„Broduej i Tiranës“ (Broadway of Tirana) “pasarela” e viteve ´60 - ´70


Petrit Malushi

Nga Petrit Malushi

Broduej i Tiranës“(Broadway of Tirana) i Bedri Alimehmetit, “pasarela” e viteve ´60 - ´70


“Broduej i Tiranës” (Broadwy of Tirana)! A ka ekzistuar në të vërtetë ?! Për ditët dhe kohën e sotme duket si një produkt i fantazisë. Natyrisht për ata që nuk e njohin si dhe sa duhet historinë dhe jetën e kryeqytetit shqiptar të viteve ´60 -´70 të shekullit të kaluar. Por nëse për këtë do të pyesësh, apo do të hapësh bisedë me ndonjë të ri kryeqytetas të brezit të atyre viteve informohesh se është tërësisht e vërtetë që ka ekzistuar edhe „Broduej i Tiranës“. Madje ndonjë nga këta bashkëbisedues mund të ketë qenë edhe protagonist i atij emërtimi. Fshirja e „Broduejt“ nga kujtesa e tyre vështirë se ndodh.

Autori, midis nesh

Por si lindi, si lulëzoi dhe si u rrënua ky emërtim, këtë e shtjellon me hollësi e detaje dhe shumë bukur vetëm autori tiranas Bedri Alimehmeti në librin e tij „Broduej i Tiranës“ (Broadwy of Tirana), që doli nga botimi para pak kohësh. Si një realitet që ka ekzistuar në ato vite, gjithçka bëhet e besueshme vetëm falë këtij shkrimtari. “Broduej i Tiranës” (Broadway of Tirana) i Bedri Alimehmetit, botimi i të cilit u mundësua nga shtëpia botuese “Morava”, redaktuar nga Petrit Malushi, me ballinë të realizuar nga Ilir Alimehmeti dhe art design nga Adelajda Alla, është një përcjellje vlerash nga njëri brez tek tjetri dhe flak tutje çdo hije dyshimi për mosqenësinë e tij. Por kur vendos të shprehësh mendime rreth veprave letrare të realizuara prej këtij autori tiranas, gjendesh midis dy alternativave. Të pushtojnë njëherësh, dëshira për të thënë diçka për këtë autor shumëplanësh dhe meraku a do mundesh të prekësh gjithçka të lëvruar prej penës së tij. Kjo të ndodh edhe po të lexosh vetëm një libër, jo më pastaj kur shfleton disa prej tyre, fat të cilin unë e kam patur. Autori Bedri Alimehmeti vlerat e tij si krijues ka arritur t´i shpalosë herë si prozator, herë si poet, si gazetar sportiv apo si opinionist në median e shkruar dhe atë vizive , si skenarist, libretist, autor monografish etj. E veçanta e këtij autori, po të shikohet me vëmendje , është shfrytëzimi me racionalitet i elementeve kohë, vend, hapësirë në funksion të situatave dhe personazheve . Për elementin kohë ai karakterizohet nga një shtrirje si në thellësi edhe në gjerësi të zhvillimit të ngjarjeve. Në elementin hapësirë pëlqen të mbetet në Tiranë, rrethinat e saj, apo fare pak më tej, por pa dalë kurrë tej Shqipërisë së mesme. Në elementin vend ndihet shumë komod vetëm në mjedisin kryeqytetas, në lagjet, rrugët,rrugicat, baçet, portat, dyert, gardhet, oborret, zyrat, lokalet, institucionet e arsimit, kulturës, sportit etj të Tiranës së hershme, të mëpasshme dhe të ditëve të sotme. Çdo ngjarje, çdo fabul e kapur dhe e shtjelluar prej tij fillon e mbaron vetëm në mjedis qytetar. Duket që aty Bedriu ndihet shumë i sigurtë, pasi shtrati familjar e shoqëror dhe elementet e tjerë të kontekstit të formimit të tij nuk kanë patur dhe nuk kanë asnjë fije lidhëse me mjediset rurale dhe ato të fshatit. Galeria e personazheve të këtij autori është shumë e pasur dhe situatat po ashtu.

Vitet ´60 - ´70 të shekullit të kaluar

Në këtë shkrim objekt do të jetë vetëm “Broduej i Tiranës” (Broadway of Tirana), që nuk është i fundit i këtij autori. Pas tij ai ka nxjerrë vëllimin poetik, me vjersha dhe poema ,“Shpirt tiranasi” botuar nga shtëpia botuese “Idris Seferi”, në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut.

Në përfundim të leximit të librit të këndshëm “Broduej i Tiranës”, nëse i shikon ngjarjet, rrëfimet dhe përshkrimet mbi trekëndëshin kohë,vend, hapësirë vëren se shtjellimi bëhet nga fillimvitet gjashtëdhjetë deri në fillimvitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, në qendër të kryeqytetit shqiptar, Tiranë. Në disa fragmente autori shtrihet deri në qytetin bregdetar të Durrësit. Nëpërmjet personazheve realë dhe ngjarjeve më të spikatura ky autor lehtësisht kalon në linja të tjera për t´u rikthyer sërish atje nga u nis. Duke përdorur digresionin, të çon deri pranë pikave fundore, pastaj të largon dhe përsëri të sjell pranë tyre për të vazhduar më tej. Për t´i bërë këto kalime sa më të buta Bedriu ka zgjedhur “intermexot” , edhe pse ndonjëherë ato kanë një shtrirje pak më të gjatë se vetë ngjarjet kryesore. Nëse e nis këtë libër për ta lexuar,vështirë se e lëshon nga duart pa e përfunduar. Për më tepër kjo ndodh nga lexuesit që kanë qenë protagonistë të atyre viteve, apo shumë të tjerë që aspironin të çelnin horizonte të reja për realizimin e ëndrrave të tyre.

„Broduej i Tiranës“, pagëzimi i tij

Duke kaluar nga njëra faqe tek tjetra e librit, bindesh se ai segment rruge i quajtur “Broduej i Tiranës” në kryeqytet, shërbente si një “pasarelë” ku parakalonin personazhe nga më të spikaturit e atyre viteve, në fushën e artit, kulturës, sportit, letërsisë, shkencës, modës, muzikës, bukurisë trupore , jo vetëm të jetës kryeqytetase por gjithë shqipërisë. Autori, individë të tillë nuk i jep të shkëputur, por si pjesë e gjithë shoqërisë shqiptare, duke kaluar kështu nga individualja tek e përgjithshmja. Ndërkohë vlera të tilla shfaqeshin në jetën e përditshme dhe në momentet më të rëndësishme që kalonte shoqëria shqiptare. Demonstrimi i tyre vinte si reflektim ndaj ndryshimeve që ndodhnin në shoqërinë europiane dhe botërore, pavarësisht perdeve dhe mureve të vendosura nga sistemi politik e shtetëror. Domethënësi më kuptimplotë i kësaj ideje është vetë titulli i librit “Broduej i Tiranës” (Broadway of Tirana). Dihet që Broduej (Broadway) i vetëm në botë është një rrugë e famshme në Nju Jork. Paralelizmi që bën autori midis dy broduejve është sfida që i bëhej sistemit politik nga të rinjtë, intelektualët dhe banorët kryeqytetas. Pra ashtu si në Nju Jork, edhe në Tiranë kishte një Broduej, natyrisht jo me përmasat e tij, por që edhe aty thureshin ëndrra, vlonin dëshira, gjallonte jeta. Ky emërtim i huazuar nuk u bë as me dekret kuvendi, as me vendim pushteti. Ai lindi dhe u pagëzua nga vetë të rinjtë që e frekuentonin rregullisht atë mjedis. Nuk dihet se cili djalosh e shqiptoi i pari atë emër midis grupit të shokëve, por ai tingëlloi aq i magjishëm sa u përhap si epidemi jo vetëm në ligjërimet e të rinjve. Në fjalorin e kryeqytetasve ai u fut fare lehtësisht për të mos dalë më deri në “ditën e tij të vdekjes”. Ja çfarë shkruan Bedri Alimehmeti në faqet e para të këtij libri : “Kush e thirri i pari me këtë emër ? Askush nuk e di. Ndoshta ishit ju që e bëtë i pari këtë, ndoshta ti, ndoshta unë, ndoshta një tjetër, apo dikush që nuk e njohim as unë e as ti. Kjo pak rëndësi ka. I rëndësishëm është fakti që dikush nga ne e bëri i pari këtë, dhe kjo është kryesorja ... “ “Ajo ishte një rrugë disi e ngushtë, e shkurtër, madje jo më e gjatë se 100 metra, mu në qendër të Tiranës, që përballonte gjatë gjithë ditës një fluks të dendur kalimtarësh…” “ U shpreha në kohën e shkuar sepse ndërtesat e njërit krah të saj nuk ekzistojnë më … “ “…tek e përfytyroj si ka qenë, ndiej diçka të më thyhet në thellësi të zemrës dhe vetvetiu më lindi pyetja tronditëse ; mos vallë edhe rrugën tonë të dashur regjimi diktorial e kishte dënuar me vdekje ?…” “… këtë rrugë , të cilën disa “çunakë” kishin guxuar ta pagëzonin me emrin e njërës prej rrugëve më të famshme e më të dëgjuarat të Nju Jorkut…”

“Broduej”, demonstrim vlerash

Përcjelljen e vlerave të personazheve protagonistë të kësaj rruge tek lexuesi dhe zbërthimin e karaktereve, apo shkundjen e pluhurit të harresës tek bashkëkohësit, Bedri Alimehmeti e bën duke rrëfyer vet si autor, pra në vetën e tretë. Veç kësaj në më të shumtën e herës e realizon nëpërmjet përshkrimeve të detajuara fizike, nëpërmjet veprimeve, bisedave të vetë atyre me persona të tjerë apo rrëfimeve, opinioneve dhe komenteve të të tretëve për ata. Të tillë janë shokët, shoqet, kolegët, familjarët, fqinjët, në punë, në rrugë, në lokale e mjedise të tjera, në biseda, takime e ceremoni të thjeshta e zyrtare, në situata nga më të ndryshmet. Në rrugicat, trotuaret, lokalet e “Broduejt”, xhirot e shkurtëra dhe të gjata apo “magelançet e famshme”, flitej e diskutohej për modën, muzikën, kulturën, letërsinë, sportin, filmat etj, kalonin e parakalonin, artistë, shkrimtarë, këngëtarë, aktorë, regjisorë, misse, futbollistë, volejbollistë, basketbollistë, boksierë, shpalleshin kampionë jozyrtarë për bukurinë, modën etj. Vetë autori, në ato vite ishte një i ri kryeqytetas në kulmin e viteve rinore. Ai si një vrojtues i vëmendshëm, jo vetëm i gjërave madhore e të dukshme, por edhe i atyre të thjeshta e të padukshme, ka ruajtur me gjithë koloritin e ngjyrave në skedat e mendjes gjithçka. Dhe me mjeshtëri i ka hedhur në faqet e librit për t´i përcjellë tek lexuesit e ditëve të sotme dhe për t´i lënë edhe për të mëpasmit. E për këtë punë shpirti e zemre, më e pakta, duhet përshëndetur e vlerësuar për t´i falur sado pak kënaqësi. “Broduej i Tiranës” nuk është më. Prej tij nuk ka mbetur asnjë shenjë fizike. Ai i përket së shkuarës. Parë në këtë kontekst, “Broduej i Tiranës” i Bedri Alimehmetit mbart vlera shumë më tepër nga sa mund të mendohet në të tashmen.

Material i ngjeshur dhe i sitemuar

Nga materiali i ngjeshur dhe i sistemuar në 305 faqe është e vështirë përzgjedhja dhe shkëputja e fragmenteve për ilustrime, pasi lidhja midis tyre është e fortë. Megjithatë sa për të shuar kureshtjen e lexuesve po ndalemi vetëm në fare pak prej tyre. “ Në mbrëmje “Broduej” ynë e fitoi përsëri gjallërinë e zakonshme me fluksin karakteristik tejet të rënduar të kalimtarëve, por me të veçantën surprizë të asaj nate…nëpër trotuare u shfaqën pilotët e stuardjesat daneze…” (fq.22). “Në përfytyrimin tonë “Broduej i Tiranës”, kurrësesi nuk mund të konceptohej pa Ismail Kadarenë. Shkrimatri ynë i madh, edhe pse asnjëri nga ne nuk kishte arritur ta kontaktonte, nga të gjithë konsiderohej i “shtëpisë” (fq.25). “…Broduej nuk ishte vetëm i ne djemve. Në mënyrë të padiskutueshme ai qe edhe i vajzave tiranase…” (fq.56). “Grupi ynë e linte përkohësisht Broduejn dhe vijonte shëtitjen… në trotuaret e rrugës “Barrikada”… dhe sapo linim bonbonerinë “Odeon” vijonim më tej për të bërë “magelançen”…” (fq.72). “Nëpër trotuaret e Broduejt misset e pashpallura e nisnin paradën që në orët e para të mëngjesit. Pra e shtrenjta rruga jonë për gjatë gjithë ditës shërbente në një farë mënyre si një pasarelë gjigande , mbi të cilën evidentoheshin mrekullitë shqiptare të bukurive femërore” (fq.109). “Adriano Çelentano ka qenë në Shqipëri,- gjëmoi pa pritmas një zë, i cili fillimisht na u duk se erdhi nga jashtë, por faktikisht ishte i të vetmit klient tjetër të lokalit. Shtangëm për një çast dhe u pamë sy ndër sy. Po, po ka qenë,-vazhdoi këmbëngulës plaku,- ua them unë , e kam me gjithë mend, nuk ju gënjej. Pak kohë kam që kam dalë në pension, kam punuar në aeroportin e Rinasit, kamarjer. Ja kështu një ditë si sot qe, binte shi dhe rrufetë gjëmonin. Nga koha e keqe në pamundësi për të vazhduar udhëtimin një avion italian udhëtarësh, që nga sa më kujtohet kthehej nga Budapesti kërkoi të ulej në aeroportin tonë. Dhe domosdo leja iu dha...“ (fq.152). „Në Durrës ne djemtë e „Broduejt“ e ndienim veten si në Tiranë“ (fq.194). „Vitet gjashtëdhjetë kanë qenë shumë të pasura edhe me ngjarje sportive dhe më shumë se tjetërkund jehona e tyre ndihej padyshim në ambientet e Broduejt“ (fq .214). „Trotuaret e rrugës tonë të dashur i hijeshonin dhe e zbukuronin me prezencën e tyre në orë të ndryshme të ditës edhe një numër i madh personalitetesh...mjekët Kadri Kërçiku, Shefqet Ndroqi...juristët Jonuz Tafaj, Fiqiri Llagami,...profesorët Zija Këlliçi, Qazim Turdiu,...inxhinierët e arkitektët Tefik Gjinali, Qazim Xhepa,... Besim Daja,...piktorët Sadik Kaceli, Hasan Nallbani,...këngëtarët Hafsa Zyberi, Fitnete Rexha,...muzikantët Muharrem Gurra, Islam Petrela,...aktorët e skenës Mihal Popi,Sandër Prosi, Prokop Mima, ...Skënder Sallaku...“ (fq.259).


#Petrit #Malushi #bedri #alimehmeti

12 views

Shkrimet e fundit