“BUZËQESHJE E PËRVAJSHME”


Mr.sc. Fatmir Halimi

VËSHTRIM PËR VËLLIMIN POETIKT “BUZËQESHJE E PËRVAJSHME” TË SHKRIMTARES MEVLYDE MEZINI SARAÇI

Poetja Mevlyde Mezini Saraçi është një ndër krijueset më serioze të letërsisë sonë, e cila para lexuesve me veprat e saja letrare ka filluar të paraqitet qysh nga paslufta e këndej. Ajo është aktive në jetën kulturore-letrare dhe organizatore e pjesëmarrëse në shumë aktivitete letrare, e që për këto vite ka botuar më se njëzet libra, siç janë: “Sytë e Pranverës”, 2000, “Ndoshta më s’ka kuptim” , “Kur jeta duhej jetuar” 2003, “Çelësi është diku larg”, “Ditëlindja e nënës”, dramë për fëmijë, “Jeta është e pamatur” Përkushtime, “Murana” roman, “Lot i zemrës“ Poezi, “Simfoni jete”, Poezi, “Oazat e shpirtit” dhe po këtë vit sjell vëlliminpoetik“Buzëqeshje e përvajshme“.

Vëllimi poetik “Buzëqeshje e përvajshme“, nga autorja është konceptuar në dy cikle si Etje dhePërkushtime.

Mevlyde Mezini Saraçi

Te cikli i parë Etjepoezitë janë me tema dhe motive tëndryshme, që përmes tyre autorjashpreh fuqinë e fjalës krijuese, letrare e artistike, e cila fuqi bën që poezia e sajtë marrë konatacione të ndryshme dhe lë mundësi të shumta interpretimi.Prandaj, mund të themi se përmes fuqisë së fjalës krijuese autorja nganjëherë i vë në thumb të kritikës pushtetarët, e nganjëherë edhe satirizon me vese dhe dukuri negative të shoqërisë.

Kurse, të ciklipërkushtime vlen të theksohet se autorja përmes vargjeve shumë ndjeshëm i portretizon figurat e heronjve e të dëshmorëve të kombit tonë, duke filluar me Gjergj Kastriotin, Adem Jasharin, Jusuf Gervallën e të tjerë, ku vargu i saj sjell një kuptim më të gjerë, më imagjinativ dhe më sensual, pasi që poezitë janë ndërtuar me plot figura e trope stilistike, te të cilat mbretërojnë metafora dhe metonimia.

Te“Buzëqeshje e përvajshme“Saraçi vërtet ka sjellë realizime të bukura, ku ndjenjat dhe mendimet janë gërshetuar aq mirë në mes vete, të cilat që në kontakt të parë të bëjnë për vete. Saraçi, këtu kryesisht kultivon poezinë lirike, siç është ajo refleksive, sociale, përkushtuese e atdhetare, të cilat janë pasqyrë e nivelit të ngritjes së saj intelektuale e kulturore. Ajo frymëzimet e veta poetike i gjen jo vetëm në aktualitet, por edhe në histori, në të kaluarën e saj dhe të kombit tonë, duke i gërshetuar kështu elementet dhe çastet karakteristike të së kaluarës, me ato të së tashmes për të dhënë një tablo edhe më të qartë të trajtimit, siç është poezia “Dy dekada më parë”,ku përmes retrospektives kthehet njëzet vjet prapa dhe i kujton momentet e burgosjes së saj nga forcat shoviniste serbe, e sot ajo është e lirë, e shijon lirinë bashkë me përqafimin e nipave dhe mbesave.

Shkrimtarja dhe poetja Mevlyde Mizini Saraçi, ndjenjat, mendimet e frymëzimeve të veta i ka ngritur në një shkallë të lartë për t’i bërë të përgjithshme dhe të pranueshme për të gjithë. Si të këtilla, mendimet dhe idetë e saj fitojnë kuptim dhe domethënie edhe më të madhe se sa ajo që duket në shikim të parë. Vetë jeta prej një çlirimtarje dhe pjesëmarrëse aktive e ngjarjeve të nëntëdhjeta për çlirimin e vendit dhe puna e saj si politikane, pra si deputete në parlamentin e parë pas çlirimit të shtetit të Kosovës, ka bërë që ajo të na sjellë poezi të aso niveli dhe të asaj tematike siç janë:Shprehu, Nuk ka fjalë, Ëndrrat fluturojnë, Shtigje të reja, Sytë e qiellit, Shfletim jete etj., që për lexuesin dhe letërsinë tonë janë risi si tematikë dhe si vargëzim.

Mr.sc. Fatmir Halimi

Prandaj mund ta përmbylli shkrimin se pjesa dërrmuese e poezive të Saraçit ndërtohet mbi dromca jete reale dhe të hidhura, të paraqitura bukur me mjete dhe aftësi krijuese artistike. Vërtet poetja është krijuese që frymëzimet e veta i gjen në realitetin e jetës, kurse mendimet e veta për çështje të ndryshme ajo i thotë me guxim dhe mjeshtëri artistike.


#Fatmir #Halimi

0 views

Shkrimet e fundit