top of page

Bukuria e artit të fjalës...


Bukuria e artit të fjalës, prurë nga një artist i skenës

Prokuroria e Përgjithshme është një institucion i rëndësishëm në jerarkinë e një shteti dhe, emrimi në krye të tij i jep emër dallues gjthkujt, po kjo s’ndodhi me Ina Ramën, së cilës para se t’i thoshin Prokurore e Përgjithëshme, e nderonin duke i thënë, “Vajza e Haxhi Ramës”. Dhe kjo, jo vetëm në Durrës, ku për Haxhiun flasin dhe valët e detit, po në gjithë Shqipërinë, sepse arti i tij i kishte pushtuar me kohë këto hapsira. Ky detaj më solli në mendje Vaso Pashën, që nuk do e kishte njohur askush, pse qe guvernator i Libanit, po mbeti i pavdekshëm se shkroi: ”O moj Shqypni”. Është forca e artit që mbretëron mbi çdo pushtet, nëse thotë gjenë e duhur dhe ashtu siç duhet. Haxhi Rama ja ka dalë me sukses. Për këtë sukses, punoi si aktor e si regjizor një jetë të tërë, i dha artit, përveç lojës në skenë, dhe 15 drama e komedi, mbi 100 skeçe, dhjetra tekste këngësh, nga ata që këndohen edhe tani pas gjysmë shekulli, fitoi disa çmimeve në konkurse kombëtare dhe bëri regjinë e mbi 8o premierave variete. Ndaj dhe është nderuar me tituj të lartë: “Mjeshtër i Madh i Skenës” e “Qytetar Nderi i Durrësit”. Ai vazhdon të bëjë një jetë aktive krijuese, edhe tani që i ka kaluar 80 vitet. Jep ndihmesë në Klubin e shkrimtarëve e artistëve të Durrësit, merr pjesë në promovime të ndryshme e i kontribuon jetës kulturore e artistike të qytetit. Ndërkohë, vazhdon rrugën e krijimtarisë, duke mos u ndalur për asnjë çast.

“Duke pirë një kafe”,(rrëfenja tavoline), e titullon librin më të fundit Haxhiu. Libër, që të mrekullon me episodet e bukura, që, sikur t’i skedosh e t’i nxjerrish nga xhepi një nga një, për çdo kafe, argëton shokët e tavolinës në mëngjeset e gjithë beharit.

I kompozuar dhe shkruar me shumë mjeshtëri, libri pasqyron jetën artistike, sociale, edhe politike të një periudhe të gjatë, në Durrës e më gjerë. Ze fill, kur i janë ngjizur në kujtesë bisedat e para me të mëdhenj, me ata të mëdhenj që bëhen protagonistë të përhershëm në jetën e tij e, që disa prej të tyre i “ngre nga varri” e i sjell të gjallë dhe pas vdekjes.

Libri në ballinë të ndjell për të lexuar anekdoda e qyfyre tavoline, po nuk ndodh ashtu. Ai është grepi, që t’a hedh në dorë atë libër voluminoz, ku menjëherë nis udhëtimi i pandalshëm nëpër skica, ese, tregime të shkurtëra e portrete, që të mbërthejnë si me magji, deri te episodi i fundit në anë të detit, kur lexuesi thotë: “Pse nuk vazhdoi dhe ca, të shihnim ç’ndodh dhe përtej... Këto që them, nuk janë kritikë letrare, janë mbresa të një lexuesi. E nisa leximin e librit, si një detyrim miqësor, pastaj m’u bë nevojë shpirtërore për t’a çuar deri në fund, pa e shkëputur nga dora. Libri është shkruar me shumë kujdes, duke realizuar në simbiozë mjeshtërinë artistike të autorit me artin e pavdekshëm të personazheve të tij, personazhe, që e kanë shoqëruar gjithë jetën me mençurinë dhe bukurinë e rrallë të talenteve të tyre. Libri sjell gjithë kulturën e kohës, duke përdorur një kamer vëzhguese të veçantë, atë të humorit, me të cilën ka parë dhe thumbuar realitete nga më të ndryshme të jetës së njeriut. Janë bërë objekte të librit veset dhe sjelljet e padëshiruara, që nga familja, shoqëria, mjediset e punës e deri te qeverisja. Edhe politikën e kanë “qarë” personazhet e tij, aq sa, në kushtet kur komentohej e ndëshkohej çdo fjalë që binte ndesh me orientimet e kohës, njëri nëpërmjet armës së tij të humorit arrin t’i thotë sekretares së partisë, që t’a lejë atë punë e të hap një biznes privatë.

Është përdorur gjuha e humorit, me bindjen e plotë, se duke sjellë episode nga humoristë të mëdhej, kënaqësia do të ecte si lumë. Dhe ja ka arrirë më së miri. Autorin e ka preokupuar dhe nevoja e arkivimit të mençurisë e zgjuarsisë popullore, realizuar në formatin e humorit. Ai vet shprehet: “Pjesa më e mirë e rrëfenjave, deri sa kanë rezistuar me dhjetra vjetë, do të thotë që, përveçse të bukura e të mprehta, shpesh janë dhe filozofike, disa edhe politike...Pse të mos fiksohen në letër, diku?...Në fund të fundit, ata janë pasuri intelektuale që meritojnë të regjistrohen në librin kadastral të vlerave të qytetit.” Dhe vazhdon me apelin, që dhe kolegë të tjerë t’a bëjnë këtë shërbim për humoristët e qyteteve të tyre. Në libër trajtohen ide dhe mendime të kohës, herë herë dhe kriptomendime, që mund t’i realizonte vetëm arti dhe artistët nëpërmjet rrëfenjave të tyre të mençura, nëpër mjedise të vogla, mes miqësh e shokësh, siç i vlerëson dhe autori,”Rrëfenja tavoline”. Duke qenë të shkurtëra dhe të bukura, ato i lenë lexuesit shijen e frutave që ka dëshirë të marrij edhe një...

Libri është produkt i kujtesës brilante të autorit, që i ka bërë të mundur mbushjen e arkës me margaritarë të prodhuar nga miqtë e shokët e tij dhe nga trashëgimia kulturore e popullit tonë. I shkruar me shumë kulturë, në një gjuhë të pastër, me fjali e fraza të ndërtuara me profesionalizëm, që perceptohen këndshëm nga lexuesi. Rrallë përdoret ndonjë fjalë e huaj, apo gjysmë banale, përdorim që i jep më shumë ngarkesë pozitive mendimit të shprehur.

Dallon puna cilësore e korektimit të librit. Lënda që prodhon këtë libër është në Durrës, por libri bart vlera universale për nga karakteret, mendimet dhe treguesit artistikë. Urime autorit!

25 views1 comment

1 Comment


Fatmir Minguli
Fatmir Minguli
Feb 24, 2023

Urime per kete analize te sinqerte e plot frymezim.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page