top of page

Cikël me poezi


Cikël me poezi

AH, KJO THELLËZË!...


NGA PANAJOT BOLI


MË MUNGON


Gjumin ma more, ah moj thëllëzë këtë mëngjes vere

Më bëre të dal në oborr, në tavolinën e vjetër në fshat

Ndjej erën e mirë të kafes që pjek mamaja në kuzhinë

E kujtoj, eh, si e pinim dikur bashkë, mëmë, bir e atë.


Me tabaka vjen mamaja, me tri degëza borzilok në të

Me tabaka vjen mamaja, jo me dy, por me tre filxhanë

E mira, e urta mamaja ime mezi priste të zgjohej i biri

Nuk harroi, jo, borzilokun e kafen për të ndjerin babanë..


Të heshtur pimë kafen e shikojmë njeri-tjetrin në sy

Për borzilokun e kafen e tretë nuk ka dorë që ta zgjatë

Le të ftohet edhe pak, thotë mamaja me zë të malluar

Sa të nuhasë një çikë borzilokun, pastaj ta pi me rehat.


Nesër kafet do t’i marr me vete, të shkoj ku fle babai im

Do të ulem nën dardhë që i mbolla pranë të tijës‘’shtëpi’’

Do ta ftoj ta pimë kafen në hijen e saj me frutat aromë

T’i them sa shumë më mungon, mamanë e mori malli. Po ti?



KËSAJ MBRËMJEJE



Dielli, një puthje të flaktë i dha majëmalit të fshatit tim

E zhyti kokën në det për t’u freskuar para se të flejë gjumë

Pllaja lejla çlodhi veshët nga kënga çjerrëse e gjinkallave

Hutohen dy zogj të dashuruar mbi degën e rrapit në lumë.


Një lepur llapush del nga strofka e kopshtit të xha Tasit

Priti hënën të dalë, një vrap të hidhet në përrua të pijë ujë

Leh si i çmendur baloja pas një irriqi në fund të rrugicës

E porta e fqinjit përballë kërkëllit përvajshëm me rëmujë.


Tisi i përhimtë e spërkat mbrëmjen me aromën e frutave

Butësisht hëna e mbulon me çarçafin e saj të verdhë flori

Mali e përkund si fëmijë e fusha i përkëdhel flokët e zinj

Pastaj e përvuajtura qyqe thyen heshtjen e trishtuar gri.



DHEMBJE


Zhuriti gurin e kalldrëmit pika e lotit tim të kripur

Afsh nxori si gëlqerja kur i hedhim ujë për ta shuar

Kjo rrugicë, ah, me dhembë të rënë e mjekër nga pritja

Gërhet si nëpër gjumë, me çarçafin heshtje ... mbuluar.


Sa iu dhimbs hënës , e zbriti e mira të më ngushëllojë

Me dritën e saj verdhoshe, flori, lotin më fshin në sy

Pastaj ngjeshemi e ngrohemi paksa si të dashuruarit

Që mallin të shuajmë, shtrëngojmë njeri-tjetrin në gji


PRES MJEGULLËN TË BËJ TUTJE


Rrallë e më rrallë bien tani pikat e shiut

E unë i përhumbur rri në cepin e ballkonit tim

Nanuritem me muzikën e vrazhdë, të metaltë

Me një sëmbim të shurdhët ku jeshilon trishtim.


Horizonti i lodhur me zor i përmbajti retë

Me temjan shpërndau ngado mjegullën gri

Mori penelin e verdhë dhe ngadalë ngjyrosi

Dritën e bardhë me pikla të murmë melankoli.


Ngjyrosi me gri edhe oborrin e fqinjës sime

Me fustan të verdhë pastron gjethet e pjergullës

Llastohet, përkulet, e vjedhurazi hedh shikime

Pastaj ngadalë e mbulon tisi i hollë i mjegullës.


I drithëruar pres që mjegulla të bëjë tutje

Të shfaqet prapë plot hir hyjnesha ime

Romanca e shiut dimëror të nis me magji

Të lidh një ylber sytë e saj e zemrën time



AH, KJO THËLLËZË!

-sipas motiveve popullore-


Kjo anë e Bistricës

Ka bilbila shumë

Ah, edhe një thëllëzë

Ç’më lë pa gjumë.


Vajta iu luta lumit

Të më tregojë folenë

Natën t’i zë pusinë

Natën-o me hënë


Presim, oh, sa presim

Unë me lumin zgjuar

Nën një hënë magjike

Bashkë të përmalluar


Presim, po ku është?

Vallë na ka kuptuar?

Unë me lumin bashkë

Të dy të dashuruar.


Ja, ikim pak më lart

Këtu në ngushticë

Ç’ma trembe thëllëzën

Moj e bukura Bistricë


Ah, ç’më ike larg

Vallë, more inat?

Ta dish princesha ime

Këtu të pres për natë.



NUK ERDHE EDHE SOT...


Mes kaltërsisë të prisja edhe sot, herët në mëngjes

Ngela si statujë në det,si fener për ty, moj syzëzë.


Valët duan shok,kercejnë e gjoksin ma ledhatojnë

Unë si Statuja e Lirisë , sytë nga bregu kundrojnë


Heshti,u bertas kaltërosheve, mos më bëni zhurmë

Mos dëgjoj hapa në rerën e lagur, mos shoh gjurmë.


Kaltërsia u zbeh, e valët heshtën papritur për çudi

Një anije e bardhë po fanitet larg, indiferente si ti


Nesër do të vij në të gdhirë, ndofta je si neraida ti

Nuk do të të hutoj dielli, nuk do të të kundroj njeri.


Nesër do të vij në të gdhirë, do të ngre velat me erë

Aty do të më gjesh ti moj e dashur, i ndezur si fener


E di, patjetër do të vish,nesër do të fryjë erë e mbarë

Vetem unë e ti në anije, pastaj ..zhytemi si polumbarë


SONTE PËR TY


Nuk renda si i çmendur të gjej muzikë brilante

As u bëra manjak pas shandaneve tërë shkëlqim

Nuk ndenja para pasqyrës me orë për pamje pikante

Të parfumosem e t’i jap fytyrës sime tjetër ndriçim



Nuk bëra salltanete, as vargje sonte nuk të thura

As thirra si i çartur : Oh,sa shumë shpirt të dua

Nuk vrapova si i dalldisur, as kravatë të kaltër vura

Vetëm ndjeva tiktakun e zemrës, sa shpejt u shtua.


Thjesht vura shpirtin e dlirë, të përveluar në tavolinë

Shkriva me mall dashurinë e si lule e mbolla në sy

Fikëm dritën e buzët tona u rrokën fort me lumturinë

Në një përqafim magjik që kurrë s’dua të ketë mbarim

47 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page