top of page

Bunkerët, ku nxitojnë të fshihen për të bërë dashuri


Bunkerët, ku nxitojnë të fshihen për të bërë dashuri

Tregim nga Fatmir Terziu

 

- Dhe ndodhi! Nuk ishte më në letër. Nuk ishte më në orën e shenjtë, sikurse i thoshte asaj ore, pedagogu i Ushtarakes. Alarm ajror! Alarm ajror! Alarm ajror! Ata vrapojnë nëpër këto gudulisje të ngushta pishash dhe degësh të shtrembëruara të karabobeve dhe ideve, bombat u thuhet nga altoporlanti i madh, i vendosur në majën e oxhakut të Kombinatit të Drurit, se u zhurmojnë mbi kokë. Toka dridhet në zhaurrimën e prodhuar radiofonikisht, tmerr kudo dhe mu para derës së bunkerit, që i bën hije transhesë së nëndheshme ... fillojnë të bëjnë dashuri!

- Por jo, ti nuk i zbaton udhëzimet, o burrë! Duhet të vizatoni shigjetat në diagram në mënyrë që t'u tregoni qytetarëve rrugën më të shkurtër për në strehimin më të afërt në rast sulmi ajror! Çfarë dashurie, përderisa e ngatërron sulmin ajror me këtë datë!

… dhe buzëqesh. Unë ende buzëqesh me këtë skenë të asaj dite vetëm me një ndryshim prej vetëm dyzetë e dy vjetësh. Sepse ky është një kujtim në të cilin, i mbështjellë me pallto dimërore, në mes të një shkurti të acartë, unë dhe pjesa tjetër e entuziastëve nga grupi ynë i cilësuar skuadra e „Mbrojtjes Civile“, bëmë dhe shakanë tjetër. Ndezëm zjarr. Dhe ai zjarr pastaj ishte gati fundi jonë. Eh, nejse nuk dua ta zgjas me atë që deshi të na digjte të ardhmen tonë. Eh, stërvitja, sikurse thashë, quhej „Mbrojtja Civile“.

Ajo drejtohej nga një oficer i rreptë, i dalë në pension, por i thirrur nën komandë. Ai e kishte bërë gati atë skenë alarmi ajror, si të ndodhte realisht e gjitha para hundëve tona të ftohta, ku para nesh shtriheshin gjurmët spektakolare të një sheshi imagjinar, mbi të cilin zjarri armik dhe squfuri derdhej mbi të këqijtë që ndiqnin të mirët djem dhe vajza, që kërkonin rrugën për në strehën e shpëtimit prej bombave. Të gjitha simbolikat dhe shenjat e duhura oficeri i kishte të shënuara me një katror në këndin e sipërm në të djathtë të skicës.

- Hej, pikërisht këtu, në piketën me numër 197, mu para derës, ata ndalojnë dhe bëjnë dashuri!

Shoku im i grupit vizaton dy simbolika njëra mbi tjetrën, i antropomorfizon me krahë të shtrirë, këmbë të ndërthurura dhe koka të vogla si vezë zogjsh, shton një pikëçuditëse dhe më hedh një vështrim të pjerrët. Unë befas jam i vetëdijshëm për të gjithë filozofinë pacifiste të mesazhit „bëj dashuri, jo luftë“, duke kafshuar gjuhën dhe duke mos ndjerë afrimin e rrezikut pas shpinës sonë të pambrojtur, duke qëndruar pezull mbi skemën e Jetës dhe Vdekjes duke ndjekur njëri-tjetrin. Dashuria, veç tek dashuria.

- Të gjithë të gatshëm - jashtë - komandantët dhe zgjatjet e akullit përpara hyrjes së kapanonit me eternit më dukej se bëheshin rrjesht me ne dhe rrjeshtohen me situatën tonë të ftohtë në këtë pikë të botës. Lindja, Perëndimi, Veriu dhe Jugu mund të jenë tashmë të gjithë në rrjesht! Sytë ndjenë atë që ndjejnë vetëm sytë. Ngulen e shkulen në gjoksin e vajzës që kam përballë dhe aty gjejnë ngrohje.

Gati kisha ngrirë. Kur u zgjova e ndjeva më shumë. E ndjeva dhe këputjen e tendës nga era që frynte si e tërbuar në atë pikë të barangës, që më dukej se kërkonte të shkulte tokë e masiv toke e të bashkonte kanalin me pikën tjetër, të pashkelur nga ne për arsye të rrojave.

Ne po shpaketojmë. Ngrehina është e vogël dhe frymëmarrja e shpejtë e të gjithë të internuarve si ne e ngroh atë në maksimum. Hunda ime fërkohet në skajin e shallit tim prej leshi, me qimet e tij të ashpra që shtrihen si tentakula të pafuqishme drejt krahut tim.

- Çfarë po ndodh? – pyet dikush, një i panjohur që më afrohet ngadalë.

- Një Zot e di - përgjigjem me një zë të lehtë e të prerë. Pastaj ai ndryshon papritur zërin e tij dhe tund në mënyrë dramatike dorën e tij të fryrë para syve të mi:

- Pse ma bënë këtë, a? Pse më nxorën jashtë në të ftohtë? Huh? Ja si mu bë krahu! Nuk e di çfarë mallkimi tu jap?

Unë hesht. Nuk flas. Edhe ne jemi në alarm ajror…

Dyzetë e dy vjet më vonë, unë jam ende duke u djegur, jo nga ai zjarr, por tashmë nga ndezja e kujtesës, me hundën e zhytur në një shall pleqsh, rrugës për në supermarketin e lagjes ku do të blej kombinimin qesharak të brokolit me qepën e grirë dhe një shishe verë të bardhë. Garderoba ime është plot me shalle që nuk i mbaj, dhe ky në qafë është thjesht një domosdoshmëri në muzgun e freskët të shkurtit.

Përpara derës që kapërcen këndin e djathtë të kthesës janë grumbulluar lecka të pista, mes të cilave fle një burrë, i heshtur dhe i dërrmuar, si një fantazmë që ka humbur llambën e tij magjike. Të gjithë ecin, shtrëngojnë trëndafila të kuq në duar. Ecin. Ecin. Puthen dhe… Ata e kalojnë pa e vërë re atë. Është ora pesë. Në këtë kohë, njerëzit në çdo vend që respekton veten shmangin të menduarit për përralla.

Përkulem pranë tij dhe e pyes nëse është mirë t'i blej pak ushqim. Jeta në trupin e tij të mumifikuar është aq kalimtare sa edhe një frymë ere mund ta shuajë atë.

- Jo faleminderit - përgjigjet ai me mirësjellje - thjesht po pushoj. Ju keni një shall të bukur ...

E nxjerr menjëherë shallin nga poshtë xhupit dhe xhaketës. Butësisht, mundohem ta mbështjellë, dhe në çast më duket se po mbështjell një figurinë prej porcelani, e mbështjell ngadalë rreth qafës së endacakut.

- Kini kujdes zotëri! - më paralajmëron me mirësjellje një polic që del nga errësira - që të mos keni ndonjë... Ne do të kujdesemi për të tani. Një tjetër oficer i zbatimit të ligjit afrohet dhe ai dhe bashkë me kolegun i tij e çojnë diku në një makinë që përmbyllet tutje në errësirën e mjegullt.

- Sa bukur që e pastruan këtë vend - foli një zonjë me një tufë trëndafilash në dorën e majtë dhe klikoi telekomandën e një Mercedesi të ri.

Unë ia shkela këmbëve. Sytë nuk i lashë të bëjnë asnjë detyrim tjetër. Po mendja vazhdon të bluajë. Njerëz si ajo po trokasin gjithashtu telekomandat e tyre me makinat e tyre të reja. Bëhet një zhurmë e përgjithshme, mes së cilës toka dridhet si nën bombardim dhe qytetarët kërkojnë rrugët më të shkurtra për në bunkerët e tyre, ku nxitojnë të fshihen për të bërë dashuri.

Unë ngatërroj kohët, por dita e tillë mbetet e njëjtë: 14 Shkurt!

Dhe përsëri e dëbuan të gjorin .... Dhe përsëri e gjetën në të ftohtë. Dhe ata heshtin sikur nuk u intereson, sepse nuk u intereson fare, për sa kohë ka diçka për të klikuar, diçka për të përplasur dhe diçka për të trokitur. E njëjta kudo. Kurdoherë, kurdoherë…Pse, pse, pse?

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page