top of page

BURRË I RRALLË MES TË RRALLËVE


MOS E HARRONI SELIM PIRËN, BURRË I RRALLË MES TË RRALLËVE I DIBRËS

Ai iku, Selim Pira nisi udhëtimin në përjetësi. Rroi 96 vjet. Kur e takova, një ditë vere në hollin e “15 Kat-shit”, 3 gusht 2018, kur përjetova gjallërinë, kujtesën si djalë i ri, dashamirësinë, e urova ta kapte “NJË QINDSHIN”. Qeshi dhe më përqafoi.

I bëra disa fotografi; vetëm, me të bijën të cilën e ftova të më bëjë një foto bashkë me Selimin. Janë disa fotografi që ma zbukurojnë arkivin tim dhjetëra mijëra fotosh, bardhë e zi dhe me ngjyra.

Po i përcjell si ngushëllim për gjakun e tij, djem e vajza, nipër e mbesa, shokë e miq.

Të rroni, ta kujtoni e ta nderoni...

Mos e harroni SELIM PIRËN. Bën pjesë në BURRAT E DIBRËS, i rrallë mes të rrallëve...

Abdurahim Ashiku

Athinë, 11 dhjetor 2022

TI SHËRBESH ATDHEUT SI SELIM PIRA !

Meditime pas takimit me një student të Internatit Dibra, një partizani, tankisti, oficeri nëndetëseje… njeriu që shpirti i ka mbet në Dibër…

Nga Abdurahim Ashiku

Vetëm Selim Pira shkruaj në zarfin e kujtesës dhe fletët brenda do të hapen si në një enciklopedi…

Nuk kisha pi ndonjëherë kafe me Selim Pirën…

As i kisha dhënë dorën në ndonjë konak Dibre…

Me të vëllain Sulën po,

Edhe me fëmijët e tij…

Banonim në një pallat me themele të lidhura,

Ai në hyrjen e parë e unë në të tretën,

Në të njëjtin kat…

Selimi më njihte,

Jo në portret, por në germë të penës…

Sa herë më lexonte në “Rruga e Arbrit” apo në “Dita”, më merrte në telefon…

Nuk dëgjonte mirë, por fliste qartë e me pasion,

Më bënte të skuqesha nga fjalët në shkallën më të lartë që përdorte ndaj meje…

Më fuste në borxh,

borxhin njerëzor për ta takuar,

pirë një kafe e qëndruar në krah të njërit tjetrit përjetësuar në fotografi…

Do të më afronte me të djali i tij, Xhimi, ikanak si edhe unë në Athinë…

E kisha fiksuar numrin e tij të telefonit…

Xhimi më dha numrin e motrës së tij me këshillën që lidhu me të se ajo ta sjell ku të duash…

Në Tiranë shkoj e iki, si i thonë, “për të marrë një gacë për zjarr”…

Sa herë shkoja e kisha në mendje ta takoja,

“Gaca” mi digjte takimet…

Më në fund e gjeta kohën…

I “lidhur” për t’i shkuar në shtëpi por i zgjidhur gjalmash për ta takuar atje ku duhet të ndiqja një seminar treditor…

I ngjiti shkallët e hotelit “Tirana Internacional” mbajtur për krahu nga vajza, për siguri (kështu na mbajnë tash fëmijët),

i drejtë si plepat “fyell pushke” të Lugjejt buzë Drinit…

“Kambët po më lenë, – më tha duke u përqafuar – por mendjen e kam si në rini”…

U ulëm ballë për ballë…

I shikoja në fytyrë buzëqeshjen…

Mundohesha t’i lexoj shpirtin…

I gjerë si deti, ku kishte lundruar në sipërfaqe e në thellësi…

I lartë si Korabi bjeshkëve të të cilit kishte kullotur ëndrrat…

SHPIRTIN E KAM ATJE, NË DIBËR…



“Unë jam Selim Isuf Pira, mu prezantua me një zë gjëmues…

Datëlindja 1926…

Lindur në Lugje të Dibrës…

Kam pas babën patriot e atdhetar…

“Daja i vogël”, i thoshte Eles Isufi…

Në pesëdhjetëvjetorin e Pavarësisë, në vitin 1962, është dekoruar…

E quajnë Isuf Pira…

Unë: Një biografi që më erdhi në shpirt si këngë trimërie, atdhedashurie…

Shpirtin e kam atje, trupin e kam këtu në Tiranë…

Në Dibër…

Duke filluar nga fisi, nga fshati…

Unë: Një mall që s’e shuan as Drini në rrjedhë të trojeve të tij Lugjejt, as Veleshica tek takohet me Drinin e Zi…

Zall Dardha më ka nderue me titullin “Nderi i Dardhës”…

Erdhi edhe Donika Hyseni, sekretarja e përgjithshme…

Erdhën edhe nga komiteti i veteranëve, Ilmi Cani…

E kush do ta humbiste një flori kaq vezullues të asaj treve që atdhetarët e mëdhenj dhe këngët i kishte në barazkandar…

Unë kam 38 vjet pension…

Por a kam qenë në pension apo në punë?…

Punë, aktivist me Frontin edhe me Veteranët…

Kam qenë gjithnjë në kambë…

Edhe sot me shpirt jam në kambë…

Pleqëria nuk më ka ardhë nga koka por nga kambët…

Babën ma kanë vra forcat e Halil Alisë…

Më 8 korrik të 1944-s…

NJË KUJTESË QË TË HABIT


Kam bërë Internatin e Dibrës në Kastriot…

Shaban Shehun kam pas mësues…

Çdo të xhuma bënim mësime për fenë…

Mua më doli bursa për në medrese…

Nuk pranova…

Një nip, Selman Cala, baba i Skënderit dhe Beshirit…

Ishte xhandar në kohën e Zogut, bile u martua atë ditë me Zogun dhe shpenzimet e dasmës ia ka pague Zogu…

Nga shkolla mbaj mend Rufat Spahiun, drejtorin,

Burrë zotni, i mirë…

Qamil Guranjakun kam pas mësues.

Pas Çlirimit ka qenë zëvendësministër i arsimit, partizan, komisar i brigadës së 17 S…

Ishin djemtë e kaloshëve; Sefë Kaloshi, Llon Kaloshi, Mahmut Kaloshi, Hilmi Kaloshi, Kalosh Hysa, Avni Plaku, Ahmet Lahi, Rremzi Ndreu, Lazam Ndreu, Baftjar Ndreu, Irfan Ndreu, djemtë e Cen Elezit dhe të Kaloshëve…

Ka qenë edhe Bajrami i Beshirit, nipi i Dali Ndreut…

Ka qenë edhe Sul Pira, vëllai im…

Beqir Spahiu ka qenë inspektor i arsimit…

Vazhdova gjimnazin e Shkodrës dy vjet…

Më vranë babën, nuk shkova ma,

E lashë në të tretin…

USHTARAK ME RRËNJË NË BETEJA


Kam qenë partizan në Çetën e Sllovës…

U formua më 15 shkurt 1943…

Në çetë kam pas Qatip Calën, Isuf Calën, Faik Ndreun…

Pas Çetës u radhita në Batalionin e Dibrës që u krijua në Gjoricë më 26 korrik 1943…

Më pas në Brigadën e Tetëmbëdhjetë që u krijua në Sllatinë…

Isha komisar kompanie…

Kam marrë pjesë bashkë me Brigadën e 18-të në çlirimin e Dibrës së Madhe, shkuam në Mat deri në Lis…

Esat Ndreu ishte komandant…

Kam qenë përgjegjës i Rinisë të qarkut Shkodër,

Agim Popa ishte komisar, unë i rinisë…

Kam qenë komandant për shpërndarjen e ndihmave të UNRA-s…

Kam qenë në ditën e parë të krijimit të armës së tankeve, komisar…

Kam qenë komisar i specialiteteve në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve 7 vjet.

Kam 15 dekorata të luftës dhe të punës. Dekoratën e parë ma ka dhanë Enver Hoxha.

Ika për studime në Bashkimin Sovjetik, në Sevastopol, shkollën e nëndetëseve…

Kam punuar në nëndetësen e parë, 105-n…

Punova katër vjet…

Sabit Brokën e kam pas ndihmës mjek në nëndetëse…

Ai më njeh gjerë e gjatë, një njeri i mirë, burrë malesh të Labërisë…

Atje më ka lindë vajza, Merita,

Ka le në Orikum në vitin 1961…

Njëzet vjet punova në Ministrinë e Mbrojtjet, zëvendësdrejtor i kuadrit për specialitet…

Vëllai, Sulejmani, ka qenë 18 vjet në Shkollën e bashkuar pedagog…

Gjatë gjithë jetës, deri sa dola në pension kam qenë ushtarak…

Më 15 gusht të vitit 1982 kam dalë në pension…

Kam dy djem e një cucë.

Tre nipër e tri mbesa…

Dhe një stërnip…

* * *

Një kronikë jete si poezi, poetike, si këngë mbi tela çiftelie, lahute…

E shkruar me gjak e me djersë…

Nga ajo lloj djerse që vetëm Selim Pira e ka përcjellë ballit të rinisë e rrudhave të pleqërisë…

Kurdoherë në këmbë…

Maleve betejave partizane…

Mbi tanke…

Në barqe nëndetësesh…

Me dije e kulturë për ta pas zili…


* * *

Zërin e Selimit e ruaj në një zarf kompjuterik…

Mbi dy orë bashkë…

Mes të qeshurash e fjalë të ngrohta që mu duk se i dhanë më shumë jetë…

Më dhanë edhe mua…

Mora një gacë…

U shndërrua në prush…

Faleminderit Selim Pira!

Faleminderit Merita!

Abdurahim Ashiku

Athinë 25 janar 2019

59 views1 comment

1 Comment


Fatmir Minguli
Fatmir Minguli
Dec 11, 2022

mesazh i fuqishem per te njohur historine e vertete!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page