Drejtori i Arkivit të Shtetit, boton një libër rreth vetidentifikimit etnik në Shqipëri
CENSUSI – “BETEJA PËR 20 PËRQINDËSHIN” NË LIBRIN E ARDIT BIDOS
Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
· Prof. asoc. Dr. Sonila Boçi, përtej ekzaltimeve nacionaliste që i dëgjojmë shpesh në mediet dhe rrjetet sociale, duke folur për identitetin si një tipar shoqërisht të negociushëm, i cili varet nga kontekstet historike, politike e sociale, e ka perceptuar librin e prof.Ardit Bidos si një ftesë për reflektim të thellë dhe racional
Libri i sapo botuar “Beteja për 20 përqindëshin” (Fluiditeti i identitetit, statistikat demokrafike dhe implikimet politike në Konispol dhe Himarë’) i autorit Ardit Bido, i referohet tematikës së vetidentifikimit etnik, të përqindjes së pakicave greke në Himarë dhe në Konispol, si edhe të ndërhyrjeve të huaja potenciale në procesin e censit të popullsisë dhe të banesave, që përbën ngjarjen statistikore më të rëndësishme të vendit. I botuar kohë më parë në disa cikle studimesh në shtypin e përditshëm dhe së fundmi në një libër të llojit dhe stilit të veçantë, “Beteja për 20 përqindëshin” (në dy gjuhë: shqip dhe greqisht) ka gjetur jehonë të gjerë në opinionin publik shqiptar dhe ka marrë vlerësime maksimale nga personalitete akademike e të letrave. Kjo edhe për faktin se është në koherencë të plotë me realitetin e sotëm, kur përmes debatesh e konfliktesh mes përfaqësuesve të komuniteteve të ndryshme në Shqipëri po zhvillohet censusi i popullsisë dhe banesve.
Ardit Bido, profesor i asociuar në marrëdhënie ndërkombëtare, me fushë të ngushtë studimi raportin mes politikës, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe fesë e pakicave, përmes studimeve të thelluara shkencore, trajton me kompetencë dhe profesionalizëm tema të tilla si: Krijimi i identitetit etnik dhe kombëtar; Fluiditeti i identitetit etnik dhe kombëtar; Vetëdeklarimi si forma e vetme e vetëidentifikimit dhe vetëdeklarimi i rremë etj.
Bido, i cili krahas dhjetra studimeve të botuara në revista shkencore e kumtesave të mbajtura në konferenca kombëtare e ndërkombëtare, është autor i monografisë “Kisha Ortodokse Shqiptare: një histori politike (1878-1945), në librin e tij të ri “Beteja për 20 përqindëshin” u referohet fakteve se: Himara, 14.5 % grekë është maksimumi i vetëidentifikimit dhe se: Konispoli 13 % grekë është maksimumi i vetëidentifikimit.
Me kurajo, kompetencë e profesionalizëm, prof.Bido u kundërvihet kërkesave greke për Himarën e Konispolin pas vitit 1991, si dhe përhapjes së influencës greke, referuar legjislacionit shqiptar e grek dhe “testeve” të viteve 2011 e 2015.
“Ajo që autorët grekë quajtën tentativa për dëmtimin e shtyllës shoqërore dhe kombëtare shqiptare përmes tregtisë së vizave të viteve ‘’90, në fakt ishte përpjekja e shtetit grek për të zgjeruar hartën e minoritetit në Shqipëri”, shkruan Bido ndër të tjera në këtë libër (fq.61). Në përforcim të kësaj të vërtete të pamohueshme, përmes studimesh të thelluara, autori i këtij libri me një bibliografi mjaftë të pasur (32 burime parësore dhe 54 burime dytësore) arrin në konkluzionin se: “Shteti grek, struktura të tij dhe/ose grupe interesi, përmes mekanizmave dhe politikave shtetërore greke, kanë tentuar vazhdimisht prej vitit 1991, të ndikojnë në rritjen e numrit të grekëve në Shqipëri, përmes përpjekjeve për të greqizuar këto grupime me fluiditet të identitetit etnik, por edhe grupime pa identitet fluid, si shqiptarët e fshatrave ortodokse në zonat e përqëndrimit të minoritetit grek”. Parë nga ky vështrim, prof. asoc. Dr. Sonila Boçi, përtej ekzaltimeve nacionaliste që i dëgjojmë shpesh në mediet dhe rrjetet sociale, duke folur për identitetin si një tipar shoqërisht të negociushëm, i cili varet nga kontekstet historike, politike e sociale, e ka perceptuar librin e prof.Ardit Bidos si një ftesë për reflektim të thellë dhe racional.
Veç të tjerash këtë libër e bëjnë të besueshëm shtojcat (1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8 dhe 9) për përqindjet e grekëve në Himarë dhe Konispol; Diapazoni i vetëdeklarimit, minoritetit dhe fluiditetit në Himarë e Komispol; Përbërja etnike, gjuhësore dhe fetare, sipas vendbanimeve të bashkive Konispol, Finiq, Sarandë, Delvinë e Himarë; Të dhënat e kombësisë sipas Regjistrit të Gjendjes Civile për vendbanimet e bashkive Himarë dhe Konispol në censuset e viteve 1923 dhe 1945, sipas ndarjes së sotme administrative.
Libri “Beteja për 20 përqindëshin” (Fluiditeti i identitetit, statistikat demokrafike dhe implikimet politike në Konispol dhe Himarë’) i autorit Ardit Bido ilustrohet me harta dhe fotografi mjaftë interesante për studiues të kësaj fushe.
FLUIDITETI I IDENTITETIT ETNIK NË OPTIKËN E PROF.BIDOS
Ashtu si në Hyrje të librit edhe edhe gjatë prezantimit të tij në një nga sallat e Hotel “Tirana” në Tiranë, ku merrnin pjesë qindra personalitete akademikë e të letrave. autori Bido shpjegoi se shtysa për realizimin e këtij studimi ishte identifikimi i grupimeve të caktuara të popullsisë shqiptare me identitet fluid. “Fluiditeti i identitetit etnik është një koncept shkencor, shumë pak i trajtuar në Ballkan, nuk është vetëm tek ne. Në Ballkan është shumë pak i trajtuar, ku ne lidhim automatikisht popullsinë me origjinën. Kjo sipas tij, për të dalë rrjedhimisht në përfundime statistikore të besueshme, të cilat na japin një ide më të qartë se sa janë individët që ndihen në një etni të caktuar. Bido theksoi riskun e vetëdeklarimit të rremë në censusin 2023, siç ka ndodhur në një fshat në censusin e vitit 2011, duke rrëfyer implikimet politike që do të kishte Shqipëria nëse artificialisht numri i pakicës greke tejkalon 20%, që statistikisht është e pamundur edhe përmes vetëidentifikimit.
Më tej, Bido u ndal në çështjen e vetëidentifikimit etnik, duke pohuar se libri ka përfshirë në trajtesë qasjen klasike primordialiste dhe atë moderniste, me qëllim pasqyrimin sa më objektiv të problematikës. “Unë nuk i përkas vetë shkollës primordialiste, unë nuk besoj se ato që kemi të regjistruar në gjendje civile janë të sakta. Por, unë në libër i qëndroj në mënyrë shumë të qartë të gjitha koncepteve, qoftë primordialiste, qoftë moderniste të vetëidentifikimit”, pohoi prof.Bido.
VLERËSIME TË PERSONALITETEVE
Ky prezantim i moderuar në formën e një forumi prej gazetarit Aleksandër Çipa, u zhvillua në praninë e ish-presidentëve të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi, të nënkryetares së Kuvendit, Ermonela Felaj, të një grupi parlamentarësh të mazhorancës dhe të opozitës, të akademikëve, të studiuesve të historisë, të përfaqësuesve të klerit dhe të qarqeve diplomatike. Në panelin e diskutimit, krahas autorit, morën pjesë Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Prof. Dr. Paskal Milo, Prof. Dr. Irakli Koçollari, Prof. Dr. Eva Hyskaj dhe Prof. Dr. Fatmir Mema.
Ata e vlerësuan librin “Beteja për 20 përqindëshin” të autorit Ardit Bido të një rëndësie të veçantë, për vetë faktin se ai është në koherencë me realitetin e sotëm kur në Shqipëri po zhvillohet censusi i popullsisë dhe i banesave.
Prof. Dr. Ksenofon Krisafi theksoi se përgjegjësia për vetëdeklarim objektiv i përket organeve shtetërore. “Nuk mund të thuash ti që unë jam kinez, tajlandez se kështu më mbushet mendja mua tani, por duhet objektivisht të vërtetosh dhe kjo është detyrë e shtetit, në këtë rast e zyrave civile dhe të autoriteteve të tjera që janë të ngarkuara me këtë çështje” shprehu Krisafi.
Në vijim të diskutimit Prof. Dr. Paskal Milo nënvizoi se problematikat e adresuara në libër duhet të gjejnë zgjidhje nga elitat politike dhe akademike. “Ne duhet të jemi realistë mbi disa realitete lokale, veçanërisht në tre fshatrat greqishtfolëse të Bashkisë Himarë dhe duhet të nisemi gjithnjë nga parimet e Konventës Kuadër për Pakicat” tha z. Paskal Milo.
Profesor Irakli Koçollari këtë botim e cilësoi si një hap mjaft të rëndësishëm për vendin. Gjatë diskutimit, në fjalën e tij Koçollari tha: “Deri tani në realin e studiuesve shqiptarë nuk ka qoftë edhe një të vetëm që të jetë marrë me çështjet nacionale, të origjinës së kombit tonë, në mënyrë specifike të identitetit nacional të shqiptarëve. Sigurisht, kjo nuk është e vetmja zgjidhje, e fundit dhe përfundimtare në atë që ka bërë. Ky është një hap, është siç thonin dhe latinët e lashtë ‘një dallëndyshe’”.
“Pyetësori duhet të shtrohej në debat për mendimin tim, me studies, me grupe studiuesish të fushave të ndryshme, pasi kemi studiues shumë të mirë dhe pastaj do të dinim nëse duhet të ishin apo jo këto dy pyetje” tha mes të tjerash Prof. Dr. Fatmir Mema.
Prof. Dr. Eva Hykaj vlerësoi që ky botim do të jap ndihmesë dhe kontribut në njohjen e problematikave të shqyrtuara. “Duke u ndikuar nga politika, njerëzit vetëndjehen, vetëdeklarohen rrejtazi ose jo. Normalisht, nëse kjo është çështje e përditshmërisë, ose nëse është e pritur të ndodhë, njerëzit do ta kuptojnë më mirë nëpërmjet botimit të Arditit” shprehu në diskutim Prof. Dr. Eva Hykaj.
Moderatori i këtij Forimi z. Aleksandër Çipa, President i Unionit të Gazetarëve të Shqipëisë çmoi se përmes këtij botimi faktik, kontribuohet në rikthimin e “Shqipërisë së mendimit”.
“Shqipëria, në rastin konkret, përmes akteve dhe natyrisht forumeve të tilla, të rikthejë atë që quhet sentenca e Branko Merxhanit, Shqipërinë e mendimit. Arditi jep një kontribut për të rikthyer përmes të dhënave dhe fakteve logjike, Shqipërinë e mendimit” nënvizoi z. Çipa.
Prof. asoc. Dr. Sonila Boçi, në parathënien e linrit, ndër rë tjera nënvizon faktin se para 12 vjetësh, regjistrimi i popullsisë u shqoqërua me debate mjaft të ashpra dhe me mosbesim të shprehur për ezultatin e tij. Në analizën e saj “Punimi i prof. Ardit Bidos ‘Beteja për 20 përqindëshin: Fluiditeti i identitetit, statistikat demokrafike dhe implikimet politike në Konispol dhe Himarë’, vjen në kohën e duhur, dke na sjell një qasje shumëdimensionale për një çeshtje tepër të komplikuar”. Më tej, në këndvështrimin e saj analitik, Prof. asoc. Dr. Sonila Boçi shprehet se: “Teorikisht, lundrimi në komcepte të tilla të komplikuara si: nacionalitet, përkatësi etnike/kombëtare dhe identitet etnik/kombëtar, nuk është një ndërmarrje e lehtë, pasi deffinicionet dhe analizat ndryshojnë jo vetëm ndërmjet shkollave të mendimit, por edhe midis autorëve të së njejtës shkollë”. Gjithsesi, konkludon prof. Sonila Boçi, autori i këtij libri, prof. Ardit Bido, gjen një këndvështrim mjaftë interesant.
Comentários