natyrën e gabimit dhe më
duhet të korigjoj mendjemadhësinë
e Çezarit. Afër mesditës
mbi krye mu bë një re
e madhe. Atëherë u tremba
se mos çdo gjurmë timen
do ta lante shiu
1.6.16