Burgjet shqiptare në monarki, gjatë Luftës së II Botërore dhe ne diktaturë


Libri i Dr. Femi Sufaj për sistemin e burgjeve 1912-1990, vlerë e shtuar në fondin e letërsisë dokumentare


Burgjet shqiptare në monarki, gjatë Luftës së II Botërore dhe ne diktaturë



Nga Halil Rama – Mjeshtër i Madh


Qeli burgu në burgun e Burrelit



Shqipëria gjatë 45 viteve pas çlirimit nga nazistët, përjetoi një prej prej diktaturave komuniste më të egëra në Europe. Gjatë kësaj periudhe u ekzekutuan për motive politike 5037 burra dhe 450 gra. Janë dënuar me burg, ose dërguar në kampet e punës së detyruar 19250 persona dhe kaluan në kampet e internimit 48217 burra dhe 10792 gra.


Dr. Femi Sufaj

Libri “Sistemi i ndëshkimeve në Shqipëri gjatë regjimit komunist” (1945-1990) i dr.Fehmi Sufaj është një vlerë e shtuar në fondin e letërsisë sonë dokumentare. Burimet e shumta dokumentare dhe bibliografia e pasur flasin për një vepër studimore-shkencore të llojit dhe rëndësisë së veçantë. Kjo parasëgjithash konsiston në shfrytëzimin e më shumë se njëqint dokumentave arkivore të pabotuara të Arkivit Qëndror të Shtetit sidhe 167 dosjeve të kampeve e burgjeve 1945-1974,

nga të cilat autori ka nxjerrë esencën e evolucionit gati shekullor të sistemit të burgjeve në vendin tonë.

Dhe ndonëse në titullin e librit ai duket se flet për një periudhë kohore 45-vjeçare, jo pak por 46 faqet e para të librit janë një vështrim i vëmendshëm historik mbi dënimet 1912-1944.

Që në parathënie Dr.Femi Sufaj shprehet se portat e burgjeve janë një rrugë e brendshme, ku mund të kalohet për të kuptuar më mirë historinë e shoqërisë në përgjithësi. Parë nga ky këndvështrim ai argumenton më së miri se “Shkalla e demokratizimit të një shoqërie, hapësirat e lirisë që ekzistojnë dhe respektimi i të drejtave njerëzore, do të kuptohen më mirë duke parë se si shteti i trajton personat e dënuar me heqje të lirisë dhe si e bën drejtësinë”. Për këtë ai sjell referenca bindëse nga literatura historiografike, jo vetëm ajo shqiptare por edhe e personaliteve botërore. Kështu, në këtë libër, krahas referencave nga personalitete të jurisprudencës e publicistikës shqiptare, si “Zhviillimi historik i Legjislacionit Penal në Shqipëri” (Ismet Elezi); “Politika kriminale” (Ismet Elezi&Vasilika Hysi); “Historia e Shqipnis” (Tajar Zavalani); “Stalinizmi shqiptar” (Arshi Pipa) etj, autori perifrazon dhe komenton edhe Bernard Fischer (“Përpjekjet e Mbretit Zog për Stabilitet në Shqipëri”; Nelson Madela (“Rruga e gjatë drejt lirisë”), Pol Xhonson (“Kohët moderne”), Edëin Jacques (“Shqiptarët”), Roberto Moroco dela Roka (“Kombi dhe feja në Shqipëri”), Hannan Arenddt (“Origjina e Totalitarizmit”) etj.



Sistemi i burgjeve, nga Qeveria e Vlorës deri tek Monarkia


Në pjesën e parë të librit “Vështrim historik mbi dënimet 1912-1944”, autori ndër të tjera na njeh me faktin se për funksionimin normal të drejtësisë, Qeveria e Vlorës, deri në krijimin e kodeve dhe ligjeve shqiptare vendosi të zbatojë Kodin Penal Otoman të vitit 1878. Nën këtë optikë Dr.Femi Sufaj argumenton se si nga sundimi i gjatë otoman, Shqipëria trashëgoi një sistem të ashpër burgjesh, të cilët kishin shërbyer për izolimin jo vetëm të shkelësve të ligjit, por edhe të shumë patriotëve, të cilët luftonin për pavarësi politike dhe për gjuhën e shkollën shqipe.

Burgjet kryesore, sipas autorit, ishin ngritur në qytetet më të mëdha si në Janinë, Manastir, Prizren, Shkodër, Gjirokastër, Elbasan. Me tej autori na njeh me faktin se “Forcat austro-hungareze dhe franceze që u vendosën në Shqipëri gjatë Luftës së Parë, kaluan nën varësinë e tyre administratën e vendit dhe filluan të adoptojnë kodet dhe ligjet e tyre edhe në administrimin e burgjeve”.

Nga shqyrtimi i dokumentave arkivore të kësaj periudhe, konstatohen disa urdhëresa të komandës austriake në të cilat përcaktohet dieta ditore për çdo të dënuar, si dhe e drejta e të dënuarve për të blerë me mjetet e tyre financiare.

Plotësimi i kuadrit ligjor për të dënuarit ka vijuar me ligjin e Këshillit të Naltë të datës 31.01.1923 “Për përdorimin e të burgosurve për punë”. Referuar fakteve arkivore autori Sufaj pohon se pas shpalljes së Shqipërisë Republikë dhe më 1928 Monarki, kompletohet kuadri ligjor i institucioneve të shtetit shqiptar. Krahas Statutit Themelor (Kushtetutës), më 3 qershor 1927 ishin miratuar Kodi Penal, Kodi i Procedurës Penale, Kodi Civil, Kodi Penal Ushtarak, u bë organizimi i drejtësisë me përcaktimin e kompetencave të Gjykatës Paqtuese, Fillore, të Diktimit si dhe organizimi i avokatisë. Në Kodin Penal ishin parashikuar disa alternativa dënimi, si dhe lirimi me kusht.

Më 18 gusht 1933 hyri në fuqi Rregullorja e re e Burgjeve e miratuar nga Këshilli i Ministrave. Në Kodin penal ishte parashikuar edhe dënimi me heqje të lirisë për femrat. Në nenin 24 të këtij kodi thuhej: "Gratë, ndëshkimet me burgim të përjetshëm, me burgim të rëndë, me burgim dhe me burgim të lehtë i vuajnë në stabilimenta (godina) të destinuara për to".


PAK HISTORI NGA DR.FEMI SUFAJ


Duke marrë parasysh gjendjen e vështirë të sistemit të burgjeve, Kolonel Stirling më 1924 propozon ngritjen e dy burgjeve të përgjithshëm, ku të vendosen nga 450 të burgosur të dënimeve të gjata dhe një personel i mjaftueshëm për sigurimin dhe trajtimin e të dënuarve. Kavaja dhe fortesa e Gjirokastrës, mendoheshin si vendet më të përshtatshme. Sipas ketij propozimi, projektet duhet të përmbanin ambjente për punë ku të dënuarit të mësojnë mjeshtëri të ndryshme, ambjente mësimi, dhe mjekimi. Konstruksioni i burgjeve ka ndryshuar vazhdimisht në varësi të nivelit ekonomik e politik dhe të kushteve që duhet të përmbushin. Pavarësisht modeleve të ndryshme që paraqiten në këtë drejtim, tre janë kushtet kryesore që duhet të plotësojë konstruksioni i burgjeve: Sigurimin e të dënuarve, higjenën dhe rehabilitimin e tyre. Për ndërtimin e burgut të Kavajës ishte hartuar një projekt austriak në vitin 1924. Ndërtimi i këtij burgu nuk u realizua, ndoshta u pa më i favorshëm ndërtimi i burgut të Tiranës më 1930. Në qytetin e Tiranës kanë funksionuar dy burgje, një për të dënuarit politik dhe tjetri për të dënuarit e zakonshëm. Si burg politik deri në vitin 1930 ka shërbyer një shtëpi private në pronat e Toptanësve dhe më vonë në lagjen "Sulejman Pasha". Në dokumentat arkivore përmenden edhe banesa të tjera. Në një raport që Ministria e Drejtësisë i bën Ministrisë së Brendshme me 17.09.1921 mbi burgun e Tiranës midis të tjerave shkrueht: "… Në tri dhoma që ka burgu me shtërngim të madh, ishin 67 vetë.70 të burgosur flenin përjashtë në oborr e disa nën strehë. Në këtë mënyrë rrojtje i duket njeriut si me qenë dënuar me vdekje me mundim. …Kjo është despotizëm, një sjellje kundër jetës njerzore".

Në vitin 1926 nga të dhënat e Ministrisë së Brendshme llogariteshin rreth 500 persona të cilët kishin kryer vepra të rënda penale. Nga këta 128 ishin duke vuajtur dënimin në burgje dhe të tjerët ndodheshin në kërkim. Për mbajtjen e tyre Qeveria kishte planifikuar adaptimin e kalasë së Porto Palermos dhe të Gjirokastrës si më të sigurta për ruajtjen e të dënuarve. Rikonstruksioni dhe adaptimi i kalasë së Gjirokastrës u bë më 1928, ku u përfituan 50 dhoma të vogla në formë qelish që merrnin 3-4 veta secila, një sallë e madhe, një dhomë për spital, ambjente për drejtorinë, takimet me familjarët, gardianët etj. Burgu kishte disa qeli të sigurisë së lartë për elementë problematikë, siç emërtohen në projekt "dhomat për katilat". Kapaciteti i burgut ishte deri në 330 vetë, ndërkohë ku nga informacioni i drejtorit të burgut të datës 29.02.1932 mësojmë se në këtë burg ishin 224 të dënuar. Kushtet e jetesës në këtë burg ishin shumë të vështira. Për ta kuptuar më mirë këtë ferr po japim në fundshënimet pjesë nga raporti i Kryeinspektorit të Oborrit Mbretëror të datës 07.03.1932 që inspektonte Burgun e Gjirokastrës.

Në qytetin e Shkodrës ndodhej një nga burgjet më të mëdhenj, i cili kishte funksionuar edhe gjatë sundimit turk. Nga të dhënat e vitit 1929 mësojmë se Burgu i Shkodrës kishte 7 dhoma me 151 të dënuar meshkuj, një dhomë për t