Nga arkivi i gazetarit
Më mori në telefon. Më tha se quhet Idriz Buci. Më përmendi Lurën çka më bëri që ta lë paksa mangët për atë ditë punën në kopshtin ku punoja dhe të nxitoja ta takoja. Të udhëtoja mes kujtimesh, atyre vendeve që të ngrenë peshë e të marrin fluturim për të të vënë në sy pamje që të shtojnë jetën e të ngjisin në buzë gazin. Kështu më ndodh kur dikush më përmend Lurën, liqenet e Kacnisë, masivin e bjeshkëve të Korabit, Kallkanin, luginën e Drinit, kanionin e Gjalicave me Setën nëpër këmbë...
Atje brodha në rininë dhe burrërinë e jetës sime...
U ulëm dhe porositëm nga një kafe. Idrizin e kisha takuar kohë më parë. Kishim shkëmbyer pak fjalë e kishim lidhë nyje adresat telefonike. Asokohe më kishte thënë se ishte inxhinier elektrik, se kishte punuar pesë vjet në Peshkopi ato kohë kur Dibra, mbi kanalet ujitëse ngrinte hidrocentrale të vegjël fuqia e të cilëve, po ti hiqje minierën e Bulqizës, mjaftonte për dritë për të gjithë rrethin. Asokohe kur inxhinierët elektrikë dhe hidroteknikë dibranë projektonin që me shfrytëzimin e plotë të rënies së lirë të ujit në kanalet malorë ujitës të prodhonin aq kilovat orë sa e gjithë treva të ngrohej e gatuante me energji elektrike...
Idrizi e kishte një brengë, nga ato lloj brengash që të këpusin krahun, të ndalojnë hapin e të zhubravisin shpirtin siç zhubravitet një letër ëndrrash të këputura nën mengenenë e grushtit që shtrëngohet fort.
Ermalin nuk e kishte më. Kishte ikur për të mos u kthyer kurrë. Kishte ardhur në Greqi në vitin 1997. Nuk kishte ardhur për “bukën e gojës”, se me ato që merrte ai dhe gruaja e tij, jetonte mirë. Kishte ardhur se e ndjente se pas atij viti të mbrapshtë do të ishte e vështirë për fëmijët. Donte që ata të ecnin në rrugë të tjera, më të gjëra, më me dritë, me të ardhmen pranë. Erdhi për fëmijët, siç erdhën shumë shqiptarë që koha që nisi me krisma e shkatërrime ua zhvokshi përfytyrimin.
Ermali filloi shkollën. Në Shqipëri kishte mbaruar klasën e gjashtë. E nisi si përgatitor në gjuhën greke por, vetëm pak ditë më vonë i thanë se mund të vazhdonte lirisht klasën e parë të gjimnazit. Do të ishte më i miri në gjimnaz. Do të ishte më i miri në lice. Do ta kërkonin për pedagog në universitetin ku u diplomua për informatikë mjekësore. Nuk pranoi. E donte profesionin e tij me shpirt ndaj, para se të ngjitej në katedrën e pedagogut, deshte të hynte në labirintet e praktikës. Filloi punën si specialist i thjeshtë. Një ditë pronari i vu përpara një aparat që kushtonte tetëdhjetë mijë euro, aparat që askush nuk kishte guxuar të hynte paneleve e skemave të tij marramendëse. E rregulloi duke ngjallë habi, smirë por edhe respekt. Pronari atë ditë i komunikoj se e emëronte drejtor...
I shoqërueshëm, mik me të gjithë, i kudogjendshëm kur dikush e thërriste për të rregulluar një kompjuter apo për të futur një program...
Nuk kishte makinë. Kishte një motoçikletë të vogël, një “papaq” siç i thonë. Kurrë nuk abuzoi në shpejtësi, kurrë nuk theu rregullat e qarkullimit rrugor. E keqja, fatalja do ti vinte një ditë nga ai soj të rinjsh që hyjnë mes njerëzve mbi një rrotë, mbi motorë të fuqishëm që të tronditin me krismat e tymnxjerrëses si të ishin krisma mitralozi të rëndë. Një nga ata, në shpejtësinë marramendëse, ra mbi Ermalin duke ia marrë jetën...
“Ishin shtatë grekë në garë, me një shpejtësi treqind e njëzet kilometra në orë, tregon Idrizi. Sipas filmimit që e ka policia, unë nuk e shoh por e kanë parë të tjerët, motori tre metra para goditjes personi është shkëputur dhe ka goditur çunin... Njëmbëdhjetë vjet kishte që e përdorte motorin, një gërvishtje nuk kishte mbi të.”
...E kishte një hall miku im nga Lura Idriz Buci, një hall që, si i thonë në vendlindje të tij, mos e pastë hasmi.
Këtu nisëm një bisedë si në kullat e Lurës, si në normat e “Karareve të Dheut”, siç i thonë atje. Se, si thonë, e “Keqja i ra drurit dhe e thau, i ra gurit dhe e çau, i ra burrit dhe e mbau..”.
Idrizi mbahej, megjithëse nga dhimbja kishte një vit që e kishte lënë punën. Nuk i ka mbushur ende të gjashtëdhjetat. Ka përvojën e madhe të njeriut të shkollës dhe punës shqiptare.
Idrizi është rrënjë ikur prej afro një gjysmë shekulli nga Bucet e Fushë Lurës, “Bucet e Nezirit” siç thotë duke përmendur një njeri “derëhapur në të dy kanatet” për këdo që vinte në Fushë Lurë. Se Buce nuk ka vetëm në Fushë Lurë, ka edhe në fshatrat e tjerë të Lurës, ka edhe në fshatra të tjerë të Dibrës, ka thuajse në të “Nëntë malet”e saj.
E zgjerojmë kuadrin e jetës së tij, jetë në Tiranë, jetë në Peshkopi, jetë në Greqi.
Ka mbaruar për inxhinieri elektrike në vitin 1977. “Në se të kujtohet, më thotë, jemi takuar në Peshkopi (asokohe unë isha gazetar i ATSH-së) ku kam ndejë pesë vjet. Kam punuar me Përparim Zhulalin e me Bardhok Rajtën, në repartin elektrik, sipër farmacisë...”
Dhe, për një çast, në sytë e tij lexoj mall tek përmend Hajri Shehun në zyrën e llogaritarit në ndërmarrjen elektrike të Dibrës, Lutfi Grevën, Ismail Camin, Islam Shehun një specialist dhe njeri shumë i mirë, Shaban Spahiun...
Në Peshkopi punova si kryetar i degës elektrike për fshatin, punë e cila më bëri ta njoh dhe ta dua me shpirt Dibrën.
Biseda zbret nëpër kanale me ujë dhe hidrocentrale të vegjël kur më thotë se në gazetën “Ushtima e maleve” kishte bërë një artikull me titull “Shfrytëzimi i burimeve ujore faktor me rëndësi për rritjen e prodhimit të energjisë elektrike”.
I them se për mua është një temë e njohur, temë në një shkrim të gjatë “Po mbytet Dibra, ku janë dibranët?”, botuar në gazetën “Rruga e Arbrit” dhe disa gazeta të tjera. Shkurt thosha se me Skavicën do të mbytet historia e Dibrës por me ndërtimin e hidrocentraleve të mesëm mbi degët e Drinit të Zi si Veleshica, Malla, Seta, Murra, Zalli i Okshtunit etj. do të kishim jo vetëm dritë, jo vetëm furnizim pa ndërprerje me ujë gati sa ai i hurdhës së Skavicës për hidrocentralet e tjerë në kaskadën e Drinit, por edhe për turizmin të lidhur me Liqenet e Lurës, Liqenet e Kacnisë, masivin e bjeshkëve të Korabit etj. bukuritë e të cilëve janë të virgjëra.
Këtu ndalemi dhe biseda udhëton në të dy zërat, larg, në ato vende ku ai si specialist i njeh mirë dhe ka punuar që ato vende të prodhojnë dritë.
Nuk duhet të mbytet Dibra, më thotë, nuk ka leverdi, nuk jep dritë Skavica, dritë japin hidrocentralet e vegjël dhe të mesëm mbi të gjithë Dibrën.
Psherëtin shoqëruar me atë shprehjen karakteristike dibrane të njeriut kur i duket vetja ngushtë “Ah! Oj nanë”!
Ikim nga Dibra për tu ndalur për vite të tëra në Tiranë, në Institutin e Projektimeve Elektrike, në Ndërmarrjen e Veshjeve...
Pastaj vijmë në Greqi. “Unë isha mbret në Tiranë. Me gruan, ekonomiste e lartë, merrja dy milionë e gjysmë lekë të vjetra në muaj. Ika për hirë të kalamajve, që të mos mi marrë në qafë çoroditja shqiptare e armëve që në vitin 1997 ishin nëpër duar.
Në Greqi kisha vëllanë, Fehmi Buci, mjeshtër në ndërtime, mjeshtër në ngritjen e çative. Ka licencë, merr punë vetë. Ka punuar në minierën e Bulqizës e më vonë atë të Valiasit.
U futa drejtpërdrejt në zanat, në montime panelesh. Lodhje ka por nuk është si në beton e llaç. Kur kam punuar tek “Hilton”, në rikonstruksionin e tij prej 64 miliard dhrahmi në atë kohë, u habit pronari, Andoni Karabjas. Thoshte: “Ku i di ti lidhjen e këtyre qindra e mijëra fijeve. I them “Unë jam inxhinier si puna juaj pavarësisht se ju nuk ma njihni. Kam punuar me literaturë shkencore të kohës.
Dhe vazhdon: Shkolla shqiptare dije teorike dhe punë praktike e asaj kohe nuk vjen më në Shqipëri. Këtë harroje.”
..Kthehemi përsëri tek “plaga” e tij, tek Ermali. Nuk donë t’i largohet. E pyes, paksa për ta larguar, në se ka fëmijë të tjerë.
Më thotë se ka një djalë, “Profesor baleti. Ka fituar katër herë vend të parë në Greqi. Ka fituar edhe në Itali, Shkup, në Gjermani. Bëri këtu shkollën e baletit. Kryesisht merret me baletin latin, jo klasik...
Këtu, shiriti i magnetofonit kishte arritur fundin e xhirimit.
Biseda jonë do të kthehej përsëri në Dibër, do të ulej në odën e saj cilësuar si universitet popullor e do të komunikonte me njerëz në adresa malesh e me emër të përveçëm.
Kur u ndamë ndjeva një brengëzbutje të tij, një dritë që ishte fokusuar në të ardhmen.
Dje më mori në telefon. Do të takohemi përsëri. Do të takohem edhe me të birin e tij balerin. Do të takohem edhe me të vëllanë, mjeshtër duarartë në ndërtim.
Abdurahim Ashiku
टिप्पणियां