top of page

BOTA POETIKE E NIKO KACALIDHËS


BOTA POETIKE E NIKO KACALIDHËS Në librin “Heraldikët e borës” Pjesa e dytë.

VI-Duke analizuar poezinë “Llogara” ndjejmë se ajo është një poezi gati mistike dhe duhet të kesh dijeni për disa hollësi individuale të poetit, që të zbërthesh metaforën e saj dhe të shohësh portretin e Petro Markos te pisha që “nuk ka qënë kurrë e vetmuar”. Nga kjo kuptojmë se surrealizmin dhe metaforën shpesh Niko Kacalidha e përdorte si mjete mbrojtëse nga diktatura moniste, ndonëse në vetvete ato janë arritje të larta të artit poetik të Niko Kacalidhës në veçanti dhe të artit poetik shqiptar në përgjithësi. Duke ju rikthyer poezisë së Llambi Llambraqit vërejmë se kjo poezi ka në strukturën e saj një tekst kënge popullore me motive vajtimore që shpreh më tepër dhimbjen për vrasjen e djaloshit se sa një poezi që lartëson krenarisht figurën e një luftëtari minoritar të vrarë në betejën për çlirimin e qytetit të Delvinës[1]. Realish Llambi Llambraqi ka mbetur në kujtesën e popullit si një djalosh i bukur, një bukuri djaloshare që e morën tre plumba të mallëkuar: “i pari sa e çiku pak, i dyti e merr në këmbë, kurse i treti, i helmuari, në ballë e i merr jetën” ndaj dhe Niko Kacalidha duke shfrytëzuar këta element shkruan: “Nuk mjaftonte një e shtënë pushke /dhe duheshin tre si në baladat e vjetra, /Llambraqi ynë, shpirti ynë, djaloshi ynë” duke i dhënë poezisë elementët e një balade, jo për ta zbukuruar poezinë, por për të bërë të dukëshme dhimbjen. Në qoftë se te dy vargjet e para poezia shtrihet në shtrat balade, vargu i tretë na vjen si një tekst vajtimi, ku çdo zanore duket si një sy i mbushur me lot. “Llambraqi im, djaloshi im, shpirti dhe loti im” dhe tregon dhimbjen e madhe që ka shkaktuar vrasja (mos harroni: me tre plumba) e këtij djaloshi të bukur që shumë vajzave u prishte gjumin dhe u ndizte ëndërrat. Në qoftë se do dëgjojmë këngën popullore minoritare për Llambi Llambraqin, të rrënqethin shtatin vargjet ku tregohet se ai vdiq: “pa grua për ta parë, pa nënë për ta qarë[2]”dhe për këtë arsye duhej të mbanin zi fushat e malet : “Εσείς βουνά του Δέλβινου, Ju male të rënda mbi Delvinë,/ποτέ μην χιονιστείτε, nga bora mos u zbardhni/ κι εσείς, κάμποι του Φοινικιού, dhe ju o fusha në Finiq/ποτέ μην παχνιαστείτε, Me brymë mos u mbuloni[3]”. Pra shohim se te kjo poezi Niko Kacalidha “vajton” me lotë e tekst morti rënien e djaloshit, i cili ishte kaq i bukur sa që çdo prind do ta dëshironte për dhëndër dhe asesi nuk duhej të vritej me tre plumba (obobo, ç’thua more Niko?) si në balada dhe nuk i ka shkuar fare ndërmend ti hymnizonte rënien e tij në luftë. Arsyeja është e thjeshtë, mosha e tij e re ishte më tronditëse se sa akti i tij trimëror, mirëpo kjo na kujton se minoriteti etnik grek në Shqipëri nuk i ka kënduar vdekjes, qoftë ajo edhe heroike, ai ka preferuar jetën, qoftë edhe me vuajtje. Sigurisht që Niko Kacalidha e ka dëgjuar këngën popullore për Llambi Llambraqin e bukur dhe me siguri gjyshja e tij ja ka zbërthyer gërmë për gërmë, por ne le ta shohim te poezia për Leftër Talon[4]që të nxjerrim një përfundim të qartë.

Rekuiem në formë korale

Unë lashë pas anëdetin dhe ngjitem përpjetë, varrezave të dëshmorëve. Po kush i tha majit që çeli gëmushat dhe u përgjakën mersinat në varre? Unë e lashë pas anëdetin e dallgëve. Sipër i ndryshkur mermeri i bardhë në zymtësinë dhe heshtjen solemne. Folmë, Lefter Talo, ku e ke plagën tënde? Ku të mori plumbi edhe ku të dhemb? Zogjtë meditonin për petalet e gjakut në labirinthin e heshtur të karafilit. Dhe deti i trazuar u shkund atje poshtë me dridhjet- rekuiem në formë korale. Unë dhe deti psallnim rekuiemin tënd këtë mbrëmje në formë korale f.165.

Sarandë, maj 1989

Ajo që bie në sy është distanca kohore mes të dy poezive, poezia “Llambi Llambraqi” u botua në vitin 1982 në librin poetik “Në pragun e shtëpive tona” kohë kur poeti ishte me punë në Cerkovicë, ndërsa poezia për Lefter Talon u shkrua në vitin 1989, në kohën kur ishte arsimtar në Shkollën e Mesme “Hasan Tahsini” në qytetin e Sarandës. Poezia “Llambi Llambraqi” është nën një ndikim direkt të artit gojor popullor (këngët popullore) me motive vajtimore. Krijimi i poezisë për Lefter Talon ka një situatë tjetër kohore dhe krijuese. Poezia për Lefter Talon duket si e shkruar në 5 Maj, madje dhe moment teme ka çastin kur poeti po ngjitej në Varrezat e Dëshmorëve të Sarandës për ti bërë homazhe heroit. Të kuptojmë një gjë, Niko Kacalidha e donte dhe nderonte Leftër Talon, jo për afërinë familjare, por sepse ishte një djalë që e donte dhe e respektonte gjithë minoriteti etnik grek në Shqipëri. Niko Kacalidha donte të krijonte një poezi për Lefter Talon, por ja që nganjëherë është e “vështirë” të shkruash për heronjtë dhe në këtë rast vështirësa ishte se para emrit të Lefter Talos shqiptohej gjithmon titulli “Hero i Popullit” dhe mqse ai ishte “lart” në piedestal, pritshmëria ishte të krijohej një poezi e formatit soc-realist. Mirëpo Niko Kacalidha më shumë se heroin donte djalin e minoritetit, ndaj e shkroi poezinë jo për heroin Lefter Talo po për djaloshin Lefter Talo. Eshtë një poezi e bukur, e realizuar artistikisht, madje sikur këtë poezi Niko Kacalidha ta titullonte psh “Para bustit të Lefter Talos” dhe të shkruante vetem dy vargje, vetëm ato dy vargjet e fundit të strofës së dytë:

“Folmë, Lefter Talo, ku e ke plagën tënde? Ku të mori plumbi edhe ku të dhemb”?

…ajo do ishte përsëri një poezi e përsosur. Në fakt Niko Kacalidha poezinë e ka pikërisht me këto dy vargje të sipërcituara, vargjet e tjera janë “lule me ngjyra të ndryshme” lidhur në buqetë, që ai ja shpie te varri djaloshit Lefter Talo. E veçanta e kësaj poezie është që dhe këto dy vargje janë përshtatur nga folklori popullor minoritar dhe shqiptar. Janë disa këngë minoritare dhe këngë shqiptare ku vajza apo nëna i drejtohen të dashurit apo djalit të vrarë me fjalët: “ku të mori plumbi, ku e ke plagën të ta puth, të ta përkëdhel se vetëm atëherë ajo do të shërohet”? Sigurisht që Niko Kacalidha si poet, nuk i ka marrë motamo fjalët e artit gojor, ai e ka thirur në ndihmë këtë art për të shprehur gjërësinë e dhimbjes së tij për Lefter Talon. Duket sikur do të na thotë se : Lefter Talo ishte hero, jo pse ishte komunist dhe ja dha titullin shteti monist, ai ishte hero pse e vajtoi dhe e vajton gjithë populli i minoritetit etnik grek në Shqipëri.

VII- Gjurmët dhe ndikimin e artit gojor të minoritetit etnik grek dhe artingojor shqiptar në poezinë e Niko Kacalidhës e gjen në shumë poezi, prej nga ne nxjerrim përfundimin se arti gojor ka qënë ushqim kulturor për poetin qysh në fëmini dhe më pas. Nuk mund të bëhesh poet i “plotësuar” nqse nuk ke pirë ujë qysh në moshë të njomë në gurrën e artit gojor, pasi ky “ujë” i gurrës së artit gojor për formimin e botës poetike të njeriut ka vlerën e qumështit të nënës për rritjen dhe formimin e imunitetit të fëmijës. Duke kërkuar gjurmët e “gurrës” së artit gojor ku shuante etjen e tij Niko Kacalidha ne lehtësisht mund të kujtojmë librat e shumtë që kishte e sillte në shtëpi babai i tij. Këtë mendim na e përforcon fakti se i jati i tij ishte një mbledhës i apasionuar i këngëve popullore minoritare, madje në vitet e demokracisë ja doli të botonte një përmbledhje voluminoze me këto këngë, botimin e të cilës e realizoi në Athinë. “Rrëfimet e përhershme të babait ishin homerike dhe mitologjike” kujton Niko Kacalidha.[5]Për të kuptuar vlerën e rrëfimeve dhe të këngëve popullore që babai mblidhte dhe ja dëftonte Nikos në fëmijëri, duhet të dimë se talenti është një fidan peme që mbillet në fëmijëri, hedh shtat në rini, çel lule dhe lidh kokërra në moshë të ritur dhe frutet i shijon në atë moshë, kur nuk ngjitesh dot vetë në pemë të mbledhësh kokërrat, por shpreson të ti sjellin të tjerët. Duhet ti kushtojmë rëndësi faktit se Niko Kacalidha ishte një fëmijë që u rrit me gjyshe dhe kjo nënkupton se ai u rrit me mite e legjenda, me përralla e këngë të popullore. Të dëgjosh dhe mahnitesh në fëmini me herontë e përrallave dhe të legjendave se si i dalin përballë kuçedrës që ka zaptuar ujin e burimit dhe kërkonin nga një djalë e nga një vajzë si haraç muaj për muaj, ndeshen me kuçedrën dhe e vrasin me një shpatë që çan malin mes për mes, të dëgjosh nëpër ato përralla se si rënkon mali nga dashuria, se si skuqet shega nga turpi i puthjes së parë, se gjethet e pemëve në vjeshtë janë letra që u dërgohen të vdekurve në atë botë, të dëgjosh si bashkëbisedojnë pemët, se si vajtojnë retë kjo është më shumë se një fakultet letërsie. Dhe gjyshja dinte ti shpjegonte bukur, madje në mënyrë të tillë që ta ndjesh veten si heroi i përrallës apo trimi i baladës. Gjyshja e Niko Kacalidhës ishte një gjyshe librash, që nën jastëkun e saj mbante tre libra që u bënë vendimtarë e që ndikuan në formimin poetik të Niko Kacalidhës. Këto libra ishin Odiseja, Ungjilli dhe Libri i Ëndrrave të cilat shumë herë ja lexonte Nikos, madje duke bërë zbërthimin kuptimor dhe aktualizimin e tyre. Kështu sipas gjyshes Odiseu i Homerit ishte gjysh Nikolla që kishte emigruar që njëzet vjet në Amerike dhe sigurisht ishte nisur të vinte për te gjyshja Ollga, Penelopa e tij, por kushedi se cila Çirçe e mbante rob dhe a do shpëtonte prej saj. Këtu duhet të kërkojmë atë prani të shpeshtë të heronjve homerikë në poezinë e Nikos, madje një prani e dëshiruar prej lexuesit për vetë bukurinë shpirtërore të tyre. Epo të keshë gjyshe “Penelopën” e Odise-Nikollës, sigurisht që bukur do ta vargëzosh portretin e saj. Po ashtu çdo mëngjes, si në një ritual të përditshëm gjyshja ulej në pragun e shtëpisë, e mirte Nikon pranë dhe e pyeste se çfarë kishte parë në ëndër natën e shkuar dhe për çdo ëndërr ajo kishte një shpjegim te Libri i Ëndrrave. Të ritesh qysh në fëmini me Homerin, Krishtin e Fjordin do të thotë të jetojë në një botë mitike, në të cilën nuk e dalloje dot kufirin midis reales, mitit e legjendës. Bota e fëminisë nuk fshihet kollaj nga kujtesa, sidomos ato elementë që janë baza e botës shpirtërore, duke qënë ndërkohë një “arshivë” ku ruheshin me mijra këngë popullore që ja këndonte e recitonte gjyshe Ollga, madje dhe ja shpjegonte e i kërkonte që ti mësonte përmendësh. Ne folëm më lart për frymën ungjillore në poezinë e Niko Kacalidhës, por duhet të dimë se ishte gjyshja e tij ajo që ja lexonte Biblën çdo ditë si një legjendë dhe i shpjegonte mistikën e fjalëve të Krishtit, i cili gjithmon fliste me paravoli, me shembuj. Krishti është i dashur te familjet ortodokse greke dhe shqiptare, është shëmbulli i Krishti ai që kultivon dhimshurinë, dashurinë për njeriun, tolerancën etj që u mësohen qysh në fëmijëri. Të mos harrojmë se fshati Leshnicë kishte shtatëmbëdhjetë kisha dhe dy manastire, nga të cilat kisha e Shën Gjergji ishte ndërtuar me 1525 për të kuptuar se aty besimi ortodoks ishte aktiv shpirtërisht dhe me rituale të përditëshme, të cilat kishin një ndikim të mnadh në formimin e psikologjisë së banorëve qysh në moshën e fëminisë. Në këtë ambient Niko Kacalidha u rrit dhe krijoi një shpirt të pastër ungjillor që diktonte një karakter të qetë, të sinqertë, të pastër dhe tepër vëzhgues. Të kemi parasyh një realitet të fshatrave malore me kontakte të kufizuara, krahas besimit ortodoks aty ishte i pranishëm gjithmon paganizmi me ritet e tij, që nga pagëzimi i zjarrit me gjethet e ullirit e gjer te gjarpëri i shtëpisë, (për të cilin më von Niko Kacalidha do botonte një libër greqisht me mbi 300 tercina). Në ato vise shëtisnin herontë e antikitetit, perënditë e tyre, agronautët, figura dhe element që do bëheshin më von metaforat poetike në librat e tij. Dhe shtëpia e tij në mes të pemëve, pranë një pylli në shpatin e një mali të lartë ku çuditërisht ishte një burim uji i pruri Niko Kacalidhës në “basemin” e frymëzimit të tij pemët, si qënie të gjalla, (sa shumë pemë që ka në poezinë e Niko Kacalidhës, më shumë se një pysh në secilën prej tyre). Pemët kishin nëpër degë zogjtë dhe foletë e tyre, të cilët nisën të “zbrisnin” e të cicërinin nëpër vjersha. Niko Kacalidha nuk e mësoi poezinë në shkollën e mesme apo në Universitet, ai u rit në mes të poezisë, ai është bir i poezisë. Duke shkruar poezi Niko Kacalidha nuk bën gjë tjetër veçse nga tregon jetën e tij të djeshme dhe të sotme. Prandaj ju them se në qoftë se doni të kuptoni krijimtarinë e Niko Kacalidhës duhet të dini për jetën e tij në vendlindje në fëmini, sepse te çdo poezi e tij, ka diçka prej saj, madje diçka thelbësore në vargje.

VIII- Më sipër thamë se Niko Kacalidha ka ndikime nga De Rada dhe kjo është më se e dukëshme në lirizmin e tij, por ajo që duam të themi është fakti se lirizmin De Radian Niko Kacalidha e njohu dhe dashuroi në periudhën e shkollës së mesme, ndërsa e bëri të vetin në studimet universsitare, për arsyen e thjeshtë se kishte qasje me lirizmin e tij poetik të origjinës. Këtë mund ta shihni më së miri te poezia e tij “Sikur mijëra lotofagë”. Sikur mijëra lotofagë Sikur mijëra lotofagë të më jepnin bar harrese, të më ndanin nga vendlindja, të gjithë do të qenë të marrë. Pa më thoni vallë, harrohen fjalët që ju foli plepi, rrugicës së fëminisë suaj?!… * * * Unë kam parë me syrin tim çastin kur zmadhohet gjethi dhe kur lëngu i tokës sime, rend në dejet e lastarit, edhe si fatthëna shirash si vraponte salamandra me të verdha vreshtave. * * * Del në derë e më pret nëna kurse gjyshja ime e rrudhur që di vargje nga Homeri, dhe me syzat më këndonte, thotë të gjej një vajzë si ylli, dhe në buzëqeshjen nusja, të më ketë diçka nga lindjet diellore të vendlindjes. * * * Sa mëngjese unë kërkova trëndafilin dyzetfletësh! Sa mëngjese nëpër grushta mblodha vesën e lëndinës ku fryn flladi i lule blirit. * * * Leshnicë, 1975 …vijon…

Sarandë, më 04.12.2022

[1]Llambi Llambraqi, efektiv i Brigatës 19 S, djalosh minoritar nga fshati Kardhikaq, u vra në luftën për çlirimin e Delvinës në 21 korrik 1944 [2]Dr.Elvis Bramo http://exlibris.al/dr-elvis-bramo-veshtrim-krahasues-mbi... ne-gjuhen-shqipe 17 gusht 2022 [3] Dr. Elvis Bramo: Vepër e cituar. [4]Lefter Talo me origjinë nga fshati Hadër Aga (sot fshati Lefter Talo) lindi në vitin 1912 në Korfuz. Arsimin fillore e kreu në Dhrovjan dhe Leshnicë, të mesmen në Filat dhe Normalen në Elbasani. U bë antyar i PKSH qysh në vitin 1942, vit kur dhe u arestua dhe u burgos.. Me formimin e Çetës “Çamëria”, Lefter Talo u caktua zv/komisar i saj, kur u formua Brigada VI S, ai inkuadrohet me kompaninë minoritare në Batalionin “Naim Frashëri”. Pas rënies së tij në betejën e Margëllëçit një batalion i brigatës 19 S mori emrin Batalioni “Lefter Talo”. Është “Hero i Popullit”. Busti i tij është ngritur në Livadhja dhe në Sarandë Shkolla e Mesme Livadhja mban emrin “Lefter Talo”, një nga rrugët hyrëse të qytetit të Sarandës mban emrin e tij. Për Lefter Talon janë ngritur këngë popullore dhe të muzikës së përpunuar, është botuar një Monografi etj. Dhe sot pas rënies së sistemit monist, është një figurë e dashur e minoritetit etnik grek, madje emri i tij nuk është atakuar në asnjë rast dhe nga asnjë forcë politike. [5] Niko Kacalidha: Mitologjia, një tipar i kozmogonisë sime poetike. Intervistë me Vangjush Zikon, Athinë, shtator 2021

30 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page