BUKUROSHJA E ËNDRRES



TREGIM NGA MYSLIM MASKA

( I RIPUNUAR)

Unë të thashë

Siç më tha shpirti:

Në ëndërr mos mu shfaq!

E tha dhe Dantja

Dhe Shekspiri,

Të dashurit janë të marrë.

Si t’ia bëj?

Më thuaj Ti

Që je në botën tjetër!

Si të të puth

Në gushë e sy

Moj bukuroshe e fjetur… 5- 11- 2021.

Ku ta dija se ç’ndodhte me mua!

Isha mbështjellë nga hije e fantazma që më përkëdhelnin, më hidhnin hopa në krahë, më puthnin dhe pastaj, siç më kujtohet, më hidhnin sigurisht me dashuri, njëzetë – tridhjetë metra lart dhe më linin të bija në tokë. Kur bija ndjeja një dhembje të jashtëzakonshme. Atëherë ulërija, qaja aq sa nxirrja shkumë nga goja. Pikërisht këtë çast, d.m.th. kur ndjeja një dhembje që nuk tregohet, hijet dhe fantazmat zhdukeshin. Dhe s’isha në endërr. Për pak kohë ngelesha i vetëm. Vetmia sikur më vriste më tepër se dhembja. Jo vetëm më dukej, por, siç më thoshin më pas, ishte realiteti. Fatmirësisht kjo nuk zgjaste shumë. Kjo pamje zëvendësohej me një tjetër; As nëna, as babai, as motrat e vëllezrit, ose shokët dhe shoqet e mia të moshës, s’mundeshin të më ndihmonin; edhe pse u thërrisja për ndihmë mesa kisha në kokë. Të kuptohemi drejt, jo se ata nuk më donin, por të gjitha këto zhvilloheshin si

një proçes misterioz brenda organizmit, ndërgjegjes dhe nënndërgjegjes sime dhe, kuptohet, s’kish se si t’i dëgjonin.

Ata shihnin ato që dukeshin, d.m.th, shkumën e bardhë që më dilte nga goja, ngërdheshjet dhe shëmtimet e fytyrës sime të bukur, prej dhimve, kërcimet dhe përpëlitjet e trupit tim si bishti i një zhapiku të prerë dhe asgjë më tepër. Sgurisht, s’e vë në dyshim që nëna qante, babai ndizte cigaret njëra pas tjetrës dhe shokët e mi moshatarë iknin të tmerruar duke qarë…Pikërisht në çastin që ata largoheshin të trembur, unë jetoja atë gjendjen tjetër që ju thashë pak më sipër. Dua t’ua them, sepse jo të gjithë në këtë botë i dinë këto gjëra. Jo vetëm nuk i dinë, por as i ndjejnë dhe as mund t’i konceptojnë.

* * *

Menjëherë sa bija në tokë dhe më dilte shkumë nga goja, d. m. th. , kur ndjeja atë dhembjen e madhe, një sekondë pas saj, para meje hapej një botë tjetër, e mrekullueshme, pa fund, qiellore dhe e vigjër si një lot fëmije, ku Brenda tij, d.m.th. brenda lotit, shihja shenjtë e djaj që përlesheshin gjer në vdekje. Sigurisht, ju nuk i shihnit, ndërsa unë jo vetëm i shihja, por vuaja aq sa qaja nga dhimbja e madhe dhe pa dashur dridhesha si një copë shkëmbi prej tërmetit. P. sh. Kur pashë që një nga shenjtët ishte gjyshi (nga babai), që ma vranë djajtë, dhe vërtet pas tri ditësh ai vdiq. Po kush ma kuptonte këtë? (Kur edhe sot s’duan të më kuptojnë.) Të gjithë mendonin se është me sëmundjen e tokës, ose një i sëmurë epileptik siç thoshin doktorët. Kaq. Ose ky qe fati i tij, ose, sa gjynah! Megjithëse, xha Maliqi, një moshatar mbi të shtatëdhjetat, kishte thënë në Këshillin e Komunës se ai vogëlush sjell mesazhe nga Zoti dhe duhet ndihmuar.

* * *

Më ndihmuan posi jo, aq sa babai dhe nëna shitën kalin, që unë e doja aq shumë dhe, tepër të shqetësuar per fatin tim, më morën në krahë për të më çuar tek mjeku më i mirë i kryeqytetit. Nja dy kilometra eca vetë me këmbë. S’duhet të isha më shumë se pesë – gjashtë vjeç. Ishte mëngjes. Një mëngjes i bukur dhe tronditës. Rrezet e diellit zgjateshin si gishta të hollë dhe jashtëzakonisht të gjatë vetëm e vetëm për të më përkëdhelur. Kështu më dukej mua, meqënse të gjithë më përkëdhelnin e më mëshironin nga sëmundja. Kur kaluam pyllin me pisha, të Drobonikut, ku sa herë që kaloja krijoja me imagjinatë mrekullira qiellore, pikërisht atë çast ndjeva një goditje në shpirt. Pata dhe një marramendje të lehtë. Të them të drejtën, digjesha. Jo vetëm digjesha, por edhe dridhesha, tamam sikur më rrokullisnin lakuriq në dëborë. Krejt pa dëshirën time, bëja ato çaste jetën e një mysafiri të një planeti tjetër. Dua të them, nuk e dija, isha apo s’isha në jetë. Siç e gjykoj tani, isha në një gjendje flurore, i shpupurisur, tepër ajror dhe ndoshta qiellor. Me fjalë të tjera, nuk e dija nëse isha apo s’isha unë. Diçka e mrekullueshme trazohej, mpiksej, piqej, jo vetëm në shpirt, por edhe në imagjinatën time. Të gjitha këto vetëm i ndjeja. Më tepër s’dija asgjë. Papritur ndjeva një dhimbje të madhe. Edhe kockat, edhe nervat, edhe mendjen m’u duk se dikush, që unë as e njihja dhe as e shihja, m’i shtrydhi me kaq forcë, saqë horizonti para meje u lëkund, sigurisht me të edhe malet, edhe qielli. Brenda shpirtit tim një ankth i madh, një pritje e ethshme. Befas dielli mëngjesor, me të gjtha mrekullitë e tij, ndali dhe pas pak u kthye prapa.

(Njëlloj siç ndodh kur dielli është në perëndim). Por unë isha dhe jam i sigurt edhe sot, që dielli u kthye prapa. Pak nga pak hijet filluan të zgjateshin, në vend që të shkurtoheshin, dhe pas nja dhjetë – pesëmbëdhjetë minutash u bë errësirë. Unë ndjeva aq ftohtë sa ngrita jakën e xhiboksit dhe vura kokoren.

-Ke ftohtë? – më pyeti nëna.

-U bë natë, - i thashë unë.

-Po e zënë krizat, - m’u bë se dëgjova nga babai.