Bujar Qesja: Tre miq dhe hijet e bukura të etërve tanë
- Jun 11
- 4 min read

-Konaku im i vogël dhe Durrësi ynë i madh ... Dhe për sa kohë, do të ketë miq që mblidhen rreth një tavoline, për sa kohë do të ketë durrsakë, që e duan qytetin e tyre me këtë përmallim, Durrësi do të vazhdojë të jetojë jo vetëm në hartë, por mbi të gjitha në zemrat tona...
Nga BUJAR QESJA
Ka takime, që nuk janë thjeshtë ulje rreth një tryeze. Ka biseda, që nuk janë vetëm shkëmbim fjalësh. Ka miqësi, që nuk lindin rastësisht, por që vijnë nga thellësia e kohës, nga rrënjët e familjeve dhe nga respekti, që trashëgohet si pasuri e shenjtë. Mbrëmje e tillë, ishte edhe ajo në konakun tim modest. Vetëm 6 metra katrorë sipërfaqe, por me pafundësi kujtimesh, emocionesh dhe dashurie njerëzore. Në atë tryezë jemi tre miq e shokë të hershëm, gazetari Bujar Qesja, koreografi i mirënjohur Gëzim Agolli dhe shkrimtari, fotografi i talentuar dhe mbledhësi pasionant i relikeve të vyera, Luan Jaupi.
Në pamje të parë, një darkë e zakonshme. Disa pjata modeste, pak meze, biseda shoqërore. Por në të vërtetë, ishte shumë më tepër se kaq. Ishte një takim zemrash, që kanë rrahur për të njëjtin qytet. Ishte rikthim në kohë.
Sepse miqësia jonë, nuk ka lindur vetëm nga njohja personale. Ajo është trashëguar. Prindërit tanë kanë qenë miq, bashkëpunëtorë dhe njerëz, që kanë ndarë të njëjtat ideale, të njëjtin qytet dhe të njëjtin respekt.

Luan Jaupi, emër i njohur i gazetarisë dhe fotografisë, njeri që ka ditur të ruajë në objektivin e aparatit dhe në kujtesën e tij, copëza të çmuara të historisë së Durrësit. Sa shumë histori solli në atë tryezë! Sa shumë njerëz, u rikthyen përmes kujtimeve tona! Disa jetojnë larg, disa nuk jetojnë më, por vazhdojnë të jenë mes nesh, sa herë përmenden emrat e tyre.
Luani, është djali i kapitenit legjendar të Flotës Tregtare Shqiptare, Adem Jaupit, emër që vazhdon të përmendet me nderim nga brezat e detarëve. Kapiteni i anijes së njohur "Mati", mbeti simbol i përkushtimit dhe profesionalizmit në det, duke hyrë në historinë e lundrimit shqiptar me emrin dhe figurën e tij.
Gëzimi kishte ardhur nga Udine e Italisë, ku jeton prej vitesh. Por ka gjëra që nuk i ndryshon as largësia, as koha. Durrësi mbetet gjithmonë në shpirtin e tij. Në çdo kujtim, në çdo bisedë, në çdo mall. Dhe si të mos jetë kështu? Ai ishte koreografi i parë profesionist i Pallatit të Kulturës në Durrës. Breza të tërë valltarësh, morën hapat e parë në drejtimin e tij. Në skenat e qytetit, në festivalet dhe koncertet e kohës, la vulën e talentit dhe përkushtimit.
Gëzimi është biri i Burhan Agollit, kuadër i njohur drejtues, njeri me autoritet dhe respekt në jetën institucionale të kohës së tij, i cili la gjurmë në administrimin dhe zhvillimin e qytetit.
Ndërsa unë kujtoja vitet e rinisë, mesin e viteve ’70-të, kur punoja në Bashkimet Profesionale të Rrethit dhe mbuloja problemet e kulturës dhe artit amator të klasës së fuqishme punëtore të Durrësit. Ishin vite pune, sakrifice dhe pasioni. Vite kur arti dhe kultura, ishin pjesë e jetës së përditshme të njerëzve. Vite kur njiheshim më shumë me njëri tjetrin, sepse jetonim më pranë njëri tjetrit.
Kam krenarinë të jem biri i Xhafer Qesjes, gazetarit të njohur, drejtuesit të kulturës dhe kuadrit, që për dekada dha ndihmesë në jetën qytetare të Durrësit.
Prandaj, ndërsa bisedonim atë mbrëmje, kuptova se në tryezën tonë nuk ishim vetëm ne të tre. Në mënyrë simbolike, ishin edhe etërit tanë. Ishin kujtimet e tyre, respekti që kishin ndërtuar mes tyre dhe shembulli që na lanë.
Ata na mësuan, se miqësia nuk është interes. Nuk është afërsi e përkohshme. Nuk është fjalë e bukur që thuhet në çast. Miqësia është besim. Është respekt. Është kujtesë. Është vazhdimësi. Dhe kur këto vlera, mbillen nga një brez tek tjetri, nuk humbasin.
Teksa Gëzimi sillte kujtime nga Udine ku jeton prej vitesh, ndërsa Luani tregonte histori të rralla nga arkivi i tij i pasur fotografik dhe dokumentar, biseda na kthente herë pas here në Durrësin e dikurshëm. Në atë Durrës, ku njerëzit njiheshin jo vetëm me emër, por edhe me zemër. Në atë Durrës, ku familjet ruanin respektin për njëra tjetrën dhe ku fjala e dhënë kishte peshë.
Ndoshta pikërisht për këtë arsye, këto takime kanë vlerë të veçantë. Nuk janë vetëm çlodhje mes miqsh, por edhe mënyrë për të mbajtur gjallë kujtesën. Për të nderuar ata, që nuk janë më mes nesh. Për të dëshmuar se vlerat e mira nuk shuhen.
Kur bashkohen durrsakët, tryeza bëhet më e pasur se çdo banket luksoz. Sepse aty shërbehen kujtimet. Aty pihet malli. Aty shtrohet respekti. Aty ringjallen njerëzit tanë të dashur.
Dhe mbi të gjitha, aty kupton se miqësia e vërtetë është trashëgimi e rrallë, që kalon nga etërit tek bijtë, nga një brez tek tjetri, pa humbur asnjë grimcë nga vlera e saj. Në fund të asaj mbrëmjeje, ndërsa shikonim njëri tjetrin dhe kujtonim rrugën e gjatë të jetës, na bashkonte një ndjenjë e vetme, mirënjohja.
Mirënjohja që patëm prindër të mirë. Mirënjohja që trashëguam prej tyre respektin për miqësinë. Dhe mirënjohja që edhe sot, pas kaq shumë vitesh, vazhdojmë të ulemi në të njëjtën tryezë, si bij të familjeve mike, si qytetarë të Durrësit dhe si njerëz që besojnë, se miqësia mbetet nga pasuritë më të mëdha, që mund të lërë një brez për brezin që vjen.
Dhe në fund, kur nata afrohet dhe secili përgatitet të marrë rrugën e tij, mbetet ajo ndjenjë e bukur që nuk përshkruhet lehtë me fjalë, lumturia që ende kemi njëri tjetrin.
Fotoja e kësaj mbrëmjeje, e thotë më mirë se çdo fjali. Tre miq. Tre durrsakë. Tre rrugë jete të ndryshme, por me të njëjtën adresë shpirtërore, Durrësin.
Kjo është arsyeja, pse takime të tilla nuk janë thjeshtë darka. Janë festa të kujtesës. Janë homazhe për miqësinë. Janë dëshmi se vitet ikin, flokët zbardhen, qytetet ndryshojnë, por lidhjet e vërteta njerëzore, mbeten po aq të forta sa ditën e parë.
Dhe për sa kohë, do të ketë miq që mblidhen rreth një tavoline, për sa kohë do të ketë durrsakë, që e duan qytetin e tyre me këtë përmallim, Durrësi do të vazhdojë të jetojë jo vetëm në hartë, por mbi të gjitha në zemrat tona.
Bujar Qesja
Durrës: 10 qershor 2026








Comments