Iluzione të kohëve të kota
-Brezi im që u rrit dhe jetoi “në rrethim”…
Jemi brezi i luftës. U rritëm me frikën e luftës, me “sulme” që nuk ndodhën për fatin tonë,por përherë me një koshiencë kombëtare “popull ushtar”. Kujtoj kohën kur im atë mbrëmjeve pastronte tytën e akullt të pushkës gjermane dhe unë me naivitet pyesja “Kur do fillojë lufta?” Ai më qeshte dhe thoshte “Mbase nesër, Mbase kurrë”… Por ne vijonim stērvitjet e “Popullit ushtar”. Në fshatin tim kishte çetë vullnetare, kishte një magazinë plot armatime deri edhe kundërajrorë…
Si nxënës në shkollën e mesme nuk harroj kurrë muajin e stērvitjes ushtarake. Një muaj “ushtar me uniformë” me pushkët tek koka e krevatit, me alarme të papritura, me finale “qitjet në poligon”. Aty pritej “kurorëzimi i fitores”: në tabelat e qitjes për të “nxehur gjakrat” dhe vigjilencēn ne kishim fotot e Reganit dhe Brezhnevit. Kur u rrēfej sot këto histori bashkëqytetarëve amerikanë ata habiten: “Paske marrë në shenjë Presidentin Regan?!”…
“Lufta Ishte iluzioni i kohës sonë”- u pergjigjem.
Brezi im përjetoi luftën si iluzion, si një marsh fantazmë drejt drejt Fekenit apo “fushave të minuara”. Më kujtohet se në Shkodër gjatë muajit të “edukimit fizik ushtarak” ne morēm pjesë në një “betejë të madhe” ku çdo gjë ishte fiktive, sajesë por ne marshonim në shi e breshër me “këngë luftarake”… Më kujtohet se më ishte dhënë roli i kronikanit të luftës. Shkruaja reportazhe imagjinare luftarake ku raportoja “humbjet e social imperialistëve” dhe triumfet tona…
Brezi im në shekullin që shkoi jetoi “çdo çdo orë e çdo ditë” me idenë e “sulmit nga jashtë” që nuk ndodhi kurrë… Në fakt ne sulmuam vetveten në kërkim të një kohe më të mirë. Ne rrëzuam një “kult diktatorial” për të proliferuar dhjetra e kryetarë partish që imituan majmunërisht “Xhaxhin e madh”…
Kur kohët ndryshuan dhe një kohë tjetër erdhi, kur blloqet e frikshme ideologjike u shformuan dhe kapitalizmi dhe “liria për kapital” triumfuan unë me “naivitet socialist” mendova: “ Tani që bota shembi blloqet e armiqësisë, paqja do jetë lejtmotiv i njerëzimit”…
Sa idjot paskam qënë! Kjo nuk ndodhi kurrë.Blloku Lindor u shkërmoq pa katastrofa njerëzore, por kjo nuk i solli paqe njerëzimit, as krijoi ndonjë paqe të qëndrueshme. Bota vijoi rrugën e luftës edhe pse “Paqja” ka qënë demagogjia më e madhe…
Sa luftra janë bërë qysh ku ra “Muri i Berlinit”?… Kush i bën luftrat Njeriu apo Politikat? Ushtritë apo Qeveritë? Paqja apo urretja? Si mundet njeriu të urrejë kaq shumë Njeriun?!…
Brezi im rritur “me helmetë e automatik” tek koka, kishte tjetër ikuzion për jetën pas “ferrit komunist”. Çfarë ndodhi që luftrat nuk mbaruan kurrë? Pyes dhe nuk kam një përgjigje. Pyes dhe humbas në reminishencat e shekullit të kaluar ku veshur me uniforma ushtarake zbrasnim batare në qiell me iluzionin e fitores mbi “parashutat” armike që nuk zbarkuan kurrë mbi Shqipëri… Sot shohim si zbrazen “bomba fishekzjarr” mbi qytete dhe njerëz. Nuk janë manovra ushtarake, janë “breshë” vdekjeprurës mbi Jetën.
Bota e trazuar nga ide të çmendura po përgjaket dhe Njeriu vret Njerinë. Vrasja quhet fitore, rrënimi merr “fytyrë triumfi”…
Ku është Zoti ta mbaroj Paqen dhe Njeriun?
Sërish sjell në mendje naivitetin tim kur mendoja se “blloqet ranë, erdhi paqja”…
Ishte një iluzion i kotë i kohëve të kota. Njeriu mbetet në luftë me Njeriun dhe Arsyeja mbetet një “shfaqe e huaj në Qiell”. Ndaj pa pasur nevojë të citoj filozofë dhe mendime të mençura njerëzore sepse nuk ka mbyllje më të bukur se sa perifrazimi i një autori të madh shqiptar “Nga luftra vimë, në luftra shkojmë”…
Shefqet Meko
Minnespolis, 10 Tetor 2023
Commenti