Botë e Qytetërim


Botë e Qytetërim

Astrit Lulushi

Natyra a Zoti shpesh bën edhe shaka, ose thjesht luan me njerëzit, ose ndoshta kërkon të thotë diçka, por ne nuk e kuptojmë. Jo rrallë njeriu pak kujdeset për çfarë ndodh në këtë botë; ka edhe raste kur kërkon t’a lërë atë, por s’mundet, Krijuesi e mban të lidhur në tokë (forcë graviteti), duke e tërhequr nga këmbët dhe duke kufizuar fluturimin e tij në qiell. Këtë fuqi, njeriu e imiton dhe e quan pushtet që e përdor për të kontrolluar tjetrin.

Si çdo gjë e natyrëshme, edhe procesi i jetës është i thjeshtë; lindje, zhvillim, vdekje. Çfarë e bën jetën të vështirë, ndonjëherë të pamundur, është vetë njeriu, i cili përpiqet të dalë nga ky cikël. Ai harron pikërisht atë që nuk duhet harruar, se vjen për të ikur, dhe lë pas gjithçka. Në këto kushte njeriu vazhdimisht krijon, shpik, kopjon, rinovon idera, qëllime, mjete, mënyra të ndryshme jetese që i kontrollon me zakone, tradita, norma, kode e ligje.

Në një pjesë të botës, njeriu tund kokën majtas-djathtas-majtas për të thënë ‘po’, dhe lart-posht-lart për ‘jo’. Në kultura e shoqëri të tjera, në pjesën tjetër të botës, njeriu bën të kundërtën, dhe për ‘jo’ thotë ‘po’, por të dy kur takohen, habiten me gjestet e njëri tjetrit ose keqkuptohen.

Perëndimi vjen kur dielli humbet pas horizontit dhe nata bie. Lindja shënon daljen e diellt dhe fillimin e ditës së re. Por në jetë njeriu lë ditën dhe zgjedh natën, megjithëse të dyja ndodhin njëkohësisht atje ku dy gjysmat e globit ndahen. Pastaj, ç’rëndësi ka nëse shkon në drejtim të kundërt. Bota është rreth, dhe në pikën e nisjes njeriu do të mbërrijë përsëri, ndërsa rrugës do të takojë tjetrin që vjen nga drejtimi i kundërt. Duket se mendësia i vjetër nga koha kur thuhej se toka ishte e sheshtë, vazhdon të ndikojë, si ata që ikin nga diktatura, por kokën e mendjen e mbajnë të kthyer mbrapa. Bota e tyre ndryshon, por jo botëkuptimi. Njeriu jeton sot duke menduar dje, ose gjithmonë bën të kundërtën e asaj që mendon.

Në gjeopolitikë shpesh përdoret termi “Perëndim” - veshje perëndimore, njerëz perëndimorë, art perëndimor, muzikë perëndimore, modë perëndimore, filozofi perëndimore, kulturë perëndimore - për të përshkruar vendet e zhvilluara të Evropës dhe Amerikës së Veriut. Në skajin tjetrën qëndron Lindja - mendje e mbyllur, shtypje, autokraci, korrupsion, varfëri, trafikim, mashtrim - me Rusi, Kinë dhe vende të tjera të Azisë Lindore, dhe pjesë të Europës Juglindore, në varësi të politikave.

Por mungon konceptimi i qytetërimit Verior dhe Jugor. Kur thua Qytetërim Verior të krijohet më shumë një imazh i të ftohtit polar sesa i shteteve kombe. Ndoshta në kulturën Veriore mund të përfshihej Rusia dhe sferat e saj të ndikimit në Azinë Qendrore. Ballkani lëkundet Lindje-Perëndim. Qytetërimi Jugor mund të përfaqësohej me Afrikën dhe Azinë Jugore dhe Juglindore. Gjithashtu, mund të shtohej edhe një civilizim i pestë Qëndror, për të përshkruar Lindjen e Mesme. Kështu, Bota do të dukej më gjithë-përfshirëse, e rrumbullakët dhe më kuptimplote - jo si dikur, kur njeriu mendonte se jeta zhvillohej në vijë të drejtë dhe Toka ishte e sheshtë.

6 views

Shkrimet e fundit