
Cikël poetik nga Albert HABAZAJ
1. KRAHU I PLAGOSUR I SHQIPONJËS
(Këngë e pambaruar për Çamërinë - apel ndaj Protokollit të Firences, që i aneksoi Greqisë krahinën shqiptare të Çamërisë, pas Luftës Ballkanike, më 17 dhjetor 1913)
Çamëri, o krah shqiponje,
Krahu i saj i plagosur,
Sa një krah tjetër Kosove,
Posa ti, i sakatosur.
Çamëri, hallet e tua
As dhe hasmit nuk ia dua.
Ç’do më thuash më parë mua,
E gjakosur gjer në thua?
Do pyes ndonjë njeri;
- Ç’do të thotë Çamëri?!
- Çamëri, çarë më rri
Nga thika marrë në gji.
Çamëri, Çamëri -
Çarë e mbushur mëri,
Krisur tejpërtej si qelqe,
Jetëmbushura me derte.
Kjo këngë, këto vargje
Janë dufe, jan’maraze.
Çamëri, halli mbi halle -
Shtatë dete me tallaze.
Plag’ e gjak e shpirt që dhëmb,
Aty ngrehu, aty shëmb,
Dritë besimi, trimërie,
Marathonomak lirie!
17. 12. 1988
2. SHQIPONJA
Shqipëria - një shqiponjë në fluturim
Drejt Perëndimit,
drejt botës,
drejt jetës;
Krahu i djathtë - Kosova,
Krahu i majtë - Çamëria,
Karaburuni - sqepi,
Sazani është syri ...
Shqiponja në fluturim...
08.06. 1993
3. KËNGË E PAMBARUAR PËR ÇAMËRINË…
Hap syrin, s’mundem pa klithur,
Për Burrneshën fytyrëgrisur,
Këngë e ngrysur dot pa prerë
Ka qenë Zonjë kur s’kish’ të tjerë.
Loti i kripur si kokërr ulliri,
Rri varur nga dhimbja në cepin e syrit,
Veç vallja furtunë e Osman Takës
Vjen së largu, t’i qetësojë plagët…
Më dhembin degët e shqyera,
U bëj mëllagë me piklën e lotit;
Si stina e vajzave të feks Çamëria,
Ka qenë imja që pa lerë Zoti!
O kopësht i bukur i lirisë
Do të çelin lule bajamet…
4. KЁNGЁ PЁR FLAMUR
Oj, Kosovë, o krah’Shqiponje
Krah’ rrebeshesh i plagosur,
Siç kam ty në tonat troje
Kam Çamërinë sakatosur.
Vjen me frymë Perëndie
Përreth Sheshit të Flamurit
Yjësia e Lavdive,
Ku zihet Besa e Burrit!
Tok me Ismail Qemalin
Qëndron baca Boletin -
Emblema jonë krenare
Dhe kur ndrin a bubullin.
Rasih Dino shikon tutje,
Mbushur frymë fluturimi,
Çamërinë s’e ka lutje,
E ka rrënjë shenjtërimi.
Prishtina ime është Vlorë
Edhe Vlora ësht’ Prishtinë.
Për FLAMUR po thur kurorë,
Këngë yjesh për SHQIPTARINË.
5. TË KA HIJE, ÇAMËRI!
Sa shumë të ka hije, Çamëri!
Të ka hije të jesh shqiptare,
Kur me emër ke lulëzuar ti
Bota belbëzonte, as’ kish lindur fare…
Po kur hiqen si perandorë:
Shpall ligje e shfuqizo ligje.
E kanë hak, si morrat t’i shtypësh me dorë,
Se u duket: Bota është e tyre!...
Po kujt i re në qafë ti, moj motër?
Asnjërit s’i shkele shtëpinë,
Të tjerët ta shkelën keq portën,
Të përvëluan si përcëllimë!...
Mbi Zotin dalkan të tjerë zotër,
Ca kope horrash me shkundullimë,
Po gremis ekuilibrat kjo “lodër”,
Njerëzit s’e durojnë perandorinë.
Ndaj, e mira ime Çamëri,
Të ka hije të jesh çame!
O syri i bukur si ulli,
Plot ngjyra lirie ke pamjen.
6. PËR BUZËQESHJEN TËNDE
Të dua, Çamëri,
Sa Labërinë time
Më ke bërë magji,
Moj erë trëndeline.
Burbuqe lirie,
Të kam refren këngë,
Do të jepja frymën
Për buzëqeshjen tënde.
7. DY MOTRA
Çamëria - Labëria,
Lule dege, gjak në rrënjë.
Labëria - Çamëria,
Janë dy motra bërë një nënë.
8. LARG DHE AFËR ZGALEMIT
-kujtimit të ndritur të Fadil Zeqirit-
Si nuk t’u ndodha pranë këtë ditë blu
të të ndizja tre qirinj si Shën Mërisë,
të mirrja dritë të ngrohtë nga syt’ e tu,
të mbushja me drit’ shprese syt’ e Çamërisë,
të faqekuqes Çamëri me djep nderi,
që të ka petrit e ballë dinjiteti,
me fjalën për Nënën si sherbet sheqeri,
me fjalën për Babën si ajkë sherbeti.
…Nuk i njohe, se s’t’i la bisha shovene,
që u çmend, se s’t’i thau rrënjët e degët.
Barbarì e tyre - egërsi hiene
tërbohet sa sheh tek çelin fletët…
O udhëtar, o dritëbërës për liri,
Bonjak i Kajcanjit nga Paramithia,
Prometheun e Pirron që pashë tek Ti
do t’i ndjeja afër tek Ti po të vija.
Oh, sa larg Teje jam, o Zgalem i detit
këtë pesëmbëdhjetë gusht - afër dhe larg,
këtë pesëmbëdhjet’ gusht malli të nxehtë
të tetëdhjetin Tënd, o Fadil i Behart’!
Dhe fryma, dhe fjala, dhe shkrimi në letër,
dhe takimet, dhe kujtimet, amaneti,
më dridhen në zemër si gjethe e gjelbër,
mbi krye i mbaj si kup’ sinqeriteti.
O Zgalem i furtunës, s’qenkam i zoti…
o Fadil Zeqiri, i miri, i madhi,
gjethja e pyllit më bëhet shpërthim loti
dhe loti i nderit më bëhet gjethe malli…
Larg dhe afër, afër dhe larg…
Dinjiteti yt mallin ma lag…
E martë, 15.08.2017