top of page

BUKUROSHJA E ËNDRRES



TREGIM NGA MYSLIM MASKA

Ku ta dija se ç’ndodhte me mua!

Isha mbështjellë nga hije e fantazma që më përkëdhelnin, më hidhnin hopa në krahë, më puthnin dhe pastaj, siç më kujtohet, më hidhnin sigurisht me dashuri, njëzetë – tridhjetë metra lart dhe më linin të bija në tokë. Kur bija ndjeja një dhembje të jashtëzakonshme. Atëherë ulërija, qaja aq sa nxirrja shkumë nga goja. Pikërisht këtë çast, d.m.th. kur ndjeja një dhembje që nuk tregohet, hijet dhe fantazmat zhdukeshin. Dhe s’isha në endërr. Për pak kohë ngelesha i vetëm. Vetmia sikur më vriste më tepër se dhembja. Jo vetëm më dukej, por, siç më thoshin më pas, ishte realiteti. Fatmirësisht kjo nuk zgjaste shumë. Kjo pamje zëvendësohej me një tjetër; As nëna, as babai, as motrat e vëllezrit, ose shokët dhe shoqet e mia të moshës, s’mundeshin të më ndihmonin; edhe pse u thërrisja për ndihmë mesa kisha në kokë. Të kuptohemi drejt, jo se ata nuk më donin, por të gjitha këto zhvilloheshin si

një proçes misterioz brenda organizmit, ndërgjegjes dhe nënndërgjegjes sime dhe, kuptohet, s’kish se si t’i dëgjonin.

Ata shihnin ato që dukeshin, d.m.th, shkumën e bardhë që më dilte nga goja, ngërdheshjet dhe shëmtimet e fytyrës sime të bukur, prej dhimbjeve, kërcimet dhe përpëlitjet e trupit tim si bishti i një zhapiku të prerë dhe asgjë më tepër. Sgurisht, s’e vë në dyshim që nëna qante, babai ndizte cigaret njëra pas tjetrës dhe shokët e mi moshatarë iknin të tmerruar duke qarë…Pikërisht në çastin që ata largoheshin të trembur, unë jetoja atë gjendjen tjetër që ju thashë pak më sipër. Dua t’ua them, sepse jo të gjithë në këtë botë i dinë këto gjëra. Jo vetëm nuk i dinë, por as i ndjejnë dhe as mund t’i konceptojnë.

* * *

Menjëherë sa bija në tokë dhe më dilte shkumë nga goja, d. m. th. , kur ndjeja atë dhembjen e madhe, një sekondë pas saj, para meje hapej një botë tjetër, e mrekullueshme, pa fund, qiellore dhe e vigjër si një lot fëmije, ku Brenda tij, d.m.th. brenda lotit, shihja shenjtë e djaj që përlesheshin gjer në vdekje. Sigurisht, ju nuk i shihnit, ndërsa unë jo vetëm i shihja, por vuaja aq sa qaja nga dhimbja e madhe dhe pa dashur dridhesha si një copë shkëmbi prej tërmetit. P. sh. Kur pashë që një nga shenjtët ishte gjyshi (nga babai), që ma vranë djajtë, dhe vërtet pas tri ditësh ai vdiq. Po kush ma kuptonte këtë? (Kur edhe sot s’duan të më kuptojnë.) Të gjithë mendonin se është me sëmundjen e tokës, ose një i sëmurë epileptik siç thoshin doktorët. Kaq. Ose ky qe fati i tij, ose, sa gjynah! Megjithëse, xha Maliqi, një moshatar mbi të shtatëdhjetat, kishte thënë në Këshillin e Komunës se ai vogëlush sjell mesazhe nga Zoti dhe duhet ndihmuar.

* * *

Më ndihmuan posi jo, aq sa babai dhe nëna shitën kalin, që unë e doja aq shumë dhe, tepër të shqetësuar per fatin tim, më morën në krahë për të më çuar tek mjeku më i mirë i kryeqytetit. Nja dy kilometra eca vetë me këmbë. S’duhet të isha më shumë se pesë – gjashtë vjeç. Ishte mëngjes. Një mëngjes i bukur dhe tronditës. Rrezet e diellit zgjateshin si gishta të hollë dhe jashtëzakonisht të gjatë vetëm e vetëm për të më përkëdhelur. Kështu më dukej mua, meqënse të gjithë më përkëdhelnin e më mëshironin nga sëmundja. Kur kaluam pyllin me pisha, të Drobonikut, ku sa herë që kaloja krijoja me imagjinatë mrekullira qiellore, pikërisht atë çast ndjeva një goditje në shpirt. Pata dhe një marramendje të lehtë. Të them të drejtën, digjesha. Jo vetëm digjesha, por edhe dridhesha, tamam sikur më rrokullisnin lakuriq në dëborë. Krejt pa dëshirën time, bëja ato çaste jetën e një mysafiri të një planeti tjetër. Dua të them, nuk e dija, isha apo s’isha në jetë. Siç e gjykoj tani, isha në një gjendje flurore, i shpupurisur, tepër ajror dhe ndoshta qiellor. Me fjalë të tjera, nuk e dija nëse isha apo s’isha unë. Diçka e mrekullueshme trazohej, mpiksej, piqej, jo vetëm në shpirt, por edhe në imagjinatën time. Të gjitha këto vetëm i ndjeja. Më tepër s’dija asgjë. Papritur ndjeva një dhimbje të madhe. Edhe kockat, edhe nervat, edhe mendjen m’u duk se dikush, që unë as e njihja dhe as e shihja, m’i shtrydhi me kaq forcë, saqë horizonti para meje u lëkund, sigurisht me të edhe malet, edhe qielli. Brenda shpirtit tim një ankth i madh, një pritje e ethshme. Befas dielli mëngjesor, me të gjtha mrekullitë e tij, ndali dhe pas pak u kthye prapa.

(Njëlloj siç ndodh kur dielli është në perëndim). Por unë isha dhe jam i sigurt edhe sot, që dielli u kthye prapa. Pak nga pak hijet filluan të zgjateshin, në vend që të shkurtoheshin, dhe pas nja dhjetë – pesëmbëdhjetë minutash u bë errësirë. Unë ndjeva aq ftohtë sa ngrita jakën e xhiboksit dhe vura kokoren.

-Ke ftohtë? – më pyeti nëna.

-U bë natë, - i thashë unë.

-Po e zënë krizat, - m’u bë se dëgjova nga babai.

Nëna më mori në krah e më shtrëngoi në gjoks duke më puthur. Atë çast qielli qe mbushur i tëri me yje. Ç’yje? Qe mbushur me qelqurina, me miliona mrekullira. Miliona perla vezullonin e vallëzonin. Herë – herë më dukeshin si balerina, herë si shenjtorë. Pas pak ato m’u shndërruan në miliona çupëza të bukura, me fjongo zambakësh të bardhë në flokët e artë dhe me fustane të shkurtra dhe nisën të rendnin drejt meje. Në çastin që unë hapa krahët, njëra prej tyre u shkëput dhe, me një shpejtësi marramendse, d.m.th. brenda një të qindës së sekondës, u gjend përballë meje. Unë qeshja dhe qaja nga gëzimi. Nëna më mbante në krahun e djathtë

-Ulu këtu, - i thashë unë, d.m.th. , në krahun e majtë të nënës sime.

Ajo, vogëlushja bukuroshe, s’foli, vetëm më buzëqeshi ëmbël dhe me gishtin tregues më shtypi pakëz hundën me dashuri.

-Ulu të lozim bashkë, - i thashë përsëri unë. Ajo vetëm qeshte e përkëdhelej në hapësirë, përballë meje.

-Të dua, - më tha pas pak, - Të dua shumë, prandaj erdha që andej, - dhe me gisht më tregoi miliona bukuroshet e qiellit…

-Edhe unë të dua shumë, - i thashë unë.

-Vërtet?

-Po, vërtet. Do të martohemi bashkë kur të rritemi? – pyeta unë.

-Pse jo - m’u përgjigj.

Siç qe në hapësirë, erdhi drejt meje…Mbaj mend që më puthi në faqe dhe, kur unë hapa krahët për ta përqafuar e puthur si kalama, çuditërisht qielli me yje qe zhdukur. Dielli kishte filluar përsëri të lindte, d.m.th., të vazhdonte rrugën e tij monotone miliarda vjeçare. Gjithçka po mbushej me dritë. Në shpirtin tim ra errësira. Dridhesha. Mbërdhija. Po ngrija. Dhe askush s’kishte forcë të më ngrohte pakëz. Meqënse nëna po qante, unë me siguri po nxirrja shkumë të bardhë nga goja. Sigurisht, babai ndizte cigaret njëra pas tjetrës dhe, fshehurazi nënës, fshinte sytë me kurrizin e dorës.

* * *

Pas dy apo tre vitesh, mesa më kujtohet, bashkë me nënën shkuam tek gjyshërit (prindërit e nënës), në një fshat të bukur prapa Malit me Vija. Gjyshërit, edhe pse i doja shumë, më bezdisnin me merakun e madh. Pothuajse asnjë herë s’më linin vetëm. Kishin frikë mos më zinte “ajo”, d.m.th. “sëmundja e tokës”, siç kisha dëgjuar të thoshin shpesh herë për sëmundjen time, dhe mos vritesha tek përpëlitesha. Megjithëse, me sa mbaj mend, nuk pyeta asnjeri. Me vete thosha shpesh: Edhe toka qënka e sëmurë? Do jetë shumë e sëmurë toka, gjersa m’a ngjiti edhe mua këtë sëmundje. Shpesh herë, dy – tre ditë pasi më kishte zënë “Ajo”, sëmundja e tokës, kur e merrja veten e ndjehesha përsëri mirë, por me trup të dërmuar, si një çapaçul i vockël që isha, habitesha tek shihja malet viganë me majat gjer tek yjet. Çuditesha më tepër, si mund të dridhen, përpëliten e të nxjerrin shkumë nga goja këta male të mëdhenj, d.m.th. toka. Vallë a shihte toka ndonjë bukuroshe, siç shihja unë atë çupëzën e vockël, që më vinte nga yjet kur më zinte sëmundja? Me siguri gjersa e shoh unë, pergjigjesha po vetë. Patjetër, patjetër, vazhdoja me vete, se kur ra tërmeti vjet, unë e pashë me sytë e mi se si u drodh e u shtrydh toka prej dhimbjeve me një tërsëllimë të llahtarshme, aq sa u çanë edhe muret e shtëpive. Bile, gjyshi tha se edhe mali qe çarë në brinjë dhe nxirrte një burim me shkumë të bardhë. Me siguri, ajo ma kish ngjitur sëmundjen. Me siguri, edhe unë isha një copëz toke që dridhesha nga tërmeti…

* * *

Me ç’dukej klima malore po më bënte mirë. M’u shtua oreksi e ktheva mjaft nga shëndeti. Po bëhej më shumë se një muaj dhe “ajo”s’më kishte zënë asnjëherë, kur në muajin e mëparshëm më zuri tre - katër herë. Si gjyshërit dhe nëna ndjeheshin mjaft të gëzuar.

-Nuk të thashë se ai është doktor mbi doktorët për këtë sëmundje? – i tha gjyshi gjyshes.

-Dashtë Zoti, ashtu qoftë! Ashtu është, - shtoi pas pak, - gjersa djalin e kemi mirë. E ke parë? Është rritur e zbukuruar. I bëri mirë klima malore.

-Lëreni çunin të lirë të lozë e të bredhë me fëmijët e tjerë.

-Po sikur…? – tha gjyshja.

-Do kujdesem unë nga larg, - u përgjegj gjyshi.

-Hajde! – më tha gjyshja e duke më dhënë një shtëmbë të vogël më nxori tek porta. Ik luaj me kalamajtë dhe, kur të kthehesh, mbushe me ujë për gjyshin. Ki kujdes, - më tha duke më puthur, - se mos zihesh me fëmjët! Dhe më qëlloi me dashuri në prapanicë.

Çezma ishte rreth dyqind metra larg nga shtëpia. Tek sheshi para saj loznin çupka dhe çuna. Kur mbërrita pesë – gjashtë metra para tyre, ngriva. Përballë meje ishte Ajo. Ajo, që e kisha parë qindra herë, që më shtypte hundën e më puthte në faqe. Ajo, që zbriste nga yjet e pasi tek unë pushonte tërmeti, nuk e di se ku zhdukej. Ishte Ajo, që unë e shihja vetëm e vetëm kur më shtrydhnin dhimbjet e mëdha. Të them të drejtën, u tremba shumë. Pashë rreth e qark. Pashë dhe veten time nga këmbët tek koka. As malet dridheshin, as unë. Vura dorën tek goja dhe pastaj e nxora përpara se mos kisha shkumë. Asgjë.

Unë të kam parë ty, - tha ajo gjithë emocione dhe erdhi më kapi për dore e më puthi në faqe.

-Edhe unë, - iu përgjegja i çuditur.

-Unë të shoh gjthmonë në ëndrra, - tha ajo dhe krejt natyrshëm me dorën e majtë hodhi flokun mbi shpatulla.

-Sa herë të shoh në ëndrra dridhem, sikur mbushem me dritë…Dua që

ëndrra të zgjasë shumë…por ajo…Pse janë kaq të shkurtra ëndrrat e bukura? – më pyeti duke më parë drejt e në sy.

Ku di unë? – iu përgjegja si guak.

-Tani do ik, se kemi dasmë e duan ujë. T’a dish, të dua shumë. Kur të rritemi, do martohemi apo jo? – tha duke u larguar. Dhe më tundi dorën.

-Edhe unë të dua shumë, - dhe i tunda dorën.

Nuk e di sa kohë ndenja duke e parë tek largohej. “Sa e bukur” - thashë me vete dhe qava. Pas pak mendova: “Si ka mundësi që zbriti nga yjet e nuk u kthye përsëri? Është apo s’është Ajo” përsërita e përsërita jashtëzakonisht i çuditur.

* * *

Pas dy ditësh u kthyem në fshatin tim të lindjes, në Drobonik. Me kalimin e viteve sëmundja më zinte rrallë e më rrallë. Për këtë gjyshërit dhe prindërit sa qenë gjalllë ndjeheshin të gëzuar, ndërsa unë jo. Kur kalonin disa muaj dhe s’binte tërmeti në shpirtin tim, të them të drejtën ndjehesha i trishtuar sa s’thuhet gjer në dëshpërim. E pranoja me dëshirë Të dridhesha e të përpëlitesha, le të shkatërrohesha e të çahesha siç shqyheshin malet gjatë tërmetit, por ndjehesha i lumtur sa s’thuhet kur më vinte Ajo, bukuroshja. Por ajo që desha t’u thosha është kjo: Si dhe qysh ndodhkan gjëra kaq të habitshme në jetën e njeriut!? Edhe të besueshme, edhe të pa besueshme. Të them të drejtën, akoma nuk e di nëse ime shoqe është ajo vajza që zbriste nga yjet, kur nga dhembjet e pafundme nxirrja shkumë nga goja, ose sinonimi i saj, bukuroshja, tek çezma e gjyshërve të mi, prapa Malit me Vija. Apo ajo ka vite e vite që ka vdekur dhe unë s’e mora dhe s’kam për ta marrë vesh kurrë…

349 views4 comments

4 Comments


mich.maska
Mar 02, 2021

I nderuar Z. Athanasiu! Eshte nder per mua qe nje shkrimtar i talentuar si ju, qe shkruan

ndryshe nga shume te tjere, me vleresoi. E di. Tregimi im eshte pak "I VESHTIRE"! ju faleminderit qe ma bete te thjeshte e plot drite, Ju dhe te tjere, me vleresimet tuaja. Me shume respekt dhe dashuri te gjithe miqve. juaji, Myslim Maska.


Like

sotir.mimi
sotir.mimi
Mar 02, 2021

Xing.

Imagjinata gjithmonë si pjesë e trillit artistik e drejton autorin në hapsira ku formohen imazhe të ngjajshme me sëmundjen e Tokës, që ka zgjedhur autori për të shpalosur ndjenjat dhe përjetimet e dashurisë. Të mos harrojmë që këto motivojnë kujtime, për vëndin dhe njerëzit që duam. Urime! /Xing.


Like

mich.maska
Feb 27, 2021

I nderuar Z. GJERGJI ! Nje vleresim QE NDOSHTA ME PERKEDHEL, Jo vetem i juaji, por dhe i shume miqve me mesazhet qe me kane derguar ne EMAIL. Nderimet dhe konsideratat e mia per vleresimin qe me beni. Suksese ne krijimtarine tuaj dinjitoze. Me shume respekt dhe dashuri, juaji M. Maska.

Like

Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
Feb 26, 2021

Një prozë magjepsëse. Një personazh interesant njëherësh me dobësinë

njerëzore e me fuqinë e tokës dhe largpamësinë e profetit. Teksa veteksplorohet

na ysht të përjetojmë mrekullirat që zbulon e tregon.

Shumë urime dhe suksese! Përqafime, Kozmai.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page