top of page

Bukë, ajër i pastër e zemër



Për herë të parë, që pas hapjes së këtij blogu, vendosa te bëj një postim në shqip. Kjo sepse do të shkruaj për një vend traditash e s'do kishte gjuhë më të bukur se shqipja për ta përshkruar. Do flas për një vend të vogël në Jug të Shqipërisë që e vizitoj shpesh, një fshat të vogël në rrethin e Përmetit të quajtur Petran, prej një guri të madh që gjendet në hyrje të tij. Shpesh, kur më pyesin se nga jam, pa e menduar gjatë përgjigjem gjithmonë « Elbasan », pasi origjina rëndom ngatërrohet me vendlindjen, ndërsa babai im, ndonëse i lindur në Tepelenë dhe i rritur pak në pothuaj çdo qytet të Shqipërisë, përgjigjet me krenari se është përmetar. Në fund të fundit, vendi yt është atje ku ke gjithë njerëzit e tu, jo aty ku jeton. Babai im është përmetar, për pasojë edhe unë... Në këtë fshat të vogël të Përmetit, para shumë vitesh, gjyshërit e mi të cilët i kishin shtëpiat ngjitur e ngjitur, u martuan dhe u shpërngulën së bashku në qytet. Gjyshi im ka punuar gjithmonë si oficer, e i është dashur të shpërngulet herë pas here në qytete të ndryshme e destinacioni i fundit para marrjes së pensionit ka qenë pikërisht Elbasani, ku dhe fëmijët e tij krijuan familjet përkatëse. Pavarsisht kësaj, një pjesë e madhe e kushurinjve tanë jetojnë ende në fshatin e vogël të Petranit. Këtë vit, pas një pauze pesë vjeçare, vendosëm t'i kushtonim një fundjavë para nisjes sime për në Francë. Besoj se kam arritur më në fund moshën « preferoj malin para detit » vjeç. Nuk besoj se do preferoja të shtrihesha në diell gjithë ditën, për çdo ditë të javës; sesa të flija nën zhurmën e bulkthave me një batanije të ngrohtë, të zgjohesha dhe të pija qumësht të sapo mjelë, të haja petka (makarona të bëra vetë) për mëngjes, të këpusja veshin e rrushit në vreshta e ta haja ashtu të freskët, të njomja spinaqët e sapo mbjellë me markush, të më bëheshin duart me jod nga çarja e arrave (ose kaçka, si u thonë përmetarët), të haja gliko arre për çdo vizitë që do bënim, t'i hipja gomaricës dhe të miqësohesha me të, të shikoja lule bamjeje si dhe bamjen më të madhe që mund të imagjinohet apo të kaloja urën e « Shrekut ». Por përpos gjithë çfarë thashë, nuk ka gjë më të mirë sesa të njohësh rrënjët e tua sikurse kushurinjtë me të cilët ndan të njejtin mbiemër. Pra për këdo që pyet, jam përmetare, por e lindur në Elbasan.



30 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page