BUJAR QESJA: Një foto që flet sa një histori
- May 2
- 5 min read

Dy shtylla të notit durrsak në brigjet e Sarandës
-Koço Afezolli dhe Bashkim Dakoli, verë e vitit 1974
Një foto që flet sa një histori
Nga BUJAR QESJA
Ka fotografi, që nuk mbeten vetëm kujtim i ngrirë në letër. Ka pamje, që marrin frymë, që flasin, që sjellin kohë të tëra përpara syve tanë. E tillë është edhe kjo fotografi e verës së vitit 1974, realizuar në Sarandë, ku shfaqen dy emra të mëdhenj të notit durrsak dhe shqiptar, Koço Afezolli dhe Bashkim Dakoli.
Dy burra të thjeshtë në paraqitje, por gjigantë në përkushtim. Dy trajnerë, dy edukatorë sporti, dy qytetarë model, që ia kushtuan jetën ujit, brezave dhe sportit të notit. Në atë kohë, Koço Afezolli drejtonte ekipin e meshkujve të “Lokomotivës” së Durrësit, ndërsa Bashkim Dakoli ekipin e femrave. Ishin vite pune intensive, sakrifice dhe pasioni, kur noti durrsak mbante gjallë traditën e tij të lavdishme dhe nxirrte kampionë të denjë për sportin shqiptar.
Kjo foto, nuk është vetëm një kujtim veror. Është edhe një dokument historie.
Durrësi, djepi i notit
Kur flasim për historinë e notit në Shqipëri, emri i Durrësit vjen i pari. Nuk është rastësi. Ky qytet bregdetar, i lidhur natyrshëm me detin, është embrioni i parë i notit shqiptar. Pikërisht këtu, në vitin 1929, hodhën rrënjë organizimet e para të notit në vendin tonë.
Deti për durrsakët, nuk ka qenë vetëm peisazh. Ka qenë jetë, kulturë, edukim dhe identitet qytetar. Breza të tërë u rritën, me kripën e detit në trup dhe me garën sportive në shpirt. Durrësi krijoi traditën, disiplinën dhe shkollën e parë të mirëfilltë të notit shqiptar.
Nga ky qytet dolën emra legjendarë, që ngritën lart flamurin e sportit shqiptar. Në krye të tyre qëndron kolosi i madh Taq Dafa, simbol i papërsëritshëm i notit kombëtar. Por pas kampionëve, qëndronin gjithmonë trajnerët, specialistët dhe njerëzit e heshtur të punës, që ndërtuan themelet e suksesit.
Në këtë panteon të madh sportiv, bëjnë pjesë me nder edhe Koço Afezolli dhe Bashkim Dakoli.
Koço Afezolli kapitull i artë i notit durrsak
Koço Afezolli, është nga figurat më të plota që ka njohur noti shqiptar. Nuk ishte vetëm trajner. Ishte notar, specialist, organizator, gjyqtar sportiv dhe edukator brezash.
Që herët iu përkushtua notit, duke u bërë pjesë organike e historisë së këtij sporti në Durrës. Për dekada me radhë, jetoi me ritmin e garave, të stërvitjeve dhe të përgatitjes së të rinjve. Emri i tij lidhet drejtpërdrejt me “Lokomotivën” e Durrësit, klubin që për shumë vite ishte krenaria e sportit ujor shqiptar.

Sarandë, viti 1974.
Koçi është nga fisi i njohur Afezolli, familje e hershme durrsake me tradita qytetarie, fisnikërie dhe kulture. Ndonëse origjina e largët është nga Hoçishti. Vëllai i Sotir Afezollit, qitësit dhe këngëtarit të njohur, duke dëshmuar edhe një herë se familja Afezolli, i ka dhënë shumë qytetit në sport dhe art. Nuk mund të anashkalohen edhe emra të tillë si gazetari dhe intelektuali i njohur Sofokli Afezolli, dirigjenti Petrika Afezolli, Heroi i Punës Koço Afezolli dhe çifti aq hokatar dhe simpatik Eli dhe Tirka Afezolli.
Dashurinë për notin Koçi e trashëgoi edhe tek i biri, Spartaku, të cilin e orientoi drejt ujit dhe sportit. Kjo tregon se noti për familjen Afezolli, nuk ishte vetëm veprimtari sportive, por mënyrë jetese.
Nga ndihmesat më të vyera të Koço Afezollit, është edhe krijimi së bashku me Mirban Kadiun, i Shoqatës Kombëtare të Veteranëve të Notit Shqiptar. Mbetet përpjekje fisnike, për të ruajtur kujtesën historike të këtij sporti dhe për të mos lënë në harresë, brezat që ndërtuan themelet e notit shqiptar.
Koçi kujtohet edhe si qytetar model, njeri i urtë, korrekt dhe i respektuar. Ruante profilin e sportistit të vjetër durrsak, punëtor, modest dhe krenar.
Bashkim Dakoli njeriu i përkushtimit dhe edukimit sportiv
Në krah të Koço Afezollit, në atë foto të Sarandës së vitit 1974, qëndron Bashkim Dakoli, tjetër emër shumë i respektuar i notit.
Pjesë e një familje të njohur qytetare, nga dinastia Dakoli, e cila ka lënë gjurmë në sportin dhe jetën shoqërore të Durrësit. Familja Dakoli mbetet simbol pune, qytetarie dhe tradite. Qendra e tyre familjare, pranë rrobaqepësisë “Moda”, ishte ndër më të njohurat në qytet dhe mbante vulën e elegancës durrsake.
Vëllezërit Dakoli, Bashkimi, Qemali, Esati, Mediu, Shyqyriu, Kupi krijuan një trung të respektuar sportistësh dhe qytetarësh. Dakolë të tjera janë edhe vëllezërit me emër Met, Selami dhe Lemi Dakoli. Qazim Dakoli berber i njohur, por edhe sportëdashës i thekur i “Lokomotivës”. Ka ndër ta mjeshtra të mekanikës, inxhinjerë, ekonomistë etj. Pesha e tyre është e ndjeshme në Durrës.
Bashkimi u dallua veçanërisht në not, sidomos në punën me ekipet e femrave. Ishte trajner i duruar, edukator i përkushtuar dhe njeri me komunikim të rrallë njerëzor. Shumë notare durrsake, u rritën nën kujdesin e tij. E kujtojnë edhe me respekt e mirënjohje.
Bashkimi nuk kërkoi asnjëherë protagonizëm. Punonte në heshtje, me pasion dhe përgjegjësi. Pikërisht njerëz të tillë, e mbajtën gjallë traditën e notit në Durrës.
Një foto, një kohë
Në pamje të parë, fotografia duket e thjeshtë. Dy trajnerë buzë detit, në një çast pushimi apo veprimtarie sportive në Sarandë. Por sa shumë histori mbart ajo!
Aty janë dy përfaqësues të njohur të Durrësit sportiv. Dy njerëz që jetuan me notin dhe për notin. Dy figura që nuk jetojnë më fizikisht, por që vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e qytetit dhe të brezave që edukuan.
Sa fotografi të tilla, mund të jenë ende nëpër albume familjare, të mbuluara nga pluhuri i harresës? Sa kujtime të vyera, presin të zbulohen për të rindërtuar historinë shekullore të notit durrsak?
Këto pamje kanë vlerë muzeale. Janë dokumente të gjalla të memories sportive të qytetit.
Drejt 100-të vjetorit të notit durrsak
Në shtatorin e vitit 2029, noti durrsak mbush 100 vjet nga krijimi i tij. Një shekull histori, sakrifica, kampionë, trajnerë dhe njerëz që i dhanë shpirt këtij sporti.
Ky përvjetor, nuk duhet të jetë thjesht ceremonial. Është rikthim i madh në kujtesë. Një detyrim moral, për të përmendur emrat e protagonistëve, për të dokumentuar historinë, për të mbledhur fotografi, kujtime, medalje dhe dëshmi.
Sepse qytetet jetojnë edhe përmes memories së tyre sportive.
Durrësi ka çfarë të tregojë. Ka kampionë, trajnerë, specialistë dhe familje të tëra që i kanë shërbyer notit. Ka njerëz që punuan pa bujë, por që ndërtuan themele të forta. Dhe ndër këto themele, qëndrojnë me personalitet Koço Afezolli dhe Bashkim Dakoli.
Nën tingujt e kujtesës sportive
Kjo fotografi e verës së vitit 1974, nuk është vetëm kujtim i bukur nga Saranda. Është homazh për dy njerëz, që i dhanë jetë notit durrsak. Është thirrje për të mos harruar. Koço Afezolli dhe Bashkim Dakoli nuk jetojnë më, por emri i tyre vazhdon të notojë në ujërat e memories së qytetit.
Detyra jonë është, t’ua mbajmë gjallë kujtimin. T’u heqim pluhurin fotografive. Të shkruajmë historinë. Të flasim për protagonistët. T’i tregojmë brezave, se Durrësi nuk ka pasur vetëm det, por edhe njerëz të mëdhenj, që ditën ta kthejnë detin në lavdi sportive.
Kështu ndërtohet kujtesa. Kështu respektohet tradita. Kështu nderohen ata, që lanë emër të madh.








Comments