
Vullnet Mato
I falem fatit të parë që më dha fatmirësia, të lind në Sarandën e bukurisë së shenjtë, ku dyzet shenjtorë u mblodhën nga gjithësia dhe i vunë emrin përjetësues, të shifrës dyzet.
Ashiku dell që i sillet kësaj bukuroshe përqark, dremit gjithë vitin mbi shkallët e saj harkore dhe në udhën e dashurisë së tij të zjarrtë. ka fiksuar këtu, më të ndritshmen lakore.
Këtu mblidhen kureshtarët e të gjitha viseve të sodisin këtë perri, që i tërheq si magnet dhe tre muajt e artë të gjithë mesviteve, Saranda e flladeve jugore, bëhet kryeqytet.
Këtu autobusët luksoz flenë bashkë me tragetet, të radhitur si dallëndyshet mbi telat e telefonit, pasi kanë sjellë nga larg, malet dhe detet, të pushojnë në varg hotelesh si dallgët e Jonit.
Këtu vajzat dalin nga shkumëzimet e valëve me belin hollak, si bisht lëkundës peshku, me bukurinë e magjishme të sirenave detare, dhe me joshjen gazmore që u jep fresku.
Këtu djemtë çapkënë, me lëkurën çokollatë, çmenden për vajzat e ardhura nga Veriu, dhe u zbresin përtokë hënën në mesnatë dhe u nxjerrin nga deti oktapodin me sy njeriu.
Këtu yjet e pjekur, bien nga vreshtat e hënës dhe i presin detarët, në rrjetat e peshkimit. Këtu horizontet të presin me dashurinë e nënës dhe të dhurojnë portokallin e kuq të perëndimit.
Saranda kurdoherë lëvrin brenda damarëve të mi dhe unë marr impulse nga zemra e saj e madhe. Kur kjo bukuroshe sykaltër, ma bën nga larg me sy, unë zbres hundën e Gjashtës nën dy vetulla malesh.
Comments