
Plazh
Nga Fatmir Terziu
Era që fryn lë fjollën më të madhe se qaforja
në raste të tilla,
hyn loja e Perëndive të stinës,
Vurgu e përkul madhërishëm veten,
Mukërsi dhe Llaka ndjejnë vegimin e syve
nga shkrepjet e Sopotit që lënë pas
puthjet e miteve mbi Fushë të Vrinës.
Aq shumë dritë është e paketuar në një atlas
natën ngjeshin dihatjet e ditës
si piratët në një varkë,
ku ende mbajnë lidhur zinxhirrët prej frikës,
dhe luten ëndrrave si një Nazarit i dytë
për mbretërit e vetëquajtur tinës
duke gëlltitur dy korret e tokës
ndërsa qëndrojnë,
ndërtojnë arkitekturën sytë,
zogjtë transferojnë djepet nga toka në Jon,
të pushojnë për pak ditë.
Deti
Deti ka udhëtuar kohën e tij mitike ...
… gjysmën e kohës së largët,
sodit kaçurrelat gri të qiellit,
në librin e madh. Djemtë dhe vajzat
janë bërë palë me dallgët,
një kolorit mes grimit,
bardhë e blu shkëlqen nga pasqyra e paqët
shenja e frymëzimit,
fëmijët sjellin,
një shpirt që ringjallet me risinë e shkrimit.
Dhe ti, e dashur, bojalleshë më përkëdhel,
në kurorën e butë të blusë,
një harabel zbret në flokët e tua të verdhë
kjo dallgë me diell pret t'a zbusë,
me rend.
Ndaj nuk mendoj se deti nuk më tremb
mbart rregullat e hartuara vetë,
në një thelb,
është det.
Bregu i Përrallit
Bletët nuk gumëzhijnë këtu,
bëjnë iso, këndojnë polifoninë e jetës,
shëndoshin ëndrrën.
Të butë dhe të rrumbullakët janë timbrat që tingëllojnë,
e ëmbël është muzika që ata sjellin.
Zogjtë nuk këndojnë këtu,
ata luajnë.
Ato mbartin temën.
Muzikantë të talentuar janë ata.
(Të gjithë tek Bregu i Përrallit janë virtuozë.
Ata kanë lindur për të krijuar.
Melodia, harmonia, metri… janë të lindura).
Tani performanca është e gjallë dhe e ndritshme,
e plotë,
tani pothuajse akoma ekziston përtej dhimbjes,
një Botë,
në dhimbje anojnë nga drita,
përkulen në ndjesinë e maestros,
deri sa të agojë dita.
E megjithatë ...
ishte një ditë,
shumë kohë më parë në një ëndërr,
kur ky opus i vazhdueshëm u shqye.
Dhe atë ditë
(kështu këndojnë mjeshtrat e polifonisë)
era solli një ulërimë dhe lindi disonanca
e çmiti kohën,
më shumë,
bregut pranë spitalit të sotëm.
Kishte një zhurmë.