
Poezi nga Kozma Gjergji
PRIJËSI
Ai shikonte me sytë e të gjithëve,
Dëgjonte me veshët e të gjithëve,
Ndjente me zemërat e të gjithëve.
Na fliste kur gojën e mbanim kyçur,
Kur duart i kishim të verbëra,
Kur shtigjet qenë të mbyllura.
Me të zinxhirët këputeshin,
Binin muret midis njerëzve,
E pamundura gjente rrugën.
Dashuronte atë që të liqtë e urrenin,
Lavdëronte atë që të poshtrit e poshtronin,
Mbronte atë që atdhemohuesit e mohonin…
Ja, për këto gjëra i dhanë plumbin.
Gënjyen veten, se Ai dhe me vdekjen i mundi.
EDISONIT
Kur mbrëmjeve dhe netëve
Magjishmërisht zbardhim errësirën,
Na shfaqet tek çdo llampë
Portreti i tij prej drite.
NËNA
Vendi i shënjtë
Ku dashuria
Shfaq
Spektaklin hyjnor
Të jetës.
BABAI
Kurdoherë
I lë mollës
Pa vjelë
Disa kokrra
Që të mos ndihet
E pikëlluar
Dhe e braktisur
Nga zogjtë.
QIRIRI
Ndriçon
Kujtimin e shtrenjtë
Dhe duke
Pëshpëritur lutjen
Shkrinë në lotë.
URREJTJA
Ç'kobër e polli
Që gjithmonë
Gjen preteksin
Të bëjë keq?!
LUFTRAT
Të gjitha
E kanë rrënjën
Tek fjala: "Imja".
ERËRAT E BALLKANIT
Nga çdo anë që vijnë
Acarin sjellin,
Zjarrit i fryjnë.
VENERA
Perëndesha e Dashurisë
Ju ka dhënë vajzave
Zinxhirë purpuri
Të lidhin djemtë.
PËR INTERES
Si nuk i pamë njëherë
Të grinden për dashuri
Të
Martuarit
Për
Interesë?!
VERIU
Sa i butë me kallinjtë,
Sa i egër me drizat,
Sa i dhëmbshur me vesën,
Sa ledhatar me trëndafilat…
GLADIATORËT
I quanin të pa shpirt,
Po atëhere
Pse i duartrokisnin
Për mizoritë?!
TEK ÇDO…
Tek çdo profug
Shoh Uliksin
Me shpresën si zarf
Pa adresë.
Tek çdo kontrabandist anije
Shoh Karontin
Që i çon ata
Drejt vdekjes…
MREKULLIA
Meqënse të pasurit
Pushtuan Mbretërinë e Tokës,
Zoti u dha të varfërve
Mbretërinë e pafundme
Të Qiellit.
Kozma Gjergji.
Miq dhe Kolegë të dashur e respektuar, ju përshëndes e falenderoj perzemersisht për mendimet tejet të çmuara, të cilat e bëjnë ciklin poetik të duket edhe më i hijshëm e i ndritur. Kënaqësia ime është e shumëfisht, sepse vlerësimi, mbresat, impresionet vijnë nga mjeshtër që prej "argjendërisë" së tyre kanë nxjerrë e nxjerrin "prodhime" të shkëlqyera.
Ju uroj gëzuar Vitin e Ri! Qoftë plotë gëzime e me "të korra" të begata e cilësore!
Përqafime miqësore, K.Gjergji.
I nderuar Z.Gjergji! Faleminderit per kenaqesine dhe emocionet qe me dhate me ciklin e ri
poetik.
Poezia "PRIJESI" eshte nder jo vetem per ty si autor, por per te gjithe miqte e tu, dhe per poezine shqipe. Do te shtoja, i gjithe cikli eshte i mrekullueshem. Deshmi e konsolidimit te
stilit tuaj te hershem, por qe vazhdimisht perfeksionohet ne kohe...
Poezi te thjeshta , te qarta, kocentrate liriko- filosofike me nentekste brilante jetesore, te fresketa dhe origjinale, ku nuk heq dhe nuk shton dot asnje germe. Do te vecoja poezite:
Edisonit, Babai, Luftrat, Ererat e ballkanit, Venera, Veriu. etj.
Urime, me suksese te tjera, me respekt
Myslim Maska, Athine.
Xingografia:
Lexoj i vëmëndshëm një cikël me poezi jo vetëm të ndjera emocionalisht e të arrira poetikisht, por edhe të mirëgjetura në një finale ku Prijësi edhe me vdekjen i mund ekzekutorët e tij. Ku Edisoni në çdo llampë do të na çfaqë portretin e tij. Ashtu siç na kujton vëndin e shenjtë të NËNËS në spektrin HYJNOR e të BABAIT që, kujdeset për mollën që të mos mbetet e braktisur nga zogjtë. Dhe . . ., një mendim fisnik i poetit e çon te alegoria për ne lexuesit që të kuptojmë njerëzoren. Këtu qëndron aristokracia e poetit për të gjetur vëndin e atyre që kanë pushtuar Tokën dhe të të kundërtëve që kanë të drejtën, avantazhin dhe imunitetin për…