top of page

Cicërimat e Trumcakut



(Rreth librit “Shpirti i Trumcakut” - Ese të poetizuara, i Shkëlqim Kokonës, Botimet “Dritëro”, Tiranë, 2020)

Kur lexojmë një libër, qysh kur hedhim sytë te kopertina, përpiqemi të krijojmë një ide, qoftë edhe paraprake, për atë që përmban dhe për mënyrën se si është paraqitur lënda e subjektit. Ka raste kur përdorimi i efekteve i sajuar përmes frazash “elegante”, vargjesh apo figurash artistike e stilistike të sheqerosura, orvatet të përligjë varfërinë e mendimit dhe cektësinë. Ka raste, gjithashtu, kur “mishi i freskët” (përmbajtja), mjerisht mbështillet me një “ambalazh” të papërshtatshëm (stili). Lexuesit janë të ndryshëm; të tilla janë edhe shijet e parapëlqimet e tyre. Disave u intereson thjesht forma, të tjerëve vetëm përmbajtja. Natyrisht do të duhej të këqyren të dyja me të njëjtin sy, sepse vetëm atëhere kur shkrihen natyrshëm, vepra fiton dhe shpalos të gjitha vlerat e mundshme. Po të futeshim për një çast në fushën e muzikës, ku mjeti shprehës janë notat, ka plot njerëz të dhënë pas muzikës klasike, të tjerë pas muzikës së lehtë apo popullore. Kohët e fundit po vjen duke u rritur me progresion gjeometrik e marramendshëm numuri i atyre (sidomos moshat e reja) që “vdesin” për të dëgjuar muzikën rap (apo rep), paçka se tradicionalistët (kryesisht moshat e mëdha) nuk e konsiderojnë muzikë, aq më tepër kur dihet se edhe tekstet përkatës janë nga më të rëndomtët dhe pothuajse gjithmonë ekscentrikë. E, megjithatë, shija nuk diskutohet. Siç nuk i kemi fytyrat të njëjta, as shijet nuk i kemi të njëjta dhe secili ka të drejtë të mbrojë mendimin e opinionin e vet. Juristi Shpëtim Kokona, punonjës i praktikës në jurisprudencë, autor i disa veprave me vlerë në këtë fushë, përpiqet tani që, përmes një vëllimi letrar-artistik që e nënshkruan me pseudonimin “Trumcaku”, të pasqyrojë mbresat nga jeta. Jo rastësisht, por pikërisht për të nënvizuar faktin që, sikurse shprehet me humor, nuk është as shqiponjë si Dritëro Agolli e Ismail Kadareja dhe as bilbil si At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda dhe Lasgush Poradeci, por një zog i zakonshëm. Pavarësisht se, pasi ta kenë lexuar librin e “Trumcakut”, konservatorët mund ta krahasojnë në letërsi me repistët në muzikë, nuk duhet dhe nuk mund të anashkalohet fakti që Shkëlqim Kokona ka marrë përsipër nismën e guximshme për të krijuar një stil origjinal. Mbase kjo përçapje të kujton në një farë mënyre Martin Camajn me sprovën e tij stilistike në romanin “Djella”, të vlerësuar nga prozatori i shquar Ernest Koliqi. Natyrisht këtu duhen ruajtur rreptësisht proporcionet përkatëse. Në pesëdhjetë krijime, që i quan “tregime poetike”, “Trumcaku” ka në qëndër të vëmendjes dashurinë për Zotin, fëmijët e bashkëshorten, mikun, atdheun etj. Libri i tij është shkruar me një ritëm të pazakontë, për të mos thënë “të rrëmbyer”, përmes përkëmbimit të prozës me poezinë. Ndërkaq, si proza e Kokonës, që, sipas përkufizimit klasik, nuk mund të quhet prozë e mirëfilltë, ashtu edhe poezia e tij, gjithnjë sipas të njëjtit kriter, nuk mund të quhet poezi e mirëfilltë, gjithsesi ndërthuren këndshëm, me një kadencë të natyrshme, duke e mbartur lexuesin në një botë të hershme, arkaike (jo në kuptimin pejorativ të termit), kur modernizmi ngurronte të kërkonte ta pranonin në vallen e arteve. Nga ky këndvështrim, krijimet e “Trumcakut” mund të krahasohen me vështirësitë që ka hasur çdo gjë e re në jetën e shoqërisë, duke u vështruar, jo vetëm fillimisht, por ndonjëherë edhe për një kohë të gjatë, me dyshim e mosbesim. Kam parasysh vitet e fundit produktet e teknologjive të reja, nga celulari e deri te laptopi. Metafora e “Trumcakut” të shkund e të trondit me “brutalitetin” që shoqëron hap pas hapi të gjitha imazhet, që depërtojnë në kokë në mënyrë gati-gati të dhunshme dhe nguliten aty pa pasur ndërmend të largohen. Në këto raste krijimet kanë atë që quhet kadencë poetike. Më tej kalohet në zonën e prozës përsiatëse, e cila ruan një lirizëm të rrallëhasur, temat e personazhet janë të karakterizuar me penelata të holla dhe në mënyrë koherente. Pra mund të thuhet se krijime të tilla ngjizin një poemë popullore në prozë. Është një rrëfim që rrjedh e të befason me një melodicitet, të dubluar nga rima e ritmi i brendshëm i çdo fraze. Nga ana tjetër, vargjet, megjithse vende-vende nuk ruajnë një ritëm e rimë në kuptimin klasik të termit, të bëjnë për vete me thellësinë e mesazhit që kumtojnë, pra me përmbajtjen. Kemi të bëjmë me një “dramatizëm dinamik”, që përmban heraherës ndonjë varg që të bën të mendosh: duhet të qeshësh (se tingëllon si komik) apo të qash (sepse fsheh një trishtim të thellë). Të gjitha krijimet e “Trumcakut” janë një “deklaratë” lidhur me stilin e ri që shpalos me bindje e përkushtim, me besim se është nismëtar në lëmin e ndjeshëm të letrave shqipe. Vende-vende proza tingëllon më fort si poezi e mirëfilltë me varg të bardhë dhe herë të tjera “metamorfizohet” në një stil që të kujton rrëfenjat. Nga fundi i librit autori sikur familjarizohet më shumë me lexuesin, mbartja e imazheve bëhet më e butë, më e drejtpërdrejtë, por edhe më me humor. Duke qënë se personazhet lëvizin së bashku, edhe subjektet lidhen njëri me tjetrin. Kjo na bën të formulojmë këtë përkufizim: “Trumcaku” është një poet modern i një gjinie që mund të quhet prozë e shkurtër e shartuar me poezi të një lloji të veçantë. Letërsisë shqiptare i mungon një gjë e tillë. Autori përpiqet ta davaritë mjegullën që jo rrallë krijon ndarja si me thikë ndërmjet prozës e poezisë. Shkurt: kemi të bëjmë me një letërsi krejt tjetër, me një stil të ri, vështirë për t’u kopjuar dhe që shpejt a vonë ka shanse të vlerësohet në shkallën e duhur. Ky vëllim vlen të lexohet nëse ndjeni nevojën për një ndryshim në linjën e ngurtë që prozatorët e poetët tanë ia kanë imponuar vetes. Shfletimi i këtij libri le të jetë qoftë edhe thjesht një pushim për të tymosur një cigare në mes të një shfaqjeje që, sado interesante të jetë, në një moment të caktuar bëhet monotone.

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page