top of page

BUJAR QESJA: Sanije Doda fisnikëria e dijes dhe drita e një gruaje të rrallë

  • May 2
  • 3 min read

... Ditëlindja juaj sot, është festë për familjen, për miqtë, për kolegët dhe për gjithë ata që kanë pasur fatin t’ju njohin nga afër...

Nga BUJAR QESJA

Sot është një ditë e veçantë. Një ditë që vjen me dritë, me respekt dhe me mirënjohje për një zonjë, që ka ditur të ndërtojë jetën e saj me krenari, me dije dhe me fisnikëri njerëzore. Në këtë ditëlindje të bukur, urimi shkon me gjithë zemër për Prof. Assoc. Dr. Sanije Doda. Eshtë një grua e rrallë, që i përket atij brezi njerëzish, të cilët nuk bëjnë zhurmë për të treguar vlerat, por i lënë ato të flasin vetë nëpërmjet punës, karakterit dhe qytetarisë.

Ditëlindja juaj, nuk është vetëm një datë kalendari. Është edhe stacion reflektimi, për një jetë të mbushur me përkushtim, me sakrifica të heshtura dhe me arritje të ndërtuara me shumë mund. Është një ditë, ku njerëzit që ju njohin, ndiejnë nevojën t’ju thonë me zemër, faleminderit!

Ju vini nga një truall malesh të forta, nga Tropoja e karakterit dhe e besës, ku njeriu mësohet herët të mbajë fjalën, të respektojë punën dhe të ecë përpara pa u ankuar. Dhe pikërisht këto virtyte, ju kanë shoqëruar në të gjithë udhëtimin jetësor. Në Durrësin universitar, qytetar dhe zemërhapur, nuk erdhët thjeshtë si profesioniste, por si një grua që do të linte gjurmë në auditorë, në institucione dhe mbi të gjitha në kujtesën e njerëzve.

Ka njerëz që bëjnë karrierë. Ka të tjerë që ndërtojnë personalitet. Ju keni arritur të dyja. Dhe kjo është e rrallë. Në auditorët universitarë, breza të tërë studentësh, kanë marrë prej jush jo vetëm dije, por edhe kulturë komunikimi, etikë akademike dhe model qytetarie. Tek ju, studentët kanë parë pedagogen e përgatitur, por edhe njeriun e qetë, të drejtë dhe të afërt. Kanë parë gruan, që e respekton dijen dhe e ndan atë me dashuri, pa mendjemadhësi, me natyrshmëri dhe sinqeritet.

Puna juaj shkencore, studimet, konferencat, botimet dhe angazhimet akademike, janë dëshmi e një jete të ndërtuar mbi përkushtimin. Por mbi të gjitha, ajo që ju bën të veçantë, është mënyra njerëzore me të cilën i mbani këto vlera. Nuk e përdorni dijen si dekor, por si mision. Nuk e kërkoni vlerësimin me forcë, sepse ai vjen natyrshëm tek ju.

Në këtë ditëlindje, meritoni të ndiheni krenare për rrugën që keni bërë. Nga ekonomistia e përkushtuar në vitet e para të punës, tek pedagogia e respektuar universitare. Nga vajza e maleve të Tropojës, tek zonja e nderuar e Durrësit akademik. Nga profesionistia serioze, tek nëna dhe bashkëshortja shembullore, që ka ditur të ndërtojë familje me kulturë, edukatë dhe sukses.

Lumturia më e madhe e një gruaje, nuk matet vetëm me arritjet personale, por edhe me frytet që lë pas. Dhe keni arsye të ndiheni e bekuar. Fëmijët tuaj, janë pasqyra më e bukur e edukimit dhe përkushtimit. Familja juaj është një kurorë vlerash, ku secili mban dritën e mundit dhe të dashurisë amësore. Në krah të bashkëshortit, keni ndërtuar një strehë fisnikërie dhe harmonie, që sot ju nderon edhe më shumë.

Në portretin tuaj njerëzor, ka diçka shumë të bukur, qetësia. Ajo qetësi e grave të mençura, që nuk lodhen duke treguar sa vlejnë, sepse vlera e tyre ndihet sapo i takon. Jeni nga ato zonja, që sjellin mirësi në bisedë, siguri në bashkëpunim dhe respekt në çdo mjedis ku ndodheni.

Në këtë përvjetor të jetës, le të jenë pranë jush të gjitha formulimet më të bukura. Ju uroj shëndet të plotë, sepse shëndeti është kurora e jetës. Ju uroj gëzim familjar, sepse aty rreh zemra e lumturisë. Ju uroj vite të mbushura me energji, frymëzim dhe qetësi shpirtërore. Uroj që buzëqeshja të mbetet po aq e ngrohtë, sa ç’është sot dhe sytë tuaj të vazhdojnë të kenë atë dritë të brendshme, që vetëm njerëzit e mirë e mbajnë gjatë gjithë jetës.

Universiteti ka nevojë për figura si ju. Shoqëria ka nevojë për gra si ju. Dhe njerëzit kanë nevojë për praninë e atyre personave, që e bëjnë mjedisin më njerëzor, më të kulturuar dhe më të ndershëm.

Ditëlindja juaj, është festë për familjen, për miqtë, për kolegët dhe për gjithë ata, që kanë pasur fatin t’ju njohin nga afër.

Qofshin vitet që vijnë edhe më të bukura!

Qoftë rruga juaj, gjithmonë e ndriçuar nga respekti dhe dashuria e njerëzve!

Qofshi gjithnjë e rrethuar nga mirësia, ashtu siç edhe vetë e shpërndani çdo ditë!

Gëzuar ditëlindjen, e nderuara Prof. Assoc. Dr. Sanije Doda!

Me respekt, admirim dhe urimet më të përzemërta për jetë të gjatë, shëndet e lumturi pa fund!

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page