top of page

Bujar esja: Bajram Likmeta – Një qytetar i Durrësit që nuk bëri zhurmë, por la gjurmë

In memoriam

Bajram Likmeta – Një qytetar i Durrësit që nuk bëri zhurmë, por la gjurmë

Ai s’kishte nevojë për dritë projektori,

Se vetë ndrinte me thjeshtësi,

Një burrë me shpirt e mendje prej zoti,

Që Durrësit i la krenari.


BUJAR QESJA


Nuk është e lehtë të ndash me fjalë dhimbjen për një mik që ikën, aq më pak për një qytetar që me heshtjen, ndershmërinë dhe qëndrimin e tij fisnik u bë pjesë e ndërgjegjes së një qyteti të tërë. Në fund të majit 2025, u nda nga jeta Bajram Likmeta, emër që për ata të cilët e njohën nga afër, përbën figurë të rrallë të qytetarisë durrsake, burrë i përkorë dhe profesionist i pashoq. Nuk kërkoi asnjëherë t’i binte gjoksit, por që gjithnjë e mbajti lart emrin e vet, familjes dhe qytetit.

Bajrami ishte biri i Shyqyri Likmetës, emër i nderuar në qytetin e Durrësit. Rrënjët i kishte të forta në këtë qytet dhe vetë ishte model i qytetarit që e deshi Durrësin dhe që nga Durrësi u desh shumë. E shihje shpesh në shoqërinë e njerëzve të mirë, të urtë, të ditur. I natyrshëm, i qetë, pa zhurmë, por gjithmonë me peshë. Kishte diçka nga ajo fisnikëria e vërtetë durrsake, që s’ka nevojë të shpallet me të madhe, por që ndihet dhe pranohet në mënyrë të heshtur nga të gjithë.

Ishte si një skulpturë e gdhendur nga heshtja. S’kishte nevojë të ngrihej mbi të tjerët që të dallohej, sepse ishte i rrallë në vetvete. Burrë i urtë, ekonomist me mendje të kthjellët dhe qytetar që nuk bënte zhurmë, por që gjithnjë jehonte në ndërgjegjen e njerëzve të ndershëm.

Pasioni i tij për artin e gdhente në heshtje shpirtin e vet. Likmeta qëndronte në sfond, por ishte gjithnjë pranë, si dritë e butë, si zë që flet pak, por thotë shumë. Largimi i tij nuk është thjesht ikje, por zbrazëti e thellë në zemrën qytetare të Durrësit.

Bajram Likmeta nuk e kërkoi kurrë vëmendjen. Prania e tij ishte si guri në themel: e padukshme për sytë e nxitimit, por e domosdoshme për çdo ndërtim të drejtë. Zotni që fliste me vepra. Qytetar që la gjurmë, pa i trokitur askujt në derë.

Kam pasur nderin dhe kënaqësinë, të punoj me të për tetë vite në Ndërmarrjen Bujqësore të Spitallës, kur përfaqësoja bashkimet profesionale të qytetit, dhe Bajrami mbante postin e shefit të planit. Edhe pse me një pozicion teknik, ai ishte shumë më tepër sesa një specialist. Ishte pikë referimi, ishte ndërgjegjja e vendit të punës. Korrekt, i saktë, me sens përgjegjësie të admirueshëm, por edhe me ndjeshmëri njerëzore, që i jepte dinjitet çdo komunikimi.

I ecte fjala, sepse fjala e tij kishte peshë, kishte drejtësi, kishte maturi. Dhe mbi të gjitha: kishte besim. Bajrami ishte ekonomist i përgatitur, profesionist me përvojë dhe i respektuar kudo ku punoi, në shumë institucione dhe sektorë, sepse gjithkund ku shkeli, la pas emrin e një burri të aftë, të ndershëm dhe të paqortueshëm.

Por jeta e Bajramit, nuk përmblidhet vetëm në punën, as në korrektësinë e përditshme. Ishte një shpirt i ndjeshëm dhe krijues. Hobi i tij i dashur ishte skulptura dhe vizatimi, jo si zbavitje sipërfaqësore, por si mënyrë e të jetuarit me bukurinë.

Qe nga kursantët e parë të vizatimit, krahas Kristaq Ramës, Zef Ujkajt, Dhimitër Harallambit, Nelo Lukaçit, Bajram Likmeta, Myrvete Dajlani, Qazim Kërtusha, Idriz Balani, Spiro Mazhe, Skënder Balajt, Ibrahim Reçit, nën drejtimin e mjeshtrit Sabri Tuçi dhe këtë pasion nuk e harroi kurrë. Përkundrazi, e kultivoi dhe e mbrojti me dashuri.

Kur skulptori Idriza Balani, nisi nismën përkujtimore për Sabri Tuçin me titullin “Profesorit që gdhendi dashurinë”, Bajrami ishte ndër mbështetësit e parë, bashkë me emra të respektuar si Abdulla Ndreu, Haxhi Rama, Hajdar Kovaçi, Dhimitër Harallambi, Qazim Kertusha… Emri i tij qëndron denjësisht përkrah tyre, sepse edhe ai ishte pjesë e asaj shtrese të heshtur, por të ndritshme të qytetit, ku intelektualët, artistët, ekonomistët, pedagogët dhe miqtë, ishin më parë njerëz me shpirt të madh dhe dinjitet të pakompromis.

I sëmurë nga një diabet i theksuar, me trup të brishtë që po e linte pak nga pak, Bajrami nuk u ankua kurrë. Me kasketën karakteristike dhe mustaqet e holla që i shkonin natyrës së tij të qetë, e shihje shpesh në Galerinë Pamore “Nikolet Vasia”, në hapjen e ekspozitave, krah për krah me Haxhi Ramën dhe shumë të tjerë që ndanin me të dashurinë për artin dhe qytetin. Ishte i pranishëm jo për t’u parë, por për të dëshmuar me prezencën e vet besnikërinë ndaj Durrësit dhe njerëzve të tij.

Bajrami nuk bëri kurrë zhurmë, por la gjurmë. Nuk ngriti zërin, por dëshmoi me vepra. Kishte shoqëri të madhe, sepse kishte shpirt të madh. Shpesh shoqërohej me miqtë e tij të përhershëm: çiftin Hila, çiftin Rama, çiftin Kabashi… Miqësi të ndërtuara mbi mirëkuptim, respekt dhe zemërgjerësi. Nuk ishte vetëm mik i mirë, por edhe mik i qëndrueshëm. Dhe në këtë qëndresë ndaj rrjedhës së kohës që gjithçka e përpin, qëndronte e fshehta e Bajramit: mbeti qytetar që e përfaqësoi denjësisht Durrësin, pa zhurmë, pa pretendime, por me thellësi, kulturë dhe ndershmëri.

Me largimin e Bajram Likmetës, Durrësi humbi nga përfaqësuesit më dinjitozë të vet. Asnjëherë nuk kërkoi të ishte në qendër të vëmendjes. Për këtë arsye, u bë nga figurat më të respektuara të qytetit. Sepse Durrësi ka memorie të thellë për njerëzit e heshtur, që e deshën dhe qëndruan gjithmonë pranë tij.

Lamtumirë, mik i dashur! Qoftë i lehtë dheu i Durrësit që aq shumë e deshe dhe që aq shumë të deshi. Kujtimi yt do të mbetet i paharruar, jo vetëm për ata që punuan me ty, por për të gjithë ata që çmojnë njerëzit e mirë, qytetarët e vërtetë dhe burrat me dinjitet.

Në heshtje erdhi, në heshtje iku,

Po emri i tij s’fshihet kurrë,

Si gdhendje e lehtë mbi shpirt qyteti,

Që s’harrohet, por mbetet gur.

Ai s’kishte nevojë për dritë projektori,

Se vetë ndrinte me thjeshtësi,

Një burrë me shpirt e mendje prej zoti,

Që Durrësit i la krenari.

Pamje 1

Busti në skulp[turë i Bajram Likmetës, punuar nga skultgori Idriz Balani.

Pamja 2

Bajram Liketa (djathtas) me mikun e tij dhe shokun më të ngushtë, regjisorin dhe shkrimtarin Haxhi Rama.

Pamja 3

Çast relaksi. Bajram Likmeta (majtas) me skulptorin durrsak Dhimitër Harallambi.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page