
Para disa ditësh lexova në Facebook një shkrim të Agron Tufës ku, nëpërmjet disa dokumentave arkivore, i vinte përpara publikut faktin se një shkrimtar i njohur gjatë kohës së komunizmit dhe po ashtu, një studiues i njohur tani, kishte qenë spiun i Sigurimit. Madje diçka më shumë: personazh i rëndësishëm e asaj arme kriminale. Ishte e është fjala për Nasho Jorgaqin. Një ose dy ditë më mbas, po në Facebook, lexova një mbrojtje që i bëhej këtij personazhi nga një zonjeë, gazetare në mos gaboj. Më bëri shumë përshtypje mbrojtja. Tufa, nëpërmjet disa dokumenteve, na paraqiti, sipas meje, një rast shumë të rëndë për shoqërinë tonë gjatë kohës së komunizmit, por edhe të asaj në të cilën jetojmë. Fakti që një personi si Jorgaqi i rëndon në kurriz një e kaluar e tillë dhe ende është mes nesh gati i shenjtëruar, madje pontifikon art e moral nga podiumi i intelektualit, sikur hiç gjë tjetër, më bëri të shkruaj mbi argumentin. Librin e tij “Mërgata e qyqeve” mora ta lexoj 33 vite më parë. E lashë përgjysmë. Si lexues i apasionuar që lexonte gjithçka mundej, edhe pse i këshilluar nga miqtë se po merrja në dorë një libër të pavlerë, madje më shumë se aq: negativ në ato pak vlera (artistike) që mund të kishte, ia mësyva leximit. M’u bë e pamundur të shkoja më larg se një kapitull. Një mësuesi im i shkollës së mesme ishte abonuar te një revistë që botohej atëherë: “Në shërbim të popullit”. Ia kisha marrë nja 3-4 herë fshehurazi revistën për ta lexuar. Shkrimet skandaloze të botuara aty ishin në të njëjtin nivel me librin e sapofilluar të Jorgaqit. E lashë diku dhe nuk e zura kurrë më me dorë. Të njëjtin fat kanë pasur pothuaj të gjithë librat e shkrimtarëve shqiptarë të botuar në atë kohë. Përjashto Kadarenë, që në nja dy libra më kishte pëlqyer dhe një të Agollit (vëllim me poezi, jo “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”), të tjerët nuk mbërrija t’i çoja as te faqja e tretë. Te ajo ku nuk i kthehesha mbas e vazhdoja leximin e një libri tjetër. Me Jorgaqin shkova ca më shumë, sepse tema që trajtonte më interesonte. Një pjesë e konsiderueshme e familjes sime ishte esencë e kësaj “mërgate”. E prapë, nuk mbërrita ta çoja deri në fund. Gjithsesi, jam i vetëdijshëm se ky është një gjykim personal i dikujt që lexon e nuk është teknik e ekspert shkrimi. Ajo që më intereson është qëndrimi i mbajtur nga shoqëria karshi fenomenit. Pra, qëndrimi ndaj njerëzve që kanë spiunuar përgjatë regjimit komunist e për këtë “meritë” janë ngritur në poste nga ku kanë bërë e ende bëjnë mentorët. Shoqëritë e ngjashme me tonat në Europën Lindore kanë të tillë personazhe në çdo qelizë të tyre. Në 99% të rasteve ama janë mish i huaj, të kalbur e gati të padëmshëm për ta. Janë në margjinat e shoqërive. I përkasin një sistemi të kalbur e që qelbi një botë të tërë të civilizuar e si të tillë e trajtoi. Shoqëria i mënjanoi pothuajse menjëherë. Në një katharsis që filloi nga familja (nuk qenë të paktë fëmijët që u distancuan nga prindër me të kaluar kriminale), shoqëria e këtyre vendeve i margjinalizoi e në të njëjtën kohë, nëpërmjet denoncimit të veprave të tyre të padenja, filloi të krijojë moralin e ri për brezat. Në Shqipëri ndodhi krejt e kundërta. Në 99% të rasteve, në politikë, në organet e drejtësisë, në polici, në çdo hallkë të shtetit, po kryesisht në art e kulturë, mentorët dhe “udhëheqësit shpirtërorë” ngelën personazhe me të kaluar të dyshimtë, në mos qartësisht të kompromentuar. Shoqëria nuk reagoi si duhet ose qe halldupe edhe kur e bëri. Shkrimtarë, poetë, këngëtarë glorifikohen çdo ditë e më shumë nga media të cilat, model referimi, mësues e profesorë, kanë të njëjtët persona që moralisht duheshin gjykuar prej tyre. Është një rreth vicioz që nuk u thye kurrë e shumë pak po tentohet të bëhet. Denoncimi i Tufës, i bazuar në dokumente, është një rrugë e cila duhet të ndiqet. Nuk më pëlqen as gjuha e Tufës kur i indinjuar e me të drejtë, sulmon Jorgaqin. Epitetet janë të panevojshme, sipas meje. Nëse gjithçka është në dokumente e çertifikuar, do të mjaftonte denoncimi e mbështetja e tillë nga organet kompetente për të vulosur me një fjalë sjelljen e Jorgaqit: spiun komunist i Sigurimit. Për mua do të qe e mjaftueshme. Në të kundërt, kemi një zonjë që mbron autorin e disa romaneve, të akuzuar si spiun. E lexova me vëmendje, sepse personalisht më interesojnë, paradoksalisht e them, më shumë reagimet e shoqërisë shqiptare, intelektualëve ose, më mirë të them, klasës së lëçitur, sesa denoncimi i Tufës. Ai më duket në normalitetin e gjërave. Një ish-drejtues institucioni, një shkrimtar, një qytetar, ka në dorë një fakt aberrant mbi të kaluarën e një punonjësi arti. Ai e denoncon. Gjëja më e thjeshtë e qytetare. Reagimi është ai, e theksoj, që më intereson. Zonja në fjalë sjell një tufë jo argumentash për të mbrojtur Jorgaqin. Pra, asgjë të faktuar. Emocione personale. Krejtësisht të pavlera për thelbin e asaj që diskutohet. Përmend që Jorgaqi ka qenë mik i babait e i Kadaresë e që nuk i ka spiunuar ata, edhe pse flisnin kundër regjimit në sy të tij. Nuk dua të hyj në argumentin se si sillet e se si shitet një spiun për të mos u dekonspiruar. Kam parë shumë filma e kam lexuar shumë libra me spiunazh (jo të stilit të Jorgaqit) për të qenë krejt i pandikuar nga subjektivizma. Ajo që unë gjykoj para dokumenteve të nxjerrë është alarmante. Një spiun ka marrë më qafë shokët e tij në Shqipëri e në Kosovë, por edhe më keq, ky person është ende i pacenuar e vazhdon të helmojë me praninë e tij “intelektuale”. Gjuha e zonjës m’u duk shumë agresive në disa raste e vulgare në disa të tjera karshi denoncimit të Tufës. E gjeta pa arsye. Tufa nxierr një dokument, e denoncon këtë fakt. Në unison, kush ndihet përgjegjës për fatet e shoqërisë shqiptare e të artit në veçanti, duhet të solidarizohet. Me rezerva, duke kërkuar burimin e dokumentit, vërtetësinë e të dhënave në të, autenticitetin, duke shpresuar që shteti me organet e tij të reagojë sa më shpejt e në pritje, me durim, por gjithsesi duhet një përshëndetje për Tufën dhe personat si ai që denoncojnë fenomenin. Më tmerroi mbrojtja e zonjës. Siç thashë më sipër, në vendet e Lindjes, por jo vetëm, rënia në kontakt me jetën e dyfishtë të një familjari nga njerëz të afërm të tij e kur kjo jetë e dyfishtë qe në dëm të shoqërisë, i ka bërë ata të kenë një reagim shumë të fortë. Janë distancuar nga ata e i kanë demaskuar. Ka qenë shumë e vështirë, pa dyshim, por e vërtetë për një shoqëri. Edhe më e rëndësishme se sa të bëjë pakt dhimbsurie me babanë a me xhaxhanë e radhës. Besoj që nuk ka qenë kënaqësi për Bashkim Shehun të thotë që: “Ne si familje humbëm babanë, Shqipëria nuk humbi asgjë. Përkundrazi”. E kam vlerësuar këtë thënie të tijën mbi të atin. Ishte numri dy i regjimit e padyshim pjesa kryesore e krimit i binte atij, por ato krime janë kryer në bashkëpunim. Tredhja dhe zhdukja e njerëzve të artit, futja në burg e gjymtimi intelektual i tyre është bërë kryesisht nga spiunë të vegjël e të mëdhenj, të cilët u kanë ndenjur si hije pranë. Njerëz të padenjë për cilëndo fazë të shoqërisë, por më shumë se kurrë për këtë në të cilën po përpiqemi, po luftojmë të jetojmë. Të mbrosh Jorgaqin si “xhaxhi i mirë e i dhemshur. Ai miku i babit” nuk është e shëndetshme për askënd mendoj e aq më pak për shoqërinë që lexon një gjë të tillë. Të ndjesh keqardhje, të priresh të zbulosh nëse kjo është e vërteta, është mëse humane. Por deri më tash kemi disa dokumente që implikojnë një njeri si spiun të neveritshëm të shokëve të tij e të miqve që i kanë besuar. Ky është fakti. Para këtij fakti jemi thirrur si shoqëri të reagojmë. Sentimentet personale dalin në plan të dytë, të tretë a më larg. Ndërgjegjja duhet të na tronditet e të hapim paksa sytë. Një shoqëri e një individ janë të shëndetshëm vetëm kur ai e ajo shohin çdo veprim të ndërsjelltë si të tyret e efektet e këtij veprimi i jetojnë me të njëjtin angazhim e shqetësim. Në të kundërt, shoqëria do të vazhdojë të jetë tribale e për këtë arsye, jo më shoqëri. Individë të tillë të pacenuar do ta shprishin gjithmonë e më shumë gjakun e saj. Një helmim të tillë Shqipëria tashmë e ka në deje pikërisht nga moskëqyrja e fenomeneve si shoqëri, por si individë e për rrjedhojë, reagimi si i tillë karshi tyre është para syve tanë.
Shënim:
Leon Mirakaj ështe një nga bashkëmendimtarët e paktë, përveç Agim Baçit, që pati nervin etik e social të reagimit per nje çështjje të tillë të ndjeshme gjithëshoqerore, për çka e falenderoj. A.T)
Comments