BUJAR QESJA: Demir Rusi emër që i ka dhënë zë Dibrës dhe nder poezisë shqipe
- Feb 3
- 2 min read

BUJAR QESJA
"Mjeshtër i Madh"
Para pak ditësh ai mbushi 73 vjeç. Ai, pra një burrë i rrallë, një poet i madh në fjalë e në shpirt, një njeri që nuk ka ditur kurrë të ecë ndryshe veçse drejt, me ballin lart dhe me zemrën plot: Demir Rusi.
Nuk është thjesht poet. Është zë, është kujtesë, është ndershmëri, është burrni. Është nga ata njerëz, që e nderojnë vendlindjen jo me zhurmë, por me vepër, jo me fjalë të fryra, por me qëndrime të mëdha. Rrjedh nga një familje e fisme dibrane, e skalitur me besë, me sofër të shtruar dhe me respekt për tjetrin, Demir Rusi, e ka marrë që herët atë që nuk mësohet në libra formatin e epërm njerëzor.
Dibra e ka pasur gjithmonë fatin, të nxjerrë burra fjale e burra pune. Por jo të gjithë kanë ditur ta përfaqësojnë ashtu si Demir Rusi, me urtësi, me thellësi, me humanizëm, me fisnikëri që nuk kërkon duartrokitje. E ka marrë Dibrën me vete në Tiranë, por nuk e ka lënë kurrë pas. E ka mbajtur në poezi, në mendim, në qëndrim, në mënyrën si flet dhe si hesht.

Mbi 20 libra poetikë, dhjetëra çmime e vlerësime, por asnjëherë krenari boshe. Poezia e Demir Rusit është poezi e jetuar, e gatuar me dhimbje njerëzore, me dashuri të thellë për njeriun, me mall për rrënjët, me respekt për kohën. Nuk shkruan për të bërë figurë, por sepse ka çfarë të thotë. Poezia e tij ajo flet qartë, burrërisht, pa maska.
Por madhështia e Demir Rusit nuk mbaron te libri. Vazhdon tek njeriu. Një njeri i shkëlqyer, me një familje dinjitoze e të përkryer, shembull qytetarie dhe harmonie. Një bashkëshort, prind e mik, që di të japë dashuri pa e reklamuar, të ndihmojë pa e treguar, të falë pa e kujtuar. Mirësia e tij nuk është rastësi, por mënyrë jetese.
Nuk është e rastësishme, që vjen nga i njëjti trung me avokatin e njohur Baftjar Rusi. Dy vëllezër që shkëlqejnë secili në fushën e vet, por bashkohen në thelb. Burrni, humanizëm, zemërgjerësi. Përfaqësues të denjë të asaj Dibre burrash me besë, me fjalë të dhënë, me sofër të hapur dhe derë që nuk mbyllet për mikun. Emra që nuk rëndojnë mbi askënd, por rëndojnë në respekt.
Në këtë ditë të shënuar, nuk festojmë vetëm një përvjetor. Festojmë një jetë të ndërtuar drejt, një rrugë pa dredhi, një emër që nuk ka pasur nevojë të bërtasë për t’u dëgjuar. Demir Rusi është nga ata burra që i bën nder moshës, i bën nder poezisë, i bën nder familjes dhe i bën nder kombit.
Gëzuar 73-vjetorin, poet!
Të rrosh gjatë, me shëndet, me frymëzim dhe me atë dritë njerëzore që e ke shpërndarë pa kursim. Vazhdo të na nderosh me fjalën tënde, me shembullin tënd, me praninë tënde të qetë, e të fortë njëkohësisht.









Comments