top of page

BUJAR QESJA: Foto që na çon 60 vite të shkuara


Në kuadër të 100-të vjetorit të lindjes së Dhimitraq Gogës

Dominim total i basketbollit të të rinjve të “Lokomotivës”

-Foto që na çon 60 vite të shkuara

BUJAR QESJA

Me 29 qershor 2025, senatori i basketbollit Dhimitraq Goga, është në 100 vjetorin e lindjes. Sigurisht që do të jetë një ditë e mbushur me veprimtari dhe kujtimi do të jetë ekselencë. Në vigjilje të kësaj feste të basketbollit durrsak, po ngacmojmë sadopak historinë e bujshme dhe shumë të suksesshme të të rinjve të basketbollit të “Lokomotivës”.

Është nga kapitujt më prekës, ku basketbolli durrsak po shpërthente si vullkan, llava e të cilit mbulonte çdo konkurencë dhe rivalitet. Dy gjigandë të këtij basketbolli, ku durrsakët dhe jo vetëm, duhet t’u falen në jetë të jetëve Dhimitraq Goga dhe Bashkim Taga, morën përsipër të vendosnin topkoshin në shina të sigurta, ku të kalonte treni i bujshëm i sukseseve

Kjo foto, si shumë e shumë të tjera, fikson një sezon atë 1964-65, ku “Lokomotiva” e Dhimitraq Gogës pë të rinj, meritonte titullin kampion. Duhet të jetë viti i pestë i trofeut, nga 11-të rradhazi. Nuk janë veçse titujt të cilat e bënë të famshme këtë “Lokomotivë” të pandalur, por edhe mënyra hipnotizuese që luante.

Brezat e përcillnin autoritetin dhe kryelartësinë e këtij basketbolli nga viti në vit dhe Durrësi po kthehej, në pikëreferimi i këtij sporti aq popullor në rradhët e rinisë. Duke nisur nga uniformat dhe më tej nga disiplina dhe përparimi në mësime i basketbollistëve, e kishin bërë basketbollin e të rinjve shembull kombëtar dhe mburrja e Durrësit dhe e durrsakëve.

Në këtë pamje janë disa nga yjet e basketbolllit, që më pas shkëlqyen dhe i dhanë më shumë dritë rritjes së cilsësisë dhe performancës së topkoshit shqiptar, duke u parë të luanin me “Partizanin”, “Dinamon”, “17 Nëntorin” dhe “Studentin”. Kulmi kjo performancë e ka patur me Niko Profkolën, Nysret Rekën, Ibrahim Kurtbegovin, Luigj Kalebotën, Vladimir Agarajn, Pavli Jorgonin, Sabri Rustemin, Leonard Janin etj.

Populli i vendosi kësaj “Lokomotivae” të vrullshme nofkën harlema, pasi këto ishin mbitokësorët e basketbollit amerikan, që asekush mund ti ndalte. “Lokomotiva” e të rinjve e themeluar nga Dhimitraq Goga, me mbështetje të fuqishme nga Bashkim Taga, paraqiti basketboll modern, me plot virtuozitet, me teknikë të lartë, me ritëm dhe xhonglime.

Kur luanin të rinjtë e basketbollit, Durrësi ishte në festë. Shkallët e drunjta të parkut sportiv “ Nako Spiru”, përkuleshin nga ngarkesat dhe jo në pak raste edhe janë thyer. Po kështu edhe pallati i sportit “Punëtori”.

Pamje e përmallshme kjo që po publikojmë. 60-të vite të shkuara, kur arkitekti i këtyre djemve Dhimitraq Goga është në 100-të vjetorin e lindjes. Edhe më tej, do të mundemi të bëjmë të pranishme për ndjekësit e këtyre shkrimeve, pamje që rrezatojnë në shkallën më bindëse, të asaj që ka bërë basketbolli i të rinjve të “Lokomotivës” sidomos në vitet 60-të.

Por më parë se të ndodhin këto, le të shijojmë bukurinë e kësaj fotoje, bukurinë e këtyre djemve simpatikë, që aq shumë i dhanë nder dhe kryelartësi basketbollit të Durrësit.



Në pamje, në këmbë nga e majta: Shpëtim Prodani, Ibrahim Kurtbegovi (kapiten i skuadrës), Spartak Jaho, Dhimitraq Goga (trajner), Vladimir Agaraj, Niko Profkola, Pavli Jorgoni.

Në gjunjë nga e majta: Qemal Kërtusha, Sotiraq Mëngjesi, Anesti Kuqi dhe Leonard Jani.

Maj 1965

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page